Ndodhi

Institucionet në Durrës “ping-pong” kompetencash, shëndeti i qytetarëve në rrezik

3 mars 2019/ Geri Emiri/ Porta Vendore/ Durrës

Qytetarët e Durrësit dhe pushuesit që frekuentuan plazhin e Vollgës dhe të Currilave përgjatë sezonit veror të vitit që lamë pas, u përballën me riskun e marrjes së sëmundjeve të lëkurës, por edhe të infeksioneve të brendshme që shkaktohen nga kontakti me ujërat e ndotura që derdhen në det të patrajtuara. Por, rreziku vijon të jetë i pranishëm edhe për këtë sezon, ndërkohë që institucionet ia hedhin përgjegjësinë njëra tjetrës.

Në hyrje të shëtitores Taulantia, në plazhin e Vollgës, nga tubacioni që administrohet nga Ujësjellës-Kanalizime Durrës, derdhen përgjatë 24 orëve në det pa ndërprerje ujëra të ndotura.

Kjo gjendje është larg asaj që parashikon ligji Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, ku në nenin 67,shkruhet: “…në brigje, plazhe dhe në zonat e vërshimit ndalohet shkarkimi i ujërave të ndotura urbane e industriale të patrajtuara”.

Qytetarët kanë zbuluar se bregdeti po ndotet si nga institucionet publike, që është Ujësjellës-Kanalizime Durrës, ashtu dhe nga bizneset që shkarkojnë në det ujërat e ndotura të papërpunuara. Në kuadër të projektit “Durrësi aktiv për një bregdet të pastër”, mbështetur nga Lëviz Albania, të gjithë institucionet shtetërore përgjegjëse për situatën janë vendosur në dijeni dhe u është kërkuar marrja e masave, pasi përveçse zona përdoret për plazh në verë, shërben për peshkim edhe përgjatë vitit.

Megjithatë, duke se asnjë prej institucioneve, qoftë ato në nivel qendror apo nivel vendore, nuk kanë reaguar për përmirësimin e situatës. Agjencia Kombëtare e Mjedisit mbledh të dhëna mbi cilësinë e larjes në ujërat bregdetare, por në hyrjen e shëtitores “Taulantia”, pranë plazhit të Vollgës, nuk ka stacion monitorimi për cilësinë e ujit të detit.

Tubacioni i Ujësjellës Kanalizime Durrës që derdh ujërat e papërpunuar në det. Foto: Geri Emiri

Po ashtu, Inspektorati Shtetëror i Shëndetësisë (ISHSH) e informon se nuk ka kryer inspektim për shkarkimet e ujërave të ndotura në zonën e shëtitores “Taulantia” dhe plazhin e Currilave, duke shmangur përgjegjësinë. “Iniciuesi i procedimit për këtë problematikë është institucioni i Drejtorisë Rajonale të Shëndetit, më pas janë institucionet e tjera, pjesë e të cilëve është dhe Inspektorati Shtetëror Shëndetësor”, shkruante ISHSH në përgjigje. Ndërsa Drejtoria Rajonale e Shëndetit Durrës u përgjigj zyrtarisht duke pohuar të kundërtën, se nuk ishte në kompetencën e institucionit të saj, duke e orientuar përgjegjësinë tek Inspektoriati i Mjedisit.

Nga ana tjetër, drejtuesi i projektit që po dokumenton situatën, Klaudio Hyseni deklaroi se gjatë zbatimit të projektit është konstatuar se në plazhin e Vollgës nuk ka tabela informuese për rrezikun e larjes, teksa aty shkarkohen ujëra të zeza përgjatë gjithë ditës.

Klaudio Hyseni, drejtues i projektit “Durrësi aktiv për një bregdet të pastër”. Foto: Geri Emiri

Lidhur me këtë shqetësim, Bashkia Durrës deklaroi se Inspektorati i Mjedisit është përgjegjës për vendosjen e tabelave informuese për cilësinë e ujit të larjes në bregdet. Kurse Inspektorati mohoi zyrtarisht që të kishte për detyrë vendosjen e tabelave informuese për zonat e ndotura në bregdet, ku ndalohet larja.

Megjithatë, pas një sërë kërkesash për informacion dhe shkresash nga një institucion në tjetrin, Inspektorati i Mjedisit në Durrës pranon në përgjigjen e kthyer në kuadër të projektit se është njohur me problematikën dhe me faktin e derdhjes së ujërave të ndotura në det. “Nga deklarimi verbal i UKD-së u vumë në dijeni se po punohet për përmirësimin e situatës. Pritshmëritë janë që ky projekt të përfundojë brenda tre muajsh”, tha Inspektorati.

Por tre muaj më pas, punimet për rrjetin e ri të kanalizimeve në zonë, me vlerë 5.7 milionë euro nuk kanë mbaruar dhe sipas përgjigjes së ujësjellësit dhënë në kuadër të projektit, punimet parashikohen të përfundojnë përpara nisjes së sezonit të ri turistik.

Grupimi i të rinjve aktivistë “Durresi aktiv për një bregdet të pastër” shfaqi për 4 muaj në sheshin qendror të qytetit video-reportazhe informuese për situatën dhe me anë të një peticioni, të firmosur nga 1051 qytetarë të moshave e profesioneve të ndryshme, anëtarë të këshillit bashkiak dhe ekspertë të mjedisit, u kërkua nga Bashkia Durrës që të ndalojë menjëherë derdhjen e ujërave të papërpunuara në det nga Ujësjellës Kanalizime Durrës dhe bizneset që operojnë në lagjen nr.1 të qytetit.

Rreth autorit:
Geri Emiri – Diplomuar për Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka punuar në disa media online dhe televizion. Ai është themelues dhe editor online i blogut jofitimprurës “Amfora.al”, të profilizuar në raportimin mbi arkeologjinë dhe monumentet e kulturës në Shqipëri. Aktualisht punon edhe si gazetar i lirë.