Ngjarje/Personazhe

Korçë, banorët investojnë vetë për hapësirën publike para pallatit

1 mars 2019/ Dhorjela Cule/ Porta Vendore/ Korçë

Korçarët, të njohur si njerëz që kujdesen për mjedisin e tyre, kanë krijuar një model të ri bashkëpunimi me pushtetin lokal, ku në mungesë të investimeve, ata kanë vendosur të financojnë vetë për hapësirat publike.

Lagjja 10, apo siç njihet ndryshe me emërtimin “Blloku i ri i Sportit”, është një zonë me pallate të ndërtuara përgjatë viteve të fundit, por edhe ku vazhdojnë të ngrihen të tjerë, çka e vendos Bashkinë e Korçës përballë detyrimit që edhe për këta banorë të investojë në krijimin e infrastrukturës të përshtatshme në hapësirat publike.

Duke qenë se Bashkia Korçë, nuk arrin të mundësojë disa shërbime, që i ka detyrim për qytetarët e vet, ka bërë që banorët e një pallati në lagjen 10 të qytetit të Korçës, të financojnë vetë ndërtimin e trotuareve dhe gjelbërimin në zonën ku jetojnë. Bashkia e Korçës me buxhetin e saj arriti të financojë vetëm asfaltimin e rrugës, por kjo ishte e pamjaftueshme. Përballë kësaj situate, banorët vendosën të kthehen në financues të projektit që përmirëson infrastrukturën komunitare. Ata kërkuan fillimisht mbështetjen teknike nga pushteti lokal dhe pas përcaktimit të preventivit për materialet që do të nevojiteshin, i kërkuan Bashkisë së Korçës mbështetje për realizimin e punimeve. Banorët përpjesëtuan vlerën e investimit duke përcaktuar koston që do të kishte kjo ndërhyrje për secilën nga 22 familje. Të gjithë vendosën se kjo ndërhyrje do të kishte impakt në përditshmërinë e tyre dhe do të përmirësonte ndjeshëm gjendjen e sheshit para pallatit, ndaj u bashkuan për të realizuar këtë ndërhyrje.

Kjo ishte nismë e ish-futbollistit korçar Hektor Kapllani, të cilit iu desh një kohë e gjatë insistimi për të transformuar sipërfaqen para pallatit ku jeton, ndërsa pa e kuptuar ndërtoi një model të ri për korçarët. Ish- futbollisti i njohur korçar riktheu në vëmendje një traditë që Korça po rrezikon ta humbë. Kujdesin për hapësirën jashtë mureve rrethues të shtëpisë. “Kishte kohë që ne si banorë e kërkonim këtë investim dhe ishim në pritje të përmirësimit të hapësirës para pallatit. Dita e ndërhyrjes erdhi dhe e mirëpritëm pa diskutim. Kur mësuam se investimi konsistonte vetëm tek asfaltimi i pjesës që lidh pallatin me rrugën kryesore,vendosja e ndriçimit dhe sistemimi i zonës së parkimit të automjeteve, na u duk e pamjaftueshme dhe kërkuam nga bashkia që të plotësonte investimin edhe me sistemimin e hapësirës tjetër para pallatit. Na u komunikua se do të duhej të tregonim durim që kjo të përmbushej, pasi kjo ishte ndërhyrja e parashikuar dhe do të duhej një fond i dytë për të sistemuar pjesën tjetër”, tregon Hektori.

Dëshira e banorëve, të cilët shpesh teksa takoheshin në sheshin para pallatit për të shkëmbyer bisedat e tyre, ishte më e madhe se kaq. Hektori i dinte shumë mirë pritshmëritë e fqinjëve të tij. “Në këtë moment unë ndërmora iniciativën dhe bisedova me çdo familje të pallatit në mënyrë që vetë ne të plotësonim vlerën e nevojshme për sistemimin e sheshit dhe arritëm të biem dakord. Dëshira dhe vullneti nuk na mungonte. Në fund të fundit ne ishim përfituesit e drejtpërdrejtë të kësaj gjëje. Iu drejtova përsëri zyrave të bashkisë për të diskutuar idenë që kishim. Propozuam nëse mund të bashkëpunonim në këtë pjesë dhe të kishim një mbështetje të ndërsjelltë. Ramë dakord dhe për çdo familje llogaritëm që duhet të jepte kontributin e saj në vlerën 6000 lekë. Të gjithë ishim dakord. Siguruam vlerën e mjaftueshme që kjo hapësirë ku ne jetojmë të transformohej. Në fund të fundit financuam për një përfitim afatgjatë”, shprehet Hektori.

Banorët kontribuuan për gjelbërimin dhe shtrimin e trotuareve duke kompletuar “kornizën” që duhet të ketë çdo investim publik.  Kadri Liço dhe Lirika Kapllani janë dy pensionistë, të cilët shijojnë frytin e bashkëpunimit. Ata pohojnë se sheshi i munguar para pallatit u sillte vështirësi në rutinën e tyre të përditshme. “Lulishtet janë një prej vendeve më të frekuentuara nga pensionistët. Takohemi me njëri- tjetrin, shkëmbejmë dy fjalë dhe çlodhemi pak. Duhet të ecnim disa minuta për të shkuar deri te parku dhe jo gjithmonë mund ta bëjmë këtë gjë. Tani kemi një hapësirë tonën dhe për ne është kënaqësi kur e dimë që kemi dhënë edhe vetë mbështetje për këtë gjë. Në vend të dherave kemi një vend të sistemuar”, tregojnë ata.

Për Bashkinë e Korçës ky mbetet ndër rastet e rralla kur komuniteti vendos që të bashkëpunojë me një institucion për të mundësuar investimin e plotë ndërsa pa e kuptuar këta banorë u bënë nismëtarë të një mënyre të re të përmirësimit të qytetit. “Banorët e këtij pallati me të drejtë kishin kërkuar vazhdimisht që Bashkia e Korçës të ndërhynte për të rehabilituar sheshin para pallatit. Ne siguruam një fond të mjaftueshëm për të asfaltuar rrugën, sistemuar zonën e parkimit, ndriçimin dhe disa punime të tjera. Por sipërfaqja para pallatit është e konsiderueshme dhe ne nuk arrinim që ta kompletonim investimin ashtu siç dëshironin banorët. Gjatë takimeve që patëm me ta, na sugjeruan që ata të na siguronin materialet e nevojshme dhe ne tu vendosnim në dispozicion punëtorët e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike për të kryer punën. Është emocionuese kur qytetarët janë të gatshëm të tregojnë një kujdes dhe interes kaq të lartë. Bashkëpunimi me ta ishte kënaqësi por edhe një model që po e ndjekin shumë banorë të tjerë në qytet”, tregon Ilir Dinellari, Drejtori i Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike në Bashkinë e Korçës.

Pas përfundimit të punimeve, edhe banorët e disa pallateve të tjerë në zonën përreth kanë vendosur të ndjekin modelin e fqinjëve të tyre duke përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën në lagje. “Banorët e 6 pallateve të tjera në atë zonë kanë kërkuar që ne të ndërhyjmë dhe t’u përmirësojmë hapësirat e tyre. Është një lagje e re, e cila po merr një formë vërtet të bukur falë banorëve”, përfundon Dinellari.

Rreth autorit:
Dhorjela Cule është korrespondente e Top Channel në Korçë.