Ndodhi

Elbasan, parku që rilindi, rrezikon të vdesë

27 shkurt 2019/ Bardha Nergjoni/ Porta Vendore/ Elbasan

Parku “Aqif Pasha”, i ashtuquajturi flamur i Rilindjes Urbane në Elbasan, edhe pse nuk i ka mbushur 2 vjet nga përurimi, ka shfaqur shenjat e para të shkatërrimit.

I vendosur në qendër të qytetit, ky park ka edhe frekuentimin më të dendur të qytetarëve, duke sjellë kështu edhe pasoja në infrastrukturën e tij. E konsideruar një ndër investimet më të shtrenjta, ku janë harxhuar rreth 91.6 milionë lekë të reja, kjo hapësirë njihet për format e çrregullta dhe elementë të rinj, siç do të ishte shëtitorja e mbuluar, stolat prej dërrase, koshat e mbeturinave, si dhe format e veçanta të shëtitoreve.

Ndërsa sot, mjafton të bësh një xhiro dhe kupton se gjërat nuk janë më si në përurimin e parkut. Kështu shumë kosha janë çmontuar, vjedhur e dëmtuar, stolat i gjen të shkatërruara me mungesë dërrasash dhe bari thuajse është zhdukur. Ndërkohë, shëtitorja e mbuluar ka filluar të shfaqë shenjat e para të dëmtimit, duke humbur ngjyrën prej shiut. Për vetë koston e madhe të parkut, një kosh llogaritet me kosto mbi 60 Euro.

Të pyetur nga Porta Vendore, qytetarët thonë se këto i bëjnë njerëz të papërgjegjshëm dhe sidomos të rinjtë që konsumojnë drogë. Koshat përfundojnë në shumicën e rasteve për skrap, ndërkohë që sa i përket stolave, vështirë të gjendet një arsye për t’i dëmtuar. Ahmeti del çdo ditë në park dhe thotë se as ky park nuk ka për të shpëtuar nga shkatërrimi. “Ne këtu kemi vendin tonë të argëtimit sidomos kur është diell. Luajmë me shokët, shijojmë rrezet dhe bëjmë shëtitje.

Fatkeqësisht kanë filluar ta shkatërrojnë. Bashkia duhet të marrë masa. Të vendosë kamera e ta monitorojë parkun dhe hajdutët të përfundojnë në pranga. Duhet të bëjë shembuj që të mos dëmtohen të tjerë, pasi kështu si është nisur të gjitha investimet do të shkatërrohen”, shprehet pensionisti, teksa mbështetet edhe nga bashkëmoshatarët e tij. Sfida më e madhe e qytetarëve elbasanas për këtë park është si ta mirëmbajnë dhe t’ia zgjasin jetën.

Rreth autorit:
Bardha Nergjoni është gazetare në Elbasan.