Vëzhgim/Analizë

Bashkitë e Dibrës nën “pushtetin” e qenve endacakë

25 shkurt 2019/ Sami Curri/ Porta Vendore/ Klos, Bulqizë, Dibër, Mat        

Bashkitë e qarkut të Dibrës nuk kanë asnjë plan për trajtimin e qenve endacakë. Këta të fundit kanë “pushtuar” rrugët e qyteteve dhe janë kthyer në një rrezik për banorët. Përpos Bashkisë së Matit që ka pak ditë që ka nisur nga puna për procesin e sterilizimit të qenve endacakë, Bashkia e Dibrës, Bulqizës dhe Klosit e kanë këtë plan vetëm në letër dhe dita që mund të vihet në zbatim duket shumë e largët.

Bashkia Mat

Ramadan Hasa, 72 vjeç, del shëtitje çdo ditë në parkun e qytetit. Ku përpos të moshuarve të tjerë që qëndrojnë aty dhe luajnë domino, shoqëri iu bëjnë edhe qentë e shumtë endacakë, që enden nëpër qytet. Ramadani dhe shokët kanë histori të shumta, si nga jeta, por edhe me qentë endacakë, që janë bërë shoqëruesit e përditshëm: “Një shokun tonë desh e grinë para ca muajsh. Doli dhe në internet e televizion se e kishin kapur ato kamerat e një biznesi në rrugë, se si i ishin vërsulur qentë dhe për pak desh e kishin kafshuar”, tregon për Portën Vendore Ramadani.

Ai shprehet se i ka ruajtur Zoti deri më sot, që nuk kanë rënë pre e sulmeve të qenve, sidomos kur këta të fundit janë në periudhën e shumimit apo janë të uritur. “Rrinë kope – kope, sa në park e sa përpara bashkisë në shesh. Ka periudha kur janë shumë agresivë dhe të sulmojnë. Por po të kapin këta të bëjnë copash. Po shyqyr thuaj se deri më sot nuk u ka shkuar në mendje të na fusin ndonjë të kafshuar”, shton me ironi Ramadani, banor i qytetit të Matit.

Ashtu si Ramadani, edhe Avni Bukaçi e kalon kohën e lirë në parkun e qytetit. Ky i fundit shprehet se qentë janë rrezik për fëmijët e vegjël, të cilët kalojnë kohën e lirë në park: “Më problem këtu është për fëmijët dhe gratë që janë me karrocat e fëmijëve. Po të shkosh te ‘Varrezat e Dëshmorëve’ është edhe me keq puna, sepse atje hidhen edhe mbeturinat e qytetit dhe e kanë si burim ushqimi. Si natën dhe ditën atje rrëmojnë.”, shprehet për Porta Vendore Avni Bukaçi.

Avni Bukaçi, banor i Matit. Foto: Sami Curri

Për këtë shqetësim të banorëve, Porta Vendore pyeti pranë Bashkisë Mat, e cila në përgjigje të kërkesës për informacion deklaroi që ka zhvilluar procedurat e prokurimit me objekt: Trajtimi i qenve endacakë, pikërisht për t’i dhënë fund këtij shqetësimi. Këto procedura u finalizuan në fillim të muajit tetor 2018, ku u shpall fituesi dhe u lidh kontrata me një vlerë tenderuese prej 367,000 lekë pa tvsh. “Në bazë të kapacitetit dhe mundësisë financiare të kësaj bashkie, me këtë fond janë planifikuar të trajtohen 80 qen endacakë”, deklaroi Bashkia Mat, por pa dhënë më shumë informacion nëse një shifër e tillë për sterilizimin dhe kastrimin e qenve endacakë, plotëson nevojat e kësaj bashkie.

Bashkia Mat ka zhvilluar edhe më parë praktika të tilla sterilizuese për qentë endacakë, por që nuk i kanë dhënë zgjidhje këtij problemi, duke ndjekur një praktikë që për çdo qen që kapej nga banorët për t’u dërguar në qendrën e specializuar të qenve, të bëhej një pagesë si shpërblim monetar prej 3 mijë lekësh të reja, por e cila nuk rezultoi e suksesshme si ide. Por një praktikë e tillë rezultoi e dështuar, pasi problemi për trajtimin e qenve endacakë nuk mori zgjidhje. Kjo sepse trajtimi i qenve endacakë me anë të sterilizimit dhe kastrimit, kërkon një ndjekje të vazhdueshme, një regjistër dhe vendosjen e një çipi identifikues për qentë.

Në foto Bashkia Mat. Foto: Sami Curri

Ndërsa aktualisht sterilizimi i qenve në Mat po bëhet duke përdorur disa kazerma për grumbullimin e qenve, jo në kushte shumë të mira për një proces të tillë. Edhe më parë, OJF të ndryshme që merren me kafshët i kishin kërkuar Bashkisë Mat që të ndalonte sterilizimin, pasi nuk plotësonte kushtet për një proces të tillë.

Bashkia Klos

Ndërkohë në Bashkinë Klos janë identifikuar 75 qen endacakë, që kërkojnë trajtimin për sterilizim, por nuk ka ndonjë afat për kryerjen e këtij procesi. “Duke u nisur nga shembujt e mëparshëm të Bashkisë Klos ku procesi i sterilizimit të qenve endacakë ka dështuar,pasi është bllokuar nga OJF-të sepse nuk plotësonin kushtet për një proces të tillë, bashkia e ka shtyrë për një fazë të dytë implementimin e një procesi të tillë”, shkruan në përgjigjen me shkrim Bashkia Klos. Kjo e fundit nuk jep asnjë sqarim se kur pritet të ndodhë një proces i tillë apo të ketë ndonjë marrëveshje me bashkitë e tjera të qarkut Dibër për të bërë sterilizimin e qenve endacakë.

Qentë endacak në Bashkinë Klos. Foto: Sami Curri

Bashkia Bulqizë

Situata është shqetësuese edhe në Bashkinë Bulqizë. Kimete Gjura, banore në Bulqizë dhe tregtare e rrobave të përdorura i duhet që çdo ditë nga mëngjesi në darkë të mbajë të hapur dyqanin. Por përpos blerësve, përpara dyqanit të saj pushojnë edhe ngrohen në ato pak rreze dielli të dimrit të ftohtë në Bulqizë edhe qentë e shumtë, të cilët enden nëpër Bulqizë.“Nga Lagja e Re e deri këtu te rruga e pazarit ke dhjetëra qen që enden rrugës. Këta të vërsulen dhe për të kaluar ndonjëherë duhet të kesh gurë e hunj në dorë se ndryshe të turren, sidomos kur janë në periudhë shumimi dhe apo kur kërkojnë ushqim”, shprehet e shqetësuar Kimetja.

Qentë endacak në Bashkinë Bulqizë. Foto: Sami Curri

Në rrugët e Bulqizës, ka momente që më shumë rrugëve enden qentë endacakë se sa njerëzit, që janë kthyer në një rrezik për qytetarët, të cilët në shumë raste do të duhet të dalin edhe në orët e vona të natës për të shkuar në punë. Qentë në shumë raste janë kthyer në një postbllok në rrugët e qytetit të Bulqizës dhe rrëmojnë në kazanët e mbetjeve.

Deri më sot, Bashkia Bulqizë nuk ka marrë asnjë masë në këtë drejtim. Bashkia Bulqizë, në përgjigje të një kërkesë për informacion të Porta Vendore pranon faktin se nuk ka asnjë plan veprimi për këtë çështje dhe se nuk asnjë projekt se çfarë mund të bëjë në të ardhmen.

Bashkia Dibër

Në pedonalen e Peshkopisë, mbushur me qytetarë të shumtë që lëvizin lart e poshtë, mes tyre enden edhe qentë endacakë, që hapësirën para ish-godinës së Universitetit “Aleksandër Moisiu” Peshkopi, e kanë kthyer një hapësirë pushimi. Por qentë endacakë i gjen të shumtë edhe pranë spitalit rajonal të Dibrës, kthyer në një kërcënim të dyfishtë, përpos problemeve shëndetësore që kanë qytetarët që i drejtohen këtij spitali. Në spitalin Obstetrik–Gjinekologjik, vetëm pak metra larg nga godina qendrore e spitalit, stafi mjekësor tregon për Porta Vendore se ka pasur shumë raste, kur personeli nuk dilte dot nga godina për të shkuar te poliklinika apo banka e gjakut, sepse në hyrje të spitalit gjendeshin me dhjetëra qen.

Qentë endacak në Bashkinë Peshkopi. Foto: Sami Curri

Muharrem Xhiveshi, banor i Peshkopisë tregon për Portën Vendore se qentë endacakë janë shumë shqetësues dhe se natën kanë frikë të dalin rrugëve sepse mund të të dalin para një grup qensh dhe të të kafshojnë. “Ata kanë një të keqe sepse një të lehë dhe pastaj të vërsulen të gjithë. Unë jam plak, kur i shoh që janë këtej rrotull nuk dal fare nga rrethimi i shtëpisë sepse nuk kam takat që në rast se më vërsulen t’u iki, se po më kapën më bëjnë copash. Ne jemi të vjetër, trupi jonë është i këputur edhe një të kafshuar nga qentë duam edhe atëherë nuk ka ku vete më keq. Kjo gjë duhet të marrë zgjidhje, sepse këta sa vjen edhe shumohen më shumë”, shprehet për Porta Vendore Xhiveshi.

Muharrem Xhiveshi, banor i Peshkopisë duke folur për Portën Vendore. Foto: Sami Curri

Bashkia Dibër, në përgjigje të një kërkesë për informacion të Porta Vendore na vendos në dispozicion programin e punës, por nuk jep informacion se kur do të nisë zbatimi i tij, kjo pasi janë në pritje të fondeve të posaçme për zbatimin e atij programi, por gjithashtu edhe në marrjen e eksperiencës pranë bashkive të tjera që e kanë nisur një proces të tillë.

Çfarë thotë ligji

Ligji ka parashikuar qartë sesi duhet vepruar me qentë, qofshin me pronar, qofshin pa pronar. Në ligjin nr. 10 465, datë 29. 09.2011 për Shërbimin Veterinar në Republikën e Shqipërisë, përsa i përket funksioneve të njësive të qeverisjes vendore, bashkitë detyrohen që të marrin masa për të mbajtur nën kontroll dhe të zbatojnë legjislacionin për eliminimin e qenve dhe maceve të rrugës. Por në bashkitë e qarkut të Dibrës zbatimi i tij është shumë larg, sepse qentë endacakë janë rrugëve, dhe qentë që mbahen nëpër shtëpi janë të pa matrikuluar, ku nëse braktisen nga pronari, kthehen në një kontingjent për shumim.

Erko Prifti, mjek veteriner në spitalin veterinar “Vet Hospital Tirana” shprehet për Porta Vendore se në rastin e bashkive të qarkut të Dibrës, që nuk janë të mëdha dhe nuk kanë një numër shumë të madh qensh, për një periudhë një ose dy muaj i jepet zgjidhje këtij problemi vetëm me sterilizime, çka do të sjellë që qentë endacakë të mos shumohen më. Sipas Priftit, procesi i sterilizimit nuk ka një kosto shumë të lartë, që për një bashki që ka stafin e saj, kostoja është minimale dhe se një proces i tillë duhet të shoqërohet me një regjistër të plotë nga njësitë e qeverisjes vendore, të atyre të cilët kanë në shtëpitë e tyre qen.“Kjo duke i regjistruar të gjithë qentë që mbahen në shtëpia me anë të një mikroçipi që vendoset nën lëkurë. Ku në rast se ai humbet herën e parë, identifikohet dhe i dërgohet të zotit. Por në rast se qeni kapet sërish i lirë, ai duhet të kalojë në procedurat sterilizuese dhe i zoti që e ka braktisur duhet të dënohet për një veprim të tillë sepse kjo bëhet shkak për një shumim të qenve endacakë, sidomos atyre që mbajnë qen femra”, shprehet Prifti.

Rreziqet nga qentë

Mjeku veteriner Erko Prifti shprehet se qeni nuk ka asnjë lloj rreziku për qytetarët, përveçse në periudha të caktuara ku ata bëhen agresivë për shkak të sezonit të shumimit ose kur janë me këlyshë dhe mbrojnë territorin. Këto janë periudhat kur qentë janë rrezik për agresivitet ndaj qytetarëve. “Qentë marrin sëmundje invektive dhe rrallë transmetojnë sëmundje. Në Dibër me aq sa kam unë informacion problem është sëmundja e tërbimit. Ku një qen mund të kafshohet nga një ujk apo dhelpër që ka pasur sëmundjen e tërbimit, dhe ky i fundit kafshon një qytetar, në këtë rast e transmeton sëmundjen e tërbimit. Kemi edhe sëmundjen e leishmanozës. Qeni e merr këtë sëmundje nga mushkonjat, siç mund ta marrë një fëmijë apo një i moshuar.” deklaron Prifti për Porta Vendore.

Qentë endacakë, burim për sëmundje infektive

Mjeku Infeksionist Prof. Ass. Pëllumb Pipero, shprehet për Porta Vendore se trajtimi i qenve endacakë është problem thuajse në të gjitha bashkitë e Shqipërisë, duke u kthyer në burim për shumë sëmundje infektive: “Veçanërisht për leishmaniozën Viscerale, për të cilën ne jemi ende vend endemik. Sëmundja transmetohet nga mushkonjat, që edhe këto i kemi me bollëk, dhe është shumë e rrezikshme për njeriun, madje vdekjeprurëse mbi 95% të rasteve nëse nuk mjekohet në kohë”.

Për mjekun Pipero, përveçse burim i sëmundjeve infektive, duke qenë shumë agresivë dhe shpesh në tufa, qentë endacakë janë një rrezik edhe për qytetarët që mund të bien pre e kafshimeve. “Kafshimet e qenve nga ana tjetër mundësojnë transmetimin e virusit të ternimit apo bacilin e Tetanozit. Në të dyja rastet, kosto e trajtimit në institucionet shëndetësore nuk është e vogël”, shprehet Pipero për Porta Vendore.

Qentë e pa vaksinuar shumohen çdo ditë edhe më shumë dhe enden të lirë. Bashkitë Dibër, Bulqizë dhe Klos kanë projekte në letër, larg zbatimit. Ndërsa banorët e këtyre bashkive janë çdo ditë nën trysninë dhe rrezikun për të rënë pre e sulmeve prej qenve endacakë.

Rreth autorit:
Sami Curri është diplomuar për Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ai ka punuar në disa media online dhe në televizion. Ai është themelues dhe editor i portalit “bulqizaime.al”, i profilizuar në raportimin mbi qarkun e Dibrës. Aktualisht punon edhe si gazetar i lirë.

Facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedinmail