23 shkurt 2019/ Brikena Metaj/ Porta Vendore/ Gjirokastër
Nisja e punimeve për bypassin e jugut, i cili lidh Tepelenën me Gjirokastrën, Vlorën dhe Levanin, ka paralizuar pothuajse të gjitha lëvizjet në qytet. Qytetarët detyrohen se për të kryer shërbimet e nevojshme të përditshme, që nga shkollimi i fëmijëve e deri te pazaret, apo vizitat në spital, për çdo rrugë duhet të përshkojnë nga 3 km në këmbë.
Kanë kaluar rreth 7 muaj pas nisjes së punimeve për realizimin e projektit të ByPass-it të Jugut, i cili lidh segmentin Levan – Tepelenë me segmentin Tepelenë – Gjirokastër – Kakavijë. Aktualisht punimet po kryhen në aksin Tepelenë – Gjirokastër dhe Tepelenë – Vlorë, ku përfshihet edhe ana veriperëndimore, poshtë kalasë së qytetit. Aktualisht po sigurohet argjinatura mbrojtëse dhe vendosja e bazës për ngritjen e pilotave në pjesën e poshtme të kalasë, që më pas do t’i shërbejnë ngritjes së urës dhe zgjerimit të trupit të aksit me një shtrirje gjatësore rreth 2.3 km.
Punimet në kantierin e bypass-it të Tepelenës zhvendosën qarkullimin e mjeteve nga unaza në qendër të qytetit, duke shkaktuar trafik. Përgjatë gjithë kohës së kryerjes së punimeve, kalimi i automjeteve do të vijojë përgjatë aksit të markuar me vijat e verdha dhe sinjalizuese që orientojnë kalimin e mjeteve brenda qytetit.
Sipas kryetarit Tërmet Peçi, marrëveshja me firmën ndërtuese parashikon edhe riparimin e dëmtimeve, ndërsa ndërprerja e lëvizjes në trupin e rrugës, për ta zhvendosur atë në unazë, ku qarkullimi zhvillohet nëpërmjet qytetit, është e nevojshme dhe e pashmangshme.
“E vetmja mundësi për të pasur funksional qarkullimin në aksin nacional është ai i unazës veriore të qytetit. Gjithë qarkullimi që kryhej në aksin kryesor të rrugës e që më herët kalonte në hyrje të qytetit tani do të kalojë në brendësi të qytetit. Kjo është një problematikë shqetësuese pasi prek dhe rreth 700 metra të pedonales, por është e vetmja mundësi. Në fund të punimeve kemi rënë dakord me ARRSH që i gjithë investimi brenda qytetit do të kthehet në gjendjen e mëparshme dhe bashkia përfiton përveç unazës veriore edhe aksin e rrugëve të brendshme të qytetit” pohoi Peçi.
Rreth 10 godina banesash dhe biznesesh preken nga ndërtimi i bypass-it të Tepelenës. Për kryebashkiakun Tërmet Peçi prishja e këtyre godinave rreth kalasë, lehtëson trafikun. Sipas Peçit, dëgjesa e mëhershme publike ka gjetur mirëkuptimin e banorëve, ndërsa prishja e godinave të prekura është e vetmja rrugëzgjidhje për kryerjen e këtij projekti investimi.
“Në këtë investim preken disa godina rreth kalasë që lehtësojnë trafikun. Janë disa objekte që preken nga ky investim dhe që do të shpronësohen nga ARRSH. Ne këmi bërë një dëgjesë publike mbi këtë investim dhe kemi pasur mirëkuptimin e banorëve. Deri tani nuk ka patur kundërshtime prej tyre, por nuk ka rrugëzgjidhje tjetër për godinat e prekura” u shpreh ai.
Por punimet për ndërtimin e bypass-it të Tepelenës, një ndër investimet më të rëndësishme në Jug të vendit kanë sjellë jo pak probleme për banorët e zonës. Banorët e 4 fshatrave në Tepelenë, të vendosura përballë qytetit duhet të kalojnë përditë në paraselen e një prej urave më të vjetra në vend, e njohur si Ura e Beçishtit, një moment kulture që daton nga koha romake dhe që ndodhet pikërisht në një prej pikave kryesore ku aktualisht po kryhen punimet e By Pass-it. Rreth 200 banorë të fshatrave Beçisht, Damës, Kashisht, pjesë e njësive administrative Qendër Tepelenë dhe Memaliaj Fshat, kalojnë pothuajse përditë në këtë urë shekullore.
Vetë banorët që kalojnë rregullisht në këtë urë thonë se prej nisjes së punimeve lëkundjet në të janë më të ndjeshme, ndërsa tashmë u duhet të përshkojnë rreth 3 km rrugë për të mbërritur në Tepelenë. Pjesa më e madhe e banorëve të kësaj zone nuk kanë një automjet dhe duhet ta përshkojnë me këmbë këtë rrugë, shpati i të cilës ka rrëshqitje të vazhdueshme inertesh si pasojë e punimeve, ndërsa fëmijë e të rritur duhet të përshkojnë rrugën nacionale drejt hyrjes së qytetit. Situata vështirësohet për nxënësit e shkollave edhe pse bashkia e Tepelenës ka vënë në shërbim të tyre një mjet që mundëson transportin e fëmijëve për një pjesë të mirë rruge.

Eltoni shoqëron përditë me motorin e tij të vjetër të bijën, nxënëse në klasën e katërt të shkollës “7 Marsi” në Tepelenë. Ata kalojnë nëpër urën me dërrasa e më pas nisen drejt qytetit në rrugën e re plot kthesa që kalon përmes lagjes “Gurëz” me motorin që lë pas hijen e zezë të blozës.
“Jam i papunë dhe shpenzoj 2 litra karburant në ditë për të çuar vajzën në shkollë. Bashkia ka vendosur një furgon, por janë më shumë se 20 fëmijë që duhet të ikin me të. Rrinë aty ngjeshur me njëri – tjetrin. Më të mëdhenjtë, ata që janë gjimnazistë, ikin me këmbë. Furgoni i pret fëmijët këtu në lagje dhe gjithë rrugën që kalon përmes punimeve duhet ta përshkojnë me këmbë. Është shumë e rrezikshme se shpesh ka gurë që bien dhe rrëshqasin nga lart ku kryhen punimet, mos të flasim pastaj që rruga del në aksin kryesor, ku makinat qarkullojnë pa ndërprerje”, tregon Eltoni.

Florika është e detyruar të shkojë në Tepelenë të paktën një herë në javë, pasi është e sëmurë dhe duhet të bëjë vizita dhe mjekime të rregullta. Në kthim, ajo bën edhe pazarin e ditës dhe kështu e ngarkuar me çanta, përshkon me këmbë 3 km rrugë. Ajo na tregon se deri në përfundimin e punimeve, do të duhet të bëjnë këtë itinerar të lodhshëm, ndërsa më parë, edhe pse kalimi nga monopati i dikurshëm ishte i rrezikshëm, largësia me qytetin nuk ishte më shumë se 15 minuta.
“Ishte i rrezikshëm shtegu ku kalonim, sidomos për fëmijët se dilnin menjëherë në rrugën me makina, por nuk e ndienim largësinë me qytetin. Tani duhet të shkojmë rrotull e rrotull se makina nuk ka. Ka edhe nga ata banorë që kalojnë diku shkurt, mes pemëve, por janë rrëzuar, është shumë e rrezikshme. Edhe rrëshqitjet e gurëve janë të shpeshta për shkak të punimeve” thotë ajo.

Krahas dëmtimeve në urë, një nga më të mëdhatë e periudhës romake, që lidhet me emrin e Ali Pashës dhe kohëzgjatjes së banorëve për t’u lidhur me qytetin, shtrimi i rrugëve që pritet të formësohen në përfundim të investimit, ka prekur edhe shtratin e lumit të Vjosës duke sjellë devijimin e tij. Aty ku dikur kalonte lumi, tashmë janë vendosur sasi të mëdha inertesh, që kalojnë pikërisht poshtë Urës së Beçishtit.

Projekti me vlerë 2.87 mld lekë parashikon përmirësimin e aksit mbi gjurmën ekzistuese me një gjatësi 2.3 km dhe nyjës në hyrje të qytetit që pritet të sjellë lehtësi në qarkullim.
Gjatësia e segmentit 2.3 km do të ketë 2 korsi nga 3.7 m. Sipas projektit të paraqitur punimet parashikojnë mbrojtjen lumore poshtë kalasë, mbjellje pemësh përgjatë rrugës, ndërtimin e një rrethrrotullimi në sheshin ‘Ali Pasha’, zgjerimin e rrugës dhe krijimin e trotuareve për këmbësorët. Ndërkohë, muri i kalasë do t’i nënshtrohet pastrimit dhe rehabilitimit, ndërsa do të gjelbërohet gjithë zona përreth. Një pjesë e këtij aksi është nën kala me gjatësi 475 metra për të cilën është propozuar që të zgjerohet duke e projektuar këtë zgjerim me një gjysmë ure nga rruga ekzistuese, ndërsa pjesa tjetër si një rrugë konvencionale malore që do të shërbejë edhe në favor të zhvillimit të turizmit. Ky investim pritet të përfundojë plotësisht brenda një periudhe dyvjeçare, në qershor të vitit 2020.

Por edhe pas përfundimit të bypass-it, banorët nuk do të “shpëtojnë” nga kjo situatë e krijuar, ata do të duhet të kalojnë vetëm nga kjo rrugë, çka nxjerr nevojën e vendosjes së transportit urban për këta ta.