Ngjarje/Personazhe

Mungon rruga, fermerët e Hinkës drejt falimentit

21 shkurt 2019/ Mimoza Sinanaj/ Porta Vendore/ Ura Vajgurore

Mungesa e rrugëve është bërë problem për pasoja të ndryshme në vend, ndërkohë që këtë herë alarmi vjen nga fshati  Hinkë i Bashkisë Ura Vajgurore. Fermerët e këtij fshati ankohen se për shkak të mungesës së rrugës po falimentojnë, sepse askush nuk shkon të marrë prodhimet e tyre dhe detyrohen t’i hedhin në kanal.

Hinka është një fshat që ndodhet në Njësinë Administrative Poshnje, Bashkia Ura Vajgurore, e cila ka një sipërfaqe jo të vogël bujqësore, e favorshme për bujqësi edhe për pemëtari. Prej afro 20 vitesh, fermerët e këtij fshati merren me prodhimin e agrumeve. Duke folur për Portën Vendore, fermerët rrëfejnë sakrificën e përditshme për të siguruar jetesën dhe për të mbajtur familjen. Ashtu siç edhe shprehen ata, me të ardhurat e emigrantëve si dhe me kredi kanë arritur të ngrenë ferma që prodhojnë agrume. E këto ferma ka pasur prodhim të mbarë, por nuk kanë treg për shkak të problematikave të ndryshme.

Një prej fermerëve, Alush Musta, shprehet se ka me dhjetëra hektare pemëtari agrume, që i ka arritur pas një pune të mundimshme prej më shumë se 17 vitesh nëpërmjet kredisë. Alushi llogarit se punimi i tokës, fidanët e blerë, rritja e tyre, etj, kanë një kosto marramendëse. Por Alushi tregon se dikur tërhiqej shumë ky frut dhe kishte goxha të ardhura, ndërsa sot ka mbetur stok dhe frutat po kalben në pemë. Shkaqet kryesore të këtij dëmi, sipas tij, janë rruga tepër e shkatërruar dhe bllokimi i eksportit. “Askush nuk pyet për ne fermerët. Ne nuk kemi marrë asnjë lloj ndihme asnjë lloj lehtësimi nga qeveria, ndërsa kërkojmë nga pushteti vendor të paktën të na rregullojnë rrugën”, thotë Alush Musta.

Alush Musta, fermer në fshatin Hinkë. Foto:Mimoza Sinanaj

Ndërsa fermeri tjetër, Lorenc Toska, përforcon fjalët e Alushit, duke shpjeguar se si të ardhurat e krijuara nga emigrimi janë hedhur në tokë, ndërsa rezultati është më shumë shpenzime sesa fitim. “Ne kemi borxhe në magazina, që nga tubot e ujësjellësve e deri te plehrat, që i duhen bimës, pa llogaritur motin nëse do jetë i mirë apo i keq. Ndërsa ajo që po na penalizon është rruga. Në këtë rrugë me baltë nuk kalojnë dot traktorë e zetorë, e jo më mjetet e transportit trajler. Kështu si jemi katandisur, jo vetëm fitim nuk kemi, por ne do të ngelemi debitorë nëpër banka, ku s’është çudi të na ikë edhe shtëpia. Kemi familje e jetesën e sigurojmë vetëm nëpërmjet prodhimeve bujqësore. Nuk kemi të ardhur tjetër dhe nuk mund të shkojmë sërish në kurbet. Nuk kemi fuqi, të gjitha shpresat i kemi te toka”, shprehet Lorenc Toska.

Lorenc Toska, fermer në fshatin Hinkë. Foto:Mimoza Sinanaj

Edhe fermeri Afrim Polo mbështet kolegët e tjerë, duke kërkuar ndërhyrjen e shtetit për zgjidhjen e problemeve të tyre. “Ne duam rrugë, duam ndihmë! Malli nuk shitet, ky është problemi më i madh. Asnjë qeveritar nuk kemi parë të duket këtej. Ne jemi si të braktisur. Megjithëse jemi në një zonë afër rrugës nacionale, kemi mungesë të theksuar në shërbime, në infrastrukturë. Këto humbje që pësojmë nga viti në vit kanë shkatërruar edhe shpresën e të rinjve, të cilët po mendojnë braktisjen e fshatit”, thotë Polo,  që sipas tij, për afro dy dekada fermerët nuk gëzojnë mbështetje nga shteti.

Lidhur me shqetësimin e tyre, Porta Vendore pyeti edhe pranë Bashkisë së Urës Vajgurore. Kryetarja e kësaj bashkie, Juliana Memaj, në përgjigjen e saj, u fokusua në investimet e përgjithshme për rrugët e të gjithë bashkisë, ndërkohë që premtoi se ka një projekt edhe për fshatin Hinkë. Sipas kryetares Memaj, në buxhetin afatmesëm janë parashikuar rreth 24 milionë lekë për mirëmbajtjen e rrugëve rurale. “Për këtë, Bashkia Ura Vajgurore bashkëpunon edhe me bizneset e guroreve që shtrihen në juridiksionin e saj që në disa raste të marrin përsipër, në përputhje me legjislacionin në fuqi, furnizimin me çakëll. Rehabilitimi i këtyre rrugëve është në funksion të fermerit, nxjerrjes së produktit të tyre në treg”, deklaroi kryebashkiakja Memaj. Po ashtu, ajo vuri në dukje se po punohet intensivisht për hapjen e kanaleve kulluese dhe rrugët e arave. “Për fshatin Hinkë, konkretisht kemi bërë një pjesë rehabilitim rruge me çakëll, ndërsa kemi plan projekt për të bërë edhe rrugët dytësore sidomos ato që ndodhen pranë arave, apo parcelave me të mbjella. Ky projekt pritet të marrë jetë këto muaj dhe këta fermerë do të marrin zgjidhje njëherë e mirë, pasi ky problem është i mbartur ndër vite dhe tashmë me reformën territoriale, ky fshat i ish komunës Poshnje, ka kaluar në juridiksionin e bashkisë Ura Vajgurore. Kemi shumë probleme të mbartura dhe me buxhetet modeste që bashkia ka, po përpiqemi të rikuperojmë ato që e kaluara na i ka lënë mbi shpatulla”, përfundoi Kryetarja e Bashkisë Ura Vajgurore .Ndaj, banorëve nuk i mbetet veçse të shpresojnë që do të kenë së paku rrugën e tyre.

Rreth autorit:
Mimoza Sinanaj është korrespondente e Beratit për Top Channel.