16 shkurt 2019/ Artin Halili / Porta Vendore/ Pogradec
Fatmiri është zotëria 47 vjeç që vuan nga depresioni prej shumë vitesh, gjendje e cila ka bërë që ai të humbasë gjithçka. Sot Fatmiri është pa familje, i pa punë dhe pa mbështetje, ndërsa shpreson më kot për një zgjidhje nga shteti.
Dikur ai jetonte në Greqi, por pa pritur e gjeti veten në sallë të operacionit dhe më pas nuk mban mend më asgjë.
Prej disa vitesh ai është kthyer në Pogradec. Jeton ku dhe si të mundë, një ditë me para një ditë pa para, një natë fle i ngrënë një natë tjetër i pa ngrënë, i ka qëlluar të mos hajë edhe për 24 orë por është mësuar tashmë të jetojë kështu.
Për sëmundjen që ka ai trajtohet nga shteti shqiptar edhe me një penision invaliditeti (kemp) me të cilin blen ilaçet për tu kuruar.
Por një ditë kuptoi se nuk mund të vazhdonte më kështu ndaj iu drejtua institucioneve shtetërore për ndihmë. Ai shkoi dhe bëri një kërkesë pranë Bashkisë Pogradec, në mënyrë që kjo e fundit ti siguronte një vend për të fjetur, pasi me masën e pensionit që ai merr dhe paratë që i duhen për ilaçe nuk mund ta paguante i vetëm një banesë më qera. E kishin informuar se Bashkia ka një pagesë të posaçme për personat e pastrehë dhe për ata me aftësi të kufizuar. Iu drejtua zyrave të bashkisë por mori një përgjigje të cilën vonë ia mësoi edhe kuptimin e vërtetë.
“Kam shkuar jo më pak se 20 herë pranë Bashkisë Pogradec dhe më japin të njëjtën përgjigje. Zyra e Strehimit, më jeptë një përgjigje që do të të japim një hyrje dhomë+kuzhinë tek pishat, por unë nuk e kuptoja çfarë apo ku ishte lagjia tek pishat. Por unë pyeta, e teksa pyeta mora vesh që tek pishat i thonin zonës së varrezave. E kisha vështirë ta mësoja më herët për shkak së jam edhe nën efektin e ilaçeve. Unë nuk e kuptoja dhe rrija me shpresën se do të merrja dhomë+kuzhinë tek pishat”, tregon ai
Por Fatmiri nuk e la me kaq, por drejtoi shkresa në çdo institucionit, i cili mund ti zgjidhte hallin e tij të madh, strehimin. Një strehëz që ai të fuste kokën, të jetonte jetën e tij, të mos kishte ftohtë natën, të mos i binin pikat e shiut në fytyrë teksa flite, të mos i futej era nga do dhe të kishte ftohtë. Shkresa e Fatmirit kishte shkuar edhe tek insitucionet e shërbimit social apo avokati i popullit, të cilët më pas iu drejtuan me shkresë insititucionit të bashkisë por sërish çështja mbeti e pazgjidhur, pasi bashkia ktheu përgjigje se nuk kishte programe për ta ndihmuar Fatmirin.
“Kam bërë kërkesë edhe më përpara në shërbimit social, kërkesën time ata e kanë ridërguar pranë zyrës së strehimit. Unë di që personat me aftësi të kufizuar si unë, bashkia ka një fond. Përshembull në se unë marr një dhomë me qera, ata me japin një pjesë të parave si subvencionim ( i referohet bonusit të strehimit). Por mua më kanë thënë vetëm kaq, o në pishat o në Elbasan”, rrëfen Fatmiri. (nënkupton çmendinën).
Peripecitë e tij nuk kanë të sosur, dhe jeta i është bërë një gangrenë duke renduar institucioneve.
“Unë kam fjetur dhe po fle rrugëve, pak kohë më parë jetoja tek godinat e zonës industriale, kam jetuar tek ish konvikti i minatorëve në gur të kuq, kam fjetur nëpër vagona, kam fjetur ku të mundem.Sot këtu ku jam aktualisht, më ka futur pronari i godinës brenda për disa ditë, ka edhe njerëz të mirë që venë dorën në zemër” pohon Fatmiri.
Familjen ai e kishte harruar për shkak të sëmundjes depresive dhe efektit të ilaçeve të forta dhe nuk mban mend që kishte pasur të afërm. Ai mendonte se ishte njeri pa njeri, mendonte se nuk kishte asnjë në këtë botë.
“Unë para 1 viti e mora vesh që kisha familje, unë e dija veten rrugaç. Kur e mora vesh, teksa po kërkoja çertifikatën time më thanë se unë kisha familje dhe se ishin në gjendje shumë të mirë ekonomike. Por s’më ka thënë kurrë njeri, hajde tek mua nga familja. Unë vetë jo se nuk i dua, nuk i dua për interes. Thjeshtë jam i lumtur që nuk jam rrugaç” pohon Fatmir Oshafi.
Sot Fatmiri përveç se është duke jetuar në një realitet të hidhur dhe mes problemeve të shumta ekonomike dhe braktisjes si nga familja dhe nga shteti, tregon se ka pranuar edhe një tjetër fakt nga ilaçet që ai konsumon.
Në fletë shoqërueset që ai merr ilaçet citohet edhe se ai mund të pësojë vdekje të menjëhershme si pasojë e tyre, për shkak se ato janë tepër të forta.
Porta Vendore u interesua edhe pranë Bashkisë Pogradec në lidhje me këtë çështje, pranë zyrës së strehimit në Bashkinë Pogradec.
Pranë kësaj zyre na u komunikua se Fatmiri nuk mund të trajtohej me bonus strehimi (qera) që jepet si formë shpërblimi për personat e pastrehë nga ana e shtetit dhe bashkisë, duke paguar 50% të qerasë së banesës për familjet që rezultojnë të pastreha.
Por Porta Vendore mësoi se nuk ishte vetëm rasti i Fatmirit, të njëjtin fat kishin edhe rreth 400 familje të tjera që kishin statusin e të pastrehëve ne Pogradec. Asnjë nga këto familje nuk trajtohej prej dy vitesh me bonusin e strehimit, pasi Bashkia Pogradec prej dy vitesh nuk vendoste asnjë qindarkë në programin e strehimit nga ana e buxhetit të saj.
Pra në dy buxhetet e fundit përkatësisht 2017, 2018 dhe së fundmi edhe në buxhetin e sapo miratuar të viti 2019, Bashkia Pogradec në programin buxhetor të strehimit parashikon 0 lek shpenzime nga buxheti i saj. Duke penalizuar kështu plot 400 familje në Pogradec që rezultojnë të pastrehë, për tu trajtuar me bonusin e qerasë.
Akoma më tej prej 7 vjetësh nga ana e kësaj Bashkie nuk aplikohen më as kreditë e buta për këtë kategori shoqërore, ato janë bllokuar diku nga viti 2011-2012 pasi asokohe administrata e drejtuar nga ish kryebashkiaku Artan Shkëmbi kishte kaluar limitin e dhënies së këtyre kredieve dhe prej vitesh tashmë diçka e tillë nuk aplikohet më në Pogradec.
Sot bashkia nuk gjen dot as truall shtet në territorin e saj, në mënyrë që të mdërtohetn nga ana e Entit te Banseve një pallat i cili më pas jepet me kredi të butë për familjet e pastreha.
Megjithatë Porta vendore shkoi edhe më tej për rastin e Fatmir Oshafit, morëm një komunikim me drejtoreshën e Shërbimit Social në Drejtorinë Rajonale në Korçë, znj. Marjana Jorgji, nga ana e saj na u konfirmua se ishte e pamundur dhe se nuk kishte asnjë lloj programi për të ndihmuar apo strehuar Fatmirin.
Mund të ndodhte diçka e tillë në rast se Fatmiri do të ishte në moshë pensioni, por për shkak moshe nuk mund të strehoej as në rezidencat e pleqve. Por nga ana e kësaj të fundit u pohua se do të bëhej e mundur komunikimi me familjarët e Fatmirit, në mënyrë që ata ta marrin pranë vetes.
Fati i Fatmirit mbetet jetim, i vetëm, rrugëve, i braktisur nga njerëzit dhe nga pushteti. E pavarësisht vetmisë therëse, ai nuk dorëzohet, ai e do jetën, ai zgjedh të jetojë edhe kështu, me shpresën se një ditë, momente të bardha dhe të bukura do të ketë edhe për të….
Rreth autorit:
Artin Halili është gazetar në Tv Sot 7, në qytetin e Pogradecit.