Vëzhgim/Analizë

Dilemat ligjore të (mos)rikandidimit të kryetarëve aktualë të bashkive në zgjedhjet vendore 2019

12 shkurt 2019/ Adela Kula/ Porta Vendore                                                                

Ligji 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” përveçse përcaktoi ndarjen e re administrativo-territoriale në 12 qarqe dhe 61 bashki, përcaktoi edhe kufizimin e mandateve kohorë të kryetarëve të bashkive, duke vendosur kufizimin në tre mandate të njëpasnjëshme. Konkretisht pikat 1 dhe 2 të nenit 59 të ligjit përcaktojnë : “1.Çdo bashki ka kryetarin e saj, të zgjedhur sipas dispozitave të Kodit Zgjedhor. 2.Kryetari i bashkisë mund të zgjidhet dhe të ushtrojë vetëm 3 mandate të njëpasnjëshme në krye të bashkisë, me të drejtë rizgjedhjeje.”Ky parashikim ligjor sjell disa pyetje të cilat do duhet të marrin përgjigje përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2019.

1) Kryetarët aktualë e bashkive që kanë ushtruar tre mandate të njëpasnjëshme, nuk mund të rikandidojnë vetëm në bashkinë ku kanë ushtruar këto tre mandate, apo ky kufizim aplikohet për të gjitha bashkitë, duke mos i lejuar të rikandidojnë në asnjë prej 61 bashkive? Kjo pyetje lind në dy situata:

  • Nëse do të ishim në kushtet kur kryetarët që kanë ushtruar tre mandate në një bashki, ndryshojnë vendbanim e tyre në një bashki tjetër. A do të kishin të drejtë të kandidonin në bashkinë ku do të tranferoheshin për vendbanim? Ky transferim vendbanimi do të bëhej në plotësim të parashikimit kushtetues se të drejtën të zgjidhen si kryetar bashkie e kanë vetëm shtetasit që janë me banim të përhershëm në territorin e njësisë vendore përkatëse;
  • kryetarët e bashkive aktualë që e kanë mandatin e dytë në një bashki, ndërsa mandatin e parë e kanë ushtruar në bashki, të cilat u shkrinë me ligjin 139/2015 dhe me këtë ligj konsiderohen si njësi administrative. Psh. Artur Bardhi i cili në vitin 2011-2015 ka qenë kryetar i ish-Bashkisë Laç (e përfshirë tashmë në Bashkinë Kurbin) dhe në vitin 2015, Kryetar i Bashkisë Kurbin, apo z. Nesim Spahiu, i cili në vitin 2011-2015 ka qenë Kryetar i ish-Bashkisë Çorovodë (e përfshirë tashmë në Bashkinë Skrapar) dhe në vitin 2015 u zgjodh Kryetar i Bashkisë Skrapar, do t’ju llogaritet si mandate i dytë ky i fundit apo si mandat i parë? Kjo pyetje do duhet të marrë medoemos përgjigje nëse kryetarët aktualë rikandidojnë dhe rizgjidhen si kryetarë bashkie. Në këtë rast do të konsiderohen si tre mandate të njëpasnjëshme apo si dy mandate? Përgjigjja e kësaj pyetje do vendosë fatin e këtyre dy kryetarëve aktualë nëse do mund të rikandidojnë në zgjedhjet vendore të vitit 2023, nëse në zgjedhjet e këtij viti do të rizgjidhen sërish.

2) Kryetarët e bashkive që kanë ushtruar mandatin e tyre gjatë vitit 2015 dhe dy mandatet e kaluara kanë ushtruar mandatin e kryetarit të bashkisë apo të komunës, pa ndërprerje, pra kanë tre mandate të njëpasnjëshme si kryetarë bashkie dhe komune bashkë, a lejohet të rikandidojnë? A do të llogaritet mandati si kryetar komune për efekt të nenit 59 të ligjit 139/2015 të cituar më sipër?

Ekskluzivitetin për dhënien e përgjigjeve të pyetjeve të mësipërme e ka vetëm Gjykata Kushtetuese. Po aktualisht Gjykata Kushtetuese përbëhet vetëm nga dy anëtarë dhe nuk mund të gjykojë asnjë kërkesë të paraqitur. Edhe për shqyrtimin paraprak të kërkesave, gjatë të cilave nuk shqyrtohet themeli i çështjes, por merret vetëm vendimi nëse do të kalojë në seancë plenare apo jo, duhen të paktën tre gjyqtarë kushtetues, numër i cili nuk plotësohet aktualisht. Ndërsa për shqyrtimin në themel të kërkesave duhen të paktën 6 gjyqtarë kushtetues. A do të plotësohet ky numër para zhvillimit të zgjedhjeve lokale të vitit 2019? Apo nuk do të lindë nevoja për diskutimin e mësipërm, pasi kandidaturat që do të paraqiten nuk do të çojnë në këto dilema ligjore?

Përparim Shametaj,  Zef Hila dhe Fran Frrokaj kanë qenë kryetarë komune në vitet 2003, 2007, 2011 dhe janë zgjedhur kryetarë bashkie në vitin 2015, përkatësisht në bashkitë Selenicë, Vau i Dejës dhe Lezhë. Nëse mandatet si kryetarë komunash do të llogariteshin për efekt të parashikimit të nenit 59, këta tre kryetarë bashkie nuk duhej të kishin kandiduar dhe si pasojë as të zgjidheshin në funksionin e kryetarit të bashkisë. Rregullsinë e dokumentacionit të kandidimit e verifikon KQZ-ja. Por as kjo e fundit dhe as ndonjë institucion tjetër nuk e kanë kundërshtuar një gjë të tillë. Do të ketë reagime për këtë çështje në këto zgjedhje vendore? Do të ketë një zbatim ndryshe të parashikimit ligjor të nenit 59 të ligjit 139/2015, për sa i përket llogaritjes së mandateve si kryetar komune e akumuluar me atë si kryetar bashkie? Një precedent është vendosur tashmë, por mbetet për tu parë nëse ky precedent do të ketë ndryshim.

Më poshtë jepen të dhënat lidhur me kryetarët e 61 bashkive të zgjedhjeve të vitit 2007, 2011 dhe 2015.

Gjashtë kryetarë aktualë, apo 9.8% e të gjithë kryetarëve të bashkive aktualë nuk mund të rikandidojnë, pasi kanë ushtruar tre mandate të njëpasnjëshme:

Bashkitë e përfshira në njësitë e reja vendore dhe kryetarët e bashkive para ndryshimeve administrative-territoriale janë:

Kryetarët e bashkive që kanë ushtruar mandate si kryetar komunash para se të zgjidheshin si kryetarë bashkie në vitin 2015:

Pyetjet që shtrohen e që duhet të marrin përgjigje, kur mbeten dhe 4 muaj nga zgjedhjet vendore të 2019, janë:

1)Mandati si kryetar komune do të llogaritet për efekt të kufizimit në kohë të tre mandateve të njëpasnjëshme për tu zgjedhur kryetar bashkie? Një precedent është vendosur tashmë me zgjedhjet vendore të vitit 2015 ku tre kryetarë aktualë bashkie i kishin tre mandate të njëpasnjëshme si kryetar komunash. A do të ndryshojë ky precedent? Apo ky do të jetë rregulli që do të aplikohet edhe këtë vit për ata kryetarë aktualë bashkie të cilët së bashku me mandatet e komunave bëjnë tre mandate? Përgjigjja e kësaj pyetje do të ‘përcaktojë fatin’ për 6 kryetarë bashkiakë aktualë (tabela më sipër).

2)Mandati i ushtruar në njësitë vendore të përfshira në njësitë e reja, a do të llogariten për efekt të tre mandateve të njëpasnjëshme? Janë dy kryetarë aktualë bashkie të cilët kanë ushtruar mandatet 2007-2011 në bashki që nuk ekzistojnë më dhe janë përfshirë në njësitë e reja vendore, dhe në vitin 2015 janë zgjedhur për të ushtruar mandatin si kryetarë bashkie në këto të fundit.

Rreth autorit:
Adela Kula, koordinatore Porta Vendore. Ka përfunduar studimet bachelor dhe master për drejtësi në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Ajo ka eksperiencë në administratën publike dhe në shoqërinë civile. Aktualisht është e angazhuar në projektet e shoqërisë civile në cilësinë e koordinatores dhe të ekspertes juridike.

Facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedinmail