11 Shkurt 2019/ Bardha Nergjoni/ Porta Vendore/ Elbasan
Rreth 100 milionë lekë të reja do të kushtojë rikonstruksioni i Teatrit Skampa të Elbasanit, i ndarë në tri faza, një investim që do të kryhet nga buxheti i bashkisë. Institucioni vendor shpreson që paratë t’i sigurojë në pjesën më të madhe nga taksa e ndikimit në infrastrukturë si dhe nga të ardhurat e tjera të bashkisë.
Materiali i prezantuar në këshillin bashkiak hasi në debate, sidomos të këshilltarëve të djathtë, të cilët e kundërshtuan projektin. Përfaqësuesi i këshilltarëve të PD-së, Blendi Himçi, deklaroi se e shikonte ekzagjerim këtë investim për buxhetin e bashkisë. “E shikoj të ekzagjeruar në situatën në të cilën ndodhet bashkia me financat e saj. Është një vendim i nxituar, duke konsideruar faktin se ndodhemi në një vit elektoral, ku realizimi i të ardhurave parashikohet i ulët”, tha Himçi. Anëtari i PD në Këshillin Bashkiak ka shprehur rezerva edhe për projektin e përzgjedhur. “Nuk e di kush ka qenë në juri apo bord që ka përzgjedhur këtë projekt, por shoh një fasadë xhami që bie në kontrast me qytetin, me ansamblin urban dhe trashëgiminë e qytetit. Për mendimin tim duhen ruajtur vlerat monumentale, pasi ky objekt modern bie goxha në kontrast”.
Ndërkohë, këshilltari Eugen Isaj njëkohësisht edhe drejtues i PD në Elbasan deklaroi se këto para duhet të investohen në emergjencat që ka qyteti si për shembull Përroi i Zaranikës. “Boll më me fasadat se po marrin mbi 3 miliardë lekë vetëm fasadat. Nuk po bëj politikë, por duhet të jemi për interesat më madhore të qytetarëve”, deklaroi Isaj.
Ndërsa këshilltari i LSI, Alban Hoxha, u shpreh se duhet një rikonstruksion, por jo një shndërrim total i objektit. Duke iu përgjigjur zërave oponentë, Kryetari i Bashkisë, Qazim Sejdini, tha se ky ishte një investim i pritshëm. “Ju nuk e doni, inshallah e bëni në mandatet e tjera dhe nuk e lini ashtu siç keni lënë të tjerat. Është rikonstruksion i plotë i teatrit, por pa cenuar strukturën”, tha Sejdini.
Gjithsesi, në përfundim të mbledhjes së këshillit bashkiak, rikonstruksioni i teatrit u miratua me 17 vota pro dhe 11 kundër. Pritet që këshilltarët e djathtë t’i drejtohen prefektit për të mos e miratuar këtë investim, që sipas tyre ka shkelur procedurat e përzgjedhjes së projektit fitues.

Në lidhje me vendimin për rikonstruksionin e teatrit ka reaguar edhe shoqëria civile. Gentjan Serjani deklaroi nëpërmjet reagimit në rrjetet sociale se mungesa e transparencës lë shumë për të dëshiruar në lidhje me procesin e miratimit të këtij projekti. “Në fakt u habita si është bërë procesi i përzgjedhjes së këtij projekti. Nuk e di në ka pasur thirrje publike për projekt-ide në lidhje me rikonstruksionin e tij? Nuk e di nëse juria e ka zgjedhur këtë projekt? Cilët ishin anëtarët dhe kriteret e vendosura? Gjithsesi shpresoj të ketë reagime nga arkitektë apo qytetarë elbasanas, të cilët mund të vërejnë se projekti modern i përzgjedhur nuk i përshtatet mureve historike të kalasë që përshkojnë qendrën e qytetit”, përfundon reagimi i Serjanit.
Rreth autorit:
Bardha Nergjoni është gazetare në Elbasan.