Ndodhi

Neglizhenca e pushtetit lokal lë Fushë-Farkën 28 vite pa ujë të pijshëm

8 shkurt 2019/ Esmeralda Keta/ Porta Vendore/ Tiranë

30 familje në lagjen Fushë Farkë të Surrelit kanë 28 vite pa ujë të pijshëm. Ndonëse depot e ujit ndodhen vetëm 2 km larg këtij fshati, Ndërmarrja e Ujësjellësit UKT Bashkia Tiranë, nuk e ka parë asnjëherë të arsyeshme të shtrijë rrjetin e furnizimit me ujë të rrjedhshëm. Si pasojë në shtëpitë e këtij fshati fare pranë Tiranës, dhe shumë pak km larg shtëpisë së Kryeministrit, ka vetëm ujë pusesh.

Amarildo është 26 vjeç, por në shtëpinë e tij nuk ka pasur kurrë ujë të pijshëm. “U bënë 15 vite që kemi hapur këtë pusin në oborr, dhe tashmë mbushim me bidona vetëm ujë për të pirë, – na tregon Amarildo. – Para se të hapnim pusin çdo nevojë e plotësonim duke mbajt ujë me bidona”, – kujton ai, ndërsa shton se ende ka banorë që nuk kanë mundësi të hapin puse dhe që mbushin ujë me kova tek komshinjtë.

Fushë Farka është një lagje e Surrelit, fshatit të kryeqytetit që u bë i famshëm, pasi aty jeton edhe kryeministri, Edi Rama. Banorët e kësaj zone, përgjithësisht janë vendas, por i kanë ndërtuar shtëpitë e tyre në këtë zonë në fillim të viteve 90-të, pasi kanë zbritur nga Surreli i Sipërm.

“Unë e kam babain mësues dhe para nja tre katër vitesh, kur i kërkuan në shkollë librezën e ujit për të vërtetuar që nuk ishte debitor, askush nuk e besonte që ne nuk kemi ujë ujësjellësi, e si pasojë nuk kemi as librezë. Shkuan dhe e verifikuan tek ujësjellësi i fshatit dhe sërish nuk i besohej” – na tregon Amarildo.

Të gjendur në këtë situatë absurde që prej thuajse tre dekadash banorët e kësaj zone i kanë dërguar një peticion kreut të njësisë administrative të Dajtit, si dhe ujësjellësit të komunës ku kërkojnë zgjidhje të situatës. “Jo se nuk e dinë se çfarë ndodh këtu, se ata vijnë shpesh në këtë zonë për të frekuentuar lokalet tona, por të gjithë ne banorët e Fushë- Farkës kemi dërguar një peticion që i vëmë në dijeni për situatën dhe kërkojmë zgjidhje”, – na thotë Amarildo. – Absurdi qëndron se pak më lart se sa lagjja jonë janë tre depozita të mëdha uji, që furnizojnë të gjithë fshatrat përreth. Bëhet fjalë për 2 km tubacione”, – shpjegon i riu, i cili shton se “diskriminim më të madh nuk beson të ketë”.

Kujtim Qefalia, administrator i njësisë së Dajtit, është në dijeni të situatës dhe ka shpresë që gjërat mund të fillojnë të lëvizin pas janarit.

“Ata banorë kanë shumë të drejtë, pasi ky është një problem i kahershëm. Por as ne nuk është se kemi shumë mundësi. Kemi vënë në dijeni bashkinë e Tiranës, dhe kemi marrë premtimin që në janar të nisë puna për ndërtimin e një depo uji në hyrje të fshatit e të zgjidhet përfundimisht kjo situatë” – shpjegon Qefalia, kreu i njësisë administrative Dajt.

Aq absurde është bërë mungesa e ujit, sa gratë e zonës po mendojnë “ti zënë rrugën” kryeministrit. “Këtu para shtëpisë sime kalon çdo ditë kryeministri pasi jeton pak më lart, i shikojmë vazhdimisht bashkë me Lindën e djalin se dalin të ecin në këmbë. E kemi menduar që të bëhemi një ditë të gjitha gratë e zonës e ti themi hallin që kemi.

Jo se duam ta bëjmë këtë, por nuk e dimë se ku të drejtohemi më që të na sjellin ujë të pijshëm”, – shprehet e indinjuar njëra nga zonjat e fshatit.

Ndërkohë Kryeministri Rama e ka lagjen pak më lart dhe ajo lagje ka rrjet ujësjellësi, ndryshe nga lagja e poshtme që ka mbetur pa ujë.

Fatimja ka zbritur nga Skrapari 20 vite më parë dhe ka ndërtuar shtëpinë në këtë zonë të Tiranës, por kurrë nuk e kishte menduar se do të kalonte një jetë, pa ujë të pijshëm. “Na vijnë çdo vit për të kërkuar votën, por ujin, megjithëse na e premtojnë të gjithë, ende nuk na e kanë sjellë. Uji i pusit, ujë pusi mbetet”, – ankohet ajo.

Por mungesa e ujit të pijshë, nuk është i vetmi problem i banorëve të kësaj zone. Gjithashtu rruga e fshatit, e shtruar vetëm pak kohë më pare, nuk është e pajisur me ndriçim, si dhe banorët e fshatit ankohen se nuk kanë as edhe një kosh mbeturinash.

Rreth autorit:
Esmeralda Keta është gazetare e çështjeve sociale në Tiranë.