29 janar 2019/ Porta Vendore/ Elbasan
Viti elektoral për zgjedhjet vendore ka rikthyer ndërtimet pa leje në Elbasan, madje brenda zonës arkeologjike. Inspektorë e Mbrojtjes së Territorit kanë konstatuar një ndërtim pa leje, pikërisht brenda mureve të Kalasë së Elbasanit dhe menjëherë kanë urdhëruar pezullimin e punimeve.
Sipas të dhënave zyrtare nga Bashkia Elbasan, sinjalizimi është dhënë nga banorët e zonës, të cilët janë ankuar se një person po ndërtonte një shtëpi trekatëshe. Fillimisht, nga koordinatat e dhëna është menduar se bëhet fjalë për një ndërtim, për të cilin ishte aplikuar për leje, por kur është bërë verifikimi në terren ka rezultuar se subjekti kishte devijuar nga leja.
Nga informacioni pranë Bashkisë Elbasan mësohet se qytetari ka aplikuar fillimisht për leje me qëllim rindërtimin e çatisë së shtëpisë, largimin e dherave dhe ujërave brenda pronës së tij. Madje, për këtë leje, sipas të dhënave pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit Elbasan, ai ka paraqitur të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, duke përfshirë këtu edhe pëlqimin e banorëve fqinj. Por, siç duket qytetari nuk ka qëndruar brenda lejes. Pas ankesave të qytetarëve, IMT ka bërë verifikimet në terren dhe ka rezultuar se qytetari po bënte shtesë katesh, kështu që menjëherë është bërë pezullimi i punimeve dhe është vendosur gjobë 500 mijë lekë ndaj qytetarit abuzues.
Sipas verifikimit në terren, qytetari kishte nisur të ndërtonte një kat nën dhe. Por, sipas ligjit, në zonat muzeale, ashtu siç është zona brenda murit rrethues të Kalasë së Elbasanit, nuk mund të gërmosh më shumë se 30 cm, ose në të kundërt duhet të merret miratimi nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. Aktualisht i mbetet në dorë IMK-së për të verifikuar dëmin që është shkaktuar nga ndërtimi dhe gërmimet pa leje.