27 Janar 2019/ Agim Blloshmi/ Porta Vendore/ Gramsh
Qindra qytetarë janë mbledhur në Kanionin e Holtës të Bashkisë së Gramshit për të protestuar kundër ndërtimit të HEC-eve dhe mbrojtjen e mjedisit. Protesta është zhvilluar në të njëjtën ditë, kur përfaqësues të qeverisë dhe deputetë të mazhorancës kanë organizuar një dëgjesë publike për të informuar qytetarët sesi do të mbahet nën vëzhgim ndërtimi i HEC-it.
Kanioni Holtës, i cili ndodhet në zonën e Gramshit është kryefjala e ditës, jo vetëm për banorët e zonës, por edhe për qytetarë të tjerë, shoqërinë civile dhe politikën. Shkak është dhënia e lejes për ndërtimin e një HEC-i, që prej më shumë se një jave është kthyer në simbol të qëndresës së qytetarëve.
Leja është dhënë nga ministri Gjiknuri dhe banorët ankohen se vendimi është marrë pa asnjë konsultim publik. Por, lejet për HEC-e kanë zaptuar të gjithë territorin e Gramshit. Sipas drejtuesve mjedisorë, në këtë mrekulli të natyrës, qeveria ka miratuar 13 HEC-e. Sa i përket HEC-eve që po ndërtohen në këtë kanion, rezulton se 4 po ndërtohen në Kukur, 3 në Skënderbegas, 1 në Sotirë, 3 në Poroçan dhe 2 në Lenie. Sipas specialistëve, këto HEC-e janë të mëdhenj dhe të vegjël, ku të vegjlit deri në 2 Mega, janë më të rrezikshëm, sepse kalojnë pa procedura. Banorët thonë se nga konsultimet që kanë pasur dhe me ekspertë, këto HEC-e po zhdukin bukurinë mjedisore, duke dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme ekosistemin e pellgut të Tomorricës dhe zonës së Sotirës.
Në protestën e së shtunës, e cila u organizua nga PD, morën pjesë dhjetëra qytetarë, ndërkohë që opozita deklaroi se qeveria po i mashtron për HEC-et. “Ju kanë thënë qytetarëve që e kanë bllokuar, por në fakt vendimi i Këshillit Kombëtar të Territorit është në fuqi me firmë dhe vulë nga Edi Rama, Damiani dhe Drejtoresha e Planifikimit të Territorit. Prandaj deklarata me gojë e kukullës së Edvinit është propagandë boshe”, deklaroi përfaqësuesi i PD, Jamarbër Malltezi në protestën e organizuar në Kanionin e Holtës.
Nga ana tjetër, ministrja e Energjisë, Belinda Balluku, tha në një dëgjesë publike se ndërtimi i HEC do të mbahet nën kontroll të rreptë për të mos lejuar dëmtimin e kanionit.
Kanioni i Holtës është ndër vendet më të bukura në Shqipëri, si për turizmin e aventurës, por edhe për shpellat karstike dhe të veçanta, madje të shpallura monument kulture.
Sipas ekspertëve, Kanioni i Holtës konsiderohet një nga bukuritë mbresëlënëse të Shqipërisë, ka një gjatësi rreth 3 km me shpatet e bukura të luginës që ngrihen deri në 150 metra, ndërkaq lumi arrin thellësinë deri në tri metra, duke u rrethuar nga fshatrat Bardhaj dhe Kabash.
Të veçantë kanionin e bëjnë burimet e shumta termale, me ngjyrë të kaltër, të kristaltë, të cilat janë shëruese. Shpellat e shumta karakteristike nga dy anët e këtyre shpateve mbuluar dhe me zona pyjore me drurë pishe, panje e bredhi, me botë të pasur flore dhe faune, e bëjnë akoma më atraktiv këtë kanion.
Kanioni i Holtës paraqet interes për ngjitje malore, për adhurues të kampingut si dhe për grupe kacavjerrës nëpër shkëmbinj. Me të drejtë, ky vend është shpallur si një nga vendet piktoreske dhe atraktive në Shqipëri.
Rreth autorit:
Agim Blloshmi është korrespondent i ABC News në Qarkun e Elbasanit.