Ndodhi

Buxheti, Bashkia Prrenjas kërkon shpërndarjen e këshillit

25 janar 2019/ Bardha Nergjoni/ Porta Vendore/ Prrenjas

Viti elektoral për bashkitë e vendit duket se nuk ka sjellë përplasje mes këshillit bashkiak dhe kryetarit vetëm në Skrapar, por edhe në bashki të tjera. Një përplasje e tillë ka ndodhur edhe në Prrenjas, ku kryetarja e bashkisë, Miranda Rira nuk ka arritur të kalojë në këshill bashkiak projektbuxhetin për vitin 2019. Për këtë arsye, kryebashkiakja i është drejtuar kryeministrit me kërkesë për shpërndarjen e këshillit bashkiak 6 muaj para zgjedhjeve vendore.

Për votën kundër buxhetit të bashkisë, këshilltarët e majtë që përbëjnë shumicën duke përjashtuar Lëvizjen Socialiste për Integrim kanë renditur disa argumente, të cilat kryebashkiakja i ka cilësuar shpifje. Sipas grupit të këshilltarëve të majtë, Kryetarja e Bashkisë Prrenjas, Miranda Rira, ka paraqitur projektbuxhetin vetëm në datën 26 dhjetor në tejkalim të të gjitha afateve ligjore. Mbi këtë fakt, Rira deklaron se buxheti u bllokua nga këshilltarët socialistë pa argument, sepse zyra e financës ia ka paraqitur këshilltarëve disa javë më parë. Ndërkohë socialistët ngritën edhe pretendimin se projektbuxheti nuk është i plotë dhe në përputhje me kërkesat ligjore. Kurse, sa i përket fondeve, sipas socialistëve, ato janë shpërndarë sipas preferencave dhe jo sipas nevojave, duke mos përfshirë të gjitha njësitë administrative. Ndër të tjera, në argumentimin e socialistëve, në  detyrimet e prapambetura nuk ka informacion për investimet konkrete ende të pashlyera nga bashkia. Ndërsa kryebashkiakja, detyrimet e prapambetura i argumenton me limitin e vendosur në dy muajt e fundit për shpenzimet nga Ministria e Financave. Kurse, lidhur me informacionet për investimet, ajo thekson në reagimin e saj se janë paraqitur të gjitha tabelat e shifrat përkatëse për çdo investim.

I kontaktuar nga Porta Vendore, kreu i partisë socialiste Haxhi Çollaku, tha se miratimi i buxhetit i tejkaloi afatet ligjore. “Kryetarja e bashkisë mban përgjegjësinë për mosmiratimin e buxhetit dhe të mos e kërkojë këtë te këshilli. Nuk është faji i këshilltarëve që administrata e bashkisë Prrenjas nën drejtimin e kryetares nuk harton buxhetin konform ligjit”, tha Çollaku.

I pyetur nëse mosmiratimi i buxhetit penalizon qytetarët, Çollaku përgjigjet se ligji ka parashikuar se në rast të mosmiratimit të buxhetit, operohet me 1/12 e buxhetit të vitit të kaluar në bazë të ligjit për Vetëqeverisjen Vendore të vitit 2015 dhe të Financave vendore 2017. Ndërkohë, ndihma ekonomike dhe shërbimet e tjera nuk cenohen.

Pas kësaj përplasje është tentuar që buxheti të miratohet me ndërhyrjen e prefektit të Elbasanit, konkretisht më 15 janar, por përfaqësuesit socialistë nuk janë paraqitur, duke dështuar miratimin. “Krejt të papërgjegjshëm dhe në kundërshtim me ligjin, kryetarja e këshillit dhe kryetari i partisë socialiste qëllimisht nuk mblodhën komisionin e ekonomisë. Edhe pse ish-prefekti dërgoi një grup pune më parë për verifikimin dhe analizën e buxhetit, përsëri klika e PS me presione mbi arsimtarët dhe anëtarët e tjerë nuk votoi buxhetin”, deklaroi kryetarja Rira. Sipas kryetares së bashkisë, mosmiratimi i buxhetit lë 500 fëmijë të kopshtit dhe çerdhes pa ushqim dhe me dhjetëra emergjenca civile dhe shërbime për qytetarët.

Kurse kreu socialit deklaroi se 1/12 e buxhetit nuk aplikohet vetëm në zërin paga, por edhe shpenzime të ndryshme, ku përfshihen edhe shërbimet, gjë që nuk do ta pengojë bashkinë të vazhdojë shërbimet bazë edhe pa buxhet.

Në këto kushte, kryebashkiakja Rira i ka bërë kërkesë kryeministrit për shpërndarjen e këshillit në bazë të ligjit. Me ligjin e ri të vetëqeverisjes vendore parashikohet shkrirja e Këshillit Bashkiak në rast se buxheti nuk miratohet. Me shkrirjen e këshillit bashkiak, siç e parashikon ligji, bashkia nuk mund të bëjë me asnjë investim nga ato të planifikuara për qytetin e fshatrat. Duke qenë një vit zgjedhor, vështirësitë për këtë bashki të drejtuar nga LSI, shtohen kur socialistët do të tentojnë të marrin drejtimin e Prrenjasit për 4 vitet e ardhshme.

Nëse kryeministri do të pranojë kërkesën, ky është rasti i parë që një këshill bashkiak shpërndahet 6 muaj para zgjedhjeve sipas përcaktimit të ligjit, duke krijuar kaos në vazhdimin e punës së Bashkisë Prrenjas për vitin 2019.

Rreth autorit:
Bardha Nergjoni është gazetare në Elbasan.