23 janar 2019/ Erjola Azizolli/ Porta Vendore/ Skrapar
Përplasja mes Kryetarit të Bashkisë Skrapar dhe Këshillit Bashkiak për shkurtimin e numrit të punonjësve të administratës në këtë njësi vendore është përshkallëzuar më shumë, pasi kryebashkiaku ka kallëzuar penalisht Prefektin, të cilin e akuzon për organizmi të paligjshëm të mbledhjeve të këshillit bashkiak, pavarësisht se kishte kërkuar vetë ndihmën e tij për të zgjidhur ngërçin.
Porta Vendore analizoi fundjavën e kaluar përplasjet mes Bashkisë së Skraparit dhe Këshillit Bashkiak të kësaj bashkie, përplasje të cilat mbajnë peng buxhetin e bashkisë. Sipas të dhënave, kryebashkiaku Nesim Spahiu ishte përplasur me këshillin bashkiak që në fillim të muajit dhjetor, pasi këshilli kërkonte shkurtimin e numrit të punonjësve të bashkisë, pothuajse gjysmën e tyre. Por, vetë bashkia ishte kundër këtij propozimi, duke pretenduar se këto ishin manovra politike të organizuara nga segmentë të PS-së, me qëllim për të penguar punën e kryetarit të bashkisë, i cili është zgjedhur me mbështetjen e LSI. Për këtë arsye, Kryetari i Bashkisë Skrapar kishte kërkuar ndërhyrjen e Prefektit Harilla Dafa. Me qëllim zgjidhjen e ngërçit, Dafa organizoi një mbledhje të këshillit më 28 dhjetor. Por kjo mbledhje u anulua për arsye të panjohura, kështu që Dafa organizoi mbledhjen e dytë më 4 janar. Në këtë mbledhje nuk ishin të pranishëm kryebashkiaku dhe stafi i tij, por anëtarët e majtë të këshillit bashkiak miratuan ndryshimet që kishin kërkuar duke përgjysmuar numrin e punonjësve. Për këtë mbledhje, Bashkia u shpreh kundër, duke deklaruar se është e paligjshme, pasi nuk ishte njoftuar zyrtarisht për anulimin e mbledhjes së datës 28 dhjetor dhe organizimin e mbledhjes së radhës.
Madje, bashkia paralajmëroi që nëse prefekti do e legjitimojë, atëherë, ata do të bëjnë kallëzim penal për shpërdorim detyre. Pikërisht këto ditë, prefekti është shprehur pozitivisht për miratimin e buxhetin dhe shkurtimin e punonjësve të administratës së Bashkisë së Skraparit. Kjo ka sjellë reagimin e menjëhershëm të bashkisë, e cila ka kundërshtuar vendimin e prefektit. Bashkia e Skraparit depozitoi mëngjesin e së hënës në organin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, kallëzimin penal për “shpërdorim detyre” ndaj prefektit të Qarkut të Beratit, Harilla Dafa. Lajmi është bërë i ditur nga vetë Kryetari i Bashkisë së Skraparit, Nesim Spahiu, i cili ka konfirmuar padinë ndaj Prefektit të Beratit, që sipas Spahiut ka shkelur procedurat ligjore për zhvillimin e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak.
Sipas kryebashkiut Spahiu, shkak i kallëzimit, ka qenë veprimi antiligjor i Prefektit të Beratit, Harilla Dafa, i cili në kundërshtim me të gjitha procedurat ligjore të zhvillimit të mbledhjeve të këshillit bashkiak, ka organizuar mbledhjen e këshillit bashkiak Skrapar, pa prezencën jo vetëm të Kryetarit të Bashkisë së Skraparit, por pa prezencën edhe të përfaqësuesve të kësaj bashkie. “Në këtë mbledhje të jashtëligjshme janë marrë vendime tërësisht antiligjore, me karakter të theksuar të hakmarrjes politike”, deklaroi Spahiu. Me anë të votimit të 4 janarit 2019 ka bërë që 148 punonjës të shkurtohen dhe sipas Spahiut, ky veprim është urdhëruar dhe nga deputeti i PS, Adnor Shameti, i cili duket se ka zgjedhur të heshtë përballë akuzave ndaj tij. Tashmë pritet vendimi i prokurorisë nëse do të nisë procedim penal ndaj prefektit, ose në të kundërt do të cilësojë të ligjshme veprimet e prefektit Dafa.
Rreth autorit:
Erjola Azizolli është gazetare në qytetin e Beratit.