21 janar 2019/ Emi Kalaja/ Porta Vendore/ Shkodër
Fëmijët e shkollës së mesme të bashkuar “At Gjon Karma”, në Njësinë Administrative Gur i Zi në Shkodër, kanë bojkotuar mësimin në shenjë proteste për mungesat te theksuara në shkollën e tyre. Nxënësit, të cilët kanë kërkuar edhe ndihmën e prindërve, deklarojnë se në shkollën e tyre tualetet janë jashtë çdo kushti higjieno-sanitar, ndërsa uji përdoret vetëm për pastrim, madje është me orar të reduktuar.
Protesta e më shumë se 150 nxënësve të kësaj shkolle në muajin dhjetor 2018, u mbështet jo vetëm nga prindërit, por edhe nga mësuesit.
Nxënësit dhe prindërit thanë për Portën Vendore se në shkollë nuk është investuar prej vitesh dhe nuk plotëson asnjë kusht për të zhvilluar procesin mësimor. Mungesa e ngrohjes, e rojës së shkollës, higjienës, psikologut dhe bibliotekës janë disa nga kërkesat e tyre. “Probleme ka që nga higjiena e përgjithshme e shkollës dhe mungesa e ujit të pijshëm. Sanitaret janë të komanduara nga bashkia. Ka mungesë ngrohjeje, amortizim total të dyerve dhe dritareve. Rrethimi i shkollës është me probleme”, tha përfaqësuesja e nxënësve Brunilda Zeka. Prindërit thonë se për problemet e fëmijëve nuk është shqetësuar askush, pavarësisht se për situatën janë informuar të gjitha institucionet përgjegjëse.“Jemi ankuar, kemi dërguar letër me shkrim 2-3 herë, nuk na ka kthyer shumë përgjigje”, deklaroi një nga prindërit.
Ndërsa Administratori i Njësisë Administrative Gur i Zi, Pjerin Marku, nuk bie dakord me shumë nga kërkesat e nxënësve. Sipas tij, shkolla ka ngrohje. “Ka disa klasa që shfrytëzojnë ngrohjen me stufa me dru dhe disa të tjera me stufa gazi. Është bërë furnizimi me dru në datat fikse, shumë përpara periudhës së ftohtë”, deklaroi ai
Si kjo shkollë janë thuajse gjysma e shkollave publike të qytetit të Shkodrës. Problemet higjieno-sanitare janë prezente diku drejt përmirësimit e diku tjetër të papranueshme dhe skandaloze. Madje, sipas një raporti të publikuar së fundmi nga organizata “Well Point”, vetëm 53% e shkollave në Shkodër plotësojnë kushtet higjeno-sanitare. Ky raport u mundësua gjatë një projekti të kësaj organizate për një demokraci të fortë vendore, mbështetur nga Lëviz Albania. Organizata ka monitoruar 38 shkolla publike, konkretisht 18 në qytet dhe 20 në fshatra.
Në përfundim ka rezultuar se veç 53% e shkollave i plotësojnë kushtet higjieno-sanitare, 16% janë brenda standardeve dhe 31% janë jashtë standardeve. Sipas të dhënave, rezulton se në 9 shkolla mungojnë totalisht tualetet dhe në 90% të shkollave nuk ka tualete të veçanta për fëmijë të vegjël.
Në raport thuhet se 63.2% kanë ujë të pijshëm, 36.8% kanë ujë që përdoret vetëm për pastrim.
Koordinatori i projektit Sokol Haliti, i pyetur nëse ka pasur shkolla problematike në aspektin e kujdesit higjeno–sanitar, tha se ka pasur raste të cilat janë rekomanduar pranë autoriteteve përkatëse. “Ne kërkojmë një përgjegjësi më të madhe nga institucionet përgjegjëse. Mbi 50 % e ambienteve te kontrolluara nga ne janë në kushte normale”, u shpreh eksperti Haliti. Ekspertja e Institutit të Shëndetit Publik, dhe njëkohësisht Drejtuesja e Shoqatës Well Point Amela Bushati, tregon se në zonat rurale ka problematika shumë më të theksuara se në shkollat e qytetit. “Sasia e ujit mungon ose është me sasi të reduktuar me orar, kemi parë shkolla që nuk kanë tualete ose janë në formën më të keqe. Aksesueshmeria për personat me aftësi te kufizuar është zero”, përfundoi ajo.
Rreth autorit:
Emi Kalaja është gazetare në qytetin e Shkodrës.