Vëzhgim/Analizë

Bashkia Devoll mban vetëm një pjesë të premtimeve të dhëna gjatë fushatës së 2015-ës, në sektorët kryesorë

21 janar 2019/ Ola Mitre/ Porta Vendore/ Devoll                                

KOMPETENCAT E REJA
Në bazë të ligjit të ri Nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, në bashki janë transferuar funksionet për bujqësinë nga ministria e linjës si dhe menaxhimi i pyjeve dhe mbrojtja e mjedisit. Në bazë të këtij ligji, bashkive u dalin detyra dhe sfida të reja me të cilat duhet të përballen si: shërbimet dhe këshillimet për fermerët, menaxhimi i pyjeve dhe druve të zjarrit, menaxhimi i mbetjeve të ngurta e trajtimi i ujërave të përdorur. Në këtë kuadër, në studim u shqyrtuan 5 fusha që burojnë nga kompetencat ligjore, të gërshetuara këto me premtimet elektorale të fushatës së fundit. Ndërkohë që, nga përpunimi i të dhënave del në pah edhe vështirësia që has Bashkia në përballimin e situatave të reja për përmbushjen e kompetencave që burojnë nga ligji 139/2015. “Vërehet gjithashtu se performanca vijon të mbetet në nivelin e ndërhyrjeve tradicionale të bashkive të vogla, pjesë e sistemit të para reformës territorialë administrative, pasi detyrat e reja duket se janë vështirësisht të zbatueshme nga Bashkia”,-thuhet ndër të tjera në dokument.

Realizimi i premtimeve
Medat Rusi, një fermer nga fshati Mançurisht e fiton jetesën përmes bujqësisë, por ai ankohet se prodhimet i mbeten pashitur ose në rastin “më të mirë”, jepen me çmim jashtëzakonisht të ulët. Ngjashëm me Medatin edhe fermerë të tjerë në zonën e Devollit e kanë të vështirë të gjejnë një treg të garantuar për prodhimet e tyre, ndonëse gjatë fushatës elektorale të vitit 2015 është premtuar se do të krijohen hapësira dhe mundësi që do të ndihmonin sektorin e produkteve bujqësore të kërkoheshin në tregjet kombëtare, rajonale e më gjerë. Në fakt, sipas Barometrit, rezulton se tregu i prodhimeve, si një prej treguesve të zhvillimit të bujqësisë të marrë në analizë, ka pësuar rritje të pjesshme nga viti 2015 në vitin 2018. Ndërkohë që, në përgjithësi studimi tregon për një përmbushje të detyrimeve ligjore apo premtimeve elektorale gati gjysmë për gjysmë. “Megjithatë vlen të theksohet se trendi i angazhimit të Bashkisë në përmbushjen e kompetencave është pozitiv dhe në rritje duke nisur nga 2015 deri në tetor 2018 koha në të cilën ky studim ka marrë në shqyrtim”,-thuhet ndër të tjera në dokument. Më konkretisht, Bashkia nuk ka bërë  të mundur të përmbushë kompetencat dhe zotimet elektorale në masën 48%, ndërsa ka bërë progres të plotë apo të pjesshëm në 52% të tyre.

Realizimi i studimit
Studimi i realizuar nga qendra ACEG mori në konsideratë 5 funksione kryesore e më konkretisht:  zhvillimin e bujqësisë,  pyjet dhe kullotat, mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin rural dhe agro-turizmin si dhe  ujitjen dhe kullimit. Ndërkohë që, përfundimet u nxorën pas hartimit të një barometri apo një matrice që përllogariti përmbushjen e kompetencave që burojnë nga ligji “Për vetëqeverisjen vendore” si dhe nga premtimet publike të kryebashkiakut, përgjatë periudhës kohore shtator 2015- tetor 2018. Kjo matricë u bazua fillimisht në përcaktimin e kompetencave përkatëse sipas ligjit, identifikimin e premtimeve të bëra gjatë fushatës e më pas në përcaktimin e 36 treguesve specifikë, sipas 5 funksioneve të mësipërme. Ndërsa, më pas ato u ballafaquan me të dhënat e institucioneve që prodhojnë të dhëna dhe statistika si: ministritë, agjencitë e ndryshme apo INSTAT si dhe duke analizuar edhe buxhetet e Bashkisë Devoll për vitet 2015-2018. Gjithashtu, u bënë edhe verifikime dhe mbledhje të dhënash nga terreni përmes vizitave të grupit të punës në të gjitha Njësitë Administrative të Bashkisë Devoll. Megjithatë, autorët e studimit theksojnë se vlerësimi i performancës i takon 3 viteve, duke shtuar se kryebashkiaku ka dhe rreth 1 vit kohë për përmbushjen e premtimeve elektorale apo detyrimeve që rrjedhin nga ligji “Për vetëqeverisjen vendore”.

Përgjatë çdo fushate elektorale, kandidatët e bashkive synojnë të marrin sa më shumë vota përmes premtimeve të bëra gjatë takimeve me banorët, por  në asnjë rast nuk ka patur analiza të mirëfillta sesa prej këtyre zotimeve mbahen në fund të një mandatit qeverisës. Në këtë kuadër, Qendra ACEG ka realizuar studimin “Barometri i performancës së Bashkisë Devoll sipas përcaktimeve të neneve 26, 27 dhe 28 të ligjit 139/2015”, i pari në llojin e vet që prej hyrjes në fuqi të reformës administrative territoriale. “Ky studim është bazuar në një metodologji që vlerëson analizën e fakteve dhe dokumenteve në një mënyrë të pavarur e profesionale”,-shprehet Olsi Nika, një prej autorëve të studimit. “Ai tenton, që duke vlerësuar performancën e një mandati qeverisës në Bashkinë Devoll, nga njëra anë të nxjerrë në pah punën e deritanishme në 5 fusha të marra në analizë për të evidentuar nevojën se ku duhet të përqendrohet puna e qeverisë në mandatin e ardhshëm dhe nga ana tjetër mund të shërbejë si një mjet në duart e qytetarit për të kërkuar më shumë llogari ndaj të zgjedhurve të tij”,-shton ai. Ndërkaq, pavarësisht se ky studim është realizuar në Bashkinë e Devollit, metodologjia e përdorur mund të përdoret në çdo njësi të qeverisjes vendore. “Në këtë mënyrë barometri i performancës mund të kthehet në një mekanizëm që identifikon qartësisht punën e bashkive, duke orientuar më pas zgjedhje më të mira për qytetarët”,-shprehet Margarita Buxhaku, drejtuese e Qendrës ACEG.

Bujqësia dhe ujitja e kullimi
Pas përpunimit të të dhënave “Barometri i Devollit” arrin në përfundimin se në 52% të treguesve të bujqësisë është bërë progres i plotë ose i pjesshëm, ndërsa në 48% të tyre, regres i plotë apo i pjesshëm. Përmirësime konstatohen në drejtim të prodhimit të fidanëve, sipërfaqes së mbjellë, strukturës apo prodhimi bujqësor, ndërkohë që tregu i fidanëve, asistenca teknike, asistenca financiare apo asistenca trajnuese janë disa nga fushat e përkeqësuara. Këto të fundit konstatohen edhe nga vetë banorët e zonës, të cilët thonë se mungesa e asistencës teknike apo trajnuese, është kthyer në një problem në drejtim të konkurrencës me prodhimet e importit. “Prodhimet tona trajtohen pa konsultimin nga agronomët, ne i trajtojmë kulturat tona vetëm me këshillën e farmacive bujqësore. Për më tepër jemi të bindur se pesticidet të cilat na shiten, na i dëmtojnë pasi janë të skaduara, e nxjerrin prodhimin jashtë normave të pranuara nga autoritetet përkatëse dhe herë pas here prodhimet e importit të vendeve fqinje konkurrojnë prodhimet tona, të cilat i hedhim ose i shesim nën kosto”, u shpreh Avni Dutka, një fermer nga fshati Vranisht, gjatë një forumi të organizuar në Progër, mbi Barometrin e Devollit.

Ndërkohë që, sipas Valentina Konomit, banore e të njëjtit fshat, e cila menaxhon një baxho të ngritur pa asnjë mbështetje financiare nga shteti, “bashkia s’ka 5 veterinerë që të këshillojnë fermerin mbi faktin se pasi trajtojnë gjedhin e sëmurë me antibiotikë, ky qumësht nuk duhet tregtuar”. “Mendoj se dhe ngritja e një sistemi, i cili do të këshillojë fermerët për rrezikun që haset duhet menduar, pasi prodhimet e bulmetit i konsumojmë të gjithë përfshirë këtu dhe fëmijët”,-shtoi më tej Konomi, gjatë mbajtjes së forumit.  Ndërkaq, mungesa e tregut të shitjes së produkteve bujqësore apo mungesa e këshillimit janë shqetësime kryesore edhe në Miras dhe Bilisht. Gjatë forumeve të realizuar për prezantimin e Barometrit në këto zona, përmirësimi i tyre do të ishte një garanci për fermerët, ndërsa ritheksuan edhe problemin e çmimit të ulët me të cilin blihen produktet. Ndërkaq, më pozitive situata paraqitet në drejtim të ujitjes dhe kullimit, si dy drejtime të lidhura ngushtësisht dhe në mënyrë funksionale me zhvillimin e bujqësisë. Sipas Barometrit, rezulton se ky është një prej funksioneve që rezulton në progres të pjesshëm në 83% të treguesve dhe në progres të plotë në 17% të tyre. Kapaciteti ujitës i rezervuarëve, zonat nën ujë, infrastruktura e kanaleve ujitës, e atyre kullues apo mbrojtja e tokave nga erozioni janë disa prej treguesve të analizuar, por pavarësisht progresit fermerët e zonës thonë se “bashkia ka punuar për të hapur e pastruar kanalet ekzistuese kulluese, por ata nuk kanë rrjet me kanale vaditës”. “Ne vaditim kulturat tona me puse, të cilat i vetëfinancojmë dhe për më tepër na taksohen. Jam i mendimit që qeveria qendrore duhet të përgjigjet për probleme, të cilat nuk mund ti përballojë pushteti vendor”,- thotë Medat Rusi.

Pyjet dhe Mjedisi
Teksa, bujqësia paraqet progres në disa tregues, duke se pyjet e kullotat nuk kanë qenë aspak në vëmendje të bashkisë. Progresi i vetëm në këtë drejtim është bërë në inventarizimin e pyjeve apo menaxhimin e lëndës drusore, ndërkohë që të gjithë treguesit e tjerë, sikurse janë: sipërfaqja e pyjeve komunale, programet e ripyllëzimit, plani i masave ndaj zjarreve, plani i masave ndaj erozionit apo menaxhimi i kullotave rezultojnë në regres. Ndërkaq, sipas Barometrit, “bashkia mund të vuajë limitimin e ekspertizës apo të fondeve për ta përmbushur këtë detyrim”. “Si rrjedhojë Bashkia ka arritur më shumë regres në krahasim me fillimin e mandatit në masën 75%”,-shtohet në raport.  Më ‘rozë’, situata duke se paraqitet te funksioni i bashkisë në mjedis, ndonëse kjo është një fushë mjaft e gjerë, me një gërshetim të kompetencave dhe përgjegjësive mes pushtetit qendror dhe atij lokal. Në këtë këndvështrim në bazë të ligjit 139/2015, Bashkisë i ngarkohen detyra të reja siç është menaxhimi i mbetjeve dhe ujërave të përdorur, në një kohë që infrastruktura për të bërë të mundur një menaxhim të tillë duhet të ndërtohet nga e para. Sipas Barometrit,  është evidentuar fakti se Bashkia ka bërë ndërhyrje në infrastrukturën e kanalizimeve të ujërave të përdorur, por këto ndërhyrje janë më tepër në kuadër të emergjencave sesa në drejtim të menaxhimit. Nga ana tjetër, punimet janë përqendruar më së shumti në Njësinë Bilisht, ndërkohë që në njësitë e tjera ndërhyrjet janë inekzistente. “Problematika më e madhe ndeshet në fshatrat Pilur e Vranisht ku ujërat derdhen drejtpërdrejt në përrua”,-thuhet në dokument, ndërsa sa i përket trajtimit të mbetjeve të ngurta Bashkia e realizon grumbullimin nga burimi deri në pikën e transferimit, e cila ka përfunduar ndërtimin në vitin 2017, por ende nuk është funksionale. “Në këtë mënyrë menaxhimi është i pjesshëm pasi mungon hallka parafundore. Problematike mbetet situata me mbetjet e gjelbra ose organike të cilat zënë edhe pjesën më të madhe të volumit të gjeneruar”,-theksohet në raport.

Zhvillimi rural dhe agroturizmi
Barometri i Devollit vlerëson se zhvillimi rural dhe agroturizmi, sikurse menaxhimi i pyjeve dhe kullotave apo mbrojtja e mjedisit janë fusha ku qeverisja vendore duhet të bëjë më shumë. Sipas të dhënave të përpunuara për këtë funksion rezulton se  qeverisja ka ndjekur mënyrën tradicionale të ndërhyrjeve siç janë ato në infrastrukturë rrugore, ndërkohë që është bërë shumë pak në shfrytëzimin e potencialit turistik të zonës edhe pse ky ka qenë një premtim elektoral i drejtpërdrejtë i bërë gjatë fushatës. Në këtë mënyrë raporti i progres/regresit është 60% me 40%, ku regresi me 40% paraqitet si i plotë që do të thotë së në vlerësimin e këtyre treguesve Bashkia është në të njëjtin nivel angazhimi si në fillim të mandatit.

Barometri dhe pushteti vendor
 “Reforma e re territoriale në bazë të parimit të decentralizimit shtron përpara edhe sfida të reja sidomos për bashkitë e vogla me burime të kufizuara njerëzore, ekspertize dhe financiare”, shprehet Baki Dervishi, bashkautor i studimit. “Në këtë këndvështrim Barometri, përveçse një vlerësues i performancës së qeverisjes lokale ka si synim t’i vijë në ndihmë edhe vetë pushtetit lokal duke përcaktuar edhe nevojat, mangësitë e si rrjedhojë edhe prioritetet e qeverisjes për mandatin pasardhës”,-shton ai. Ndërkohë që, në aspektin e përdorimit më të gjerë, Barometri është një mënyrë për ta ndërgjegjësuar qytetarin për të rritur presionin ndaj të zgjedhurve vendorë për llogaridhënie dhe për një qeverisje sa më të mirë orientuar drejt nevojave prioritare të komunitetit.

Shënim:
Artikull në kuadër të projektit “Barometri i Devollit” financuar nga Leviz Albania.

Facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedinmail