19 janar 2019/ Erjola Azizolli/ Porta Vendore/ Skrapar
Përplasjet politike mes Kryetarit të Bashkisë së Skraparit, i mbështetur nga LSI dhe Këshillit Bashkiak të dominuar nga anëtarët e PS, kanë sjellë përplasje të forta gjatë diskutimit të buxhetit për vitin 2019, duke sjellë bllokimin e tij. Këshilltarët e PS kanë kërkuar përgjysmimin e numrit të punonjësve të administratës së Bashkisë Skrapar, duke kundërshtuar propozimin e kryebashkiakut, ndërkohë që ky i fundit akuzon se bllokada është orkestruar nga deputeti Arbnor Shameti, për dëmtimin e imazhit të bashkisë për arsye politike.
Mbledhja e 14 dhjetorit
Përplasjet kanë filluar që në muajin dhjetor dhe deri më sot, ende nuk është arritur një zgjidhje. Konkretisht në mbledhjen e datës 14 dhjetor, kryebashkiaku i Skraparit, Nesim Spahiu, paraqiti projektbuxhetin për vitin 2019. Atë ditë, salla e mbledhjes së Këshillit Bashkiak ishte mbushur me qytetarë të shumtë të Skraparit, kryesisht të moshuar, të cilët në mbledhjen e buxhetit kishin ardhur me shpresën për të mësuar rreth mundësive që qyteti ku jetojnë do të kishte vitin e ardhshëm,për rrugë më të mira, ndriçim apo kanalizime. Por, larg pritshmërive të qytetarëve, mbledhja e parë e këshillit, e cila ka zgjatur më shumë se një orë,është shoqëruar me debate të ashpra personale mes këshilltarëve, në lidhje me përfitimet që kanë siguruar falë anëtarësimit në partitë përkatëse gjatë viteve të fundit. “Asgjë nuk po marrim vesh, erdhëm për miratimin e buxhetit, por po dëgjojmë se si filan këshilltar është punësuar nga Partia Socialiste në këtë ndërmarrje, se si këshilltari tjetër u hoq nga puna, pasi ishte me LSI. Ja këto kemi dëgjuar në këtë mbledhje”, tha për Portën Vendore një pensionit i ulur në rreshtin e fundit të sallës së këshillit, aty ku duhet të qëndrojnë organizatat, bizneset dhe grupet e interesit, që duket se përfaqësohen nga disa qytetarë.
Numri i punonjësve në administratën publike dhe niveli i pagaveu bënë shkak në këtë mbledhje që këshilltarët socialistë të rëzojnë Buxhetin e Bashkisë së Skraparit.“Ne shpresojmë që bashkia të reflektojë, pasi sot në Bashkinë e Skraparit janë 387 punonjës në organikë, por numri i banorëve të Skraparit, siç e dimë të gjithë, ka rënë ndjeshëm. Nga këta 387 punonjës, 157 të tillë nuk e marrin pagën e plotë, por në vlerën 65-95% të saj, ndërkohë që sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave pagën e kanë në vlerën 100%. Pra, këtu paguhen 157 punonjës me 65-95%, ndërsa të tjerët me pagë të plotë. Prandaj, ne morëm vendim që të gjithë punonjësit e bashkisë të marrin 100% të pagës, dhe jo më pak dhe kështu që për të arritur diçka të tillë, duhet të shkurtohet numri i punonjësve, pasi nëse ti i përcakton pagën 65% një punonjësi edhe punën ai do ta bëjë 65%”, deklaroi Fatos Hasanaj, kryetari i grupit të PS në Këshillin Bashkiak. Duke argumentuar ndryshimet e propozuara, këshilltarët e PS-së mendojnë që të ardhurat e përfituara nga shkurtimi i punonjësve të shkojnë diku tjetër. “Të gjitha të ardhurat që do të krijohen si rezultat i shkurtimit të punonjësve, pasi krijohet një fond prej 120 milionë lekë të vjetra në vit, të kalojnë në zonën e Tomorricës, që është një zonë e varfër”, tha Hasanaj.
Me argumentin se tashmë Bashkia e Skraparit ka më shumë territor, ku kërkohen shërbime, dhe duke mos dashur të shkaktojë pasoja sociale, kryebashkiaku shprehet kundër shkurtimit të 178 punonjësve. “Ne kishim mbledhjen e këshillit bashkiak, ku do të miratonim buxhetin. Fatmirësisht këtë buxhet ne e kemi miratuar dy muaj më parë si projekt afatmesëm, dhe ishte ky grup këshilltarësh që e ka pranuar, që e ka miratuar këtë strukturë. Por, në mbledhje ngritën pretendimin që të shkurtonin numrin e punonjësve nga 378 që ka bashkia, në 200 punonjës. 160 janë funksione të deleguara dhe vetëm 230 janë punonjës të administratës, që paguhen nga të ardhurat e bashkisë”, tha kryebashkiaku i Skraparit për Portën Vendore. Sipas tij, ky numër punonjësish, me territorin që ka Bashkia e Skraparit, me 105 fshatra, me 611 km rrugë rurale për t’i mirëmbajtur, është i pamjaftueshëm. Por, Kryetari i Bashkisë së Skraparit, Nesim Spahiu, u shpreh se vendimi i marrë në atë mbledhje ka qenë krejtësisht politik, madje i urdhëruar nga deputeti i PS-së në këtë zonë, Arbnor Shameti, me qëllim që të krijojnë bindjen në qytet se bashkia nuk po bën punën e saj. “Këshilli nuk pati asnjë argument për të kundërshtuar buxhetin, sepse po të kishte argument unë do t’i mirëkuptoja, por ishte thjesht një mbledhje politike, në vazhdën e asaj pune që ka bërë deputeti këto dy vite, që nuk ka lënë zyrë pa trokitur për t’i ulur fondet bashkisë, dhe fatkeqësisht bashkia ka dy vite që ka marrë fonde granti më pak se herët e tjera”, tha Spahiu. Për këto akuza, Porta Vendore tentoi të kontaktojë edhe me deputetin Shameti, por ai nuk iu përgjigj telefonatave dhe mesazheve të gazetarëve tanë.
Ndërhyrja e prefektit
Duke qenë se kryebashkiaku dhe këshilli bashkiak nuk kanë rënë në ujdi, duke u bazuar në ligj, Bashkia e Skraparit ka kërkuar ndihmën e Prefektit të Beratit që në mbledhjen e parë. Prefekti i Qarkut, Harilla Dafa, me kompetencat që i jep ligji, vendosi datën 28 Dhjetor për zhvillimin e mbledhjes së dytë të buxhetit. Madje, ai udhëtoi vetë drejt Skraparit më 28 Dhjetor 2018 me shpresën që mbledhja e këshillit do të zhvillohej në këtë datë dhe të mbyllej brenda vitit, miratimi i buxhetit në të pesta Bashkitë e Qarkut.
Mbledhja e 28 dhjetorit
“Pak minuta para nisjes së saj, kryetari i këshillit që i përket subjektit politik të PS-së dhe sekretarja deklaruan se mbledhja nuk do të zhvillohej, dhe mbledhja nuk u zhvillua për arsye që askush nuk i sqaroi”, bëri me dije për Porta Vendore prefekti i qarkut. Madje, edhe Bashkia e Skraparit deklaroi se nuk ka marrë njoftim zyrtar për anulimin e mbledhjes së datës 28 dhjetor.
Mbledhja e 4 janarit
Por, sërish falë kompetencave që i jep ligji, Prefekti i Qarkut ka thirrur një tjetër mbledhje, pikërisht më4 janar 2019, duke udhëtuar sërish vetë drejt Skraparit, me qëllimin e vetëm organizimin e saj brenda afatit që parashikon ligji. Por, në mbledhje nuk ishin të pranishëm as përfaqësues të Bashkisë së Skraparit dhe as këshilltarët e LSI. Pavarësisht mungesës, këshilli bashkiak hodhi në votim propozimin e bërë për shkurtimin e punonjësve të administratës së bashkisë. Me 11 vota pro, pikërisht 7 votat e këshilltarëve të PS, 1 votë e këshilltarit të PD, 1 votë e PR, 1 votë të PDS,1 votë të LSI dhe asnjë votë kundër, këshilli bashkiak miratoi ndryshimet, duke e ndryshuar numrin e punonjësve të Bashkisë Skrapar nga 378 në 200 punonjës. Fatos Hasanaj, kryetari i grupit të PS-së në një komunikim me telefon për Porta Vendore, deklaroi se “u miratuan pesë vendime, pjesë e buxhetit të Bashkisë Skrapar, numri i punonjësve në administratën e bashkisë, niveli i pagave, riorganizimi i dy njësive administrative dhe investimet që do të përfitojë zona e Tomorricës, pas këtyre ndryshimeve”.
Por, Bashkia e Skraparit nga ana tjetër deklaron se drejtuesit dhe administrata e saj nuk u bënë pjesë e mbledhjes së këshillit bashkiak për miratimin e buxhetit, pasi nuk kishte një shkresë zyrtare për anulimin e mbledhjes së datës 28 Dhjetor. Po ashtu, Bashkia e Skraparit deklaron se tashmë është në pritje të Prefektit, nëse do të miratojë ose jo,vendimet e marra nga këshilli për buxhetin më 4 janar. Në rast se prefekti e ligjitimon këshillin, bashkia shikon si zgjidhje të vetme paditjen e çështjes në gjykatë.
Prefekti duket se po merr kohën e plotë që i takon për tu shprehur në lidhje me miratimin ose jo të vendimit të këshillit bashkiak Skrapar, sepse prefekti Dafa deklaroi që ende nuk ka një vendim, ndërkohë që duhet ta jepte atë brenda datës 18 janar 2019.
E ndërsa, fati i buxhetit të Bashkisë së Skraparit ende nuk dihet, ata që do ta vuajnë do të jenë sërish qytetarët, kryesisht ata të nëntë njësive vendore, të zonave të largëta, të cilët duket se do të vazhdojnë të ketë pak shanse për rrugë, kanalizime apo ndriçim. Nga ana tjetër në ankth do të vazhdojnë të jenë 178 punonjësit e administratës së Bashkisë së Skraparit dhe ndërmarrjeve në varësi, të cilët me miratimin e buxhetit do të hiqen nga puna. Sipas bashkisë, ata janë të vlefshëm për institucionet ku punojnë, ndërsa sipas këshilltarëve të PS-së, duhen hequr nga puna.
Rreth autorit:
Erjola Azizolli është gazetare në qytetin e Beratit.