Vëzhgim/Analizë

Çfarë po ndodh në kantierin e Kalivaçit në Vjosë?

18 janar 2019/ Artan Rama/ Porta Vendore

Kompania turke që fitoi të drejtën për të ndërtuar hidrocentralin e Kalivaçit në Lumin e Vjosës ka zbritur për herë të parë në terren, qysh prej nënshkrimit të kontratës qershorin e shkuar me qeverinë shqiptare. Katër ekspertë, dhe një prej administratorëve të kompanisë, vizituan paraditen e datës 17 Janar 2019, kantierin e Kalivaçit, në pikën ku shtrati i lumit zgjerohet dhe formon një luginë të mrekullueshme.

Ekspertët i përkasin “ABKONS”, një kompani konsultimi që kryen shërbime për projektet zhvillimore, dhe janë pjesë e grupit (ende të paplotësuar) për hartimin e raportit të vlerësimit mjedisor (VNM). Redion Biba, një nga drejtuesit e Shërbimeve Mjedisore pranë shoqërisë ABKONS, e konfirmoi lajmin dhe njoftoi se në pak javë do të fillojnë dëgjesat publike në nivel kombëtar dhe rajonal, por ai refuzoi të publikonte emrat e ekspertëve që janë përfshirë deri tani në këtë proces.

Grupi i ekspertëve të ABKONS në vendin ku parashikohet ndërtimi i digës së Kalivaçit.

Konventa e Bernës (Traktati Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës ) vendosi nëntorin e shkuar t’i rekomandojë qeverisë shqiptare  pezullimin e hidrocentralit të Kalivaçit, deri në përfundimin e planifikimit strategjik të zhvillimit të Luginës sipas standardeve dhe praktikave europiane. Pa dyshim që vlerësimi mjedisor ishte pjesë e këtyre rekomandimeve.

Kështu, ndërsa në Europë flitet për një “qasje paraprake” pezullimi, në Shqipëri vijon zbatimi i kontratës.

Prej kohësh, një numër aktivistësh dhe shkencëtarësh, brenda dhe jashtë Shqipërisë, kanë gërshetuar përpjekjet për të ndaluar kontratat koncesionare mbi ndërtimin e digave. Sipas vlerësimeve shkencore, Vjosa gëzon statusin e një habitati origjinal, ende i paprekur, pjesë e trashëgimisë natyrore europiane, i vetmi i këtij lloji në Europë.

Ndërkaq, vlerësimi për Vjosën ka rezultuar një mision i vështirë për ekspertët, për shkak të dinamikave komplekse të ekosistemit si dhe të mungesës së vlerësimeve të mëparshme. Vetë kompania turke, “AYEN ENERJI A.S.”, e njëjta që do të ndërtojë digën e Kalivaçit, e humbi të drejtën për një tjetër digë në Vjosë, atë të Poçemit, rreth dy vjet më parë, kur gjykata shpalli pavlefshmërisë absolute të “Deklaratës Mjedisore”.

Spase Shumka, një ekspert i shquar kombëtar i habitateve ujore dhe i peshqve, refuzoi të përfshihej në grupin e kontraktuar nga ABKONS, pasi më parë ishte shprehur publikisht kundër ndalimit të rrjedhjes së lirë të ujit në Vjosë.

Por tani shkencëtarët po ngrenë një tjetër shqetësim që lidhet me cilësinë e VNM-së që po përgatitet.

Sipas kontratës  (Neni 12), kompania ka në dispozicion jo më shumë se njëzet e katër  muaj deri në marrjen e të gjitha lejeve, përpara se të fillojë nga puna për ngritjen e digës. Sakaq, kanë kaluar tetë muaj dhe mbeten ende gjashtëmbëdhjetë të tjerë në dispozicion për të përfunduar raportin e vlerësimit mjedisor. Por Ulrich Eichelmann nga RiverWatch thotë se periudha është e pamjaftueshme për një vlerësim të besueshëm e shkencor, edhe sikur ekspertët ta përdornin çdo ditë të mbetur për të hartuar raportin e VNM-së.

Sipas studimit të shkencëtarëve gjermanë e austriakë për biodiversitetin edhe ekologjinë e Vjosës, të prezantuar në Tiranë në dhjetor 2018-s, vlerësimi do të kërkonte  rreth tri vite pune studimore.

“Peizazhi lumor i Vjosës është tepër i ndërlikuar”, thotë Ulrich Eichelmann. “Vlerësimi është një gjë , por përfundimet prej vlerësimeve”, janë diçka tjetër, përfundon.

Ekspertë nga Universiteti BOKU i Vjenës duke vlerësuar Luginën e Vjosës

Sidoqoftë , “rekomandimet” për Kalivaçin synojnë në radhë të parë shtetin, i cili në çdo rrethanë mbetet pronari i vetëm dhe i përhershëm i ujit.

Por, a po i mbivendoset  apatia e autoriteteve mosmarrjes së përgjegjësive?!

Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit, përfaqësuesi zyrtar i vendit, mungoi në takimin vjetor të Bernës. Ministria nuk  e ka bërë të qartë se në ç’mënyrë rekomandimet apo vlerësimet e ekspertëve ndërkombëtarë u janë transmetuar grupit që do të hartojë vlerësimin mjedisor. Ndërkohë që një tjetër rekomandim i Bernës kërkon përpilimin e Planit të Menaxhimit të Basenit të Lumit Vjosë. Deri tani nuk ekziston asnjë i tillë.

Çfarë do të bëjë qeveria shqiptare?

Koha është e shkurtër dhe heshtja nuk mund të fshehë tensionin mes palëve. Indiferenca e përsëritur s’tregon veçse një sjellje të qëllimshme. Së paku kryeministri Rama ka premtuar publikisht dy herë për moslejimin e hidrocentraleve në Vjosë, por po aq herë ka lejuar ndërtimin e tyre.

Tani çështja është, a do të thotë qeveria të vërtetën për Vjosën?

Lugina e Vjosës. Në sfond M. Shëndëllisë dhe i Lunxhërisë