Ngjarje/Personazhe

Dibër, të moshuarit kërkojnë një përgjegjës për Qendrën

16  janar 2019/ Dritan Kurti/ Porta Vendore/ Dibër                                         

Qendra për të moshuarit në Dibër, e rihapur në Korrik të vitit 2018, pas 10 muajsh nga mbyllja e saj, falë advokimit të shoqatës “Grupi Lokal i Veprimit, Integrimi” nëpërmjet projektit “Advokaci Komunitare për hapjen e Qendrës së Moshës së Tretë”, mbështetur nga “Leviz Albania”, duket se është lënë në harresë, pasi kushtet janë skandaloze, mungon një përgjegjës, duke e bërë shumë të vështirë menaxhimin e saj, megjithëse ajo shihet si e vetmja mundësi për të kaluar kohën e lirë nga mosha e tretë.

Qendra sociale për moshën e tretë në qytetin e Peshkopisë ndodhet pranë Pallatit të Kulturës dhe aty shkojnë çdo ditë rreth 80 të moshuar, ku kalojnë kohën e lirë duke zhvilluar lojëra të ndryshme dhe konsumojnë një kafe, ose çaj.

Qendra ishte mbyllur që në Tetor të vitit 2017 dhe rihapja e saj u bë e mundur në Korrik të 2018-tës, falë advokimit me Bashkinë Dibër të shoqatës “Grupi Lokal i Veprimit, Integrimi” me anë të projektit “Advokaci Komunitare për hapjen e Qendrës së Moshës së Tretë”, mbështetur nga “LevizAlbania”.

Megjithëse kjo ishte pozitive për të moshuarit e Peshkopisë, bashkia nuk ka treguar asnjë kujdes ndaj tyre, duke i lënë në ambiente të papërshtatshme.

“Dalim në mëngjes nga shtëpia e vijmë e luajmë këtu me shokët domino, deri nga ora 11 e gjysmë. Për ne nuk është keq, megjithëse mund të ishin rregulluar dhe më mirë disa kushte, pasi këtu ka lagështirë, por tani ç’të bëjmë, ky vend është, s’ka tjetër.”, thotë Isuf Osmani, frekuentues i qendrës, ndërsa kur e pyet nëse është ankuar për kushtet, ai thotë “flasim kot, se askush nuk na pyet.

Megjithatë, gjendja lë për të dëshiruar, pasi kudo ka lagështirë dhe të moshuarit përballen me të ftohtin, pasi nuk ka asnjë mjet ngrohës.

“Për moshën tonë ky lloj ambienti nuk është hiç i përshtatshëm, askujt nuk i intereson. Sot në këtë ditë nuk ka as dru, as sobë e asgjë. Lagështia është anash. Ne rrimë nga halli se s’kemi ku të shkojmë. Kalojmë kohën”, vijon Isufi.

Por ky nuk është problemi i vetëm për ta, pasi hall më të madh kanë punësimin e një përgjegjësi për qendrën, pasi mungesa e tij bën që në qendër të futen njerëz të papërgjegjshëm herë pas here.

“Realisht kërkohet që ambientet e qendrës të mirëmbahen, të jenë të lyera. Një pjesë e mirë e qendrës, muret janë me myk, me lagështirë. Pra, të lyhen e të mirëmbahen ambientet. Pjesa e tualeteve të rregullohet dhe kërkojmë gjithashtu një person që të kujdeset për të moshuarit gjatë gjithë kohës. Të jetë person stabël, i paguar nga bashkia. Ky projekt përfundon në fund të nëntorit dhe rrezikon të mbyllet. Prandaj kërkojmë një staf stabël nga bashkia që qendra të ketë vazhdimësi. Prandaj ne e ngremë zërin dhe themi që këtu duhet një koordinator nga bashkia që edhe nëse nuk ofrohet kafe dhe çaj, të paktën të kenë një person që kujdeset për të moshuarit që vijnë dhe kalojnë ditën këtu, pra një ditë ndryshe”, sqaron Kimete Mazari, Koordinatore e Projektit “Advokaci Komunitare për Hapjen e Qendrës së Moshës së Tretë”.

I kontaktuar nga Porta Vendore, Kryetari i Bashkisë Dibër, Muharrem Rama tha se mundësia e bashkisë që ai drejton, ka qenë vetëm ofrimi i ambienteve. Ai premtoi që do të shohë mundësinë e vendosjes së një koordinatori në strukturën e bashkisë për vitin që sapo ka nisur.

Po ashtu, do të parashikojë edhe në buxhet një fond të caktuar për lyerjen dhe meremetimin e ambienteve të brendshme të qendrës. Por nëse premtimi i Kryebashkiakut të Dibrës do të mbahet nga vetë ai, kjo mbetet për tu parë!

Rreth autorit:
Dritan Kurti, ka studiuar Gazetari dhe Komunikim, prej dhjetë vitesh është i angazhuar dhe punon në median lokale e kombëtare për Qarkun Dibër.

Facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedinmail