11 janar 2019/ Jerola Ziaj/ Porta Vendore/ Vlorë
Ish punonjësit e parkut urban të Vlorës kanë protestuar përpara bashkisë. Rreth 60 punonjës kanë kërkuar pagat e prapambetura të nëntorit dhe dhjetorit, pasi Bashkia e Vlorës mori vendimin për shkrirjen e këtij institucioni dhe njohu detyrimet e prapambetura. Por pavarësisht premtimeve të kreut të Bashkisë së Vlorës se do t’i punësonte, çështja e tyre nuk ka marrë rrugën e zgjidhjes.
Teksa punonjësit kërcënojnë se do të përshkallëzojnë kërkesën, ata duan pagat e prapambetura dhe një vend pune.
Ka qenë kjo arsyeja që në mbledhjen e parë të Dhjetorit 2018, Këshilli Bashkiak i Vlorës, vendosi shkrirjen e ndërmarrjes se Parkut Urban të qytetit bregdetar.
Edhe pse “faji” u kërkua te drejtuesi i këtij institucioni, prej vitesh parku urban i Vlorës gjendet në kushtet e mbijetesës. Ky ka qenë pretendimi edhe i punonjësve, pasi në një shkresë zyrtare të nisur nga sindikata në vitin 2016, Bashkisë së Vlorës i është kërkuar menaxhim më i mirë i institucionit.
Por Sektori ka nisur të jetë problematik qysh në vitin 2012, kohë kur bashkia e drejtuar nga ish-kryebashkiaku Gjika, nëpërmjet këshillit bashkiak, miratoi lejen për operimin e një kompanie private në sektorin e transportit publik. Kompania, e cila në fakt edhe pse zgjodhi të fusë në qarkullim autobusë me të rinj, funksionon prej 7 vitesh në të njëjtat itinerare dhe orare me ato të parkut urban shtetëror. Pra, thënë më thjeshtë, nuk u ofrua asgjë e re. Linjat u dubluan dhe nga një autobus në stacion, shihje dy e jo rrallë herë shoferë “të privatit “ dhe “ të shtetit” që garonin mes tyre kush e kush të mbërrinte më shpejt në stacion. E njëjta situatë është për plot 7 vite.
Të ardhurat që vinin nga sektori i transportit, jo vetëm që nuk njohën shtim për parkun shtetëror urban të Vlorës, por në këto kushte u “ndanë” mes dy operatorëve që kryenin itineraret.
Buxheti i Bashkisë së Vlorës nga 200 milionë lekë në dispozicion të parkut urban në vitin 2012, nga viti në vit u reduktua ndjeshëm dhe viti 2018 u mbyll me 40 milionë lekë. Madje, ky buxhet nuk u alokua, pasi sektori cilësohej pa fitim.
Rreth autorit:
Jerola Ziaj është gazetare në qytetin e Vlorës.