10 janar 2019/ Artan Rama/ Porta Vendore
Kompania ndërkombëtare e energjisë Shell që po vijon zbatimin e planeve për kërkime nafte në Parkun Kombëtar të Zagorisë, zhvilloi të martën e dytë të janarit të 2019-s, dëgjesën e parë publike në qytetin e Gjirokastrës. Përfaqësuesit e kompanisë i mirëpritën të interesuarit në orën 10:00 në sallën e konferencave të Hotel Çajupit, që ndodhej fare pranë qendrës historike të qytetit. Salla u mbush brenda orarit të caktuar, kryesisht me nëpunës të pushtetit vendor dhe me disa drejtorë të drejtorive rajonale. Prania e grupeve të interesit të trashëgimisë dhe turizmit ishte e zbehtë. Instituti për Ruajtjen e Natyrës (INCA) dhe Shoqata për Ruajtjen e Mjedisit (PPNEA), dy organizata të rëndësishme mjedisore për mbrojtjen dhe konservimin e natyrës në Shqipëri munguan.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e kompanisë refuzuan të publikonin kostot financiare të kërkimeve si dhe nuk iu përgjigjën një pyetjeje për problemet që ishin hasur gjatë diskutimeve me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura për përdorimin e eksplozivit brenda zonës qendrore të parkut, por pranuan se diskutimet për këtë çështje janë ende të hapura.
Megjithëse qëllimi i dëgjesës ishte prezantimi përpara publikut i ndikimit mjedisor, shëndetësor e social i projektit, kompania refuzoi të informonte mbi kostot e këtyre shërbimeve, ndonëse, sipas saj, vlerësimi ishte në përputhje me standardet e IFC dhe normat që Shell zbatonte ndërkombëtarisht.

Natyrisht që kompania regjistroi gjithçka që u diskutua në një hapësirë dy orëshe,e cila, sidoqoftë dëshmoi për një diskutim më shumë në trajtën e një seminari trajnues sesa të një dëgjesë publike që përfundon me rekomandime dhe gjetje në favor të pjesëmarrësve.
Disa diskutantë iu shmangën pozicioneve dhe interesave të grupeve që përfaqësonin, duke u shprehur personalisht për projektin, çka të krijonte ndjesinë se ishe ne një workshop formimi.
Kështu, z. Vasil Polo, që u prezantua si Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës, e shpenzoi kohën e tij të diskutimit për sasinë e naftës do të përfitonte Shell dhe Shqipëria në raport me njëri-tjetrin, por jo mbi problematikat apo presionet që do të ballafaqoheshin të tetëmbëdhjetë monumentet e trashëgimisë kulturore që shtrihen në territorin e zbatimit të projektit (kisha dhe manastire bizantine, kryesisht të kategorisë së parë).
Nënkryetari i Bashkisë së Libohovës, z. Ilia Kuro, në vend që të shprehej për rreziqet nga shpimet në territorin që ai përfaqësonte,lexoi ligjin e Zonave të Mbrojtura,ndërkohë që Drejtori i Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura, z. Gligor Dushi nuk i kundërshtoi shpërthimet. Por kërkoi ndalimin e tyre vetëm në zonën qendrore të parkut, atje ku në përputhje me ligjin kërkohet një mbrojtje strikte.
Disa administratorë njësish administrative që ishin në sallë nuk ngritën ndonjë çështje. Prania e tyre ngjante më shumë me një pjesëmarrje të detyruar,por aspak të dëshiruar. Dikush tjetër, i pavetëdijshëm ose i pamësuar nëpër dëgjesa, zgjodhi të reflektojë zemërimin ndaj projektit kundrejt një përfitimi të mundshëm për komunitetin që përfaqësonte. Kështu, z. Akile Puleshi, administrator i Njësisë Administrative të Zagorisë tregoi se autoritetet i kishin refuzuar kërkesën për shtrimin e një rruge ekzistuese prej 500 metrash pak javë më parë, për shkak se zona ishte shpallur park kombëtar, ndërkohë që tani po lejonin shpime dhe gërmime…
Pyetjes tonë se ‘çfarë kërkesash keni marrë gjatë takimeve që kompania ka zhvilluar me drejtuesit e komuniteteve, nëse keni patur ndonjë kërkesë për të ndihmuar apo për të financuar ndërtimin e ndonjë ujësjellësi, rruge apo të ndonjë qendre shëndetësore’, kompania u përgjigj se nuk kishte patur asnjë kërkesë të tillë. Qëndrimi i drejtuesve lokalë duket i pajustifikuar dhe naiv. Sepse nuk do të ketë një mundësi të dytë. Këtej e tutje, gjithçka do të zgjidhet në terren.
Ndërkohë që kompania e pranon se kërkimet, veçanërisht shpërthimet,do të kenë ndikimin e tyre. Sipas vlerësimeve, burimet nëntokësore mund të preken. Vlerësimi merr gjithashtu në konsideratë mungesën e studimeve të mjaftueshme gjeologjike,e nëse do të përfshijmë edhe mungesën e një studimi të plotë ekologjik në territorin e sapo shpallur të Parkut Kombëtar të Zagorisë, “surprizat”e paparashikuara gjatë kryerjes së kërkimeve për naftë nuk do të mbeten vetëm në letër.

Më vonë, në të njëjtën ditë, pak kilometra më në lindje të Gjirokastrës, në Njësinë Administrative të Lunxhërisë, kompania zhvilloi edhe një dëgjesë të dytë. Njoftimi u ishte drejtuar dhjetë fshatrave, por në katin e dytë të ndërtesës së Njësisë, në orën 14:00,ishin paraqitur vetëm katër banorë. Kryeplaku i njërit prej fshatrave , z. Vladimir Proko u shpreh se njerëzit janë akoma në punë dhe do të ishte mirë që takimi të kryhej në kafenë e fshatit, në Valare.
Por sipas ligjit, pjesëmarrja nuk mund ta pengojë dëgjesën. Zj. Lindita Luzo, Këshilltare për Marrëdhëniet me Komunitetin pranë Shell Albania, tregoi se njoftimet ishin kryer në përputhje me procedurat.
Procedurat e njoftimit ishin bërë në përputhje me kërkesat ligjore por, a po zhvillohej dëgjesa në përputhje me parimet e ligjit?
Përfaqësuesit e kompanisë, numri i të cilëve ishte sa dyfishi i pjesëmarrësve në dëgjese nuk u vonuan, dhe në orën e caktuar filluan prezantimin në një sallë me mure të zhveshura, të zbrazur nga mobilimi dhe me fare pak spektatorë.

Formaliteti mund të tingëllojë joshës kur terreni fsheh të papritura të padëshiruara, por përfaqësuesit e kompanisë duhet të kuptojnë se qëllimi i një dëgjese lidhet së pari, me kuptimshmërinë e projektit nga ana e komunitetit, me daljen e problemeve e jo me shmangien e tyre; sesi mund t’i shërbehet më mirë publikut e jo vetëm më e mira për kompaninë.
Për aq kohë sa flitet për ujdi, atëherë na duhet një marrëveshje ‘ win win’ mes palëve.
Dëgjesat do të përfundojnë për pak ditë. Ato do të kryhen në të gjitha bashkitë e Qarkut të Gjirokastrës. Më pas, me raportin përfundimtar të dëgjesave në dorë, kompania do t’i drejtohet Ministrisë së Mjedisit për Deklaratën Mjedisore, marrja e së cilët, u hap rrugën inxhinierëve të Shell për nisjen e shpimeve në terren.
“Dita e parë shkoi mirë. Pavarësisht pjesëmarrjes, njoftimet ishin kryer në mënyrë korrekte”, – tha Fabiola Haxhillari, Këshilltare për Marrëdhëniet me Jashtë pranë Shell Upstream Albania.
Por mospjesëmarrja e sotme mund të jetë një konflikt i ardhshëm, mes banorëve dhe kompanisë. Nëse njerëzit nuk do të informohen, rreziku për një konflikt të mundshëm do të jetë gjithmonë i pranishëm, konflikt i cili jo vetëm nuk do të ndihmojë askënd, por mund të dëmtojë në mënyrë të njëanshme.
