10 janar 2019/ Artan Rama/ Porta Vendore
Aula Consortium ishte mbushur me shkencëtarë. Të huajt e ardhur nga Austria dhe Gjermania zinin një hapësirë të vogël në krahasim me vendasit që vinin nga tri fakultete: “Shkencat e Natyrës”, “Bujqësori” dhe “Gjeologjiku”. Prezantimi zhvillohej në ditët e fundit të 2018-s, tek hotel “Tirana Internacional”, fare pranë sheshit “Skënderbej”, i pushtuar nga një hare feste (dhe konsumi) në prag të Krishtlindjes. Sidoqoftë brenda në sallë, ndonëse jo shumë popullore, atmosfera kishte një tjetër përmbajtje.
“Ne parashikojmë që ndërtimi i digave do të zhdukë pjesën më të madhe të biodiversitetit për shkak të humbjes së dinamikave lumore”, tha profesori i Universitetit të Vjenës Friedrich Schiemer.
Në krye të gjashtëdhjetë shkencëtarëve të bashkuar, ai po prezanton rezultatet e kërkimit mbi biodiversitetin dhe ekologjinë e lumit Vjosa, të kërcënuara nga lejet zhvillimore për ndërtimin e hidrocentraleve.

Përveçse një iniciativë e pazakontë, ajo përmblidhte po aq kureshti shkencore sa dhe ironi. Në një vend me rrjedha të tejmbushura e të devijuara në tuba çeliku përpjekja për të shpëtuar specie dhe habitate natyrale dukej një mision i pamundur.
Përgjatë dhjetë viteve të fundit, Shqipëria lejoi ndërtimin e qindra hidrocentraleve private, por Vjosa qëndroi e paprekur, deri para disa muajsh, kur qeveria vendosi planifikimin dy hidrocentraleve të mëdha në rrjedhën e saj qendrore.
Ndaj, në një përpjekje të përbashkët shkencore, por dhe si një formë misionarizmi për të shpëtuar të ashtuquajturin, të vetmin lumë të rëndësishëm ende të paprekur prej hidrocentraleve, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë, filloi në prill të 2017-s e deri në shtator të 2017-s, një projekt ndërkombëtar kërkimi në terren për njohjen e vlerave të jashtëzakonshme të Vjosës.
Gjetjet në sallë flasin për vlera të rralla të peizazhit lumor. Mes qindra grupesh gjallesash të studiuara, 40% zbulohen për herë të parë në vend. Ka shumë që gjenden vetëm në Ballkan. Ndërsa Isoperla vjosae

dhe Liocranoeca vjosensis i prezantohen shkencës për herë të parë.

“Ne jemi të gatshëm që në të ardhmen t’i marrin në konsideratë këto gjetje”, tha Elvana Ramaj, një nga shefet e biodiversitetit dhe përfaqësuesja e vetme në sallë nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.
Por deklaratat e autoriteteve për mbrojtjen e mjedisit, qëkurse bëhen përpara kamerave televizive, nuk japin më asnjë siguri. Përfaqësuesit e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, nuk u dukën, ndonëse ishin njoftuar.
Degët e Vjosës, me 40 HEC-e

Në fillim u lëshuan tributarët. Dhënia nisi në 2008 me Çarshovën, një degë e Vjosës, atje ku lumi futet në territorin shqiptar, pasi lë Greqinë. Më pas, në 2009-n u prek Bënça e Sipërme në Tepelenë. Koncesionimi përparoi me Kardhiqin në Gjirokastër dhe në vitin 2013, qeveria në ikje lejoi ndërtimin e hidrocentralit “Langarica 3” në Përmet, kjo e fundit në zonë të mbrojtur, e famshme për kanionet dhe shpellat e jashtëzakonshme natyrore. Në përfundim të projeksioneve, nëpër degët e Vjosës u planifikuan më shumë së dyzet hidrocentrale. Vetëm në kaskadën e “Rajan 2” në Langaricë, fillimisht u programuan një dyzinë hidrocentralesh të vogla.
Gatishmëria për të lejuar koncesionimin e çdo rrjedhe nxiti fantazinë e investitorëve. Në pamundësi për të tjera rrjedha të lira, ata iu drejtuan degëve të degëve. Kështu, pak muaj më parë, në Ministrinë e Energjisë u paraqitën dy aplikime të reja për ndërtimin e hidrocentraleve në Përroin e Gurrës që është një degë e Bënçës, e cila, kjo e fundit është një degë e Vjosës. Por autoritetet kanë treguar një shkallë të lartë“gatishmërie” edhe për koncesionimin me hidrocentrale në rrjedhën qendrore të Vjosës.
Megjithëqë në 2015-n, kryeministri i ri premtoi ta shpëtonte Vjosën nga babëzia e hidrocentraleve, në 2016-n, qeveria e tij çeli tenderin për hidrocentralin e madh të Poçemit, në seksionin më të rëndësishëm ekologjik të Vjosës. Banorët e Luginës reaguan dhe nënshkruan disa peticione kundër digës. Më tej, me ndihmën e përbashkët të disa organizatave mjedisore, iu drejtuan gjykatës dhe në maj të 2017-s, falë një vendimi gjyqësor, arritën fitoren e parë: të anulonin kontratën koncesionare si të paligjshme.
Mirëpo qeveria nuk u tërhoq dhe pas një muaji shpalli tenderin për një hidrocentral të ri në Vjosë: atë të Kalivaçit. Edhe ky, në rrjedhën qendrore të lumit. Kontrata për digën e Kalivaçit u nënshkrua në qershor të 2018. Ishte ky momenti kur përfaqësuesit e Konventës së Bernës (Traktati Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës) vendosën që të zbresin në terren.
“Shqipëria të rishohë strategjinë e energjisë së rinovueshme dhe të zvogëlojë varësinë e prodhimit të energjisë elektrike prej hidrocentraleve”.
Sekretariati i Bernës mbërriti në Shqipëri sapo palët kontraktuale firmosën për ndërtimin e hidrocentralit. Në një udhëtim tri ditor në terren, ata u takuan me përfaqësuesit e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, udhëtuan në jug të vendit, në Vjosë. Biseduan me banorët rreth zonës së hidrocentraleve. Vëzhguan në praninë e ekspertëve “in situ” ekosistemin për një vlerësim nga perspektiva ekologjike e më pas u larguan për të përgatitur raportin e vlerësimit.
Në fillim të shtatorit Byroja e Konventës vendosi t’ia kalojë raportin Komisionit të Përhershëm, strukturës së saj më të lartë, e cila do të merrte vendimin përfundimtar. Komisioni u mblodh në Strasburg, prej 27 deri në 30 nëntor. Pasi u njoh me raportin dhe dëgjoi palët, ai vendosi unanimisht: t’i rekomandojë qeverisë shqiptare pezullimin e Kalivaçit dhe të Pocemit!
Suksesi mund të ishte një fjalë e madhe në çështjen për mbrojtjen e deritanishme të Vjosës, por sidoqoftë puna e përbashkët e disa grupeve të shoqërisë civile, (Eco Albania, padyshim më e spikatura prej tyre) që kombinuan ekspertizën mjedisore me aktivizmin, janë më afër këtij vlerësimi. Falë këtyre përpjekjeve gjykata rrëzoi digën e Poçemit, dosja i kaloi Bernës, shkencëtarët ndërkombëtarë studiuan ekologjinë e lumit për herë të parë dhe kështu, me këmbëngulje të pandërprerë, çështja e Vjosës u shndërrua në një çështje ndërkombëtare.
Ndërkohë në Strasburg, Eco Albania përfaqësoi e vetme ekspertizën mjedisore .

Përfaqësuesi nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit mungoi. Konventa e Bernës bëri dymbëdhjetë rekomandime. Deri tani qeveria nuk ka reaguar, ndonëse çështja paraqet interes të lartë publik. “Megjithatë janë rekomandime e jo kushte”, u shpreh një zyrtar nga Ministria e Mjedisit dhe e Turizmit.
Rekomandime apo kushte, ato janë një peshë e madhe për një qeveri që ndërtimin e hidrocentraleve e ka prioritet strategjik, që koncesionon çdo lumë, përrua, apo kanal. Që vuan mungesën e VNM-ve profesionale dhe mungesën e të dhënave. Që nuk jep mbështetje financiare për kërkime shkencore. Që lejon diga, pa hartuar më parë strategji dhe plane menaxhimi të baseneve ujore. Që refuzon ballafaqimin me grupet e interesit. Sepse janë këto rekomandimet që Konventa e Bernës i ka bërë qeverisë shqiptare.
Qindra megawatt-e të instaluara, miliona m3 ujë të bllokuara dhe mijëra hektarë të përmbytur prej digave janë të mjaftueshme për të transformuar përgjithmonë vlerat e jashtëzakonshme të Luginës.
Ndaj dhe përpjekjet e kombinuara po shtohen. Presioni ndërkombëtar po rritet.
Pothuajse në të njëjtën kohë që në Strasburg, Komisioni i Bernës foli për rreziqet e hidrocentraleve në Bruksel, në të njëjtën ditë Parlamenti Europian miratoi rezolutën për Shqipërinë ku ndër të tjera, i njofton qeverisë shqiptare dhe Komisionit Europian shqetësimin e tij të thellë ndaj disa projekteve ekonomike që po dëmtojnë zonat e mbrojtura. Në këtë rezolutë, për herë të parë, përmendet Lumi Vjosa. Parlamenti rekomandon që Shqipëria të rishohë strategjinë e energjisë së rinovueshme dhe të zvogëlojë varësinë e prodhimit të energjisë elektrike prej hidrocentraleve.
Po si do të veprojë qeveria shqiptare me digat në Vjosë?
“Porta Vendore” pyeti autoritetin kontraktual, Ministrinë e Industrisë dhe Energjisë. “Koncesionari është në fazën e përmbushjes së detyrimeve kontraktuale të Kontratës së Koncesionit”, ishte përgjigja e tyre. Komisioni i Bernës do të mblidhet përsëri në mars për të parë ecurinë e rekomandimeve dhe Komisioni Europian, punën e qeverisë shqiptare. Deri atëherë, beteja për rrjedhën e lirë të Vjosës do të vazhdojë. “Duhet të gjejmë një mënyrë që të thyejmë digën e indiferencës dhe heshtjen e autoriteteve”, – thotë Olsi Nika, Drejtor Ekzekutiv i Eco Albania.