Ndodhi

Bashkia Pogradec miraton buxhetin e 2019, qytetarët nuk do të kenë ulje taksash

8 janar 2019/ Artin Halili/ Porta Vendore/ Pogradec

Këshilli bashkiak në Pogradec ka miratuar buxhetin për vitin 2019, ku pavarësisht tentativave nga këshilltaret socialistë në seancat e mëparshme, ulja e taksave për qytetarët nuk u reflektua. Krahasuar me vitet e mëparshme, buxheti i miratuar nga Bashkia Pogradec ka ardhur në rritje, ku priten edhe investime të mëdha në infrastrukturë, arsim e shërbime sociale, në këtë vit elektoral.

Është miratuar këtë fillimviti paketa fiskale dhe Buxheti i Bashkisë Pogradec për vitin 2019-të. Projektvendime të cilat dështuan të miratoheshin 1 javë më parë, pasi si paketa fiskale dhe buxheti nuk arritën të marrin kuorumin e duhur të votave për tu miratuar, pra 16 vota nga 31 që janë në total në këshillin bashkiak të Pogradecit. Arsyeja, një propozim i të majtëve për uljen e 3 tarifave vendore si:gjelbërim, pastrim dhe ndriçimçoi në debate dhe polemika në sallë,dhe për pasojë solli edhe tërheqje të projektvendimeve të paraqitura nga administrata e Bashkisë në datë 27 dhjetor 2018.

Ishte kryetari i grupit të majtë Bledi Çomo,që qysh në fillim të mbledhjes i komunikoi Kryetarit të Bashkisë se grupi i të majtëve, pas një mbledhjeje midis tyre,kishte vendosur që të mos e votonte paketën fiskale 2019-të, në rast se tarifat nuk do të riktheheshin në nivelin e vitit 2017-të. Arsyetimi për propozimin e uljes së tarifave lidhej me faktin se Bashkia prej 1 Janarit 2018 ishte duke mbledhur një tarifë të rritur të pastrimit me arsyetimin e transportimit të tyre në Landfillin e Maliqit, por që në asnjë muaj këto mbetje nuk shkuan atje për shkak të mosfunksionimit të stacionit të grumbullimit në Pogradec. Akoma më tej, Çomo arsyetonte se niveli i tarifës sëndriçimit dhe gjelbërimit ishte në masën e Bashkisë Korçë, në mos edhe më të larta. Ndaj kërkoi rikthim të tarifave si në vitin 2017, ose grupi i majtë nuk do të votonte paketën fiskale.

Ky propozim krijoi përplasje mes të majtëve dhe kryebashkiakut Kapri, i cili argumentoi se ulja e tarifave do të ndikonte negativisht në investime dhe performancën e shërbimeve si në pastrim, gjelbërim apo edhe ndriçim. “Në një kohë kur ne kërkojmë rritje të performancës dhe cilësisë së këtyre shërbimeve, nuk mund që të ulim tarifat”, tha Kapri.

Pas diskutimeve dhe debateve, ajo që i ‘vuri kapakun’ ishte votimi në Këshill. Fillimisht në votim u hodh propozimi i të majtëve, të cilët janë edhe në maxhorancë në këshillin bashkiak, por ky propozim u rrëzua, pasi nuk mori 16 votat e kërkuara. Të njëjtin fat pësoi më pas edhe paketa fiskale e cila mori vetëm 15 vota pro duke mos arritur numrin e kërkuar, pra me shumicë të cilësuar prej 16 votash nga 31 në total. Kjo krijoi kaos pasi administrata më pas pretendoi se votat nuk u numëruan korrekt. Por ajo që i dha fund debatit ishte kryetarja e këshillit e cila njoftoi edhe mbylljen e mbledhjes dhe thirrjen e saj në janar 2019-të për të rishqyrtuar edhe njëherë këto projektvendime.

Dy ishin mundësitë pas kësaj mbledhje: E para mos votim dhe për pasojë shkrihej këshilli, ose bashkia duhet të bënte përpjekje maksimale për të siguruar votat duke thirrur disa këshilltarë të djathtë në mbledhje të cilët vijnë shumë rrallë.

Socialistët tërhiqen nga kërkesa për ulje tarifash

Mbledhja e datës 4 janar  mendohej se do të sillte sërish debate të forta dhe përplasje mes të majtëve dhe kryebashkiakut Kapri në lidhje me tarifat. Por diçka e tillë nuk ndodhi. Të majtët ishin tërhequr nga kërkesa e tyre, nisur edhe nga fakti se në mbledhjen e kaluar propozimi nuk u votua nga këshilltarët.

E në fakt ajo që pritej ndodhi, këshilltarët nuk preferuan të digjnin mandatet e tyre, as të ulnin tarifat vendore për qytetarët dhe bizneset, por zgjodhën të japin votën pro paketës fiskale dhe buxhetit për vitin 2019-të. 17 vota arriti në këtë mbledhje paketa fiskale sëbashku me buxhetin të cilat u miratuan pa debate, pa polemika dhe pa kërkesa mbase të “tepruara” nga këshilltarët të cilët janë të zgjedhur aty për të përfaqësuar banorët e Pogradecit e Mokrës për problemet që ata kanë, në infrastrukturë, shërbime, ujësjellës e shumë shërbime të tjera. Diskutimet për paketën fiskale kaluan shkarazi ashtu siç edhe buxheti kaloime disa pyetje të lehta apo rutinë, rreth disa problemeve të vogla infrastrukturore dhe probleme të sinjalistikës rrugore, duke bërë që edhe kryebashkiaku Kapri të mos “ngrinte” zërin në këtë mbledhje, në përpjekje për të siguruar votat që i duheshin. Nga 31 këshilltarë në sallë ishin vetëm 22, nga të cilët folën vetëm 4, ndërsa pjesa tjetër heshtën. Askush nuk kërkoi më shumë për investime madhore në zonat rurale, në shkolla, çerdhe, kopshte, qendra shëndetësore, rrugë, kanalizime, investime në turizem etj etj. Të githë heshtën, edhe pse një pjesë e madhe jetojnë në këtë realitet të përditshëm në Pogradec.

Në fund kryebashkiaku Kapri u shpreh entuziast mbi votimin dhe renditi disa nga investimet madhore që do të kryhen nga ky buxhet përgjatë 2019-ës.

“Ne sot miratuam paketën fiskale dhe buxhetin e bashkisë, jam i lumtur t’ju komunikoj se këtë vit ne nuk kemi bërë rritje tarifash, por kemi qëndruar në të njëjtin nivel me paketën e vitit 2018-të. Kjo pasi nuk kemi dashur të rëndojmë mbi xhepat e qytetarëve apo edhe biznesit, ndaj edhe vendosëm që të qëndrojmë në të njëjtat nivele tarifash”, tha Kapri.

Investimet që parashikohen në 2019-tën vijojnë me punimet në lagjen Goricë, rikonstruksion tëGjimnazit “ Muharrem Çollaku”,  dy projekte madhore sipas Kaprit, qëjanë të shtrira në dy faza finacimi, një pjesë 2018 dhe një pjesë 2019. Ndërkohë që do të vijohet me një tjetër investim në sheshin Veterani dhe rrugën Ismail Qemali, Kryetari Kapri u zotuaedhe për ndërtimin e ujësjellësit në Bishnicë me këtë buxhet, krahas edhe projekteve të tjera që do të zhvillohen kryesisht në infrastrukturë, në zonat e Mokrës, apo rritjen e cilësisë së shërbimeve .

Buxheti mori 17 vota pro, 2 kundër dhe 3 abstenime. Njëra prej votave kundër ishte ajo e kryetares së këshillit Natalja Velo, e cila argumentoi për Portën Vendore edhe votën kundër. Sipas saj buxheti kishte një problem madhor  që lidhej me fondet buxhetore.

“Problemi me buxhetin është se fondet buxhetore, nuk janë paraqitur në nivel programi buxhetor, për çdo njësi shpenzuese, të ndaranë korente dhe kapitale, si edhe duke treguar burimet e finacimit sipas kërkesës të nenit 40 të ligjit 68/2017. Në këtë mënyrë këshilli e ka të pamundur të kontrollojë nëse janë respektuar tavanet për çdo program buxhetor dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, sipas klasifikimit ekonomik të miratuar me vendim këshilli. Kishte edhe shumë probleme të tjera në këtë buxhet, prandaj edhe unë e deklarova votën kundër”, tha ajo  për Portën Vendore.

Buxheti i Bashkisë Pogradec për vitin 2019-të arrin në masën e 934 milionë lekë të reja, pra përafërsisht 9.4 milionë dollarë, ku 529,701,000 janë grant nga qeveria shqiptare që vijnë si:

-Të ardhura nga transferta e pakushtëzuar      347,759,000

-Të ardhura nga transferta specifike               181,942,000

Fotoja e marrë nga miratimi i buxhetit në Këshillin Bashkiak Pogradec

Por një tjetër problem që vihet re në këtë buxhet është edhe fakti se nuk ka një planifikim real të të ardhurave nga ana e Bashkisë Pogradec për 2019-ën, krahasuar me faktin e 2017-ës dhe 2018-ën.

FAKT– Në 2017, Bashkia realizoi planin në nivelin e 247,735,358 lek

I PRITSHËM-Në 2018-ën planifikoi 293,918,636 lek

Ndërsa për 2019-ën Bashkia planifikon plot 405,670,820 lekë  plan të ardhurash, pra planifikon dyfishim të tyre, duke paraqitur diçka jo reale, referuar 2 periudhave të mëparshme.

Megjithatë duket se e vetmja gjë pozitive është fakti qëgranti që vjen si transfertë nga Qeveria është rritur në nivelin e  529,701,000 lekëve, krahasuar me 513,529,000 të 2018-ës dhe 475,933,429 të 2017-ës.

Rreth autorit:
Artin Halili është gazetar në Tv Sot 7, në qytetin e Pogradecit.