Vëzhgim/Analizë

Blloku 4 apo Parku Kombëtar i Zagorisë!

3 janar 2019/ Artan Rama/ Porta Vendore

Qeverisë do t’i duhet të përballojë një tjetër reagim nga komuniteti mjedisor dhe nga banorët e zonës,pas firmosjes së një kontrate për nxjerrje nafte me kompaninë ndërkombëtare të energjisë Shell, në ekosistemin natyror malor të zonës së Zagorisë në Jug të vendit, e shpallur park natyror majin e shkuar; një tjetër zonë e mbrojtur, zhvillimi i së cilës po kalon në një itinerar të ri.

Operacionet e kërkimit do të nisin në fillim të 2019 në të ashtuquajturin “Blloku 4” dhe parashikojnë shpime kërkimi për një periudhë disavjeçare, në rreth 3000 puse, me thellësi nga 6m deri në 30m, duke përdorur 4kg lëndë eksplozive për çdo shpim. Në krye të pesë viteve të para, në rast suksesi, do të kemi pusin e parë, në një thellësi vertikale deri në 3000m.

Ndërkohë që një tjetër vendim i pak muajve më parë mund të provokojë një reagim në rritje.

Kështu, korrikun e shkuar, Zagoria dhe Vjosa, dy lugina në vazhdimësi gjeografike, u shpallën njëkohësisht, Zona me Përparësi për Zhvillimin e Turizmit   (Siç njihet edhe në Vjosë, qeveria po lejon ndërtimin e një hidrocentrali të madh, atë të Kalivaçit).

Pra në pak ditë, tre departamente shtetërore miratuan tre akte të ndryshme për të njëjtën zonë. Fillimisht ishte Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) që nënshkroi me kompaninë Shell një kontratë për prodhimin e hidrokarbureve në Bllokun 4, në Zagori. Më pas, me propozim të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM), Zagoria u shpall “Park Natyror” dhe në fund, Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) e shpalli Zagorinë, “Zonë më Përparësi për Zhvillimin e Turizmit”.

Çka nisi si një “atraksion” naftëmbajtës, u shndërrua papritur në një zonë konservimi dhe brenda pak ditëve përfundoi në një atraksion turistik… Gjithçka në vetëm tridhjetë ditë!

Nevoja për të ulur borxhin e lartë publik, përmes rritjes së investimeve, po nxisin perspektiva të diskutueshme zhvillimi përmes miratimit të vendimeve kundërshtuese.

Zyra pranë Kryeministrit iu shmang një kërkese për t’u njohur me praktikën administrative për shpalljen e Zagorisë si park kombëtar, ndërsa AKZM-ja nuk disponon kurrfarë dokumenti të tillë.

Përgjigja e AKZM-së

Agjencitë shtetërore mund të ndajnë opinione të ndryshme lidhur më mënyrën se si të zhvillohet vendi, por qeveria duhet të jetë njëzëri në planifikimin dhe zhvillimin e territorit. Mbivendosja e disa prioriteteve në të njëjtën zonë mund t’i shkurajojë grupet e interesit dhe t’i dështojë objektivat e zhvillimit. Si pasojë e kësaj mbivendosje, në Zagori rrezikojmë një situatë kaotike.

Problemi tjetër ka të bëjë me administrimin e ligjit.

Kështu, pjesa qëndrore e koordinatave fizike të “Bllokut 4”,

“Harta e Zonave të Mbrojtura në Bllokun 4. Siç shihet, Blloku 4 bie brenda zonës qëndrore të Parkut”.

përputhet pothuajse tërësisht me nënzonën qëndrore të Parkut të Zagorisë që sipas shpalljes, kjo e fundit përcaktohet si zonë me vlera të larta për trashëgiminë natyrore e biodiversitetin.

“Nënzona qëndrore e Parkut të Zagorisë”

Dhe legjislacioni mjedisor ka parashtruar kufizime të aktivitetit njerëzor për nënzonën në fjalë, të tilla që i bëjnë të papërshtatshme operacionet e kërkimit.

Më konkretisht! Sipas kompanisë, për mbledhjen e të dhënave do të përdoren burime të energjisë sizmike përmes shpërthimeve (me impulse të programuara) dhe vibruesve (jo impulsive). Ligji “Për Zonat e Mbrojtura”(Neni 48) nuk lejon përdorimin e kimikateve, nxjerrjen e mineraleve dhe shfrytëzimin e tokës me teknologji intensive. Dhe sipas inxhinierëve, shpërthimet përcaktohen kryesisht nga thellësia e shtresës gjeologjike e jo nga ndikimi i operacioneve në mjedis.

Që do të thotë se kompania nuk mund t’i shmangë shpërthimet.

Për një qeveri, madje për disa rresht, që kanë përdorur burimet natyrore të vendit e jo konservimin për të siguruar rritjen ekonomike, madje i kanë mbipërdorur, vështirë se shpërthimet për nxjerrjen e naftës mund të sakrifikohen.

Por a do të kufizohen ato? A do të ndalohen ato në nënzonën qëndrore të Parku, atje ku dhe ligji garanton një mbrojtje strikte të ekosistemit?

Deri tani,nga Ministria e Mjedisit nuk ka përgjigje. Në pritje, duket sikur mbetet vetëm një alternativë: ose kompania do të tërhiqet nga kryerja e kërkimit sizmik në Bllokun 4, pra nga kontrata, ose autoritetet do të ulin shkallën e mbrojtjes në nënzonën qëndrore dhe do të lejojnë kryerjen e shpërthimeve në mënyrë disi më të moderuar, por duke shkelur ligjin për Zonat e Mbrojtura.

Kjo e fundit ka ndodhur shpesh. Mjafton të kujtojmë “Valbonën”, “Lurën”, “Langaricën”…Kur vjen puna për Investimet Strategjike, Zonat e Mbrojtura bien.

Parku Kombëtar i Zagorisë. Pranë fshatit Nivan.

Por pavarësisht mbështetjes institucionale, Shell është i detyruar t’ia paraqesë projektin publikut. Kompania ka njoftuar çeljen e një zinxhiri dëgjesash publike në Bashkitë e Qarkut të Gjirokastrës (Libohovë, Dropull, Tepelenë,Memaliaj) për të informuar banorët dhe grupet e tjera të interesit për shpimet.

E para do të mbahet në 8 janar ora 10:00, në Gjirokastër.

Përgjatë korridoreve ku do të kryhen vrojtimet sizmike kalojnë monumente të trashëgimisë kulturore dhe monumente të natyrës, të shpallura të tilla prej karakteristikave unike,një arsye më shumë për të nxitur një vigjilencë publike të patolerueshme, veçanërisht prej banorëve të Zagorisë.

Ligjërisht dëgjesat nuk e rrëzojnë kontratën, por u japin të interesuarëve mundësinë të zbusin ndikimin në zonën e projektit,një ndikim që e pranon dhe vetë kompania.Në raportin paraprak, të publikuar online prej Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, pranohet se studimet në territorin e Parkut Kombëtar të Zagorisë nuk janë plota, veçanërisht ato ekologjike dhe ato për burimet ujore nëntokësore.

E sapo shpallur si një park kombëtar, dosja për Luginën e Zagorisë është e dobët. AKZM-ja nuk ka ende një plan menaxhimi që ta mbrojë përballë urisëpër investime. Dhe kur flasim për blloqe naftëmbajtëse, mendja na shkon te pasuria, te përfitimi qëpason e jo te kostot e konservimimit.

Por le të ngremë një pyetje,nisur prej së njëjtës logjikë. A do të jemi nesër më të pasur me naftën tonë?

Nafta që nxirret nga të huajt udhëton nëpër rafineri të huaja, përpunohet prej të huajve dhe në fund, janë të huajt që na shesin,me çmimin e tyre,naftën tonë.

Të jesh i pajisur me burime natyrore nuk do të thotë të jesh i pasur.