2 Janar 2019/ Arjola Rrapaj, Artin Halili/ Porta Vendore/ Pogradec
Prej më shumë se një muaji, Pogradeci është pa tregje të gjësë së gjallë për shitjen e kafshëve të buta nga ana e fermerëve apo fshatarëve që jetojnë në zonat rurale të Pogradecit. Shkak për këtë është bërë mbyllja e dy tregjeve që kanë ekzistuar prej vitesh, pikërisht ai i Çerravës dhe i Proptishtit, por që tashmë janë mbyllur përfundimisht nga ana e shërbimit veterinar. E gjitha kjo, sipas specialistëve, ka ardhur pasi këto tregje nuk përmbushnin as kushtet më minimale për shitjen e gjësë së gjallë.
Mbyllja e dy tregjeve
Qindra fermerë apo edhe fshatarë të thjeshtë tashmë nuk do të mund të shesin më kafshët si gjedhë apo bagëti të imta në tregun më të madh të juglindjes, atë të Çerravës, i cili ishte edhe tregu më i madh që funksiononte në rrethin e Pogradecit. Ky treg funksiononte vetëm një herë në javë, pikërisht ditën e enjte, ku fermerët vinin nga zona të ndryshme rurale në Pogradec për shitjen e kafshëve.
Përçapjet e para për mbylljen e këtij tregu nuk nisën javët e fundit, por gati një vit më parë, kur Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nxori një urdhër për inspektimin e tregjeve mbi kushtet për shitjen e kafshëve. Pas këtij urdhri nisën inspektimet në terren, nga të cilat ka rezultuar se në të dyja tregjet e Pogradecit, si atë të Çerravës, por edhe atë të Proptishtit në Mokër nuk plotësoheshin aspak kushtet për shitjen e kafshëve.
Por pavarësisht mungesës së kushteve, tregjet nuk u mbyllën menjëherë, por u la një afat kohor që të plotësoheshin kushtet që kërkonte ligji për funksionimin e tyre. Në tregun e Çerravës, që ishte subjekt privat, duhej që të investonte subjekti dhe në tregun e Proptisht duhet të investonte Bashkia Pogradec, pasi ai ishte nën administrimin e njësisë bashkiake Proptisht. Megjithatë, në asnjërin rast nuk u plotësuan kriteret e vendosura pas inspektimeve të kryera në terren.
Mosplotësimi i kushteve
Sipas veterinerit pranë zyrës së bujqësisë në Pogradec, Hasan Mani, shkaku i parë i mbylljes së këtyre tregjeve ka qenë mungesa e kushteve higjieno-sanitare.“Ne si shërbim veterinar, nisur edhe nga urdhri i Ministrit të Bujqësisë, kemi vendosur mbylljen e të dy tregjeve si në Çerravë, ashtu edhe në Proptisht. Njëkohësisht, për të bërë të mundur zbatimin e këtij vendimi, kemi krijuar edhe bashkëpunimin me Policinë e Shtetit për të mos lejuar rifillimin e këtij aktiviteti. Ne jemi të vetëdijshëm që ka probleme ekonomike dhe është një problem social, por për funksionimin e këtyre tregjeve, duhen plotësuar kushtet minimale që parashikon ligji, ndaj edhe ne jemi të detyruar që t’i mbyllim. Prandaj tregtimi i këtyre kafshëve tashmë duhet të bëhet në Korçë ose në Elbasan,tregje që vazhdojnë të jenë aktive. Tregjet e Pogradecit nuk plotësonin as kushtet më minimale për të mos thënë që ishin mizerabël. Ato nuk plotësojnë asnjë kusht, pasi janë brenda qendrave të banuara, janë të parrethuar, janë pa maska dezinfektimi dhe tregtimi i kafshëve bëhet në rrugë mes baltës dhe pluhurit. Po ashtu, aty lejohej shitja e kafshëve të pamatrikuluara apo të pa certifikuara nga specialistët tanë”, deklaroi veterineri Mani.
Përgjegjësi veterinar pranë Bashkisë Pogradec, Vladimir Jaçelli, pohon për Portën Vendore se në kushtet që ishin tregjet, ishte e pamundur që të arrije t’i kontrolloje dhe të vendosje rregullin. “Në tregun Çerravë plotësohej vetëm kushti i rrethimit. Ne si pushtet vendor bënim kontrolle çdo të enjte atje dhe nuk duhet t’i lejonim për hir të së vërtetës, por për fakti që ishin shumë, situata dilte jashtë kontrollit. Detyroheshim t’i lejonim herë pas here, pasi krijohej një problem i madh social, por çdo gjë e ka një fund dhe fundi i këtyre tregjeve nuk ishte i largët”, shprehet përgjegjësi Jeçelli.
Nuk ka projekt për treg
Tregut të Çerravës i ishte lënë një kohë e mjaftueshme për plotësimin e këtyre kushteve, por pronarët e tregut nuk kishin bërë asnjë përçapje për të plotësuar këto kushte, aq sa rezultonin se ishin subjekt informal dhe pa NIPT, ndaj edhe është ndërmarrë masa drastike për mbylljen e tij. Këtë fat e pësoi edhe tregu shtetëror i Proptishtit, i cili vetëm emrin kishte të tillë pasi nuk ekziston asnjë treg. Tregtimi i kafshëve bëhej në rrugën e makinave, nuk kishte rrethim,dhe për më tepër ish-komuna dhe sot Bashkia e Pogradecit nuk kishin investuar aty qindarkën më të vogël për të bërë të mundur plotësimin e kushteve minimale. Madje, Porta Vendore mësoi nga burime zyrtare në bashki se nuk ekziston asnjë projekt për të bërë të mundur një investim në tregun e Proptishtit.
Problemi i dy tregjeve të Pogradecit nuk kaloi pa marrë edhe vëmendjen e Prefektit Dhori Spirollari, i cili disa kohë më parë ngriti edhe një grup pune për inspektimin e tyre dhe kërkoi nga specialistët që tëinformonin subjektet për çdo detyrim dhe kusht që duhet të plotësonin në mënyrë që të mos mbyllen këto tregje.“Është e patolerueshme që kafshët të shiten në atë gjendje, rrezikohej seriozisht jeta e komunitetit dhe qytetarëve që konsumojnë mishin e këtyre kafshëve. Veterinerët e bashkisë duhet të kontrollonin rreptësisht çdo kafshë që futej, ashtu siç duhej të arrinin në plotësimin edhe të kushteve të tjera, por kjo situatë ishte e pa tolerueshme”, deklaroi Prefekti. Por, ai nuk është për mbylljen përfundimtare, të paktën për tregun më të madh të juglindjes, Çerravës. Prefekti shprehet se nëse pronarët e tregut,apo çdo investitor tjetër do të marrë përsipër të investojë atje, do t’i krijohen të gjitha lehtësirat e nevojshme nga ana e institucioneve shtetërore dhe përgjegjëse. “Pogradeci nuk mund dhe nuk duhet që të qëndrojë pa treg të shitjes së kafshëve”, pohon Prefekti.
Pasojat sociale
Me mbylljen e këtyre dy tregjeve banorët apo fermerët duhet të udhëtojnë tashmë për kilometra të tëra për të nxjerrë në treg kafshët. Nga Mokra në Korçë dhe nga Mokra në Elbasan janë të dyja drejtimet mbi 70 km dhe transporti ka kosto të lartë për këto shitje, ndaj automatikisht kjo gjë është e pamundur për ata që shesin për të fituar pak para dhe kjo rrezikon seriozisht rritjen e shitjes informale të kafshëve. Ashtu siç ndodhi me mbylljen e dy thertoreve në Pogradec për mos plotësim kushtesh, të njëjtin fat patën edhe tregjet, dhe kjo gjë tashmë ka nisur të reflektohet në çmimin e produktit të mishit, i cili është rritur me të paktën 50 lekë të reja kilogrami për qytetarët. Banorët e zonave, të cilët tregtonin në këto dy tregje ia hedhin përgjegjësinë Bashkisë Pogradec, duke e cilësuar fajtoren kryesore për mbylljen e tregjeve. Sipas ligjit për vetëqeverisjen vendore është detyra e Bashkisë për krijimin dhe garantimin e hapësirave dhe të gjitha kushteve për zhvillimin e tregtisë së gjësë së gjallë.
Tregjet pa kushte
Por, këto dy tregje nuk janë të vetmet që rezultojnë me probleme në zonën e juglindjes. Pavarësisht se banorët e Pogradecit kanë varur shpresat në tregjet e Korçës dhe Elbasanit, nga një vëzhgim i kryer gjatë këtij viti rezulton se edhe tregu më i madh i Korçës, që është ai i Voskopit, i cili është edhe një nga tregjet më të mëdha të kafshëve në vend nuk i plotëson kushtet. Kjo është vërtetuar edhe nga monitorimi i kryer ne kuadër te një projekti “Monitorimi i tregjeve të hapura”, mbështetur nga Lëviz Albania. Nga ky projekt rezultoi se tregjet e kafshëve të gjalla në Çërravë dhe Voskop, dy nga më të mëdhatë në vend, funksionojnë jashtë çdo kontrolli. “Prej dekadash, në këto pazare hyjnë e dalin, shiten e blihen bagëti të ndryshme, jashtë çdo standardi tregtimi të kafshëve të gjalla. Tregjet Çerravë dhe Voskop u panë nga afër edhe nga ekspertë të tregjeve dhe sigurisë ushqimore, të cilët lëshuan alarmin për situatën. Madje, në kuadër të projektit të mbështetur nga Lëviz Albania, u monitoruan tregjet në fjalë e për këtë iu dërgua edhe nga një letër e hapur kryetarëve të Bashkive Pogradec dhe Korçë”, deklaron koordinatori i projektit Granit Sokolaj.
Institucionet përgjegjëse
Sipas raportit të projektit mbi monitorimin e tregjeve të hapura rezulton se të gjitha institucionet fajësojnë për këtë gjendje dhe mos marrjen e masave nga bashkitë përkatëse. Adriatik Skenderasi, Shef i Shërbimit Veteriner në Drejtorinë e Bujqësisë Korçë thotë se, “jemi në dijeni të lëvizjes së kafshëve pa certifikata e matrikuj. Por, barrikada kryesore duhet të jetë veterineri i Bashkisë që kontrollon tregun. Ai duhet ta ndalojë që te porta, hyrjen e kafshëve pa matrikuj. Ne si Shërbim Veterinar i Drejtorisë së Bujqësisë iu kemi dërguar shkresa dy bashkive, Pogradec dhe Korçë, pasi kushtet dhe standardet janë të përshtatshme”, deklaron drejtori i Bujqësisë për Qarkun Korçë. Edhe prefekti i Qarkut Korçë, Dhori Spirollari, akuzat i lëshon drejt bashkive, si përgjegjëset për këtë situatë. “Ne jemi në dijeni të kësaj dhe është e patolerueshme që kafshët e gjalla të tregtohen pa matrikuj dhe pa certifikata veterinare”, thotë Spirollari. Pra, situata në dy tregjet, Çerravë dhe Voskop është cilësuar e njëjtë. Deri tani, pushteti vendor ka reaguar vetëm në Pogradec duke mbyllur tregun e Çerravës, por ende nuk ka asnjë reagim nga Bashkia Korçë për tregun e Voskopit, për të marrë masa për plotësimin e kushteve të nevojshme për tregtimin e kafshëve të gjalla, ose për mbylljen e tij.
Rreth autorit:
Arjola Rrapaj është gazetare e çështjeve sociale në Tiranë.
Artin Halili është gazetar në Tv Sot 7, në qytetin e Pogradecit.