Ndodhi

Vlora miraton buxhetin e 2019-s mes kontestimeve

28 dhjetor 2018/ Jerola Ziaj/ Porta Vendore/ Vlorë

Bashkia e Vlorës ka miratuar mes polemikave buxhetin për vitin 2019, ku sipas kryebashkiakut Leli, investimet kryesore do të përqendrohen në ndërtimin e ujësjellësve në disa fshatra. Buxheti për vitin 2019 është miratuar në mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak për këtë vit, ku është shoqëruar ndjeshëm me diskutime dhe polemika.

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli ka përmbledhur sektorët në të cilët do të investohet buxheti dhe prioritetet gjatë vitit 2019. “Investimet në infrastrukturë do të jenë një sektor i rëndësishëm, por jo i vetmi. Buxheti i këtij viti është parashikuar rreth 22 miliardë lekë, nga të cilat 18 miliardë lekë krijohen nga të ardhurat e vetë Bashkisë”, deklaroi Leli para këshillit bashkiak. Por kjo ka sjellë reagimin e këshilltarit të djathtë Atird Hoxha, i cili deklaroi se nëpërmjet këtij buxheti vlerësohet se Vlora sërish në vitin e ardhshëm do të jetë një qytet i varfër. “Buxheti i 2018-ës tregoi se mblidhen vetëm 50% e të ardhurave të planifikuara”, tha Hoxha, duke theksuar gjithashtu se ky buxhet shtrohet për votim në këshill pa u konsultuar si duhet me të gjitha palët dhe grupet e interesit. Sipas tij, totali i të ardhurave është deklaruar në shumën 17.9 miliardë lekë kundrejt 7 miliardë lekë të realizuara gjatë vitit 2018. “Edhe në vitin 2018 ishin parashikuar 12.6 miliardë lekë, por u arrit të mblidhen vetëm 7 miliardë lekë. Pra shumë thjesht mund të dallohet se planifikimi i bërë për vitin 2019 është jorealist dhe me shifra shumë të fryra. Por po të shkojmë më në detaj, del fare zbuluar amatorizmi si në realizim ashtu edhe në planifikim. Të ardhurat nga taksat vendore, tarifat dhe të ardhurat e tjera për vitin që po lëmë pas janë realizuar rreth 62% e planifikimit, ndërkohë që parashikohet 80% rritje kundrejt realizimit të vitit 2018”, u shpreh Hoxha me skepticizëm për arritjen e objektivit për të mbledhur të ardhurat e deklaruara në buxhet nga kryebashkiaku Leli.

Por, Kryetari i Bashkisë së Vlorës nuk u ndal te mosrealizimi i të ardhurave, duke u përqendruar më së shumti tek investimet. Sipas tij, ndër investimet madhore është parashikuar ujësjellësi i fshatrave Dukat, Jonufër, Tragjas dhe Radhimë, një investim në vlerën e 4.5 milionë eurove, nga të cilat 10% do të paguhen nga buxheti i bashkisë. “Po ashtu, rikualifikimi i banesave në krah të Lungomares do të jetë një tjetër prioritet, bashkangjitur rehabilitimin e një sërë blloqeve të banimit dhe riasfaltimit të rrugëve rurale. Ndërsa 120 milionë lekë do të investohen në rikualifikimet e qendrave të fshatrave Mifol, Bestrovë e Llakatund”, deklaroi Leli. Sipas kryebashkiakut të Vlorës, investimet janë rritur në masën e 17.7% krahasuar me vitin e kaluar, duke iu bashkangjitur investimeve në proces sikurse ai i Bulevardit Vlorë-Skelë, Qendrës Historike dhe aksit lidhës mes tregut të madh dhe Pyllit të Sodës.

Por pavarësisht se kërkoi mbështetjen e këshilltarëve për miratimin e buxhetit, ky i fundit ka hasur në kundërshtime të forta nga kampi opozitar. Këshilltarët e djathtë u ndalën te shpenzimet, sidomos për paga, sigurime shoqërore dhe shpenzimet operative. Sipas tyre, për këto zëra janë planifikuar 14.7 miliardë lekë, pra 82% e buxhetit nga të ardhurat e vetë bashkisë. “Gjithashtu, pastrimi i qytetit i kushton Bashkisë Vlorë 3.2 miliardë lekë, përfshirë këtu 940 milionë lekë borxhe nga viti i kaluar, ndërsa ka ende zona të pambuluara nga kontrata me kompaninë që kryen pastrimin. Klubi i futbollit ‘Oriku’ i kushton po ashtu të ardhurave të vlonjatëve 140 milionë lekë, në një kohë kur klubi më i madh i qytetit është dhënë në administrim privat. Edhe për parkun urban kostoja është 440 milionë lekë detyrime të prapambetura”, deklaroi këshilltari i djathtë Atird Hoxha.

E pikërisht për këto kundërshtime të ngritura, i gjithë kampi i këshilltarëve të djathtë votuan kundër buxhetit të bashkisë për vitin 2019. Megjithatë, kryebashkiaku Leli arriti të votat e të majtëve dhe të miratojë buxhetin pa ndryshime.

Rreth autorit:
Jerola Ziaj është gazetare në qytetin e Vlorës.