27 dhjetor 2018/ Erjola Azizolli/ Porta Vendore/ Berat
Plot 155 familje vetëm me nga një pjesëtar, trajtoheshin me ndihmë ekonomike deri në fund të dhjetorit vitin e kaluar në qytetin e Beratit. Ndonëse e pamjaftueshme për të përballuar jetesën, të ardhurat e kësaj ndihme mbanin me bukë ata persona, që për arsye të ndryshme jetojnë vetëm, ndërkohë që me ndryshimet që pësoi skema e ndihmës ekonomike për muajin Shtator 2018, vetëm 35 prej tyre, më pak se ¼ e tyre, vazhdojnë ta marrin këtë ndihmë.
Në kufijtë e mbijetesës, këta persona i sheh sot të enden në rajonet e Njësive Administrative, me shpresën e vetme se do të rikthehen në skemë, ndërkohë që për shkak të moshës nuk janë të preferuar në tregun e punës. Por, papunësia nuk është sot i vetmi hall i tyre. Strehimi, kushtet e vështira të banesave të rrënuara, nuk u sigurojnë dot një strehë të sigurt, ndërkohë që pushteti vendor duket se i ka lënë krejtësisht në harresë.
Gonila Simo është një prej këtyre personave. Ajo u përball për herë të parë me vetminë e plotë, 15 vite më parë, kur humbi të atin, ndërkohë që vite më parë kishte humbur dhe nënën. Sot, ajo është 49 vjeçe dhe për shkak se nuk krijoi familje, jeton e vetme në lagjen “10 Korriku”, shumë pranë qendrës së qytetit.

Dimri paksa i vonë i këtij viti trokiti dhe në banesën e saj, që vetëm emrin ka të tillë, pasi është rrënuar nga mungesa e investimeve, të cilat kryefamiljarja nuk i përballon dot e vetme.
Shtëpia e vogël private kishte nevojë prej vitesh për riparime, por Simo nuk ka mundur t’i realizojë as suvanë e tavanit, që ka rënë në një pjesë të mirë të banesës, ndërkohë që çatia pikon.
49-vjeçarja dilte rrallë nga shtëpia, kryesisht kur shkonte deri në qendrën shëndetësore, pasi lëvizjet i kishte limituar prej vitesh. Kohët e fundit, ajo shkon dhe në bashki, thuajse çdo ditë, sidomos qëkur u hoq nga skema e ndihmës ekonomike. Ndihma që merrte nuk i siguronte plotësisht jetesën, por të paktën ardhurat për të ngrënë, që sot për fat të keq i mungojnë. Që pasi është larguar nga skema e ndihmës ekonomike, Gonila nuk arrin që të sigurojë dot as bukën dhe Kisha që ndodhet pranë banesës së saj është bërë shtëpia e saj e dytë. “Shkojë te Kisha për të bërë ndonjë punë të vogël si pastruese dhe pse ata kanë personelin e tyre, por më japin ushqime, me të cilat mbaj frymën gjallë”, pohon Gonila me shpresën e vetme se do të mund të gjejë një punë.
“Askush nuk më merr në punë. Shikoj shumë njoftime të ndryshme punësimi, dhe shkoj me vrap, por kërkesat për punë janë për gra dhe vajza nën 35 vjeçe, mua nuk më merr askush”, shprehet ajo mes lotëve.

Ajo shpjegon se kishte nëntë vite që merrte ndihmë ekonomike. “Jo se nuk doja të punoja, por askush nuk më merrte në punë”, thotë ajo për Porta Vendore. Gonila ka nëntë vite sigurimi në librezën e punës, nga koha kur ka punuar në ish Ndërmarrjen Artistike, e më pas në fasoneri të ndryshme, por pa kontratë pune.
“Punova në firma të ndryshme fasone, tre muaj në njërën e tre muaj në tjetrën, por pa siguracione, deri në moshën 45 vjeçe, pastaj nuk më merrnin më për shkak të moshës dhe problemeve që kisha me shëndetin”, tregon ajo.
Si kryefamiljare, Simo përfitonte dhe një kompensim për pagesën e energjisë elektrike, veç ndihmës ekonomike. Por, që prej një viti ajo i ka humbur të dyja dhe tashmë, përveç vështirësive ekonomike, i janë shtuar dhe problemet shëndetësore. “Banesa ka vite që më pikon dhe lagështia është e pranishme kudo, kjo bëri që të kem dhe probleme shëndetësore”, saktëson Simo.

Për muajin Shtator ajo ka mundur që të marrë nga bashkia vetëm 9 mijë lekë (të vjetra) nga fondi prej 6% i vlerës totale të ndihmës ekonomike. “As këtë ndihmën e vogël unë nuk di nëse do të mund ta marr çdo muaj, që të pakën të ble bukën, pasi tek rajoni më thanë që duhet të shkoj çdo muaj për të deklaruar që s’kam asnjë të ardhur dhe për të firmosur”, thotë Simo. E ndërsa bën çdo ditë ecejaket sa në një zyrë në tjetrën, 49 vjeçarja mbyllet më pas në shtëpinë e saj, ku varfëria e ka pllakosur prej kohësh. Ajo ka humbur çdo shpresë për të ardhmen, ka humbur çdo besim se dikush do të kujtohet për të. “Sot dhe të bësh një rregullim të vogël në shtëpi të vjen Policia Bashkiake, sepse duhet të marrësh leje. Unë kam disa dërrasa aty në oborr dhe dua të rregulloj çatinë, sepse kam frikë se do të më zërë poshtë, por kam dhe hall se mos më vjen policia”, thotë Gonila, sa e trishtuar dhe e frikësuar.
Por, Gonila Simo nuk është e vetmja që jeton vetëm dhe që ka probleme të mprehta social-ekonomike.
Skema e re e ndihmës ekonomike e aplikuar gjatë vitit të kaluar u tregua e ashpër me këtë kategori. Vetëm 35 prej këtyre familjeve mundën që për shkak të pikëzimit të mund të ripërfshiheshin në skemë, ndërkohë që 19 familje të tjera marrim nga fondi 6% i bashkisë, nga vlera totale e ndihmës ekonomike, ndërsa pjesa tjetër janë përjashtuar nga çdo skemë.
Rreth autorit:
Erjola Azizolli është gazetare në qytetin e Beratit.