Ndodhi

Me gjysmën e këshilltarëve dhe mungesën e kryebashkiakut,miratohet buxheti i bashkisë Durrës

22 dhjetor 2018/ Geri Emiri/ Porta Vendore/ Durrës

Në mbledhjen e datës 20 dhjetor të Këshillit Bashkiak Durrës u miratua vendimi më i rëndësishëm i vitit, buxheti për vitin 2019, me vlerë rreth 23 milion euro, si edhe projektbuxheti afatmesëm për vitet 2019-2021. 

Në mbledhjen që nisi gjysëm ore me vonesë, ku u desh që këshilltarët të telefononin njëri-tjetrin për të qenë të pranishëm, morën pjesë 27 anëtarë nga 51 që ka Këshilli Bashkiak.

Partia Demokratike e bojkotoi mbledhjen, ndërsa votat e këshilltarëve nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Fryma e Re Demokratike, pasi u bashkuan me votat e socialistëve sollën kalimin e buxhetit.

“PD ka më shumë se dy muaj që ka vënë në dukje përpara publikut çfarë përfaqëson për ne Vangjush Dako, lidhjet e tij me krimin. Kemi qëndrim politik ndaj tij dhe nuk mund të diskutonim me të mbi anën teknike të buxhetit”, tha në një lidhje telefonike për Portën Vendore, Armand Teliti, kryetar i këshilltarëve demokratë në këshill.

Por kryebashkiaku Dako nuk mori pjesë në mbledhje, teksa u pa të ishte i pranishëm në zyrën aty ngjitur, duke takuar këshilltarët dhe debatuar me ta me tone të larta. Bashkia Durrës zgjodhi të mos komentonte këtë mungesë të tij, me argumentin se është zgjedhje personale.

Edlira Hyseni, këshilltare e LSI-së, ngriti të vetmet kritika për buxhetin. “Në buxhetin që na ka ardhur nuk janë dhënë informacine për transfertat nga qeveria, Fondi i Zhvillimit të Rajoneve, me një vlerë shumë të madhe, e kërkuam në komision [i ekonomisë], që është miratuar në vlerën rreth 5.5 miliard lekë të reja, ndërkohë në buxhetin që na ka ardhur flitet për një buxhet shumë më të vogël, mungojnë rreth 2 miliard lekë të reja. Përse ne nuk kemi informacion për këto fonde dhe si do përdoren ato”, tha Hyseni.

Ermal Lufo, drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Menaxhimit Financiar në bashki u përgjigj se; “Destinacioni i atyre fondeve që nuk paraqiten aty janë të përcaktuara, shifrat nuk kanë ardhur akoma dhe ajo zgjidhje është bërë edhe për efekt krahasimi midis dy buxheteve”,

Kritika pati edhe për parashikimin e vetëm 100 milion lekëve të reja për investime në infrastrukturë dhe shkolla në 5 Njësitë Administrative, ndërkohë që rehabilitimi i trotuarëve më pak se 1 km në qytet kushton mbi 1 milion euro.

Kryetari i Këshillit të Qarkut Durrës dhe këshilltari i majtë, Alfred Mullaraj, tha se; “Drejtoria që grumbullon taksat dhe tarifat është në nivel shumë të mirë. Në jemi bashki që kemi taksat më të ulëta në krahasim me bashkitë e tjera dhe unë të paktën nuk mbaj mend që për këto vite të kemi ngritur ndonjë taksë për qytetarët”.

Porta Vendore gjeti në një shkrim të saj për kontejnerët e mbeturinave se në auditimin e ushtruar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në vitin 2015, Bashkia Durrës këshillohej që në bashkëpunim me OSHEE-në të përfshinte në faturën e energjisë elektrike tarifën e pastrimit, por kjo nuk u bë dhe vetëm në vitin 2018 bashkia parashikoi që ky detyrim të përfshihet në faturën e ujit. Vlera e shpenzimeve për menaxhimin e mbetjeve në buxhetin e vitit 2019 është rreth 400 milion lekë të reja, për shkak se mbledhja e taksës sjell rreth 150 milion lekë të reja.

Pasi u plotësua korumi i nevojshëm për miratimin e buxhetit, në mbledhje vetëm me ngritjen e kartonëve jeshil u miratuan edhe ndër të tjera edhe ndryshime në sistemin e taksave dhe tarifave vendore, kalendari i përgatitjes së Programit Buxhetor Afatmesëm për vitet 2020-2022 dhe krijimi i vendndodhjeve të reja të vendqëndrimeve taksi (4+1) dhe (8+1) dhe miratimin e kritereve shtesë për operatorët taksi.

Risi paraqet miratimi i programit të transparencës, ku pritet të afishohen në faqen e internetit të gjitha aktivitetet që lidhen me bashkinë Durrës. Në kuadër të projektit “Durrësi Aktiv për një Bregdet të Pastër”, mbështetur nga Lëviz Albania dhe që synon informimin e qytetarëve mbi derdhjen e ujërave të zeza në det, ju dorëzua të gjithë këshilltarëve kërkesa për marrjen e masave të menjëhershme për zgjidhjen e problematikës.

Kryetari i Këshillit Bashkiak Durrës, Alban Ramohitaj tha se; “Këtë kërkesë do ja paraqesim patjetër autoriteteve përkatëse të bashkisë Durrës, që të merret paraysh për në buxhetin e ardhshëm të vitit 2019”.

Por buxheti ka lënë të pakënaqur një pjesë të qytetarëve. Ogert Keçi, përfaqësues i grupimit qytetar “Bicycle Durrës”, tha për ne se; “Bashkia nuk ka përfshirë zëra për korsi biçikletash dhe sinjalistikë, që mbron jetën e qytetarëve të Durrësit dhe premtimi se do e bëjnë në të ardhmen nuk na motivon sepse kemi tri vite që e kërkojmë, me peticione dhe protesta”.

Rreth autorit: 
Geri Emiri – Diplomuar për Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka punuar në disa media online dhe televizion. Ai është themelues dhe editor online i blogut jofitimprurës “Amfora.al”, të profilizuar në raportimin mbi arkeologjinë dhe monumentet e kulturës në Shqipëri. Aktualisht punon edhe si gazetar i lirë.