Vëzhgim/Analizë

Mbetjet, ‘gangrena’ 25-vjeçare e Tërbufit

21 dhjetor 2018/ Arjola Rrapaj/ Porta Vendore/ Divjakë

Mbetjet në Njësinë Administrative Tërbuf të Divjakës janë një shqetësim për banorët, që nuk po gjen zgjidhje prej më shumë se 25 vitesh. Banorët e zonës, sidomos në fshatin Çermë-Sektor, u ankuan pranë Portës Vendore, duke kërkuar zgjidhje për këtë situatë, pasi sipas tyre, edhe pse në vitin 2015, kur u hoq komuna, Bashkia Divjakë ndryshoi vendgrumbullimin, ato mbeten një ‘gangrenë’. Shqetësimi i banorëve është një alarm edhe për ambientalistët, të cilët shprehen që nga djegia çlirohen substanca kancerogjene, ndërkohë që Bashkia e Divjakës thotë se ka marrë masa për të mbjellë pemë në vendgrumbullimin e denoncuar nga banorët, dhe se tashmë mbetjet po hidhen në një tjetër vendgrumbullim.

Historia e mbetjeve në Tërbuf

Njësia Administrative Tërbuf, para implementimit të reformës territoriale, ka qenë komuna më e madhe në Shqipëri dhe problemi i mbetjeve i ka shoqëruar që në vitet ’90. Sipas banorëve të zonës, mbeturinat në komunën Tërbuf, sot njësi administrative, deri në vitin 2015 grumbulloheshin dhe transportoheshin me karrocë. Mbeturinat depozitoheshin nëpër fshatra dhe lagje.

Sipas të dhënave nga ish-komuna, por dhe nga Bashkia e Divjakës, vend-depozitimi i mbeturinave për komunën Tërbuf ka qenë afër shtëpive të fshatit Çermë-Sektor. Rruga dhe vendi ku depozitoheshin mbeturinat, ka qenë e pakalueshme. Ky vend-depozitim anës kanalit kullues, anës rrugës që të dërgonte te zona e quajtur “Tre-Urat” nuk ishte funksional dhe ishte i papërshtatshëm për mbeturinat.

Pas reformës territoriale, në vitin 2015, banorët u ankuan pranë Bashkisë Divjakë. Në këto kushte, bashkia realizoi lëvizjen e mbeturinave nga vendgrumbullimi i krijuar prej më shumë se 20 viteshdhe krijoi një vend depozitim të ri mbeturinash. Sipas Bashkisë Divjakë, në vitin 2015 janë lëvizur tonelata mbeturinash, duke transportuar gati për 20 ditë rresht, dhe duke i dërguar tek vend-depozitimi i ri, që ndodhet në periferi të fshatit Çermë Sektor. Që nga ajo ditë, banorët kanë depozituar mbetjet në atë vendgrumbullim, por që sot është kthyer në shqetësim madhor për ta.

Banorët kërkojnë zgjidhje

Disa banorë u ankuan pranë Portës Vendore nëpërmjet rubrikës “Raporto”, se mbetjet digjen dhe tymi po i helmon nga dita në ditë. Sipas tyre, Bashkia Divjakë nuk po hedh më mbetje në vendgrumbullimin që ndodhet në Çermë-Sektor, pasi është caktuar tjetër vendgrumbullim, por mbetjet që ndodhen aty digjen natë e ditë dhe aromat që çlirohen janë të padurueshme. Pas ankesave të marra, gazetarët e Portës Vendore shkuan në zonë për të verifikuar situatën. “Tymi vjen deri në shtëpitë tona. Jemi të detyruar të lëmë dyer e dritare mbyllur. Fëmijët nuk i nxjerrim dot jashtë. Askush nuk po na jep një zgjidhje. Kur fryn erë, situata bëhet edhe më alarmante”, shpjegojnë banorët e zonës, të cilët kërkojnë një zgjidhje nga pushteti vendor. Madje, ata thonë se kur fryn erë, tymi mbulon edhe Lushnjën, jo më fshatrat e Tërbufit. Disa prej tyre janë vënë në dijeni se Bashkia e Divjakës ka ndaluar së hedhuri mbeturinat në vendgrumbullimin që ndodhet në fshatin Çermë Sektor, por sipas tyre nuk po merret askush me zgjidhjen përfundimtare të situatës. Porta Vendore i pyeti banorët nëse ata janë ankuar pranë Bashkisë Divjakë për këtë shqetësim, ose pranë Njësisë Administrative Tërbuf, ku disa pranuar se janë ankuar, por nuk kanë gjetur zgjidhje, ndërsa disa të tjerë e kanë humbur besimin me kohë dhe nuk shpresojnë se do gjejnë zgjidhje. Prandaj, ata kërkojnë të bëjnë mediatik rastin me qëllim që të ndërmerren masa.

Tymi, me substanca kancerogjene

Alarmi i lëshuar nga banorët mbështetet edhe nga ambientalistët, të cilët shprehen se djegia e mbetjeve çliron furone, si dhe metale të rënda si plumbi dhe substanca të tjera, që janë kancerogjene. Ambientalisti Ahmet Mehmeti shpjegon për Portën Vendore se kur janë fusha të hapura, vendgrumbullimet e mbetjeve, veçse janë estetikisht të pakëndshme për syrin, ato prodhojnë edhe helme. “Djegia e mbetjeve në fusha të hapura çliron substanca të dëmshme, duke shkaktuar sëmundje nga më të ndryshmet, që nga mushkëritë, problemet e frymëmarrjes, probleme me lëkurën, e deri në kancer. Por, këto helme kontaminojnë gjithashtu tokën dhe ujin, duke bërë kështu një dëmtim zinxhir edhe në të mbjella. Sipas të dhënave, në vendgrumbullime mbetjesh, plastika është ajo që dominon dhe si e tillë, djegia e plastikës, në bazë të rregullave nuk mund të jetë më shumë se 10%, sepse nga djegia e tyre prodhohen furone, prodhohen dioksinat. Këto janë substanca kancerogjene”, deklaron Mehmeti. Sipas tij, zgjidhja do të ishte riciklimi, pasi për të është metoda më e mirë për të zgjidhur këtë fenomen shqetësues, jo vetëm në Tërbuf, por në të gjithë Shqipërinë.

Bashkia: Do mbjellim pemë

Mbi këtë shqetësim, Porta Vendore pyeti edhe pranë Bashkisë Divjakë. Nga përgjigjja zyrtare e Bashkisë Divjakë u mësua se “nga viti 2015 deri në muajin shtator 2018 mbeturinat e njësisë administrative Tërbuf janë depozituar në vend-depozitimin e ri, që ndodhet në periferi të fshatit Çermë Sektor, por ishte një vend i vogël për të përballuar volumin, pasi njësia Tërbuf është njësi e madhe me 17.000 banorë”. Duke qenë se është një vend i vogël, Bashkia Divjakë shpjegon se në këtë vend-depozitim nuk hidhen më mbeturina, pasi është e mbushur. “Shumë shpejt do ndërhyjmë për kavaletimin dhe mbulimin me dhe të tyre. Më pas do të bëhet mbjellja zonës me pemë. Sa i përket djegies së mbeturinave, ky është një shqetësim edhe për Bashkinë Divjakë, pasi është një veprim që po kryhet nga persona të paidentifikuar. Për këtë arsye, pas shqetësimit të ngritur, kemi vendosur një roje e disa herë kemi marrë masa për shuarjen e zjarrit”, deklaroi Bashkia Divjakë.

Sipas të dhënave zyrtare, sot Njësia Administrative Tërbuf dhe e gjithë Bashkia Divjakë, në çdo fshat, lagje, ka kosha mbeturinash dhe 3 makina teknologjike për transportimin e mbeturinave. “Njësia Administrative Tërbuf dhe Njësia Administrative Grabian kanë një makinë teknologjike të përbashkët për transportimin e mbeturinave dhe një vendgrumbullim të ri për hedhjen e mbeturinave, që ndodhet në Njësinë Grabian. Ky vendgrumbullim i mbeturinave është lënë për këtë funksion nga komisioni i ndarjes së tokës në vitin 1993. Ndodhet larg fshatit. Në muajin shtator të vitit 2018, ne ndërhymë në këtë vendgrumbullim. Vendgrumbullimi në Grabian ka një sipërfaqe 10 dynym tokë, është i rrethuar me kanal kullues dhe është bërë rrethimi me llamarina. Në këtë vendgrumbullim nuk futen njerëz dhe kafshë te ndryshme sepse është i rrethuar dhe ka portë kryesore”, deklaroi Bashkia Divjakë, duke përfunduar se pas ndalimit të hedhjes së mbetjeve në Tërbuf, shumë shpejt do të bëhet edhe rehabilitimi i vendgrumbullimit në periferi të fshatit Çermë Sektor, që është përdorur në tre vitet e fundit për mbetjet e kësaj njësia administrative.