17 dhjetor 2018/ Geri Emiri/Porta Vendore/ Durrës
Banorët e Shijakut dhe të Durrësit protestuan për amortizimin e rrugë kombëtare Shijak-Durrës, duke bllokua rrugën me kontejnerët e mbeturinave dhe më pas i vendosën flakën.
Banorët e “Katër Rrugëve” dhe Xhafzotajt, së bashku me fëmijët e tyre u ngritën në protestë në segmentin pranë Njësisë Administrative Rrashbull (Bashkia Durrës), duke kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme për rikonstruksionin e rrugës që është degraduar prej muajsh.
“Rruga të na shtrohet, se qysh në 2013-ën është premtuar. Erdhi 2018-ta, nuk është shtruar. Ku kanë shkuar paret tona, taksat tona?! Ne nuk e dimë se kush është deputeti i zonës sonë, ai duhet të jetë këtu”, tha një prej banorëve.
Banorët theksojnë se në këtë zonë ngrihen qindra biznese që paguajnë taksa dhe e kanë të domosdoshme rikonstruksionin e rrugës. Ata u shprehën më tej se do të bojkotojnë zgjedhjet vendore në rast se nuk do të rikonstruktohet rruga.
Autoriteti Rrugor Shqiptar bëri me dije më herët për Portën Vendore se kontrata e mirëmbajtjes së rrugës Shijak-Durrës dhe Katër Rrugët-Pjezë ka përfunduar që në datën 29 janar 2018. “Aktualisht jemi në fazën e shqyrtimit dhe vlerësimit të ankesave nga operatorët. Sapo të lidhen kontratat e reja, do të ndërhyhet me përparësi në rehabilitimin e këtyre akseve”, shtoi ARRSH.
Edhe më 19 prill të këtij viti, me vazo lulesh, kontejnerë mbeturinash, tulla dhe sende rrethanore, banorët e fshatit Xhafzotaj bllokuan mbi një orë rrugën kombëtare Shijak-Durrës.
Revolta nisi nga emigrantët që ishin kthyer te familjet e tyre dhe që prej vitesh përballen me të njëjtën gjendje. “Kjo rrugë ka kështu që prej 2 vitesh, duke na krijuar vonesë në lëvizje. Kemi parë disa që hidhnin material anësore, por rruga më shumë u prish”, tha për Portën Vendore Ramazan Meta, banori i fshatit Rrashbull.
Kontrata e mirëmbajtjes zgjati për dy vite dhe kishte vlerën 90 milionë lekë. Nga fotografitë që PortaVendore disponon, duket se gjendja e rrugës është pothuajse e njëjtë me atë të vitit 2015.
Në vijim të kontratës së mirëmbajtjes së rrugës Shijak-Durrës, ka qenë edhe segmenti rrugor nga Katër Rrugët e Shijakut, deri në fshatin Pjezë. Sot rruga me dy korsi duket se është kthyer në një makth, pasi gropat e thella të njërës prej korsive janë mbushur provizorisht nga banorët e zonës me inerte të nxjerra gjatë punimeve në shtëpitë e tyre. Më 1 mars 2018 edhe banorët e fshatit Pjezë bllokuan përreth një orë rrugën që e lidh zonën me Tiranën, nëpërmjet Kombinatit.
Më 14 qershor 2013, ish-deputeti socialist i Durrësit, Ilir Beqaj, denoncoi gjendjen e rrugës Shijak-Durrës, por edhe pas premtimit të kryeministrit Rama në qershor të këtij viti, se do të niste rikonstruksioni i rrugës, asgjë nuk ka ndryshuar.
Rreth autorit:
Geri Emiri – Diplomuar për Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka punuar në disa media online dhe televizion. Ai është themelues dhe editor online i blogut jofitimprurës “Amfora.al”, të profilizuar në raportimin mbi arkeologjinë dhe monumentet e kulturës në Shqipëri. Aktualisht punon edhe si gazetar i lirë.