13 Dhjetor 2018/ Erjola Azizolli/ Porta Vendore/ Berat
Rreth 250 banorë në qytetin e Beratit prej vitesh ndihen të lënë pas dore nga pushteti vendor, duke u përballur çdo ditë me problematika të mëdha: që nga mungesa e rrugëve, ujërat e zeza që derdhen lirshëm në mes të lagjes, ndriçimi e mungesa e koshave të plehrave. Neglizhenca e pushtetit vendor ndaj shqetësimeve të tyre të përditshme ka shkaktuar rebelim tek ata, që në fakt jetojnë vetëm 750 metra nga qendra e qytetit muze të Beratit.
Të kontaktuar nga Porta Vendore ata shprehen se janë gati që të mos marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale, pasi nuk besojnë më tek institucionet vendore. Sipas tyre, kryetarët e bashkive vetëm kur kandidojnë kujtohen për ta, kur i takojnë u kërkojnë votat mes shumë premtimeve dhe më pas nuk kujtohen më.
Sapo lë nga pas Poliklinikën e Specialiteteve në qendër të qytetit të Beratit, një rrugë gjithë gropa që dikur ka qenë me kalldrëm të drejton në pjesën fundore të lagjes “10 Korriku”. Banesat e para të kësaj lagje janë të hershme, ndërsa më në brendësi të saj ndodhen dhjetëra banesa të tjera, që u ndërtuan pas viteve ’90, në një zonë kodrinore që njihet nga të gjithë si ish “MCR-ja”.
Pjesa hyrëse e lagjes tregon për një zonë të mbushur me banesa të reja, ndërkohë që rruga që të çon në brendësi të saj sa vjen dhe bëhet edhe më e keqe. Një kanal i hapur kalon në mes të rrugës. Nga të dyja krahët i tejmbushur me plehra, brenda kanalit derdhen ujërat e zeza që mbushin gjithë zonën me erë të keqe. E ndërsa ecën dhe më tej për t’i shpëtuar erës së rëndë që ndihet kudo, në krah të majtë të rrugës shikon të vetmin kosh plehrash të tejmbushur dhe plehra të tjera të rëna në tokë.

Nga zemra e kësaj lagje mund të shohësh një panoramë shumë të bukur të pjesës muzeale të qytetit , ndërkohë që kupton se këtu ku shkel nuk ka asgjë të përbashkët me një zonë urbane të banuar dhe aq më shumë një qyteti të mbrojtur nga UNESCO.
Një pjesë e banorëve qarkullojnë me vështirësi me makina në një rrugë me gropa, ndërkohë që pjesa tjetër ecin në këmbë duke zgjedhur rrugën që për fat të motit nuk është mbushur me baltë dhe ujë.
“Stres më vete është të përshkosh këtë rrugë që nuk është as një kilometër larg nga këtu, drejt qendrës së qytetit. Rruga është e shkatërruar, sepse ka më shumë se 25 vite që askush nuk i ka hedhur një makinë çakëll dhe jo më ta rregullojë”, shprehet Riza Brami, banor i lagjes.

58-vjeçari nga fshati Duhanas i Beratit u vendos në këtë lagje për t’i siguruar fëmijëve një të ardhme më të mirë, pa ditur se jeta në qytet do të falte dhe këto vështirësi.
“Ne vetëm sa e shohim qytetin që këtu nga kjo lagje, pasi nuk ndihemi pjesë e tij”, thotë ai i mërzitur nga problematikat me të cilat përballet thuajse çdo ditë. Ndërkohë, rruga nuk është i vetmi shqetësim për 250 banorët që jetojnë në 40 banesat e kësaj lagjeje.

Ndriçimi urban është një tjetër problem me të cilin përballen banorët. Në brendësi të lagjes disa shtylla të tensionit të lartë, të cilat janë dëmtuar prej vitesh, disa të tjera ekzistojnë, por nuk kanë llamba.
Lumturi Sollaku, banore në pjesën e sipërme të lagjes, shprehet se çdo javë, në mëngjes herët, kur mbesa studente niset për në Tiranë, duhet të shoqërohet nga një pjesëtar i familjes, pasi nëse nuk bie drita e diellit, në lagje është e vështirë të lëvizësh.
“Ne jetojmë si në mesjetë, askush nuk kujtohet për ne, as një llambë nuk na vendosin dhe aty ku ka shtylla, sepse në një pjesë të rrugicës, nuk ka”, thotë ajo për Portën Vendore.

Për të dhe për banorët e lagjes problemet këtu lindin që me zgjimin nga gjumi në mëngjes dhe deri sa shtrihen të flenë në mbrëmje.
“As kosha për plehrat nuk kemi, vetëm një kazan është vendosur në mes të lagjes dhe ai nuk pastrohet kurrë, kështu që jemi të detyruar që t’i hedhim te kanali”, rrëfen Lumturia.
Një zonë e re, por jo një lagje e re, ish “MCR,ja” nisi të futej në skemën e legalizimeve vitet e fundit, por as dalja nga informaliteti nuk ka nxjerrë nga telashet, banorët e saj.
Sistemimi ujërave të zeza është një problem me të cilin banorët janë hasur që pas vendosjes këtu dhe pasi janë përballur me neglizhencën vendore, janë përpjekur që të zgjidhin vetë disa prej problemeve.

Për të zvogëluar gjatësinë e rrugës nga hyrja e lagjes deri në dalje të saj, banorët vetë kanë investuar për ndërtimin e rreth 30 shkallëve që përshkojnë kodrën e vogël me qëllim që të lidhen më lehtë me pjesën tjetër të qytetit, nga i cili ndihen të përjashtuar. Po kështu ata kanë zgjidhur vetë pjesërisht dhe problemin e ujërave të zeza, duke i kaluar ato vetë në kanalin kryesor apo duke hapur gropa septike.

“Është turp që në vitin 2018 të thuash që ne ujërat e zeza i kemi me gropa në bahçe apo në oborr, por kështu i kemi, sepse nuk na kanë lidhur me kanalizimet e ujërave të zeza”, vijon Lumturia.
Në këto 25 e më shumë vite këta banorë janë bërë pjesë e dhjetëra peticioneve dërguar institucionit të bashkisë. Gjithashtu, kanë kryer edhe takime me drejtues të pushtetit vendor, por siç dhe shprehen, askush nuk i dëgjon.
“Sa ishte ish Kryetari i Bashkisë Fadil Nasufi, unë dhe bashkëshorti im me përfaqësi të lagjes, shkonim dhe bënim takime, sepse e kishim si ish banorë të zonës tonë, sepse dhe ai nga Roshniku është me origjinë, por asnjë problem nuk na zgjidhi”, tregon Lumturia.

Larg ëndrrës për hapësira publike banorët e kësaj lagje kërkojnë investimet më minimale për të pasur së paku një jetë më të mirë për fëmijët e tyre.
Shqiponja Paja, një tjetër banore e kësaj lagje ka arritur që me punën disavjeçare në emigracion së bashku me bashkëshortin të ndërtojë një shtëpi të bukur, e cila ndodhet vetëm pas metra larg hyrjes së lagjes. Vitet e fundit ajo është kthyer nga emigracioni, por siç dhe shprehet është më tepër se e zhgënjyer.
“Nuk mund të mbash hapur, as dritaret, as dyer, pasi mizat janë në çdo kohë të pranishme, erën e keqe mund ta ndjeni dhe vetë”, thotë Paja për Portën Vendore.
Aq sa problemet, banorët e kësaj lagje i “vrasin” dhe premtimet që vijnë qoftë nga kandidatët për deputetë apo edhe ata për kryetar bashkie, në kohë fushatash.
“Të gjithë kryetarët e bashkive këto 25 e ca vite na kanë premtuar pa fund, por asgjë nuk na kanë bërë”, shprehet Shqiponja.
E ardhur nga fshati Sinjë, Paja e pa me optimizëm zgjidhjen e kryetarit aktual të bashkisë Petrit Sinja, si i ardhur nga e njëjta zonë.
“Kemi bërë takime, kemi dërguar letra, në njësinë administrative, në bashki, sepse shpresuam që kryetari i ri do t’i mbante ca premtime, por dhe ai duket se nuk po kujtohet më për hallet tona”, tregon 53-vjeçarja.

Të lodhur me premtime, por dhe të irrituar, banorët e kësaj lagje, të cilët ndihen të përjashtuar, tashmë nuk kanë më besim për zgjedhjet e problemeve të tyre.
“Mua dhe të tjerëve të moshës time na iku jeta kështu mes baltës, pluhurit, erës të keqe, plehrave, por të bëhet diçka për nipërit dhe mbesat tanë që të jetojnë më mirë”, thotë e Këze Paja, vjehrra e Shqiponjës.
Në lidhje me problematikat e lagjes “10 Korriku” Porta Vendore pyeti pranë Bashkisë së Beratit, nga ku u bë me dije se për shkak të mungesës së fondeve, disa lagje në qytet nuk janë përfshirë në projektet e bashkisë për hapësirat publike të rehabilituara.
“Bashkia e Beratit ka hartuar projekte për të gjitha lagjet e qytetit, përfshi këtu dhe pjesën e sipërme të lagjes “10 Korriku”. Projektet parashikojnë investimet në infrastrukturë, kanalizime, trotuare, ndriçim, por dhe krijimin e hapësirave të gjelbërta, por ende nuk janë të gjitha, për shkak të pamjaftueshmërisë së fondeve”, thanë burimet e Bashkisë Berat për Portën Vendore

Por, ndërsa projektet ambicioze të bashkisë flenë në këtë institucion, banorët e lagjes ’10 Korriku” premtojnë që pakënaqësinë e tyre për herë të parë, do ta shprehin me braktisjen e procesit zgjedhor të zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, të cilat priten të mbahen në 30 qershor 2019.
Rreth autorit:
Erjola Azizolli është gazetare në qytetin e Beratit.