Ndodhi

Lagjja te Muzeut Historik Mat, e mbytur mes gropave dhe errësirës

10 dhjetor 2018/ Dritan Kurti/ Porta Vendore/ Mat

Lagjja pas Muzeut Historik në qytetin e Burrelit përballet prej vitesh me probleme të shumta, pasi në të mungojnë që nga infrastruktura rrugore, kanalizimet e deri te ndriçimi. Banorët ndjehen të neglizhuar e të lënë pas dore nga pushteti vendor, icili si në kohën e komunave, por edhe pas ndarjes së re territoriale, nuk ka vënë dorë për zgjidhjen e këtij problemi infrastrukturor.

Kjo lagje është krijuar kryesisht pas viteve ‘90-të, kur pas rënies së sistemit monist, qytetarët migruan nga një zonë në tjetër dhe nisën ndërtimet. Deri në vitin 2015, kjo lagje ishte nën juridiksionin e ish-komunës Komsi, ndërsa pas implementimit të reformës administrative territoriale, është nën juridiksionin e plotë të Bashkisë Mat.

Por banorët e kësaj lagjeje, janë ankuar vazhdimisht për mungesë të vëmendjes nga pushteti vendor, qoftë në kohën e ish-Komunës, e qoftë pas vitit 2015, ndaj Bashkisë Mat.

Life Hystuna, banore në këtë lagje prej shumë vitesh, thotë se mungesa vëmendjes nga bashkia ka bërë që infrastruktura rrugore të jetë në gjendje skandaloze. Rruga “Qamil Xhika”, është problemi më i madh.

“Dimrit apo ditëve me shi, rruga është si mos më keq. Gropat e mëdha duken si rezervuare, ndërsa balta mbulon gjithçka. Situata është e rëndë edhe gjatë muajve të verës, që edhe pse nuk ka gropa me ujë, pluhuri zbardh shtëpitë e ç’të gjejë përpara. Është vërtetë për të ardhur keq që një lagje ngjitur me qytetin, të jetë në këtë gjendje. Pastaj një tjetër problem është edhe parkimi i furgonave të fshatrave në rrugë, që jo vetëm bllokon rrugën, por sjell edhe problematika të tjera si ndotja”, tregon Lifja banorja e zonës.

Ndërsa për Hajdar Ruçin, mungesa e kanalizimeve anësore të rrugës sjell shumë pasoja.“Edhe pse ne vetë, herë pas here ndërhyjmë duke e shtruar rrugën, sapo të bjerë pak shi, ajo dëmtohet. Nuk ka kanale që uji të kullojë, por ai mbetet në rrugë e sapo të kalojë një makina, rikthehen gropat. Shqetësimin tonë e kemi ngritur disa herë në bashki, por deri tani nuk është bërë asgjë. Në disa raste, bashkia ndërhyn vetëm duke e shtruar, por kjo nuk është zgjidhje. Ne kërkojmë një zgjidhje përfundimtare”, sqaron Hajdari si banor i kësaj zone.

Një tjetër problem për këtë lagje është edhe mungesa e ndriçimit. “Të futesh në lagjen tonë gjatë natës është sikur të jesh në ndonjë pyll. Është frikë dhe tmerr për fëmijët. Direkt nga qyteti futesh në një rrugë pa ndriçim dhe kjo është e papranueshme. Ne kërkojmë rrugën të na asfaltohet të hapen kanalet anësore, bashkë me trotuaret dhe të ndriçohen, asgjë më shumë”, kërkon Albert Lleshi, një tjetër banor.

Por, Bashkia e Matit justifikohet me faktin e ndërtimeve pa leje që janë bërë në zonë dhe kanë penguar investimin, duke krijuar kështu një hendek të madh e jo të vetëm, mes banorëve dhe pushtetit vendor. “Mesa jam i informuar unë, një pjesë e madhe e tyre janë palegalizuar, dhe me miratimin e planit të përgjithshëm vendor, edhe kjo lagje do të ketë vëmendjen që i takon. Për momentin e kemi të pamundur një investim të madh. Por ne do të ndërhyjmë për përmirësimin e gjendjes së rrugës. Do të urdhëroj Drejtorinë e Shërbimeve që nëpërmjet sektorit të rrugëve të ndërhyjë sa më parë. Gjithashtu do të bëjmë të mundur edhe vendosjen e një ndriçimi në mënyrë që rruga të mos jetë pa ndriçim fare. Ndërhyrja e plotë mund të bëhet më vonë, pas hartimit të një projekti për gjithë lagjen, që besoj do të kërkojë një financim të madh, të cilin bashkia do ta ketë të vështirë ta përballojë”, tha Kryetari i Bashkisë Mat, Nezir Rizvani për Portën Vendore.

Por deri sa të ndërhyhet në rrugë apo sistemin e ndriçimit, banorët e kësaj lagjeje duhet të vijojnë “luftën” me gropat e mbushura me ujë dhe errësirën.

Rreth autorit:
Dritan Kurti, ka studiuar Gazetari dhe Komunikim, prej dhjetë vitesh është i angazhuar dhe punon në median lokale e kombëtare për Qarkun Dibër.

Problematika e pasqyruar ështe denoncuar nga qytetarët nëpërmjet rubrikës “Raporto” të platformës: https://portavendore.al/dialogmeqytetarin/raporto-shkelje/