8 dhjetor 2018/ Jerola Ziaj /Porta Vendore/ Vlorë
Rreth 1200 banorë janë të rrezikuar në zonën e ish-uzinës së sodës PVC në qytetin e Vlorës. Sipas ekspertëve, territori ende bën pjesë në një zonë me ndotje të nivelit të lartë, me tepër çrregullime te banorët e kësaj zone,ndërsa Bashkia e Vlorës nuk ka një plan konkret për zgjidhjen e këtij problemi.
Mbetjet e zhivës dhe të pesticideve të tjera, me të cilat punonte uzina gati 35 vjet më parë, ende janë të pranishme në gërmadhat e ish-uzinës. Në kapacitetin e plotë të saj, fabrika prodhonte 24.000 mijë tonë sodë të kalçifikuar, 15.000 tonë sodë dhe 10.000 tonë sodë PVC.
Uzina u vu në punë në vitin 1967 dhe përdorte qeliza Mërkuri për të prodhuar sodë kaustike dhe PVC.Për shkak të rrezikshmërisë shëndetësore, fillimisht zona nuk ka qenë e banuar, ndërsa banorët e parë kanë ardhur pas viteve ’90. Mbipopullimi vazhdoi i konsiderueshëm pas vitit 1997, ku shumë prej tyre janë të ardhur nga zonat rurale.Territori i uzinës dhe përreth saj tashmë gjendet i populluar prej gati 28 vjetësh.

Por për ndërtimin e banesave janë shfrytëzuar dhe materiale nga prishja e reparteve të uzinës, të cilat janë të ndotura me zhivë, madje ka dhe shtëpi të ndërtuara brenda gërmadhave.
“Jetoj këtu, kjo godinë ka funksionuar një pjesë si administratë e ish uzinës dhe magazinë për lëndën e parë(zhivën). E dimë që është e ndotur zona, por nuk kemi ku të jetojmë. Kjo është e vetmja mundësi, nuk jemi as të trajtuar me ndihmë ekonomike”, thotë një nga banoret e kësaj zone të rrezikshme.
Sipas mjekut Hodo Kabello, (tashmë i dalë në pension) dhe një prej profesionistëve që ka punuar më gjatë me banorë të zonës, territori ende bën pjesë në një zonë me ndotje të nivelit të lartë. “Më tepër çrregullime te banorët e kësaj zonë vihen re me fillimin e sezonit pranveror, ku nxiten fenomene spastike dhe sëmundje dermatike, por edhe ankesa të tjera të ndryshme”, tregon mjeku Kabello për Portën Vendore.

Ndërkohë, referuar problemeve shëndetësore, vetëm nga reparti i elektrolizës, një nga 9 repartet e ish-uzinës së sodës kaustike numëroheshin rreth 35 të sëmurë kronikë, ndërsa 15 të tillë rezultonin në ish-fabrikën e llambave. Nga kontingjenti i të sëmurëve me zhivë, 5 persona kanë vdekur pa mbushur moshën 55 vjeç.
Por në institucione vendore të pushtetit lokal apo shëndetësore nuk ekzistojnë të dhëna zyrtare.
Sipas të dhënave që jep Inspektorati Sanitar i Vlorës, temperaturat dhe reshjet e vazhdueshme rënë ndër vite kanë ndikuar në vetëpastrimin e territorit dhe rënien e nivelit të ndotjes me zhivë, por pranojnë gjithsesi se ndotja ende ekziston.
Të vetmet statistika mbi nivelin e ndotjes nga Mërkuri janë publikuar në një raport përmbledhës, nga Qendra për Kërkim Bashkëpunim dhe Zhvillim-CRCD në partneritet me Qendrën EDEN, me financim të Leviz Albania, ku janë analizuar niveli Mërkurit në flokë njerëzish,banorë të zonës dhe molusqe (peshq) në territorin shumë pranë ish uzinës për të parë sasinë e Mërkurit që futet në zinxhirin ushqimor.
Në bazë të këtij raporti dhe analizave të bëra për 35 persona në zonë, nivelet e mërkurit në flokët e njeriut shkonin nga 0,025 miligram për kilogram (mg / kg) deri në 90,4 mg / kg, me një mesatare prej 1,685 mg / kg. Nga analizat rezulton se 7 persona kanë nivelin e mërkurit mbi mesataren, por ajo që vlen të theksohet është krahasimi i këtij raporti me raportin e bërë në vitin 2012. Duke krahasuar këto dy raporte rezulton se personat me nivel mërkuri të lartë janë trefishuar në krahasim me vitin 2012, kur rezultonin vetëm dy të tillë. Pra, kjo tregon se kjo zonë vazhdon të sjellë pasoja të rënda nga viti në vit.
“Të gjitha mostrat e marra në flokë janë bërë në gra të moshës riprodhuese 18-44 vjeçe, për të parë rrezikun që ky target grup ka, duke qenë se gratë e marra në këtë studim janë në moshë riprodhuese. Shqetësimi më madhor është se gjatë periudhës së shtatzënisë, metil-merkuri mund të përçohet në fetus, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe të pariparueshme. Nivele të larta të metil-merkurit në gjak te foshnjat dëmtojnë zhvillimin e sistemit nervor te fëmijët e porsalindur apo që ende s’kanë lindur”, thuhet në raportin e publikuar më 25 maj 2018 nga Qendra për Kërkim Bashkëpunim dhe Zhvillim-CRCD në partneritet me Qendrën EDEN, në kuadër të Projektit “Unë vendos për një të ardhme pa Mërkur”.
Të gjitha mostrat e grumbulluara të flokëve janë ekzaminuar nga një laborator i çertifikuar (Laboratori Hulumtues i Jetesës së Egër të Institutit të Kërkimeve të Biodiversitetit) duke përdorur një Analizues Direkt të mërkurit (DMA).
Në vitin 1990, OBSH vendosi që niveli i Mërkurit total në flokë të ishte më pak se 10 miligramë për kilogram. Nivelet e Mërkurit në këtë kufi, te një grua shtatzënë korrespondojnë me rrezik të dëmtimit të sistemit nervor të fetusit. Analiza e nivelit të Mërkurit në flokë lidhet direkt me dietën ushqimore që individi konsumon në përditshmëri.
Ish uzina e sodës PVC në qytetin e Vlorës është një nga 9 hotspotet në Shqipëri. Alarmi rreth situatës ka qenë i vazhdueshëm, ndërsa asnjë institucion nuk ka statistika mbi situatën, as atë mjedisore dhe as atë shëndetësore. Sakaq, në rrënojat e Ish -Uzinës jetojnë rreth 50 familje, e dhjetëra të tjera në perimetër të ndaluar.
Sipas rekomandimeve që Raporti adresoi për institucionet vendore, një ndër masat më të shpejta dhe urgjente ishte dhe zhvendosja emergjente e banorëve dhe familjeve të strehuara në ish godinat e PVC.
“Përqendrimet relativisht të larta të Mërkurit, të krahasueshme me nivelet në zonat e ndotura të Adriatikut Verior, rezultuan në mostra të sedimenteve, ujit të detit dhe biotës (midhjet dhe algat), veçanërisht në zonën pranë uzinës së mëparshme”, tha Jonida Mamaj eksperte në Projektin “Unë vendos për një të ardhme pa Mërkur” .
Sipas ekspertëve mjedisorë, rasti kërkon ndërhyrje urgjente përmes projekteve afatmesme dhe afatgjata, për shkak të përmbajtjes së lartë të Mërkurit. Kjo zonë me përmbajtje të lartë Hg bëhet një shkak jo vetëm për ndotjen e mjedisit, por edhe ndotjen në kafshë dhe qenie njerëzore.
Ndërsa Bashkia e Vlorës nuk i ka dhënë një zgjidhje në 28 vitet e fundit për të ndërtuar një strategji për rehabilitimin e zonës. Në planin e përgjithshëm urbanistik vendor për 30 vitet e ardhshme, kjo zonë klasifikohet si zonë industriale, por të dhënat nga zyra vendore e ALUIZNIT, tregojnë së në të gjithë territorin e pyllit të sodës, zonës rreth Ish-Uzinës deri në Zvërnec e Nartë, janë legalizuar plot 11 mijë objekte. Për asnjë prej tyre nuk është parashtruar si pengesë ndotja mjedisore e zonës. E pyetur nga Porta Vendore, Bashkia e Vlorës tha se nuk ka një plan konkret për zgjidhjen e situatës.
“Nuk ka një fond të posaçëm që do të bëjë të mundur zhvendosjen e tyre. Ekziston mundësia që këta banorë të aplikojnë për kredi të butë, por duhet të plotësojnë standardet e vendosura”, tha Jeton Puka, këshilltar ekonomik pranë Bashkisë Vlorë.
Për pastrimin e zonës, Banka Botërore vuri në dispozicion 3 milionë euro. Ky ishte projekt i Komitetit Evropian për pastrimin e zhivës në këtë zonë, fond që u miratua pas përcaktimit të saj si një nga 9 vendet më të ndotura në Shqipëri. Projekti i cili parashikonte “Asgjësimin e mbetjeve të rrezikshme përveç inçenerimit ose Landfillit”, me kapacitet total 2000 ton ka përfunduar fazën e kapsulimit, pasi shembi dy godina të ish Uzinës dhe kapsuloi mbetjet. Sipërfaqja e venddepozitimit është 12.995 m2. Ky projekt është aktualisht në fazën e mirëmbajtjes, monitorimit dhe kontrollit pas mbylljes. (referuar raportit 6 mujor të vet-monitorimit dërguar në ARM). Por në zonë kanë mbetur ende disa godina që më herët kanë shërbyer si laborator dhe magazina të Ish- uzinës, në territoret e të cilave jetojnë familje. Ndërsa fotot nga zona tregojnë qartë se ky projekt nuk ka përmbushur edhe një sërë detyrimesh që rrjedhin nga zbatimi kontratës sikurse është mbrojtja nga erozioni e zonës dhe mbjellja e bimësisë, konkretisht 12.000 m2. Ky projekt, nuk ka ndërhyrë në objekte të kontaminuara të zonës ku aktualisht strehohen banorë.
Rreth autorit:
Jerola Ziaj është gazetare në qytetin e Vlorës.