5 dhjetor 2018/ Aurora Sulce/ Porta Vendore
Qeveria do të japë rreth 25 miliardë lekë për pushtetin vendor vitin e ardhshëm. Para këto që do t’iu shërbejnë bashkive që të kryejnë pjesën dërrmuese të funksioneve të tyre, por edhe për t’iu dhënë qytetarëve shërbime.
Në buxhetin 2019 që u miratua të hënën në parlament, është parashikuar që fondet për bashkitë të ndahen në transfertën e pakushtëzuar, që vitin e ardhshëm do të jetë rreth 17.5 miliardë lekë dhe transfertën sektoriale me vlerë 7.4 miliardë lekë.
Pra, në total janë 24.9 miliardë lekë. Por çfarë janë këto transferta dhe për çfarë shërbejnë?
Transferta e pakushtëzuar është një fond i caktuar që i jepet pushtetit vendor nga buxheti, me qëllim kryerjen dhe përballimin e funksioneve dhe veprimtarive të tij. Së bashku me të ardhurat nga taksat që administrohen dhe mblidhen nga pushteti lokal, ato përbëjnë burimin kryesor të financimit të buxhetit të bashkive. Kjo transfertë është një zë shumë I rëndësishëm për financat vendore. Ndërsa pjesa sektoriale e transfertës së pakushtëzuar përfshin financimin për funksionet e reja të transferuara në nivel vendor në vitin 2016.
“Transferta e pakushtëzuar e përgjithshme e buxhetit të shtetit për njësitë e vetëqeverisjes vendore do të jetë 1 për qind e PBB-së ose 1 miliard lekë më e madhe sesa ajo e vitit 2018 dhe 5.2 miliardë lekë më e lartë se transferta e vitit 2015”, theksohet në relacionin që shoqëron buxhetin 2019.
A janë ato të mjaftueshme për të kryer funksionet dhe ofruar shërbime më të mira për qytetarët? Ekspertët janë skeptikë.
“Bazuar në këto shifra, rritja e transfertës specifike në total është vetëm 1% në krahasim me vitin e kaluar dhe kjo dedikuar vetëm funksionit të administrimit të pyjeve. Ndërsa në total, rritja e Transfertës së pakushtëzuar është vetëm 4% në krahasim me vitin e kaluar. Theksojmë se vitin 2018 ka pasur një rritje prej 9% në krahasim me vitin 2017. Parë në këndvështrimin e zgjerimit dhe përmirësimit të cilësisë së shërbimeve vendore, ky buxhet nuk i përgjigjet nevojave reale të bashkive dhe mbetet sërish larg normave dhe raporteve mes pushtetit vendor dhe atij qendror”, shprehet Agron Haxhimali, drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive.
Duke qenë se 2019-ta është një vit zgjedhor, ekspertët i tremben shpërdorimit të fondeve për fushatë, çka do të sillte një ngërç në funksionimin e pushtetit vendor gjatë pjesës së dytë të vitit.
“Qeveria ka vendosur t’i japë 5 miliardë lekë të reja (pak më shumë se 40 milionë euro) shtesë buxhetit të 61 bashkive për vitin 2019. Qeveria thotë se do të përdoren për investime dhe përmirësime në shërbime popullatës. Me fjalë të tjera, kryetarët e bashkive janë të lirë t’i bëjnë asfalt zgjedhor, për zgjedhjet e qershorit 2019. Kjo do të vërtetohet lehtë, nëse shumica e këtyre fondeve shtesë do të shpenzohen brenda 5-mujorit janar-maj 2019”, shprehet Fatos Çoçoli, ekspert për ekonominë.
Çoçoli shkon më tej, teksa argumenton se edhe ndarja e fondeve sipas bashkive është bërë për qëllime elektorale, ku buxheti i qeverisë jep më shumë para për bashkitë e majta. “Sërish ato pak bashki të ngjyrës kundërshtare (pra blu, të PD-së), shumica në zona malore, janë më të pafavorizuarat në projekt-buxhetin 2019 dhe të vjen keq që opozita nuk është në Parlament, për ta ngritur zërin për këtë. Tirana, ku do të zhvillohet beteja kryesore e zgjedhjeve vendore, merr rritjen më të madhe nga buxheti qendror (11 për qind më shumë, në krahasim me vitin 2018, 3.5 miliardë lekë, ose 27.8 milionë euro më shumë)”, shprehet eksperti.
Ndarja e fondeve për bashkive
Qeveria ka parashikuar në buxhetin 2019 një formulë të re për ndarjen e fondeve, duke tentuar të identifikohen nevojat reale të shpenzimeve të njësive të ndryshme të vetëqeverisjes vendore mbi bazën e popullsisë, dendësisë së popullsisë dhe numrit të fëmijëve në kopshte, shkollat 9 vjeçare dhe gjimnazet publike.
Sipas formulës, 64 për qind e transfertës për bashkitë apo 12.3 miliardë lekë alokohet mbi bazën e popullsisë relative, e llogaritur në 3.3 milionë banorë. Kjo shifër llogaritet në bazë të të dhënave të Censusit, duke i shtuar 30 për qind të diferencës midis të dhënave të gjendjes civile dhe atij të censusit. Dhe sipas kësaj shifre, çdo njësi përfiton një transfertë prej 3,759 lekë për banor.
Ndërsa 12 për qind e totalit të fondeve për bashkitë apo 2.3 miliardë lekë ndahen sipas dendësisë së popullsisë me mesataren 116 banorë/km2, ku çdo banori i takon 2 mijë lekë.
Pra në total çdo banor përfiton 5,759 lekë nga fondet e qeverisë, të cilat jepen në formën e shërbimeve, investimeve etj. Pjesa e mbetur, prej 24 për qind apo 4.7 miliardë lekë, shkon për pagat e personelit në arsim, sipas numrit të fëmijëve.
“Ka një formulë të azhornuar vitet e fundit. Por unë marr ankesa nga bashkitë dhe vetë kryetarët për këtë formulë. Ankesa qëndron në pasaktësinë e shifrave në raportin Census 2011/ GJC dhe se koeficienti 30% nuk e ka zgjidhur problemin. Tjetër ankesë lidhet me numrin e nxënësve, ku dhe këtu ky koeficient sipas bashkive, nuk iu shkon sipas faktit, dhe nuk është i përditësuar. Shqetësim tjetër ngrihet mos përllogaritja e numrit të popullsisë në sezon turistik, kryesisht në bashkitë e zonave bregdetare dhe jo vetëm. Disa bashki ankohen se kanë më shumë popullsi sesa tregon Censusi. Si zgjidhet kjo? Kjo zgjidhet duke ballafaquar shifrat dhe të dhënat që ka secila bashki me Ministrinë e Financave. Ndaj duhet të ulen në tavolinë qeveri dhe bashki për të zgjidhur këto probleme dhe jo për të bërë show dhe seminare të padobishme”, shprehet Agron Haxhimali, drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive.
Përveç mungesës së bashkëpunimit me qeverinë qendrore, ekspertët gjykojnë se edhe puna e bashkive, në këto 3 vjet të hyrjes në fuqi në reformës administrative-territoriale ka çaluar. Sipas tyre, ata nuk kanë të evidentuara asetet që kanë trashëguar nga ish komunat dhe si rrjedhim, kanë vështirësi në ofrimin e shërbimeve për qytetarët apo edhe në sigurimin e fondeve shtesë, nëpërmjet aplikimit për projekte të ndryshme.
“Reforma territoriale noton ende në tekat e 61 super kryebashkiakëve. Shumica e tyre i kanë ende rregjistrat e aseteve të bashkive që drejtojnë të paqarta. Me fjalë të tjera, kryetarët e bashkive nuk dinë akoma se çfarë pasurish e ndërtesash kanë, të trashëguara nga komunat e vjetra, për shkak të transferimeve të pasakta ose të humbjes së informacionit “rrugës”! Askush nuk ka kërkuar dhe urdhëruar një kontroll rigoroz për të marrë informacionin e plotë, ose atë të duhur. Kështu që si zor të presim që këta kryebashkiakë të punojnë për decentralizimin e shërbimeve dhe taksave vendore, apo, akoma më tepër, për përgatitje projektesh për të siguruar fonde nga qeveria (jo ato që merren nga miqësi deputetësh me ministra që ndikojnë në transfertat e kushtëzuara të Buxhetit të Shtetit) qendrore, apo nga thirrjet për projekte rajonale të Bashkimit Evropian”, shprehet Fatos Çoçoli, ekspert për ekonominë.
Në buxhetin 2019 është parashikuar që bashkitë të rrisin të ardhurat me burimet e veta. E thënë ndryshe, qeveria i ka vendosur përpara përgjegjësisë që të punojnë më shumë. “Të ardhurat nga taksat dhe tarifat në vitin 2019 do të jenë 22.6 miliardë lekë ose 21 për qind më të larta se në vitin 2018. Të ardhurat e veta të njësive të vetëqeverisjes vendore për vitin 2019, krahasuar me vitin 2015, si viti para zbatimit të reformës administrativo-territoriale, janë dy herë më të larta, 10 miliardë lekë më shumë”, theksohet në relacionin që shoqëron buxhetin. Një objektiv i vështirë për t’u arritur edhe në një vit normal, e jo më zgjedhor siç është 2019.