Ngjarje/Personazhe

“Mina” mjedisore e Pogradecit

4 dhjetor 2018/ Artin Halili/ Porta Vendore/ Pogradec

Fusha e mbetjeve në fshatin Peshkëpi, vetëm pak kilometra larg qytetit të Pogradecit, ka vite që punon jashtë çdo kapaciteti të mundshëm. Në këtë vendgrumbullim, hidhen çdo ditë tonelata plehra, kryesisht nga njësitë Administrative Udënisht, Cërravës dhe Buçimas, duke u kthyer në një rrezik për banorët e zonës, kafshët që frekuentojnë fushën e mbetjeve dhe florën e faunën e liqenit.

Sot kjo fushë mbetjesh është një “minë” mjedisore me sahat, e cila nuk shpërthen menjëherë, por vijon të shpërthejë çdo ditë nga pak, duke dëmtuar gjithçka përreth dhe duke zhdukur edhe specie të ndryshme të peshkut në liqen.

E teksa kanë kaluar shumë vite qysh nga hapja e saj, dora njerëzore siç e ka për zakon ka abuzuar me hedhjen e sasive të mbetjeve në të.Burime për Portën Vendore pranë njësive administrative, bëjnë me dije se ka kaluar çdo kufi për hedhjen e mbetjeve në atë fushë, pasi sot aty janë duke u hedhur mbetje jashtë kapacitetit.

“Është shumë e rrezikshme si për mjedisin ashtu edhe për ujërat nëntokësore sepse me reshjet e shiut mbetjet bashkohen me ujërat nëntokësore dhe të gjitha këto toksina derdhen në liqen dhe janë shumë të dëmshme si për florën edhe për faunën e liqenit të Pogradecit.Kjo dallohet edhe nga zhdukja e disa specieve autoktone në liqen ndër to më i prekur paraqitet Skobuzi. Faktori kryesor për zhdukjen e tij është ndotja e lumit të Cërravës dhe ai peshk nuk është më aty.Janë bërë kërkesa dhe përpjekje për heqjen e tyre, por deri më tani nuk ka pasur rezultate”, tha Efigjeni Galo, Specialiste e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.

Porta Vendore u drejtua edhe pranë Bashkisë Pogradec për të marrë një përgjigje se përse nuk mbyllet fusha e mbetjeve në Peshkëpi,meqë ajo e ka mbaruar ciklin e saj të kapacitetit. Sipas koordinatorit të njësive administrative,Nexhmi Torra,situata është vërtetë problematike dhe pavarësisht ndërhyrjeve të vogla që bën bashkia, problemi nuk mund të ndalet.

“Problematika e vendgrumbullimit aktual është alarmante, ajo ndodhet pranë përroit të Shtogut,i cili është i ndotur nga mbetjet e ndryshme.Ne si bashki kemi bërë disa përpjekje për rrethimin e tij, por zgjidhja është vënia në punë e stacionit të mbetjeve për transferimin e tyre më pas në Maliq.Ju e dini se ky stacion duhej të ishte tashmë në punë në Leshnicë, por banorët nuk e lejuan ndërtimin atje dhe jemi duke parë tani ndërtimin e tij mbi fshatin Gështenjës afër Plloçës dhe pas vënies së tij në punë kjo fushë do të mbyllet”, tha Nexhmi Torra, koordinatori i njësive administrative të Pogradecit.

Por pavarësisht ndotjes, prej muajit janar 2018 taksa e pastrimit është rritur me 200 lekë për familje me qëllim për transportimin e mbetjeve në Maliq. Por edhe pse kanë kaluar 10 muaj që kjo taksë mblidhet, plehrat nuk transportohen ne Maliq, por në Peshkëpi aty ku nga momenti në moment “mina” është gati të plasë.

Porta Vendore mori kontakt edhe me firmën e pastrimit të qytetit REI shpk, e cila prej disa vitesh është e kontraktuar për të kryer shërbimin e pastrimit të qytetit. Nga komunikimi që realizuam me përgjegjësin e pastrimit ë kësaj firme, Olti Begollari, na u rinkofirmua ajo se çfarë kemi sjellë me pamje në video, që fusha e mbetjeve është e tejmbushur dhe duhet të mbyllet sa më shpejt dhe se zgjidhja përfundimtare është transportimi i mbetjeve drejt Landfillit të Maliqit.

Por pyetjes se përse është krijuar një situatë e tillë, përgjegjësi iu përgjigj se nga ana e firmës është kryer çdo punë, e cila është e përcaktuar në kontratën që kjo e fundit ka me Bashkinë e Pogradecit. Ai pohon se firma e ka të përcaktuar në kontratën e saj të punës, se detyrë ka vetëm mbledhjen pirg dhe mbulimin me dhe të mbetjeve 1 herë në çdo fund muaji, ose thënë ndryshe 12 herë në vit, proces ky, i cili sipas përgjegjësit është kryer çdo muaj. Ashtu siç parashikohet edhe në kontratë firma e kontraktuar i dërgon mbetjet në fushën e Peshkëpisë, dhe më pas me ndërtimin e stacionit e stacionit të ri të mbetjeve në Plloçë, firma do ti dërgojë mbetjet atje.

Ndërsa sa i përket pjesës tjetër se kush e ka përgjegjësinë për rrethimin e fushës së mbetjeve, firma e përjashton diçka të tillë pasi këtë e ka vetë Bashkia dhe se diçka e tillë nuk është e përcaktuar as në kontratën që ka mes dy institucioneve.

Pas kërkesave të shumta për informacion në lidhje me situatën në fushën e mbetjeve nga Porta Vendore,vetëm para pak ditësh ditësh, Bashkia Pogradec me punëtorët e firmës së pastrimit ka nisur rrethimin e fushës.

Por sërish situata mbetet e pazgjidhur, pasi një zgjidhje përfundimtare do të ishte ose ndërtimi i një Landfilli në Qafë-Plloçë mbi fshatin Gështenjës ose dërgimi i mbetjeve në Landfillin e Maliqit, për të bërë të mundur më pas, rehabilitimin e kësaj zone në mënyrë definitive.

Rreth autorit:
Artin Halili është gazetar në Tv Sot 7, në qytetin e Pogradecit.