Vëzhgim/Analizë

Këshilltarët bashkiakë, vetëm 12% janë aktivë në media në gjithë qarkun Tiranë

30 nëntor 2018/Elisa Gjerani/Porta Vendore/ Tiranë

Pesë bashkitë e qarkut Tiranë numërojnë 175 anëtarë të këshillave bashkiakë, por vetëm 12% e tyre janë aktivë, pra me aktivitet publik të vazhdueshëm mujor në mediaonline (portale apo media sociale), lidhur me problematika të funksioneve në këshillin bashkiak. Këshilltarët e Bashkisë Tiranë kanë një përqindje më të lartë se 4 bashkitë e tjera të qarkut, si Kavaja, Kamza, Rrogozhina dhe Vora, por krahasuar me kryeqytetet e tjera të Europës apo të Ballkanit Perëndimor, kryeqyteti ynë mbetet shumë mbrapa. Megjithatë, edhe ky aktivizim mediatik ka anën tjetër të medaljes, ku shpesh herë, këshilltarët janë më aktivë mediatikisht për problemet e partive politike sesa për detyrat që lidhen në këshillin bashkiak.

Monitorimi i  këshilltarëve

Shifrat janë publikuar në një raport monitorues, i publikuar nga Instituti i Studimeve Politike (ISP) për këshilltarët bashkiakë më efektivë në këto pesë bashki, bazuar në angazhimin në media dhe në daljet publike të tyre. Raporti i mbështetur nga Leviz Albania, është publikuar në tetor të vitit 2018 dhe për të realizuar këtë monitorim, ISP ka verifikuar dy modelet që këshilltarët shqiptarë ndjekin si mjete komunikimi me qytetarë, pikërisht komunikimi në formën tradicionale, si takime në zonën elektorale, konsultime të vazhdueshme, takime me grupet e interesit, mbledhje dhe anketime;dhe komunikimi përmes mediave të reja, si rrjetet sociale, mediave online, telefonit, etj. “Në modelin e parë hapësira e këshilltarëve për komunikim është e kufizuar, edhe sepse numri i takimeve dhe konsultimeve nuk është asnjëherë i atillë sa të ketë kontakt me pjesën më të madhe të komunitetit lokal dhe se axhenda e takimeve kushtëzohet nga partia dhe axhenda e saj, e cila shpeshherë është e ndryshme nga axhenda individuale e këshilltarit lokal. Në këto rrethana, metoda më e suksesshme e viteve të fundit në demokracitë funksionale dhe ato hibride, është komunikimi duke përdorur fuqinë e medias online, rrjeteve sociale dhe formave moderne të komunikimit teknologjik”, thuhet në raportin e ISP.

Në këto kushte, ekipi i ISP ka monitoruar aktivitetin e këshilltarëve bashkiakë në pesë bashkitë e qarkut Tiranë bazuar në të dhënat e tyre në disa burime alternative: në profilet në mediat sociale facebook dhe twitter,për periudhën nga zgjedhja dhe deri në shtator 2018, si dhe në mediat online newsbomb.al, javanews.al, lapsi.al, politiko.al, syri.net, faktor.al, si dhe gazetat gazetatema.net, panorama.com.al, shekulli.com.al, shqiptarja.com etj, për periudhën janar-shtator 2018.

Vetëm 12%, aktivë në media online

Nga të dhënat e evidentuara nga monitorimi rezulton se numri i këshilltarëve që kanë kuptuar forcën e medias dhe e kanë përdorur atë në funksion të angazhimit dhe përgjegjësisë së tyre politike e publike, është jashtëzakonisht i vogël. Po të krahasohen të dhënat me vendet e tjera rajonale, si për shembull, Sllovenia, rezulton se në këshillin bashkiak Lubjanë, mbi 90% e këshilltarëve përdorin mediat online dhe janë në komunikim të vazhdueshëm përmes tyre me elektoratin. Në disa kryeqytete të tjera ballkanike shifra shkon në 60-80%.

Në këshillin bashkiak Tiranë vlerësimi “shumë aktiv”, pra me aktivitet publik mediatik të vazhdueshëm mujor lidhur me problematika të funksioneve në këshillin bashkiak, përfshin vetëm rreth një të katërtën e anëtarëve të Këshillit Bashkiak. Ndërkohë, 4 bashkitë e tjera, këtë nivel e kanë dhe shumë më të vogël, duke ulur përqindjen në nivel qarku, pikërisht në 12%. Konkretisht, Bashkia Tiranë numëron 16 këshilltarë nga 61 këshilltarë, ose 25% të totalit, të cilët janë shumë aktivë në rrjetet sociale dhe mediat online. Ndërsa e dyta në renditje si numra këshilltarësh është Bashkia Kamëz, por në nivel shumë më të ulët, e cila numëron 3 këshilltarë shumë aktivë nga 41 në total, ose vetëm 7.3% të tyre. E treta renditet Bashkia Kavajë me 2 këshilltarë nga 31 në total, ose në vlerën 6.4%. E katërta është Bashkia Vorë me 1 këshilltar nga 21 në total, ndërsa e fundit Bashkia Rrogozhinë me asnjë këshilltar nga 21 të tillë.

Shpjegim për tabelën:

“shumë aktiv” – me aktivitet publik të vazhdueshëm mujor
“pjesërisht aktiv” – me aktivitet të shkëputur në kohë
“pak aktiv” – me “gjurmë” minimale të deklarimeve
“jo aktiv” – pa gjurmë aktiviteti
“s’ka komunikim” – për rastet kur është e pamundur të gjendet një profil apo gjurmë mediatike

Nëse në vlerësimin numerik në nivelin “shumë aktiv” Tirana është kryesuese ndaj bashkive të tjera, në nivelin “pjesërisht aktiv” Tirana është e vetmja bashki me rekorde vlerësuese. Ndërkohë, në nivelin “pak aktiv” ka rritje nga tri bashkitë e tjera Kamëz, Kavajë e Rrogozhinë. Në nivelin “jo aktiv” rekord janë Tirana e Kamza me nga 19 këshilltarë, ndjekur nga Vora me 14 dhe Kavaja me 10 këshilltarë.

Në leximin krahasimor shprehur në vlera relative (përqindje midis numrit të këshilltarëve për secilën kategori dhe numrin total të këshilltarëve për secilën bashki), të dhënat janë edhe më të qarta për të bërë diferencën midis bashkive. Konkretisht, në Tiranë vetëm një e katërta e këshilltarëve janë “shumë aktivë”, ndërkohë që rreth 50% janë jo aktivë ose pa asnjë komunikim mediatik në aktivitetin e tyre. Raporte të tilla për këshillin më të madh bashkiak në vend, ku ka edhe prani më të madhe mediatike dhe mundësi më të mëdha komunikimi, janë tregues kritikë të gjendjes dhe disnivelit midis pritshmërive qytetare ndaj bashkive e mënyrës sesi këshilltarët e ushtrojnë funksionin e tyre.

Të dhëna edhe më kritike gjenden në bashkitë e tjera të qarkut Tiranë. Konkretisht, pothuajse 95% e këshillit bashkiak Vorë është tërësisht inaktiv në komunikimet e ndryshme mediatike ose nuk ka asnjë gjurmë komunikimi publik. Po ashtu, 83% e këshilltarëve të bashkisë Kamëz apo 86% të bashkisë Rrogozhinë nuk kanë gjurmë komunikimi publik dhe as bilanc të angazhimit mediatik.

Klasifikimi në përqindje në nivel qarku dhe në tërësi për të gjithë këshilltarët lehtëson kuptimin më të mirë të diferencave midis këshilltarëve që kanë efektivitet më të lartë të prezencës në mediat online. Siç lexohet edhe në tabelën më poshtë, vetëm 12% janë shumë aktivë në nivel qarku, pjesërisht aktivë janë vetëm 6%, jo aktivë është kategoria dominuese me 39%, pak aktivë janë 15%. Kategoria e dytë më e madhe është ajo e këshilltarëve pa aktivitet e gjurmë në media, në total 28% e të gjithë numrit.

Sipas autorëve të raportit, kjo do të thotë se këta këshilltarë nuk aplikojnë asnjë formë bashkëkohore të komunikimit me publikun dhe me zgjedhësit e tyre. “Në rastin më të mirë ata vijojnë formën tradicionale të komunikimit direkt me zgjedhësit e zonës, në rastin më të keq nuk janë të interesuar për komunikim publik dhe me këtë shmangin edhe mundësinë e përballjes direkt me qytetarët apo me bilancin e mbajtjes së premtimit të tyre gjatë viteve në këshillin bashkiak”, deklarohet nga ekipi realizues i raportit.

22 këshilltarët më aktivë

Por, nëpërmjet këtij raporti, qytetarët mund të njihen më mirë edhe me 22 këshilltarët, të cilët kanë qenë më aktivët në komunikim me publikun për problemet që përfaqësojnë në këshillin bashkiak. Kjo edhe për faktin se 2019 është vit elektoral për bashkitë dhe sërish këshilltarët do të kërkojnë votën e qytetarëve, ashtu siç aktivizohen për çdo fushatë elektorale.  Madje, diçka e tillë konfirmohet edhe nga raporti monitorues, ku rezulton që shumica e atyre këshilltarëve që nuk janë aktivë ose që kanë aktivitet simbolik, kanë lënë gjurmë online vetëm në periudhën e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale 2015 apo parlamentare 2017. Pjesën tjetër të kohë midis fushatave elektorale nuk kanë “gjurmë” duke dëshmuar se mund të kenë qenë nxitur nga partia e tyre politike ose nga klima e përgjithshme zgjedhore në vend. Megjithatë, duke u nisur edhe nga fakti se Bashkia Tiranë ka numrin më të lartë të këshilltarëve bashkiakë, krahasuar me 4 bashkitë e tjera, vihet re se edhe numri më i lartë i këshilltarëve që kanë qenë aktivë, i përkasin kësaj bashkie.

Foto: Lista e këshilltarëve më me shumë aktivitet mediatik në bashkitë e qarkut Tiranë

Në listë bëjnë pjesë 22 këshilltarë, nga të cilët 16 janë të këshillit bashkiak të Bashkisë Tiranë, 3 nga këshillit bashkiak i Bashkisë Kamëz, 2 nga këshilli bashkiak i Bashkisë Kavajë, 1 nga këshilli bashkiak i Bashkisë Vorë, ndërkohë që mungojnë vlerësimet maksimale për ndonjë nga anëtarët e këshillit bashkiak të Bashkisë Rrogozhinë, për shkak të nivelit minimal të angazhimit të tyre. Në vlerësimin gjinor të angazhimit tyre rezulton se këshilltarët meshkuj kanë nivel të lartë angazhimi me 60% ndaj 40% këshilltare gra e vajza, edhe pse Bashkia Tiranë është e vetmja bashki në nivel republike që ka numër e përqindje më të lartë të grave e vajzave në këshill sesa këshilltarë meshkuj. Dominimi i numrit të këshilltareve në Tiranë erdhi edhe për shkak se partitë kanë respektuar kuotat gjinore dhe se në krye të listës së secilës parti kryesore më 2015 ka pasur gra e vajza kandidate. Gjithsesi, pavarësisht respektimit të kuotave, duket se këshilltaret nuk janë aq aktive sa meshkujt.

Ana tjetër e medaljes

Një lexim më i detajuar i listës nxjerr në pah faktin se më aktivët në Këshill janë figurat drejtuese të grupeve në Këshill, drejtuesit e vetë Këshillit, individët me poste në partitë kryesore politike si dhe individët që kanë kryesuar listat e kandidimit në zgjedhjet lokale 2015.

Megjithatë, vihet re se midis listës prej 22 emrave më aktivë në publik dhe media mbi problematikat lokale, gjenden edhe këshilltarë, të cilët kanë rekorde negative në angazhimin në mbledhjet e rregullta të Këshillit Bashkiak apo të komisioneve në Këshill. “Zgjedhja e secilit për të qenë ‘i padukshëm’ në Këshill dhe shumë aktiv në publik, është më shumë zgjedhje strategjike në funksion të karrierës politike publike sesa si zgjedhje e kushtëzuar nga mënyra sesi ndërvepron Këshilli apo organet e tjera vendimmarrëse në bashki”, thuhet në raport.

Por, ky nuk është problemi i vetëm. Konkretisht, pjesa më e madhe e këshilltarëve që janë “aktivë” deri tek ata më “pak aktivë”, janë kryesisht përcjellës formal të lajmeve, videove, kronikave dhe elementëve të tjerë të raportimit mediatik të partisë së tyre politike, të liderit të tyre politik ose të institucionit të bashkisë (kur ata i përkasin partisë politike të kryetarit të bashkisë). Pra, kemi një kalim nga përdorimi pozitiv i medias që këta këshilltarë mund të bëjnë tek vetëpërdorimi si përcjellës politikë. Po ashtu, element tjetër tipizues është trendi për të komentuar ngjarje politike ose vendimmarrje në bashki, pasi ato kanë ndodhur, jo përpara tyre, duke ngritur pikëpyetje të shumta mbi rolin e këshilltarëve bashkiakë, që nga ata që janë aktivë për arsyet që janë të tillë, e deri tek ata që nuk janë aktivë, duke treguar një indiferencë ndaj problemeve të qytetarëve, derisa të vijë fushata e radhës elektorale.