28 nëntor 2018/ Agime Kastrati/ Porta Vendore/ Kukës
Muzeu i Kukësit, i ndërtuar shumë vite më parë në këtë qytet, pavarësisht trashëgimisë kulturore që mbart, nuk i ka shpëtuar dot amortizimit, lagështirës dhe kushteve të këqija, duke bërë kështu që numri i turistëve të jetë i pakët.
Ermiri, banori i apasionuar pas muzeut
Ermir Dida, 45-vjeçar me profesion hidraulik, i apasionuar pas trashëgimisë kulturore, vjen shpesh për të soditur “thesaret tradicionale”, që ruan muzeu i qytetit të tyre. Ndonëse i papunë, Ermiri së bashku medyfëmijët e tij, është kthyer në vizitorin më besnik të këtij muzeu.
Ndonëse jeta në qytet nuk është shumë aktive dhe nuk ka mundësi tjetër argëtimi për fëmijët, vizita në muze mbetet një ndër alternativat më të kërkuara nga jeta kulturore e zonës.“Si banor i qytetit më pëlqen të shikoj dhe të dëgjoj historinë e zhvillimit të qytetit tim,por më vjen jashtë mase keq teksa shikoj që dita-ditës gjendja e muzeut sa vjen e përkeqësohet. Dimri ka shumë lagështirë dhe objektet historike e veshjet tradicionale të zonës rrezikojnë të prishen nga myku dhe lagështira sidomos tani në dimër”, tregon Ermir Dida, banor i Kukësit.
“Rënkimet” e muzeut…
Ky muze është i veçantë për llojin e tij, pasi aty gjen të gërshetuara krahinat etnografike të Malziut, Lumës dhe Gorës. Veshjet popullore dallojnë nga njëra-tjetra në ngjyra, stil dhe mënyrën e punimit. Pikërisht gërshetimi i mozaikut të tri krahinave, aq të afërta po me aq shumë të veçanta, i shton më shumë hijeshinë muzeut etnografik, një ndërtesë dykatëshe, e ndërtuar sipas stilit autokton të zonës. Pjesa më interesante është oda. Burrat veç, gratë veç. Orenditë janë autentike dhe të ruajtura me kujdes dhe fanatizëm. Punimet artizanale të krahinave përreth, e sidomos ato të veshjeve, janë pjesë e trashëgimisë shekullore të Kukësit, të cilat datojnë që nga koha ilire. Punimet elegante të leshit janë pjesë e pandashme e kulturës së zonës, të gjitha tëpakrahasueshme me zonat e tjera përreth, që përherë kanë tërhequr vëmendjen e vizitorëve dhe turistëve. Kukësi ka një shumëllojshmëri kostumesh, që dallojnë nga një zonë në tjetrën, të tilla si: kostumi i Bushtricës, ai i Shishtavecit, i Lumës dhe i Hasit.
Të vendosura në stenda të veçanta, plotë ngjyra e larmishmëri, nga larg të krijohet përshtypja e një përkujdesjeje të veçantë. Në fakt, kjo vihet re në çdo stendë. Megjithatë, duket se nevojat për përkujdesje e tejkalojnë përkushtimin e stafit të muzeut.
Godina e muzeut duket sikur rënkon. Kushtet e mirëmbajtjes dhe higjienës së brendshme të godinës lënë shumë për të dëshiruar. Copat e suvasë së mureve nga lagështira kanë rënë vende-vende. Era e mykutndihet pothuajse në të gjithëmuzeun. Muret kanë nisur të plasariten dhe lagështira ka lëshuar rrënjë përgjatë gjithë fasadës së godinës.Në këtë muze duket se ka vite pa vënë dorë askush.
E kjo infrastrukturë muzeale duket se ka cenuar ndjeshëm zhvillimin e turizmit. “Gjatë 3 muajve të fundit muzeu është vizituar nga diçka më shumë se rreth 300 turistë të huaj”, shprehet cicëroni i tij, Liridon Cena. Sipas tij, krahasuar me numrin e turistëve të qyteteve të tjera, sigurisht që shifra është shumë e ulët. Megjithatë, ai thotë se numri i vizitorëve është në rritje nga viti në vit. Ai shpjegon se për nxënësit e shkollave të zonës dhe krahinave përreth, vizita në muzeun etnografik dhe muzetë e tjerë të qytetit, tashmë është kthyer në traditë.
Bashkia: Së shpejti ndërhyrjenë infrastrukturën e muzeve
Pavarësisht gjendjes reale të muzeve, përfaqësuesit e bashkisë shprehen optimistë dhe premtojnë ndërhyrje të shpejtë. Muzeu Etnografik i Kukësit ka përfunduar së ndërtuari në vitin 2011 me financim të Bashkimit Europian. “Moti i ashpër, kushtet dhe lagështira janë shkaktarët kryesorë të problematikës aktuale”, shprehet Bujar Muçmata, Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë së Kukësit.
Ndërsa shton se në vitin 2016, bashkia ka ndërhyrë me fondet e saj për izolimin e tarracës dhe meremetime të brendshme. Megjithatë,fondi i shpenzuar për mirëmbajtjen, në fakt është shumë herë më i vogël se nevojat. “Ndër projektet e fundit të pushtetit vendor është dhe rijetëzimi i kalasë së Pacës, një financim prej 7,5 milionë lekësh, i shtrirë në tre vite dhe i drejtuar nga Instituti i Arkeologjisë. Me përfundimin e ndërhyrjeve për rehabilitimin e plotë të të gjitha godinave muzeale të qytetit, rreth 137 objekte të rralla të zbuluara në tumat ilire në Kukës dhe kalanë e Pecës, të cilat aktualisht ndodhen në muzeun arkeologjik Tiranë, do të zhvendosen në këto godina”, tha Muçmata, Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë së Kukësit.
Shtëpia që lindi shpresën e turizmit….
Po ashtu, 30-vjetori i varjes së shkrimtarit Havzi Nela shënoi dhe inaugurimin e shtëpisë muze të poetit. Përkujtiminë nder të shkrimtarit, tashmë është shndërruar në njëpelegrinazh në nderim të kontributit të poetit, ku morën pjesë 41 shkrimtarë vendas. E bashkë me shtëpinë muze dhe aktivitetin përkujtimor ka lindur dhe shpresa e turizmit. Duke mos e fshehur entuziazmin për organizimin e aktiviteteve përkujtimore në vendlindjen e poetit, banorët e zonës e shohin këtë dhe si një mundësi të mirë për promovimin e zonës dhe tërheqjen e vizitorëve vendas. Shumë prej tyre kanë ndërmarrë nismën për ngritjen e bujtinave. “Jemi shumë entuziastë me hapjen e shtëpisë së poetit Havziut. Unë prej vitesh jam vendosur në Tiranë, por këto dy vitet e fundit po mendoj që shtëpinë time të vjetër ta kthej në një bujtinë për turistët vendas dhe të huaj që vizitojnë këtë zonë”, shprehet Ardian Biba, dikur banor i zonës. Ndërsa për shtëpinë muze bashkia ka hartuar një plan dhe strategji të detajuar, e cila do të ketë në fokus jo vetëm promovimin e shkrimtarit, por dhe trashëgiminë e zonës. Përveç promovimit për vendasit dhe tëhuajt, në shtëpinë e shkrimtarit çdo 10 gusht do të zhvillohet ‘pelegrinazhi’ i shkrimtarëve.
“Mbi 5 mijë vizitorë vendas dhe të huaj kanë vizituar fshatrat e Shistavecit, Kollovozit dhe Novosejt vetëm gjatë sezonit turistik”, shprehet Rexhep Shahu, këshilltar në Bashkinë Kukës.
Tërheqja e interesit sidomos të emigrantëve, ka rizgjuar shpresat për më shumë investime në të ardhmen, dhe kjo sigurisht është shoqëruar me më shumë “presion” ndaj pushtetit vendor për strategji të detajuara për zhvillimin e turizmit.