Vëzhgim/Analizë

Një vështrim nëpër “kapilarët” e Ujësjellësit të Tiranës

26 nëntor 2018/ Bardhi Sejdarasi/ Porta Vendore/ Tiranë                                 

Furnizimi i planifikuar pa ndërprerje me ujë të pijshëm i Tiranës rriti me 44 për qind çmimin e ujit. Por a do të mundet Bashkia e Metropolit të mbajë këtë premtim për të pasur pas pesë vitesh furnizim të pandërprerë?! Analiza sjell në vëmendje kontradiktën e një kompanie publike me të ardhura të realizuara nga shitja e produktit (edhe pse të pacertifikuara nga auditi financiar),  dhe humbje të konsiderueshme nga “vjedhja” e  këtij produkti; investim miliardash në prodhimin e ujit dhe jo në eliminimin e humbjeve dhe…në fund: për shkak të paaftësisë në planifikim, menaxhim dhe investim, kostoja shtesë zgjidhet me një të rënë të lapsit – rritet ndjeshëm çmimi!

Shoqëria e ujësjellës kanalizime Tiranë (UKT) aplikoi vitin e kaluar pranë Entit Rregullator të Ujit (ERRU) për një rritje të çmimeve (tarifave) për shërbimet e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve të ujërave të ndotura. Për konsumatorët familjarë u propozua një rritje çmimi nga 45 lekë/m3 në 65 lekë/m3, një rritje çmimi me 44%. Për bizneset, rritja e propozuar është po 44%, nga 135 lekë/m3 në 190 lekë/m3. Synimi: Kryeqyteti, deri në fund të vitit të pestë, të ketë furnizim me ujë pa ndërprerje, pra 24 orë/ditë. Një objektiv mjaft ambicioz dhe me rëndësi të veçantë, jo vetëm për kryeqytetin që përfaqëson 1/3 e popullsisë së vendit, por edhe për të gjithë vendin! Shqipëria është shteti i 11-të në Europë (madje përpara Austrisë, Gjermanisë), por edhe të gjithë vendeve ballkanike, me përqindjen më të lartë të popullsisë së përqendruar në kryeqytet.

Pak fjalë për nevojën për investime

Nevojat për investime publike për rinovimin e rrjeteve dhe për krijimin e të rejave, për impiante dhe për ujërat e ndotura janë të vlerësuara në masterplanin kombëtar. Janë rreth 3,7 miliardë euro që nevojiten për realizimin e këtij masterplani ambicioz kombëtar. Strategjia kombëtare e menaxhimit të ujit ka rivlerësuar deri në vitin 2040 përdorimin e këtyre miliardave, që do të thotë rreth 150 milionë euro në vit. Aktualisht përdoren vetëm rreth 50-60 milionë euro në vit. Por duhet pasur parasysh se standardi i pranuar kudo në botë është  se të ardhurat nga shoqëritë e ujësjellësve planifikohen duke ruajtur parimin e përballueshmërisë së tarifave dhe rritjen graduale të tyre.

“Porta Vendore” disponon të plotë procesverbalin me nr 3/1 të datës 07.07.2017 të Mbledhjes së Asamblesë së Aksionarëve të UKT, një procesverbal me 385 faqe që “skanon” imtësisht ndërmarrjen publike dhe performancën e saj.

Çfarë vlen të citohet nga kjo mbledhje e rëndësishme?

Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës (UKT) kontraktoi në fund të vitit 2015 firmën ndërkombëtare audituese “Grant Thorton” për të kryer auditimin dhe certifikimin e bilancit të UKT-së për vitin 2015. Në raportin e auditit, të datës 17 korrik 2016, pasi ka renditur një sërë dokumentesh që mungonin ose nuk iu vunë në dispozicion grupit të auditimit, “Grant Thorton” refuzoi të certifikojë bilancin duke u shprehur se “grupi ynë i punës nuk ka arritur të marrë ndonjë informacion shtesë për të hequr dyshimin mbi këto paqartësi të evidentuara më herët”. Sipas ekspertëve të fushës, duhej që një vlerësim i këtij lloji të çonte në shkarkimin e të gjithë atyre që kanë përgatitur të dhënat e bilancit. Nëse drejtuesit nuk do e bënin një gjë të tillë, ata do të diskretitonin emrin dhe besueshmërinë e kompanisë, pasi mos certifikimi i bilancit tregon se kompania gjendet në vështirësi financiare dhe kërkon t’ua fshehë këtë fakt palëve të treta të interesuara.

Bërja publike e bilancit të një shoqërie shërben pikërisht për të mbrojtur palët e treta, ortakët në minorancë, furnizuesit, klientët dhe në rastin e një kompanie publike si UKT, për informimin e publikut. Madje bilanci duhet të certifikohet nga një auditues i jashtëm, profesionist, për të garantuar se ai është përpiluar në mënyrë të saktë dhe përmban informacion të vërtetë mbi mbarëvajtjen financiare të shoqërisë. Pra, vlerësimi i “mos dhënies së opinionit” i shprehur nga një auditues është një lloj ‘dënimi me vdekje’. Nëse ekipi drejtues i shoqërisë, pasi merr vlerësimin “mos dhënie opinioni”, vendos të ndryshojë certifikuesin, sikurse bëri UKT në fund të vitit 2016, atëherë kjo do të thotë se diçka me të vërtetë nuk shkon mirë: ose certifikuesi i mëparshëm nuk është i aftë dhe duhet të largohet nga tregu, ose ndoshta certifikuesi kërkon të deklarojë atë që konstaton, dhe jo atë që mund t’i kërkojë kompania të deklarojë.

Përse nënvizohet ky fakt?

Në propozimin për rritjen e çmimit (tarifës) së ujit, duhet marrë në konsideratë edhe “historiku” ekonomiko-financiar i shoqërisë në fjalë. Sipas ERRU, vitin e kaluar janë shqyrtuar “paraprakisht dokumentet e propozimit të Shoqërisë dhe janë kërkuar “sqarime dhe detaje nga kjo e fundit për rreth 16 çështje që kishin lidhje me propozimin e tyre”.

Përgjithësisht sqarimet konsistuan në rrugët dhe mënyrat për arritjen e objektivit për një furnizim të vazhdueshëm me ujë të popullsisë, vlerësimet e investimeve të parashikuara, programet kundër lidhjeve të paligjshme, mbi humbjet administrative, si dhe sqarime të tjera të një karakteri teknik, të cilave shoqëria UK Tiranë “iu përgjigj me profesionalizëm”, sikundër konfirmon kreu i ERRU-së.

Po cila është performanca financiare e shoqërisë Ujësjellës-Kanalizime Tiranë?

Analiza konstatoi që në dy vitet e fundit shoqëria ka pasur një zhvillim pozitiv në drejtim të përmirësimit të performancës financiare, duke mbuluar mbi 100% shpenzimet e Operim-Mirëmbajtjes kryesisht nga rritja e normës së arkëtimit, ndërkohë që treguesit e ujit të pafaturuar, të kohëzgjatjes së furnizimit me ujë të popullsisë janë akoma në vlera jo të kënaqshme.

Në raportin vjetor të vitit 2017, ERRU nuk jep asnjë të dhënë specifike për UKT.

Le të bëjmë pak histori që i vlen analizës. Nga viti 2012, sipas raportimeve zyrtare të ERRU-së, kemi një gjendje stanjacioni të sektorit. Kjo shihet në cilësinë e shërbimit, pasi nuk furnizohet me ujë për 24 orë popullsia dhe vetëm tre ndërmarrje në shkallë republike arrijnë ta realizojnë këtë. Këto janë Korça, Pogradeci, Librazhdi dhe jo Tirana.

Sipas ERRU-së, në dukje treguesit financiarë janë në përmirësim, por “për arsye nga më të ndryshmet duhen marrë me rezerva”- thotë kreu i ERRU, Ndriçim Shani. Rritja e përqindjes së mbulimeve të kostove të operim&mirëmbajtjes vjen nga ulja e shpenzimeve të tre ndërmarrjeve kryesore në Shqipëri.

Sipas të dhënave të shprehura në tabelën në vijim, Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve të Tiranës në tre vitet 2014-2016 tregon performancë të mirë. Pra mbulon kostot e operimit me tarifat ekzistuese. Të dhënat e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve (AKUK) dhe të

vetë ERRU-së e venë UKT në vend të dytë, pas Korçës.

“Mbulimi i Kostos Direkte të O&M” dhe “Mbulimi i Kostos Totale” gjenden ta sakta në raportin e ERRU-së për vitin 2016 (http://www.erru.al/doc/Raporti_Performances_2016.pdf). Sipas raportit “Progres i mirë është shënuar për sa i përket dy treguesve të mbulimit të kostos, “Mbulimi i kostos së O&M dhe “Mbulimi i kostos Totale”. Sektori ka tejkaluar objektivat e performancës së mirë të ERRU si dhe objektivat strategjikë të qeverisë. Këto shifra të përmbledhura gjithsesi fshehin performancën e dobët të disa shoqërive, kryesisht të vogla dhe të mesme, të ardhurat e të cilave janë të pamjaftueshme për të mbuluar qoftë edhe gjysmën e kostove të tyre. Gjithsesi performanca e këtij treguesi duhet parë me rezervë, sepse nëse shohim që tendenca e treguesit të normës së arkëtimit ka rënie, atëherë përmirësimi i performancës financiare të shoqërive mund të shpjegohet vetëm me reduktimin e shpenzimeve, fakt i cili, për impaktet financiare në ato vlera që jepen në këto tregues vështirë se mund të pranohet. Kjo evidenton problemin e saktësisë dhe të besueshmërisë së të dhënave, problem i cili akoma nuk po zgjidhet, që përfundimisht të kemi një nivel të kënaqshëm të besueshmërisë dhe të saktësisë së të dhënave që raportohen nga shoqëritë” thotë raporti.

Për Tiranën, që përfshihet në grupin e parë të ndërmarrjeve të UK ka këto tregues:

Pra, ndërmarrja me pronar Bashkinë e Tiranës i mbulon kostot totale të menaxhimit të ndërmarrjes nga 123 % (viti 2014) në 138 % (viti 2016), duke rritur me 17 % ecurinë e mbulimit të kostove në krahasim me vitet respektive të raportuara.

Çfarë e shtyn Bashkinë e Tiranës të rrisë tarifën e ujit të pijshëm?

Sipas analizës së mësipërme, “Rritja e çmimit propozohet në një kohë që Ujësjellës Kanalizime Tiranë rezulton një nga kompanitë më fitimprurëse dhe rentabël në Shqipëri nga njëra anë, dhe nga ana tjetër ka hapësira për të rritur të ardhurat përmes rikuperimit të detyrimeve të prapambetura. Sipas të dhënave zyrtare, të ardhurat e ndërmarrjes Ujësjellës Kanalizime, në vitin 2016 ishin 2.95 miliardë lekë (21.5 milionë euro). Konsumatorët familjarë sjellin gati gjysmën e të ardhurave të Ujësjellësit.

Fitimi i kompanisë, para taksave, ishte 675 milionë lekë, apo gati 5 milionë euro, me një rritje prej 8% në raport me fitimin e vitit 2015.

Tre vitet e fundit, sipas bilancit, aktiviteti i Ujësjellës Kanalizimeve ka qenë i qëndrueshëm me një rritje të lehtë të të ardhurave, ndërsa norma e fitimit është përmirësuar. Në vitin 2016, norma e fitimit ishte 23%, çka nënkupton se për çdo 100 lekë të ardhura, 23 ishin fitime (para taksave). Në vitin 2014 norma e fitimit ishte 18%.

Sipas bilancit të detajuar të vitit 2015, shpenzimet e personelit ishin rreth 860 milionë lekë (37% të totalit të shpenzimeve), ndërsa shpenzimet e përgjithshme të prodhimit ishin 924 milionë lekë, rreth 40% të totalit.

Në vitin 2015, Ujësjellësi kishte llogari të arkëtueshme (detyrime për tu mbledhur), si rrjedhojë e mosarkëtimit të faturave nga konsumatorët familjarë, privatë, shtetërorë, etj, një vlerë prej 2.7 miliardë lekësh (gati 20 milionë euro), me një rritje të ndjeshme prej 70%, në krahasim me 1.9 miliardë lekë që ishin detyrimet e paarkëtuara në 2014, ku 75% e këtij detyrimi i përket konsumatorëve familjarë.

Sipas kryetarit të ERRU-së, z. Ndriçim Shani, norma e arkëtimit është në nivele mjaft të mira, të pranueshme dhe që ka pak hapësirë për t’u përmirësuar. Ja tabela përkatëse

Tirana këtu udhëheq! Pra është në vend të parë në rang republike sa i përket arkëtimeve.

Pse duhet rritur tarifa dhe a justifikohet një rritje e tillë e çmimit të ujit? Tarifat për të gjitha shërbimet dhe produktet që ofrohen nga entet shtetërore mund të pësojnë rritje, por kur flitet për ente monopolistike, duhet që propozimet për rritje të shoqërohen me analiza ekonomiko-financiare, të cilat e bëjnë më të besueshëm dhe pastaj më të lehtë realizimin dhe miratimin e propozimit të Bashkisë së Tiranës.

Më poshtë vijojnë disa tregues të UKT për vitin 2017 :

Ndër treguesit ekonomiko-financiarë të kompanive shtetërore që ofrojnë shërbimin e furnizimit me ujë, treguesi “Uji pa të ardhura” është treguesi më negativ në vite, ai është krejtësisht në nivele të papranueshme, mbi 64 %. Kjo do të thotë se nga 100 litra ujë që prodhohet për të furnizuar popullsinë, 64 litra nuk paguhet. Pra, Tirana fiton lekë vetëm për 26 litra nga 100 letra që prodhon dhe humbet 64 litra ujë, që i prodhon me kosto të konsiderueshme në Bovillë apo në impiantet e tjera të prodhimit të ujit të pijshëm. Kjo është një rezervë e konsiderueshme, që shkon te tarifa e ujit që u rrit me 44% dhe e paguajmë të gjithë!

Objektivi ambicioz i Bashkisë së Tiranës dhe…

Bashkia e Tiranës, pronare faktike e UKT, nuk ka një analizë të plotë lidhur me sa më sipër, por autoritetet vendore kanë thirrur në ndihmë financime të huaja për të siguruar një masterplan të detajuar. Pas marrëveshjes së financimit me BERZH-in, Tirana ka tashmë edhe një masterplan të detajuar për investimet, me qëllim furnizimin me ujë 24 orë dhe zgjerimin e rrjetit.

“Masterplani i ri pritet t’i japë zgjidhje furnizimit me ujë të pijshëm për qytetarët, i ndihmuar nga Kompania Shtetërore Publike e Ujësjellësit të Budapestit, një ndër më të mirat sot në botë”,- thonë autoritetet vendore.

Sipas masterplanit, ndërhyrja e parë do të nisë në Bovillë dhe në zonën e Yzberishtit, ndërsa qyteti ndahet në shtatë zona.

Propozimi për tarifa të reja u shoqërua me një plan-biznesi 5 vjeçar, ku skanohej dhe analizohej situata aktuale e performancës së shoqërisë nëpërmjet treguesve të performancës. Sipas burimeve nga Mbledhja e Përgjithshme e Aksionarëve, objektivat e përcaktuara ishin të shoqëruara me plane të veprimit për arritjen e tyre, bazuar në uljen e humbjeve teknike me anë të investimeve dhe të humbjeve administrative (kryesisht lidhjet e paligjshme), që arrihen duke përmirësuar aspektet e menaxhimit të shoqërisë.

ERRU thotë se në vlerësimin e tarifave të propozuara nga shoqëria është marrë parasysh edhe çështja e  përballueshmërisë për pagesën e faturës së ujit nga ana e konsumatorëve, që saktëson se enti ka si referencë përballueshmërie të pagesës së faturës së ujit vlerën prej 5% të të ardhurave mesatare të një familje në Shqipëri, që nga ERRU llogaritet rreth 70,000 lekë/muaj/familje, që nënkupton një faturë të ujit e përballueshme deri 3,500 lekë/muaj/familje. Në këtë prizëm, tarifat e  propozuara në Bashkinë e Tiranës për një familje prej 4 personash rezultojnë në një faturë mujore mesatare prej 1,334 lekë/familje (sipas grafikut), pra mjaft më e ulët se kufiri i mësipërm. Në terma të tjera, rritja e propozuar për konsumatorët familjarë për të pasur ujë pa ndërprerje është 420 lekë/muaj/familje.

Në raportin e ERRU të viti 2017, jepet vlera e faturës mujore për klientët familjarë në Tiranë:

Pra, sipas propozimit të Bashkisë së Tiranës rezulton se tarifa është e përballueshme sepse është më pak se 5 % e shifrës së përballueshmërisë, por nuk është e justifikueshme nisur nga performanca e ndërmarrjes UKT, që në vend të rritjes së çmimit, fillimisht duhet të rrisë treguesit e  ‘ujit pa të ardhura’, pasi humbet 64 litra ujë në 100 litra që prodhon.

Por a mundet të sigurohet uji i pijshëm për 24 orë?

Në Bashkinë e Tiranës numërohen rreth 450 mijë banorë, ndërsa Qarku numëron më shumë se 832 mijë banorë. Sipas Masterplanit “Tirana 2030”, popullsia në Tiranë parashikohet të jetë 1,6 milionë banorë deri në vitin 2031.

Sipas shifrave të INSTAT, një familje në kryeqytet shpenzon për konsum mesatarisht 81 710 lekë në muaj ose 2,723 lekë/ditë, nga të cilat tashmë duhet të paguajë rreth 14 lekë në ditë vetëm për furnizimin me ujë. Pra, nga INSTAT llogaritet që një familje në Tiranë paguan 4148 lekë në muaj për ujë.

Nga ana tjetër, sipas UKT, mesatarja që harxhon një familje me 4 anëtarë në kryeqytet është 12 m3 ujë në muaj. Me çmimin aktual, kostoja është 540 lekë pa TVSH ose 648 lekë me TVSH.

Enti Rregullator i Ujit dhe Këshilli Bashkiak i Tiranës thonë se çmimi i propozuar nga Bashkia e Tiranës, pra 65 lekë / m3, (me investimin e 170 milionë eurove në 5 vjet), do të bëjë që kostoja reale që paguajnë sot qytetarët e Tiranës, ose e thënë ndryshe, shpenzimi për konsum uji sipas INSTAT, të ulet katër herë.  Pra nga 4148 lekë që sipas INSTAT paguan aktualisht një familje në Tiranë, pas 5 vitesh kur të furnizohet 24 orë me ujë në ditë, do të paguajë 936 lekë, ose katër herë më pak.

Liqeni i Bovillës mban 90 milionë metër kub ujë, ndërsa në një vit Tirana shpenzon 54 milionë, ose thënë ndryshe 1800 litër ujë në sekondë.

Bashkia ka planifikuar dyfishimin e sasisë së ujit të prodhuar dhe ka planifikuar shpenzimet e planifikuara për këtë synim. Pas pesë vjetësh do të duhet të prodhohen 3600 litër ujë/sekondë. Por shqetësimi është se a do të vijojë të “vidhet” mbi 60 për qind e këtij prodhimi?!

Në asnjë masterplan të njohur deri tani nuk është bërë e njohur skema e investimit, sidomos në rrjetin e amortizuar tërësisht të shpërndarjes. Uji i prodhuar me milionat e kredisë së BERZH rrezikon fatin e Bovillës së tanishme. Mbase është e nevojshme të investohet paralelisht në zëvendësimin e rrjetit të amortizuar, por nuk ka ende një plan të bërë publik për këtë!

Nëse, sipas Standardit shtetëror të vitit 1978 (KTP-780 nuk ka një standard të ri të pas viteve ’90-të), norma e përdorimit të ujit për një person në dite është 125 litra, duke llogaritur edhe humbjet në rrjet (teknike apo nga vjedhjet), atëherë sasia e ujit për frymë do të ishte 132 litra/ditë për frymë, ose në një muaj llogaritet 4,015 m3 për frymë në muaj!

Sot, ky sistem, me gjithë nevojat që ka, prodhon 28% ujë më shumë sesa është nevoja për ujë e popullsisë. Por, për rreth 64% të prodhimit të ujit në vend nuk arkëtohen të ardhura, duke e rënduar çdo vit, gjendjen financiare dhe duke rritur çdo vit, humbjet. Më shumë se gjysma e humbjeve nuk janë teknike, por janë vetëm si pasojë e keqadministrimit dhe e vjedhjes. Në këto kushte, 20% e kostove totale operative të sistemit janë të pambuluara nga të ardhurat që gjeneron sot sistemi.

Nga kjo llogari e thjeshtë duket se Bovilla “del e mjafton” për të furnizuar me ujë banorët e Tiranës së Madhe. Po në masterplan nuk është marrë në konsideratë ky opsion! Do të investohet për një “Bovilla 2”, edhe pse (edhe në rang republike) sistemi i furnizimit me ujë prodhon 28% më shumë ujë, sesa është nevoja për furnizim.

A mund të realizohet investimi në 5 vjet?

Bashkia e Tiranës nuk do të mund dot të realizojë investimin e planifikuar për furnizimin me ujë 24 orë të banorëve të metropolit, sepse do t’i ketë të pamjaftueshme financat për investim, për sa kohë edhe Strategjia Kombëtare e Financimit të Sektorit të Ujit me anë të modelit 3T (Tarifa, Transferta Donatoresh, Taksa-Buxheti nga qeveria qendrore) parashikon realizimin e investimeve me një mesatare prej rreth 170 milionë Euro në vit për një periudhë kohe 22 vjeçare deri në fund të vitit 2040. Pra, jo për pesë vjet!

Skema e financimit, sipas strategjisë, parashikon që nga rritja e tarifave të shërbimeve, të përballohen mesatarisht çdo vit rreth 40-50% e vlerës totale të kërkesës për investime kapitale.

Ndërkohë nga rritja e çmimit të ujit, Bashkia do të fitojë 38 milionë euro në vit. Në rast se do të bëhet një llogari vjetore, për rreth 90 milionë metra kub ujë në vit që prodhon Bovilla, atëherë rezulton që fitimi neto të jetë rreth 20 milionë euro në vit, ose 2,5 miliardë lekë. Për pesë vjet janë 100 milionë Euro, që duket se janë të pamjaftueshme për investimin e kërkuar edhe nga masterplani i Budapestit prej 170 milionë eurosh. Në këto kushte mund të thuhet se do të ketë ujë të bollshëm në 24 orë për kryeqytetasit pas pesë vitesh?

Facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedinmail