24 nëntor 2018/Elisa Gjerani/ Porta Vendore/ Tiranë
Kur mungesa e informacionit dhe burokracia e shtetit bëhen së bashku, ai që humbet është më i dobëti, si në rastin e familjes rome Zerollari, e cila është penalizuar me 6 muaj heqje nga ndihma ekonomike për shkak të mos firmosjes së një deklarate, pasi njësia administrative nr.4 në Kinostudio kishte neglizhuar ta njoftonte kryefamiljarin Flamur Zerollari, i cili rrit tre fëmijë i vetëm.
Fatimja është gjyshja e tre fëmijëve të braktisur nga nëna e tyre që prej 5 viteve. Kur nusja e djalit u largua, Fatimja u bë nëna e tyre. Ndaj sot kujdeset me dashuri për nipërit e mbesat me të cilat jeton në një barakë. Kushtet e vështira të jetesës e kanë sfilitur gruan 50-vjeçare, pasi përveçse duhet të mendojë për të siguruar jetën e saj, ajo ka edhe një barrë tjetër, të mbajë familjen e djalit, pasi këtij të fundit që prej muajit maj 2018, i kanë hequr ndihmën sociale.
“Jetojmë vetë i shtatë, pasi unë kam edhe një gocë beqare. Nipërit i kam çuar në shkollë, me sakrifica. Tani njëri është në klasë të tretë e tjetri në klasë të katërt. Jetesa jonë është shumë e vështirë dhe bëjmë ndonjë lekë duke shitur kanaçe. Çunit ia kanë hequr përkrahjen, sepse ne jemi pa shkollë dhe ai nuk e dinte që duhet të firmoste një deklaratë”, tregon Fatimja për Portën Vendore.
Për të siguruar vazhdimësinë e ndihmës sociale, e cila për këtë familje shkonte 4 400 lekë të reja, duhej pikërisht firmosja e një deklarate nga ana e Flamurit, por mungesa e informacionit dhe neglizhenca e zyrës së njësisë administrative nr. 4 , ka bërë që familja Zerollari të vuajë kaq e kaq muaj dyerve të institucioneve për zgjidhje.
“Shkova edhe te zyrat e ndihmës ekonomike dhe më thanë nuk ka asnjë arsye. Por unë tani ku të shkoj? I thashë asaj vajzës, që ne s’jemi bosa, as nuk kemi vila dhe as nuk kemi lekë që na i keni hequr kështu përkrahjen sociale”, tregon Fatimja e trishtuar.
Sipas saj, zyra e njësisë administrative nr 4, ka neglizhuar kërkesën për firmosje e deklaratës nga ana e kryefamiljarit Flamur Zerollari, babai i 3 fëmijëve të braktisur nga e ëma, ndaj për këtë arsye ai është përjashtuar nga skema e përfituesve dhe mund të rifutet vetëm pasi të kalojnë 6 muaj, pra në fund të vitit 2018. Por për t’i ardhur në ndihmë kësaj familje, aktivistët e komunitetit rom dhe egjiptian e kanë parë me prioritet këtë rast, duke shkuar zyrave të institucioneve bashkë me Fatimen, e cila kërkon me të drejtë ato pak para për të mbajtur frymën e fëmijëve të vëgjel gjallë.

Madje, kjo gjendje ua ka shtuar problemet kësaj familje, jo vetëm financiare por edhe sociale e shëndetësore. Fatimja është diagnostikuar me tiroiden dhe të gjithë kempin e çon për ilaçe. Në kasollen e cila rrezikon të shembet pas çdo shiu që bie, ka vetëm dy dhoma jetojnë 7 persona, aty është ambienti ku lahen, gatuajnë, e flenë.
Marseli i vogël prej 2 muajsh nuk mund të shkonte më në kopsht për shkak se nuk kishte kryer detyrimin mujor , pagesën e kopshtit prej 2 700 lekësh të reja, kjo për shkak të gjendjes së tyre ekonomike, e cila duhet thënë është tejet e mjerueshme.
Por aktivistët e komunitetit rom dhe egjiptian falë këmbënguljes së tyre bënë të mundur që djali 5-vjeçar i familjes Zerollari të kthehej sërish në kopsht.
“Fillimisht ishte pak e vështirë për shkak të mungesës së informacionit dhe përditësimit mbi udhëzimin ligjor, por pas takimit me një përfaqësuese të njësisë administrative nr. 4, situata u qartësua. Pas kësaj jemi drejtuar edhe tek Qendra e Zhvillimit Ekonomik, ku kemi takuar juristin me të cilin biseduam mbi situatën, ku na orientoi mbi procedurat që duheshin ndjekur që ky fëmijë të përfitonte frekuentimin e kopshtit falas”, tha. Romina Sefa, aktiviste e komuniteti rom
Sfa shpjegon për Portën Vendore se këto 2 vitet e fundit janë ndeshur më shpesh me këto problematika sepse shkëputja e familjeve të varfra nga sistemi i ndihmës ekonomike ka qenë në numër shumë të lartë. “Ndërprerja e këtij shërbimi do të thotë të humbasësh dhe shumë shërbime të tjera, të cilat janë të lidhura me përfitimin e ndihmës ekonomike”, tha për Portën Vendore, akvististja e komunitetit rom.

Por sipas aktivistëve, kjo problematikë nuk prek vetëm familjen Zerollari, por ka edhe shumë familje të tjera të pozicionuara në Selitë, Kinostudio dhe në Shkozë, ku janë identifikuar raste të cilat lidhen me dërgimin e fëmijëve në kopshte/ çerdhe dhe që janë duke u ndjekur nga grupi i aktivistëve për komunitetin rom.
Përpjekja për mbrojtjen e të drejtave, përmirësimin e kushteve të jetësës për komunitetin rom dhe ngritja e zërit pranë institucioneve qendrore ose vendore, është ndjekur gjithnjë nga aktivistë dhe shoqëria civile në Shqipëri. Megjithatë problemet kryesore të këtij komuniteti mbetet strehimi dhe punësimi.