Vëzhgim/Analizë

Bashkia Kamëz jep me koncesion shërbimin e grumbullit të mbetjeve, megjithëse nuk ka ende një vend të përcaktuar si vend grumbull për to

21 Nëntor 2018/ Anila Hoxha/ Porta Vendore/ Kamëz

Bashkia Kamëz gjeneron çdo ditë mesatarisht 218 tonë mbetje ose në total çdo vit 79 825 tonë mbetje. Por megjithë shifrat zyrtare të pranuara, Bashkia Kamëz nuk ka ende një landfill të vetin dhe as vendgrumbullim. Një mungesë e tillë e ka kthyer çështjen e mbetjeve urbane edhe në një histori gjyqësore,pasi Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka ngritur padi gjyqësore për ndotjen e lumit Tërkuzë, që është shumë afër ish-vendit të depozitimit të mbetjeve. Megjithëse kjo çështje nxori humbëse Bashkinë Kamëz në shkallën e parë, nuk ka ende një vendim nga apeli.

Deri 22 vite më parë, Kamza ishte komunë. E shpallur Bashki në vitin 1996, Kamza po përpiqet të tregojë se ky qytet s’ka asnjë lidhje me Tiranën, kjo edhe sipas kërkesave të herë pas hershme, ku insiston për një vendgrumbullimi të vet për mbetjet. Përveç Kamzës, kjo Bashki përfshin në territorin e vet edhe zonat:Paskuqan-Fushë, Paskuqan, Babrru, Shpat, Fushë Kërcik, Kodër e Kuqe, Kodër Babrru, Frutikulturë, Laknas, Bathore, Bulçesh, Zall Mner dhe Valias. Siç tregon “Censusi 2011”, Bashkia Kamëz është e gjashta ne rang vendi për nga numri i popullsisë, me140 mijë banorë.

Por Bashkia Kamëz kishte tentuar me herët t’i paraprinte problemit sesi do t’i administronte plehrat e qytetit. Lidhur me këtë,rezulton se në një mbledhje të datës 19 korrik 2016, Këshilli Bashkiak u mblodh dhe miratoi vendimin për ndërtimin e Landfillit,që sipas këtij projekti do të vendosej në Valias në një sipërfaqe prej 5 hektarë tokë. Vendi i grumbullimit parashikohej të ishte në një nga pronat e bashkisë. Por ky vendim nuk hyri në fuqi menjëherë, pasi nuk u konfirmua nga prefekti i Tiranës, në atë kohë Sadi Vorpsi. Duke u bazuar në ligjin për vetëqeverisjen vendore dhe faktit që vendimet e këshillave bashkiakë dërgohen për verifikim ligjshmërie pranë prefekturës, Vorpsie ktheu për rishqyrtim.

Zonat që ka nën administrim Bashkia Kamëz

Një mbledhje e dytë në shtator 2016 tentoi ta zhbllokojë situatën dy muaj pas takimit të parë,. Me të njëjtat të dhëna, anëtarët e Këshillit Bashkiak votuan sërish për ndërtimin e Landfillit, që sipas tyre duhet të vendosej në Valias, sërish në sipërfaqen e 5 hektarëve. Duke qenë se prefekti ka të drejtën e kthimit vetëm njëherë, kësaj radhe prefekturës nuk iu kërkua vendim, por vetëm u njoftua. Menjëherë, Bashkia Kamzë nisi punën për të vënë në jetë këtë vendim.

Për këtë, Porta Vendore kërkoi në webin e Qendrës Kombëtare të Biznesit për lejet e mjedisit që dispononte Bashkia Kamëz me objekt stacion transferimi për mbetjet jo të rrezikshme. Nga verifikimi rezultoi se nëjanar2017,Bashkia Kamëzka aplikuar për leje mjedisi. Por ndryshe nga çfarë vendosi në Këshillin Bashkiak për Landfill, Bashkia aplikoi pranë Ministrisë së Mjedisit për vend-ruajtje të përkohshme të mbetjeve,që sipas ligjit parashikon mbajtjen e tyre jo më shume se një vit (Ligji Nr.10463, datë 22. 9.2011).Për këto shkaqe përderisa në dosjen e kërkesës për leje mjedisore ishte bashkëlidhur edhe vendimi i Këshillit Bashkiak për Landfillin,i cili sipas ligjit është vend i përhershëm ku ruhen mbetjet për më shumë se një vit, Ministria e Mjedisit e refuzoi. Ministria sugjeroi Bashkisë që të aplikojë për vendgrumbullim dhe përpunim të mbetjeve dhe jo për vend-ruajtje të përkohshme të mbetjeve.

Hapësira ku parashikohet të vendoset landfilli

Pas këtij refuzimi, pikërisht në korrik 2017, banorët e Kamzës filluan protestat para Bashkisë me argumentin se Bashkia po digjte mbetjet pranë lumit Tërkuzë. Por kryebashkiaku Xhelal Mziu u justifikua me refuzimet që kishte ndeshur institucioni që ai drejton, për të pasur një vend të ri plehrash. Menjëherë pas kësaj situate,sërish Bashkia tentoi të marrë kartonin jeshil nga Ministria e Mjedisit, duke kërkuar një vend ku të depozitoheshin plehrat e qytetit. Por edhe kërkesën e gushtit 2017,Ministria e rrëzoi për herë të dytë. Argumenti ishte qëndrimi kundërshtues i prefektit të Tiranës, i cili më herët nuk e kishte konfirmuar vendimin e Këshillit Bashkiak Kamëz. Tentativa e tretë e Bashkisë Kamëz ishte në vjeshtë 2017 dhe e katërta në janar 2018, ku në të dyja rastet humbi. Në këtë ping-pong tentativash për të marrë një leje në Valias, kryebashkiaku u lëshoi thirrje ndërkombëtarëve për të gjetur një zgjidhje emergjente, por gjithçka ra në vesh të shurdhër.

Kjo situatë përkoi gjithashtu edhe me një padi të depozituar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit në Gjykatën Administrative, kundër Bashkisë së Kamzës dhe si palë e tretë Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Inspektorati i Mjedisit. Padia u bë nga KSHH në dhjetor 2017 dhe kërkohej “detyrimi i Bashkisë Kamëz, për të informuar Agjencinë Kombëtare të Mjedisit për dëmin e shkaktuar nga ndotja dhe kryerja e rehabilitimit të gjithë dëmit duke përballuar kostot e vlerësimit të dëmtimit të mjedisit, të vlerësimit të masave të nevojshme përsa i takon pastrimit të mbetjeve urbane dhe inerteve, si dhe sistemimit të shtratit të lumit Tërkuzë”. Për këtë proces pati disa seanca. Komiteti Shqiptar i Helsinkit tha se gjatë monitorimit u konstatua shkallë e lartë e ndotjes në qytetin e Kamzës dhe pirgje të mbetjeve urbane. “Koshat janë të tejmbushur”, tregoi juristi i KSHH në gjykatë dhe se nuk transportohen në vendgrumbullimin e tyre. Në lumin Tërkuzë, u përshkrua në gjykatë, shtëllungat e tymit dukeshin së largu, ndërsa e gjithë zona ishte e mbuluar nga një re e zezë tymi që çlironte elementët helmues. Por përfaqësuesit e ndërmarrjes së pastrim gjelbërimit të Bashkisë Kamëz pretenduan se djegia e mbetjeve nuk ishte pasojë e veprimeve të tyre, sepse sipas tyre vend depozitimi i ri që do të jetë në kufi me Krujën, nuk është miratuar nga autoritetet. Më 16 maj 2018, Gjykata vendosi në favor të KSHH-së.

Vendimi

Në vendimin e gjykatës thuhet se mbrojtja e mjedisit nga ndotja dhe dëmtimi,përbën përparësi kombëtare dhe është e detyrueshme. Si kazus është sjellë nga gjykata rasti Guerra kundër Italisë, në të cilën paditësin pretendonin se u ishte shkelur integriteti dhe respekti i jetës ngaqë jetonin pranë një fabrike kimike. Ata pretenduan, thotë gjykata, se autoritetet kishin dështuar për t’i informuar për rreziqet, e për këtë arsye Gjykata e Strasburgut çmoi se ndotja e mjedisit ndikon në mirëqenien e individit. Për këto arsye, gjyqtarja administrative Enrjeta Shehaj detyron Bashkinë Kamëz që të informojë Agjencinë e Mjedisit për dëmin e shkaktuar nga ndotja e lumit Tërkuzë, dhe të rehabilitojë dëmin me parimin “ndotësi paguan”.

Në foto vendimi i Gjykatës Administrative.

Situata sot

Dhe kur çështja është ende në gjykatën e shkallës së dytë, koshat vazhdojnë të jenë të tejmbushura, ndërsa Bashkia Kamëz, ende nuk ka një vend se ku të depozitojë mbetjet. Porta Vendore tentoi të marrë një përgjigje nga kryebashkiaku Xhelal Mziu se ku hidhen mbetjet urbane, por nuk mori asnjë përgjigje, pavarësisht sorollatjeve të shumta për të lënë një takim me z. Mziu. Porta Vendore u interesua me tej për të investiguar situatën e mbetjeve dhe siç tregojnë dokumentet, në 23 maj të 2018 Bashkia e Kamzës ka lidhur një kontratë me objekt “dhënie me koncesion të shërbimit të pastrimit dhe grumbullimit e transportimit”. Kontrata është firmosur mes Bashkisë së Kamzës dhe shoqërisë“Alco impex gjeneral construction”, me afat për 12 vitet e ardhshme. Menjëherë pas kësaj kontrate AIGC, pra shoqëria e kontratës është bashkuar me shoqërinë 2T, duke formuar së bashku kompaninë Eco Cleaning .

Situata e mbetjeve urbane sot, ku plehrat qëndrojnë disa ditë pa u pastruar nga kazanët.

Nga kërkimet në QKB rezulton se Eco Cleaning ka si një nga qëllimet edhe pastrimin e Kamzës dhe hedhjen e mbetjeve në Valias, një qendër kjo që nuk ekziston dhe për të cilën ende nuk ka një leje mjedisi. Nga ana tjetër, në Ministrinë e Mjedisit është dorëzuar sërish së fundmi kërkesa për t’u pajisur me leje mjedisi për grumbullimin e mbetjeve në Valias, kërkesë e cila sërish nuk ka marrë dritën jeshile. Ketë herë, kërkesa është bërë nga Eco Cleaning. Porta Vendore kërkoi sërish në websitin e QKB dhe rezulton serrëzimi i kërkesës është bërë për dy arsye, të lidhet kontratë me Sharrën dhe të deklarohet destinacioni përfundimtar i mbetjeve. Por, derisa të realizohen këto dy detyra, Kamza do mbetet e pushtuar nga plehrat.

Banorët e Valiasit

Zona për të cilën Bashkia e Kamzës aplikon për vendgrumbullim të mbetjeve, në dokumente mban numrin e zonës kadastrale 2066. Por ndërsa burimet nga Bashkia e Kamzës, në rrugë jo zyrtare shprehen se për këtë vendgrumbullim nuk ka ankesa nga banorët, Porta Vendore ishte pikërisht në vendin e përfolur për vendgrumbullim. Ajo është një lëndinë që ndahet me shtëpitë e Valiasit të Vjetër nga një rrugë një kalimshme. Por banorët në fakt janë mjaft të tensionuar. Asnjëri prej tyre nuk është dakord që pranë shtëpisë, siç shprehen ata, tu vijnë plehrat. Zef Tuci tregon se protestat e tyre nisën gati një vit më parë. “Depozituam peticionin me 1500 firma”, tregon Tuci, “sepse ne jetojmë këtu dhe askush nuk na përfill. Por Bashkia herë pas here dërgonte punonjës,që herë shkrepnin foto dhe herë kryenin matje të tokës. Është e vërtetë” tregon Tuci, “që toka është pronë e Bashkisë, por askush nuk mundet të na sjellë plehrat afër pronës tonë”. Sipas tij,vitin e kaluar tre kamionë me plehra ishin bllokuar nga banorët pranë ish minierave dhe nuk ishin lejuar të shkarkonin mbetjet në tokën ku diskutohet. E njëjta gjë sipas tij do ndodhë nëse kjo tokë përdoret për këtë qëllim.

Edhe Bardha, 80 vjeçe shprehet e shqetësuar sapo mëson se toka vazhdon të jetë në letrat e Bashkisë si vendi ku këmbëngulet të grumbullohen mbetjet. E moshuara kujton se me gjithë qeveritë që vijnë e ikin, askush nuk ishte kujtuar t’u hapte rrugën. Kjo ndodhi muajt e fundit sipas saj, kur rruga në lagjen pranë parcelës 2066, u shtrua me çakëll.“Ata po e bëjnë këtë gjë që të na humbasin mendjen, por ne nuk pranojmë. Të gjithë ne kemi firmosur për jo dhe nuk ka si ndodh ndryshe”.

Porta vendore kontaktoi me administratorin e Eco Cleaning sh.p.k, Taulant Godroli, i cili u pyet se ku hidhen mbetjet aktualisht përsa kohë ka fituar koncesionin me Bashkinë Kamëz. Por Godroli refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve. Informacione u kërkuan edhe nga Bashkia e Kamzës, e cila preferoi të heshtë. Sidoqoftë në rrugë jo zyrtare nga burime të brendshme të Bashkisë Kamëz,na u tha se mbetjet transportohen në Sharrë.

Kontrata mes Bashkisë Kamzës dhe koncesionarit është lidhur më 23 maj të vitit 2018. Porta Vendore disponon një kopje të kësaj kontrate, ku në nenin 10, pika 1, deklarohet se “Koncesionari merr përsipër të vërë në punë stacionin e transferimit për seleksionimin e mbetjeve brenda 6 muajve nga dita e hyrjes në fuqi të kësaj kontrate, e cila ka hyrë në fuqi menjëherë pas firmosjes nga palët. Më 23 nëntor, afati prej 6 muajsh përfundon, por ende nuk është ndërtuar stacioni i transferimit dhe seleksionimit të mbetjeve. Sipas një tjetër pike të kontratës, pikërisht 12.1.4, parashikohet që “kur koncesionari braktis punimet për ndërtimin e impiantit për më shumë se 30 ditë të njëpasnjëshme, kontrata prishet”. Por, ka edhe një tjetër pikë në nenin 7, ku flitet për detyrimet e autoritetit kontraktues, që në këtë rast është Bashkia Kamzë. Pikërisht në pikën 2 të këtij neni deklarohet se me kërkesë të koncesionarit, Bashkia Kamëz merr përsipër përpjekjet për të ndihmuar kompaninë për çdo pengesë që mund të haset në kuadër të pajisjeve me leje, licenca dhe autorizime. Duke qenë se afati për ndërtimin e stacionit po përfundon dhe për të ditur se cila nga palët ka përgjegjësi për mos ndërtimin e tij, Porta Vendore pyeti në lidhje me këto pika të lartpërmendura Bashkinë Kamëz dhe Koncesionarin, por nuk mori përgjigje nga asnjëri prej tyre për një kontratë jo të vogël, por 12 vjeçare, me vlerë totale 1 miliard e 620 milionë lekë me TVSH që do të paguhen nga taksapaguesit e Kamzës. Po ashtu, Bashkia Kamëz u pyet edhe për vendimin e dhënë për lumin Tërkuzë, për të kuptuar nëse ka apeluar vendimin, ku gjykata e ka nxjerrë përgjegjëse për ndotjen, apo nëse ka nisur punën për rehabilitimin e lumit, por Bashkia Kamëz sërish nuk pranoi të japë një përgjigje,duke lënë në terr informativ publikun.

Rreth autorit:
Anila Hoxha është gazetare e çështjeve të drejtësisë në vend, dhe aktualisht punon në Top Channel.