Vëzhgim/Analizë

“Unaza e Madhe”, të drejtat dhe jo të drejtat e banorëve

19 nëntor 2018/ Elisa Gjerani/Esmeralda Keta/Porta Vendore/Tiranë

Situata në zonën e Unazës së Re, për shkak të projektit për Unazën e Madhe, rrezikon të dalë jashtë kontrollit.Nisja e punës për heqjen e shtyllave të ndriçimit, sinjalistikës dhe prerjes së pemëve, ka ‘ndezur gjakrat’ e banorëve, shtëpitë e të cilëve preken nga projekti prej 2.2 km i segmentit rrugor nga sheshi “Shqiponja” deri te mbikalimi “Pallati me Shigjeta”. Prej 15 ditësh në protesta, ata kanë paralajmëruar se do të bëjnë rezistencë dhe do t’i mbrojnë shtëpitë me armë. Aktivistët e shoqërisë civile u japin të drejtë banorëve, ndërkohë që Avokati i Popullit ka nisur hetimet, pas ankesës së 200 banorëve, për procedurat e ndjekura nga autoritetet shtetërore . Komiteti i Helsinkit, po ashtu po heton nëse këta banorë janë në kushte të diskriminimit dhe trajtimit të pabarabartë, duke qenë se vetë qeveria “ka legalizuar një proces të paligjshëm”, kurse juristët japin skenarët e mundshëm sesi mund të gjejnë zgjidhje banorët e prekur nga ky projekt.

Projekti i plotë dhe Unaza e Re
Porta Vendore ka siguruar projektin e plotë për Unazën e Madhe, ku rezulton se në total do të preken 317 objekte, të cilat do të rrafshohen për t’i hapur rrugë ndërtimit të saj. Sipas të dhënave, nga 317 objekte, 123 objekte janë me vërtetim pronësie, 163 në proces legalizimi, 22 të skualifikuara, 4 të trajtuara me VKM-në nr. 442 datë 18 korrik 2018 dhe për 5 nuk ka informacion. Ndërsa në zonën e Unazës së Re, pra nga sheshi “Shqiponja” deri te mbikalimi “Pallati me Shigjeta”, rezulton se janë identifikuar 242 objekte, ku 102 prej tyre janë me vërtetim pronësie, 135 janë në proces legalizimi dhe 5 nuk ka informacion. Sa i përket 135 objekteve që janë në proces legalizimi, por që tashmë do të s’kualifikohen nga ky proces, rezulton se 33 janë prishur nga autoritetet ligjzbatuese para se të fillojë përplasja. Fatura financiare vetëm për rrugën (pa shpronësimet), sipas projektit të shpallur fitues në Agjencinë e Prokurimit Publik, për ndërtimin e tri loteve të para, është 5.98 miliardë lekë. Ideja paraprake për Unazën e Madhe daton që përpara viteve ’90. Gjatësia e Unazës shkon në 27 kilometra në total për gjithë projektin. Aktualisht janë të përfunduara segmentet nga Fusha e Helikopterëve në Farkë deri te Shkolla Teknologjike, që njihet si zona e pallatit me shigjeta. Janë në ndërtim 5 lote: konkretisht 2 lote në segmentin Fusha e Helikopterëve (Farkë) deri në Shkozë-Materniteti i Ri dhe 3 lote rikualifikimi nga Shkolla Teknologjike deri tek Sheshi Shqiponja.

Tabela me evidentimin në terren nga grupet e punës për objektet në zonën e Unazës së Re

Burimi: Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë

Protesta e banorëve

Pikërisht, ky projekt ka sjellë reagimin e banorëve në zonën e “Astirit”, të cilët mes protestave të forta, bllokime rrugësh dhe kërcënime për vetëflijim, kanë mbyllur ditën e dielë, ditën e 15-të të protestave, ditë që përkon edhe me afatin dyjavor që sipas tyre u ishte lënë nga autoritetet për të liruar shtëpitë.

Ngritja e kantierit të ndërtimit dhe instalimi i automjeteve të rënda për nisjen e punimeve, ka provokuar edhe më shumë banorët, shtëpitë e të cilëve do tu vihet ruspa. Banorët i kanë kërkuar kompanisë që të largojë vetë mjetet e rënda, ndërsa kanë deklaruar se sot nisin protestat pa afat. Ata ndihen shpresëprerë dhe të tradhtuar.

Gani Veliaj ka ardhur nga Përmeti më 1998-ën dhe ka blerë truallin mbi të cilin më vonë ndërtoi një shtëpi dykatëshe. Aktualisht shtëpinë e ka ndarë me tre vajzat e tij të martuara, që i ka marrë pranë vetes për të qenë të gjithë së bashku. Kjo shtëpi është investimi, jo vetëm i gjithë jetës së tij, por edhe i vajzave të tij. Në murin rrethues pas shtëpisë është vënë shenja e kryqit që do të thotë se do të jetë kufiri deri ku do të shkojë zgjerimi i unazës së re, duke i lënë këto katër familje pa çati mbi kokë. “Unë kur kam nisur të ndërtoj në këtë tokë në vitin 1998,kam shkuar pranë zyrës së urbanistikës së qytetit dhe i kam thënë: kjo është prona që unë kam, deri ku mund të ndërtoj unë që të mos më preket nga ndërtimi i rrugës, pasi e dinim që këtu parashikohej të kalonte unaza. Ekspertët erdhën, bënë matjet dhe vunë edhe piketat se deri ku ishte kufiri i fundit ku unë mund të ndërtoja. Dhe ashtu ndodhi! Unë ndërtova shtëpinë aty ku më thanë ata të urbanistikës, dhe kur u ndërtua Unaza, ne ishim në rregull. Shtëpia nuk na u prek. Tani na doli nga hiçi ky projekti i ri, që pa u konsultuar me askënd, pa na marrë në konsideratë, e kanë zgjeruar dyfish dhe askush nuk pyet se çfarë do të ndodhë me ne. Unë e kam me dokumente truallin, e kam me hipotekë. Kam investuar së bashku me vajzat që prej 1998-s dhe ky thotë që do të dëmshpërblej me 10% të vlerës? Ndërkohë, unë e kam blerë truallin 15 milionë lekë të vjetra, i kam paguar pronarit edhe 30 milionë lekë të tjera se ai që ia kisha blerë, ia kishte shitur edhe një tjetri para meje, kam paguar për procesin e legalizimit…dhe ky më thotë nëse nuk të pëlqen hidhe në gjykatë? Më shkoi pjesa më e madhe e jetës duke ndërtuar shtëpinë këtu, dhe tani të endem në gjykatë për lekët e mia? Kështu trajtohen njerëzit?” , na thotë Ganiu.

“Ne jemi për psikolog, po na ikën truri. A ka më keq se kaq? Të punosh gjithë jetën për një copë shtëpi dhe pasi mendon që të paktën nuk je pa çati mbi kokë të të vijnë e të ta prishin? Po ne kemi lënë kockat, së bashku me fëmijët këtu”, na thotë e tensionuar një mesogrua që qëndron e ulur në një karrige në trotuar, përpara shtëpisë së saj.

Familjarët, bashkëshorti, djali me nusen, vajzat që i ka të martuara po në këtë zonë së bashku me familjet e tyre, i ka në protestë, e ajo, i pret e pikëlluar me shpresën se do të marrë një lajm të mirë.

“Nipi dhe mbesa ime vijnë të traumatizuar nga shkolla. Më pyesin çdo ditë: Ku do të shkojmë ne o nëna po na e prishën shtëpinë? Nuk do të shkojmë më te kjo shkolla? Nuk do të kemi më këta shokë? A ka njeri t’u japë përgjigje nipërve e mbesave se unë nuk di çfarë t’u them”, thotë ajo për Porta Vendore, e cila sqaron se ajo bën pjesë në kategorinë e familjeve që ka dokumente pronësie.

Por pavarësisht kundërshtive të forta që kanë bërë, banorët shprehen se nuk janë kundër projektit. “Nuk jemi që të mos bëhet rruga, ne kërkojmë që sa shtëpi të na prishet aq shtëpi të na jepet. Të na dëmshpërblejnë me çmimin e tregut ose të ndërtohet një pallat dhe të na strehojnë aty. Unë jam katër kurorë në këtë shtëpi (një vilë dykatëshe) dhe të na japë 4 shtëpi. Ose t’i jap unë ErionVeliaj atë 10% që do të më dëmshpërblejë dhe të më blejë ku të dojë 4 hyrje në Tiranë”, përfundon Ganiu.

Protesta e banorëve është mbështetur edhe nga aktivistët e shoqërisë civile. “Unë mendoj se në realitetin shqiptar, autoriteti i ligjit është përtokë, sepse ligjin nuk e bën përmbajtja, por autoriteti që garanton zbatimin. Në 28 vjet ligji nuk ka vlejtur asgjë, sepse është shkelur rëndom. Madje, shkelja e ligjit, përveç ilegalitetit, ka prodhuar pabarazi të mëdha në shoqëri. Në këtë aspekt, ekuilibrat socialë janë prishur dhe nuk është çështje ligji kjo punë, është çështje drejtësie sociale. Dhe këtu kemi 3 momente: raportin e pronarëve të vjetër me shtetin e munguar, raportin mes pronarëve të rinj dhe pronarëve të vjetër, raportin mes pronarëve të rinj dhe shtetit. Me këtë sistem shoqëror, komplet të cenuar në thelb, mendoni se gjërat mund të rregullohen me ligj? Këtu duhet të rivendoset drejtësia sociale ndaj atyre që u janë zënë pronat dhe ndaj atyre që janë detyruar ta ndërtojnë jetën e tyre në kurriz të një paligjshmërie. Në fund përgjegjësia bie mbi autoritetet për ta rregulluar këtë gjë, dhe jo me policë, sepse kjo është shenjë autokraci, nuk ka lidhje me një shtet demokratik, detyra e të cilit është që të krijojë shanse të barabarta për të gjithë”, deklaroi ErvinGoci, aktivist i shoqërisë civile.

Gjatë protestës së të premtes, në zonën e Astirit.

200 banorë, tek Avokati i Popullit

Në mbrojtje të banorëve duket se ka dalë Avokati i Popullit, Erinda Ballanca, e cila deklaron se i gjithë ky proces është në amulli dhe kërkon që të verifikohet me detaje ky projekt. “Nuk dihet ende me saktësi se sa është numri i objekteve që preken nga ndërtimi i këtij segmenti dhe cili është statusi juridik i tyre. Pranë nesh ka ardhur një ankesë nga 200 banorë të kësaj zone. Të fshihesh pas një deklarate se janë ndërtime pa leje, është e pafalshme. Kemi nisur një hetim të procedurave të ndjekura nga vetë autoritetet shtetërore që duhet të kishin ndërmarrë përpara se të çojnë automjetet për të nisur punimet. ARRSH-ja nuk e di ende se sa objekte preken me saktësi nga ndërtimi i këtij segmenti rrugor, sa sipërfaqe trualli duhet të shpronësohet, sa sipërfaqe banimi duhet të dëmshpërblejë, nuk e di ende statusin juridik të çdo banese që preket nga shpronësimet për këtë projekt dhe kjo është e pafalshme. Po ashtu ky projekt nuk ka marrë ende lejen ndërtimore për të nisur punimet që është ABC-ja. Është e pafalshme që institucionet nuk gjejnë ende zgjidhje për banorët”, ka deklaruar për mediat Ballanca. Sipas saj, as justifikimi se kemi të bëjmë me një projekt për interesa të mëdha publike, nuk qëndron. “Fillimisht duhet gjetur zgjidhja, duhen dëmshpërblyer këta banorë, qoftë edhe një i vetëm, të dalin paratë dhe pastaj të nisë shembja e shtëpive. E drejta e pronës është një e drejtë themelore”, shpjegon Ballanca.

KSHH nis hetimin në terren

Ndërsa Për Komitetin Shqiptar të Helsinkit gjërat nuk janë aq të thjeshta për t’u interpretuar. Një grup ekspertësh kanë shkuar pranë banorëve për të marrë të dhëna, si: kur e kanë ndërtuar objektin, kostot e ndërtimit, a kanë pasur këshillim me strukturat, a e kanë futur objektin në proces legalizimi, sa kanë shpenzuar, a kanë dokumente, çfarë lloj dokumentesh, çfarë kërkojnë ata dhe përse nuk e pranojnë zgjidhjen e ofruar nga autoritetet. Në bazë të përgjigjeve të banorëve do të dilet me një relacion që do u dërgohet të gjithë institucioneve përgjegjëse. Erinda Skëndaj, drejtore e ekzekutive e KSHH, sqaron për “Porta Vendore” se po hetojnë nëse ka elementë të diskriminimit dhe pabarazisë. “Dihet që banorët kanë ndërtuar pa leje, por sa kohë që thuajse të gjitha qeveritë, një pjesë të tyre i kanë legalizuar, ka rritur pritshmërinë që të edhe të tjerët të përfitojnë nga ky proces. Në këtë situatë sa kohë që qeveria, në disa raste tashmë e ka legalizuar këtë proces të paligjshëm (duke u shpërndarë hipotekat edhe pse kanë ndërtuar pa leje), nuk ka pse të tjerët të “ndëshkohen” për të njëjtën situatë, ndryshe do të ishte diskriminim dhe trajtim i pabarabartë. ..Prandaj ne po hetojmë nëse janë aplikuar të njëjtat kritere për të gjithë”, përfundon Skëndaj.

Ministria e Infrastrukturës

Pikërisht për të sqaruar këtë amulli, Porta Vendore pyeti pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) sesi do të procedohet me këtë projekt. Ministria e Infrastrukturës deklaroi zyrtarisht se deri tani nuk ka dhënë asnjëri afat se kur do të prishen këto banesa. “Aktualisht në terren është bërë vetëm verifikimi i banesave, në çfarë statusi janë, kush ka vërtetim pronësie, kush është në proces legalizimi, kush ka marrë përgjigje, etj. Por, nuk është caktuar dhe dhënë asnjë afat se kur duhet të dalin nga banesat banorët dhe të bëhet prishja e tyre. Pas verifikimit në terren, pra që janë identifikuar objektet që do të prishen, të cilat në zonën në fjalë janë 248 të tilla, pasi pjesa tjetër ndodhet në anën Lindore, tashmë ka filluar puna koordinuese mes institucioneve për të bërë aktin e konstatimit për secilin objekt. Mbi bazën e këtij dokumenti, pra aktit të konstatimit, do të bëhet njoftimi në terren, pavarësisht se banorët thonë se nuk na është lënë asnjë copë letër. Madje, duhet të dalë dhe VKM për ata që do të shpronësohen, që ende nuk ka dalë. Pas këtyre veprimeve, IKMT u dërgon aktin e konstatimit atyre që kanë objektet në pronësi, u jep afatet përkatëse ligjore dhe nis prishja e objekteve. Ata që kanë vërtetim pronësie shpronësohen me vendim qeverie, të tjerëve u bën bashkia kontrata për bonusin e qirasë për tre vjet dhe pastaj janë prioritet për trajtimin me banesa sociale nga programet e bashkisë”, deklaroi Ministria e Infrastrukturës. Madje, MIE theksoi që “e njëjta praktikë për projekte të tilla është bërë me zonën e Shkozës, me zgjatimin e bulevardit te stacioni i trenit dhe po ashtu me Unazën e Re nga Pallati me Shigjeta deri te Komuna e Parisit, e cila është bërë në kohën kur Bashkia drejtohej nga LulzimBasha”.

Mungojnë dëgjesat publike

Sipas ekspertëve të pushtetit vendor, për këtë proces duhej të ishin bërë ashtu siç parashikon ligji 136 dhe 119, 3 dëgjesa publike, nëse projekti i unazës së re është projektuar pas vitit 2014, vit në të cilin ka hyrë në fuqi ligji për planifikimin e territorit, si dhe duhet të ishte diskutuar në këshill bashkiak dhe të bëhej publik vendimi. Ndërsa e pyetur nga Porta Vendore, Bashkia Tiranë tha se ky është një projekt i ARRSH dhe bashkia nuk ka lidhje as me dëgjesat publike, pasi është marrë vetëm institucioni i sipërpërmendur, ndërkohë që bashkia do të bëjë të mundur pagesën e bonusit të qerasë për periudhën kohore të 3 viteve për familjet, të cilat nuk kanë dokumentacion. Ndërsa Ministria e Infrastrukturës, që ka në varësi ARRSH-në, deklaroi se ky rast përjashtohet nga dëgjesa, pasi në këtë rast rëndësia e një vepre publike prevalon përballë mendimit qytetar.

Përplasjet politike

Por projekti për ndërtimin e Unazës së re ka hapur një llogore të re beteje edhe për opozitën, të cilët i janë bashkuar protestës së banorëve. Ndërsa bashkia është mbrojtur duke thënë se gjurma e këtij projekti është miratuar që në kohën e Lulzim Bashës, opozita ka deklaruar se projekti është ndryshuar krejtësisht dhe nga një Unazë ajo ka marrë karakteristikat e një autostrade. Sipas opozitës, në këtë variant është rritur gjerësia e unazës, nga 27 metra që ishte projekti i miratuar, në 63 metra. Sipas opozitës, zgjerim të ndjeshëm ka pësuar edhe trotuari i njërës anë, që nga 11 metra, tashmë është parashikuar të shkojë në 33 metra.

Por, ARRSH ka nxjerrë një sërë dokumentesh, duke deklaruar që Unaza e Madhe e Tiranës është konceptuar që në fillimet e saj si Autostradë – rrugë kategoria A. “Inicimi i këtij projekti për realizimin e Unazës së Madhe, si projekt-ide daton që në kohën e qeverisë së Adil Çarçanit dhe realizimi daton që në vitin 1996. Pikërisht, në segmentin rrugor Pallati me Shigjeta – Sheshi Shqiponja, me një projekt të hartuar në atë kohë nga ISPN2 (Instituti i Studim Projektim Ndërtim 2, ku profili tërthor i parashikuar ka qenë 58 m), për arsye financimi dhe të tjera në atë kohë nuk u realizua në zbatim. Sipas saj, ky projekt është miratuar nga Bashkia e Tiranës edhe në vitin 2012, kur në krye ishte Lulzim Basha, ndërsa me projektin e vitit 2018, vlen të citohet fakti se profili tërthor i projektit aktual nga 58 metra është 53.8 m. Segmentet e tjera të përfunduara së ndërtuari në zona urbane janë po të njëjta në kategori A urbane me atë të segmentit Pallati me Shigjeta – Rrethrrotullimi Doganës, projekt i miratuar nga Basha.

Avokati: Skenarët për kategoritë e prekura

Avokat Adriatik Lapaj nga Dhoma e Avokatisë Tiranë, e sheh si një të drejtë të padiskutueshme protestën e banorëve, ndërsa sa i takon kërkesave të tyre për dëmshpërblim, ai mendon se “nuk mund të ketë një përgjigje me PO ose JO, pasi problematika aty është e shumëfishtë”. Sipas tij, shteti shqiptar po krijon një precedent të gabuar, pasi në situatë të ngjashme, po i trajton njerëzit në mënyrë të diferencuar, duke shkelur kështu parimet bazë të kushtetutës. Sipas tij, as premtimi i qeverisë për tu paguar për 3 vite bonusin e qirasë nuk është i drejtë, pasi “bie ndesh me rastet e tjera ku banorët janë trajtuar me nga 2 vite qira”. Sipas avokat Lapaj në këtë zonë janë 4 kategori banesash që kanë statuse juridike të ndryshme, por sipas tij, referuar Kushtetutës tonë “E drejta e pronës” është e garantuar, por shteti me ligj mund të shpronësojë për interes publik dhe gjithmonë me një shpërblim të drejtë.

Kategoria e banorëve që kanë certifikata pronësie, por u është përllogaritur vlerë e ulët për banesat dhe bizneset e tyre: “Lidhur me rastin e Unazës së re për të gjitha ato familje që kanë një certifikatë pronësie dhe u del emri për shpronësim në Vendimin e Këshillit të Ministrave të nxjerrë në zbatim të Ligjit nr. 8561datë 22.12.1999 “për Shpronësimet dhe Marrjen në Përdorim të Përkohshëm të Pasurisë Pronë Private për Interes Publik” dhe që nuk janë dakord me vlerën që nga ana e qeverisë u ka përllogaritur në VKM, mund ti drejtohen gjykatës sipas nenit 41 pika 5 të Kushtetutës dhe të kërkojnë vlerën e pronës sipas çmimit të Referencës apo tregut. Këtu dua të saktësoj se nëse qeveria me VKM të posaçme e ul vlerën e referencës për të ulur kostot e shpronësimit, unë gjykoj se në gjykatë duhet të kërkohet vlera me VKM-në përpara ndryshimit ose me mesataren e transaksioneve të 6 muajve të fundit për shitblerjet në zonë”, shpjegon avokati Adriatik Lapaj.
Kategoria e banorëve që nuk kanë certifikata pronësie, por janë në proces legalizimi dhe u ka dalë emrinë VKM për kalimin e parcelës ndërtimore në pronësi, por që nga procesi i zgjerimit të unazës bazuar në nenin 39 të Ligjit Nr. 9482, Datë 03.04.2006 “Për legalizimin” janë përjashtuar nga procesi i legalizimit e për pasojë nuk shpronësohen e nuk marrin vlerën e banesave dhe bizneseve të tyre: “Këta banorë në gjykimin tim të gjithë kanë të drejtë të kërkojnë dëmshpërblim dhe nëse nuk ua jep qeveria me VKM të posaçme siç u bë në rastin e “Bulevardit Verior të Tiranës dhe Lumit të Tiranës”, atëherë duhet të padisin Këshillin e Ministrave dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar për shpërblim dëmi pasuror dhe jopasuror për prishjen e banesave të tyre në mënyrë të paligjshme. Në gjykimin tim, kjo kategori banorësh është absolutisht në të drejtën legjitime të rezistojë ndaj padrejtësisë që po i bëhet, pasi Shteti Shqiptar për këtë situatë juridike ka një precedent të mëparshëm dhe askush në një vend ku Kushtetuta në nenin 18 përcakton se “Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit” nuk mund të tentojë të bëjë trajtim të diferencuar për kushte të njëjta juridike, pasi do të ishim në shkelje flagrante të këtij neni kushtetues. Shteti Shqiptar në rastin e investimeve te “Bulevardi i Ri i Tiranës” dhe te projekti “Për rehabilitimin e Lumit të Tiranës” përmes një VKM-je të posaçme (Nr. 563, datë 3.8.2011) ka vendosur standardin se kushdo që ka qenë në një proces legalizimi dhe për ta disponohet një akt i Këshillit të Ministrave, i botuar në Fletoren Zyrtare, në zbatim të ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006, të ndryshuar, që identifikon objektin e tyre dhe këtë subjekt (person fizik/juridik) si zotërues të objektit pa leje apo shtesës pa leje në parcelën ndërtimore; apo subjekti zotërues ka ngritur objektin në tokë të tij/shtetit dhe nuk është skualifikuar nga procedura e legalizimit (përpara nisjes së projektit), përjashtimisht, për investimet në akse rrugore kombëtare, shpronësohen edhe zotëruesit privatë të objekteve/pasurive të paluajtshme të paregjistruara në regjistrat publikë të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Edhe pse VKM-ja e mësipërme ka qenë me afat dhe vetëm për rastin e objekteve që do prisheshin për realizimin e projektit të Bulevardit të Ri dhe Lumit të Tiranës, mendoj se bazuar në nenin 41 të Kushtetutës, qytetarët duhet fuqishëm të kërkojnë të trajtohen me atë standard dhe në mënyrë të barabartë përpara ligjit. Tashmë ai standard nuk mund të zhbëhet”, – shpjegon Lapaj.
Kategoria e banorëve që nuk kanë certifikata pronësie, por janë në proces legalizimi dhe nuk u ka dalë emri në VKM për kalimin e parcelës ndërtimore në pronësi, por që nga procesi i zgjerimit të unazës bazuar në nenin 39 të Ligjit Nr. 9482, “Për legalizimin”, janë përjashtuar nga procesi i legalizimit e për pasojë nuk shpronësohen e nuk marrin vlerën e banesave dhe bizneseve të tyre: “Këto familje besoj se nuk kanë hapësirë për t’u trajtuar aktualisht me shpronësim pasi që të shpronësohesh duhet të jesh së pari pronar, por ligjërisht unë për këtë kategori shikoj si mundësi vetëm Gjykatën dhe konkretisht t’i drejtohen me padi për shpërblim dëmi subjektit që bën prishjet dhe konkretisht Bashkisë Tiranë, Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Këshillit të Ministrave (këtu duhet parë rast pas rasti kush e ka legjitimitetin pasiv, pra kush mund të thirret si i paditur). Paditë duhet të mbështeten në praktikën e brendshme juridike dhe atë ndërkombëtare dhe konkretisht: Vendimin e Gjykatës Europiane të së Drejtave të Njeriut, çështja Oneryldiz kundër Turqisë; Vendimin e Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë me nr. 104, datë 20.03.2014. I njëjti qëndrim është mbajtur dhe nga Gjykata e Lartë në Shqipëri, e cila është shprehur:Nisur nga sa më lart, për çështjen objekt shqyrtimi, konkludohet se, pavarësisht faktit nëse paditësi është bërë apo jo pronar me tagra të plota i pronës në fjalë, ai, sidoqoftë ka një interes ekonomik substancial për të mbrojtur, bazuar në posedimin e ligjshëm me mirëbesimtë saj.” (pra sa kohë ka qenë në një proces të ligjshëm legalizimi)”
Kategoria e banorëve që nuk kanë certifikata pronësie dhe që nuk janë futur fare në proces legalizimi. “Kjo kategori mund të ndjekë rrugën e sipërcituar, por në gjykimin tim do të ishte shumë e vështirë pranimi nga gjykata sa kohë nuk ka nisur fare një procedurë legalizimi. Për këtë kategori mendoj se zgjidhja do të ishte Ligji Nr. 22/2018 “Për strehimin social” përmes programeve sociale të strehimit të parashikuara nga neni 11 dhe konkretisht:
a) programi i banesave sociale me qira;
b) programi i banesave me kosto të ulët;
c) programi për zhvillimin e zonës me qëllim strehimi;
ç)programi për krijimin e banesave të përkohshme;
d) programi i banesave të specializuara.

Rreth autorit:
Elisa Gjerani, Kryeredaktore e platformës “Porta Vendore”, është gazetare me eksperiencë 10-vjeçare, e cila ka punuar në disa media kombëtare dhe vizive në funksione të ndryshme dhe është fituese e çmimeve të ndryshme për gazetarinë investigative dhe sociale. Ajo ka mbaruar studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës dhe ka Master Shkencor për Drejtim dhe Menaxhim Mediash. Prej disa vitesh është përfshirë edhe në projektet e shoqërisë civile.

Esmeralda Keta është gazetare e çështjeve sociale në Tiranë