Ngjarje/Personazhe

Kryepleqtë e Tiranës: njerëzit “e fortë” që ekzistojnë edhe pasi fshati ka “vdekur”

17 nëntor 2018/ Ylli Pata/Porta Vendore/ Tiranë

Pas reformës territoriale, tre vite më parë, roli i kryepleqve nëpër fshatra u shfuqizua disi. Ata sot marrin vetëm 42mijë  lekë të vjetra në muaj pagesë nga Bashkia Tiranë, çka është e pamjaftueshme për 144 kryepleqtë që shërbejnë si urë lidhëse midis komunitetit dhe njësisë administrative e Bashkisë. Sfida e përditshme e tyre është monitorimi i vendit dhe moslejimi i konsumimit të veprave të paligjshme nga banorët, si mbjellja e hashashit, mos lidhja e ujit të pijshëm në mënyrë abuzive etj. Ndërkohë që në kohë fushate, ata mbeten njerëzit më të kërkuar, të cilët presin të “joshen” nga partia që bën ofertën më të madhe, kundrejt votave.

Kryepleqtë, larg qytetarëve

Artan Sarani, një student nga Mëzezi thotë se hoqi picirin, kur iu desh të merrte letrat për patentën.

Djaloshit të ri, i cili punon si kamerier në një nga lokalet e bllokut, iu desh që të merrte një vërtetim të firmosur e vulosur nga kryeplaku, e më pas të shkonte në njësinë bashkiake për të marrë lejen e banimit, e prej aty, në ambulancë dhe zyrat e tjera për të plotësuar pirgun me shkresa. Për të, puna e kryeplakut nuk e ka lehtësuar fare të gjithë këtë zinxhir të gjatë burokracish institucionale.

“U mora tre ditë për të gjetur kryeplakun, i cili kishte shkuar në një dasmë në Itali dhe s’mund të merrja vërtetimin e banimit. Ai e kishte marrë vulën me vete, ndërkohë që te Njësia Administrative askush nuk më jepte shërbimin e duhur”, thotë Artani për Portën Vendore.

Njësia Administrative Kashar, e cila mbledh Unazën e re, Yzberishtin dhe tërë zonën e ish-komunës Kashar megjithëse ka administratë, dokumentet e pronësisë dhe të vendbanimit duhet të certifikohen nga kryepleqtë.

Një qytetar, që të regjistrohet si banues i Njësisë Kashar, i duhet të shkojë të takojë kryeplakun, i cili nuk ka një zyrë . Pra për të kryer një veprim procedural normal, i duhen disa ditë për t’u marrë me letrat, ndërkohë që qeveria ka shpallur lehtësimin e burokracisë për qytetarët.

Prej tre vjetësh, pas hyrjes në fuqi të Reformës së re Administrative, bashkëjetojnë në strukturën e re edhe administratorët apo krerët e njësive administrative të Bashkisë së madhe të Tiranës, por edhe kryepleqtë, që në fakt me ligj quhen “kryetarët e fshatrave”.

Problemi është se krerët e fshatrave veprojnë edhe aty ku fshati ka ‘vdekur’ me kohë pasi është kthyer në një zonë urbane, dhe kjo e bën procesin më të vështirë, sidomos për qytetarët, të cilët përballen gjithnjë me vështirësi.

Kryepleqtë, hallka në pushtetin vendor

Kur flasim për kryepleqtë duhet të kuptojmë që për një grup njerëzish, ata përbëjnë grupe interesi që zgjidhen në rokada të ndryshme të pushtetit, përfaqësojnë fise të rëndësishme që kanë ndikim ‘tribal’ në komunitet, por në fund sigurojnë edhe votat e duhura për partitë që duan t’i shohin fitimtarë në zgjedhje. Vetëm në kryeqytet numërohen rreth 144 kryepleq.

Në kodrën ku mbaron blloku kryesor i pallateve të Yzberishtit, në të majtë të udhës që të çon te dy shkollat publike të zonës; asaj 9 vjeçare dhe gjimnazit, ndodhet rruga “Bakalli”, që lidh lagjen e vjetër të Yzberishtit me Kombinatin.

Kjo zonë autoktone kryeqytetase, është e ndërtuar kryesisht me shtëpi private, që ndodhen aty gati prej afro 50 vjetësh.

Në mes të rrugës ndodhet një shtëpi e rrethuar me kangjella, ku disa njerëz me letra nëpër duar japin e marrin me një burrë në meso-moshë e gjigant në trup, i cili flet me të gjithë, duke qeshur.

Ai është Dylber Bakalli, kryeplaku i Yzberishtit, i zgjedhur prej dy mandatesh dhe që i përket një familje të rëndësishme të zonës. Bindjet e tij politike ai i ka të deklaruara, partia e tij është socialistja, megjithëse sa herë ka zgjedhje, atij nuk i mungojnë ofertat nga partitë e tjera.

Kryeplaku na fton të ulemi në një tavolinë në oborrin e shtëpisë, ku në katin e parë ndodhet edhe një bar kafe. “Kjo është zyra ime”, qeshet me të madhe Dylberi, duke fërkuar mustaqet që i mban si burrë zamani.

Kur e pyet për punët dhe detyrën e tij, Dylberi bëhet menjëherë serioz dhe të fton që të presësh pak.

“Numri i njerëzve që kanë nevojë për dokumentacion dhe vërtetime nga kryeplaku është shumë i madh, kurse unë nuk kam asnjë ambient, apo vend për t’i pritur. Yzberishti nuk është një fshat ku kryesisht ka 50-100 shtëpi, por një zonë që po shkon deri në 100 mijë banorë. Por të ishin vetëm vërtetimet, ja bëja hallall, por puna më e rëndësishme dhe më e komplikuar është kontrolli metër për metër i territorit për ndërtime të paligjshme, lidhje uji të parregullta, linjë energjie, kanale, por edhe për mbjellje të cannabis cativa’, rrëfen ai.

Ai thotë gjithashtu, se nuk mungojnë raportet e shpeshta, që një kryeplak duhet të bëjë për zonën e tij si dhe monitorimin për paligjshmëri. Sipas nenit 71 të Ligjit 139/2015 datë 17.12.2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore” , kryetari ose kryesia e fshatit kryen edhe detyra të tjera përveç vulosjes së dokumenteve, siç janë mbikëqyrja për ndërtime të paligjshme apo funksionimi i linjave të ujësjellësit, por edhe mbjellja e fushave me kanabis.

Dylber Bakalli, Kryeplaku i Yzberishtit. Foto: Ylli Pata

Kryeplaku i Yzberishtit është atipik, pasi është “kryefshatari” i një zone tashmë të urbanizuar ku prej disa vitesh janë ndërtuar blloqe të shumta pallatesh dhe banojnë gati 100 mijë banorë.

Megjithatë, këto zona ku kryepleqtë kanë influencë të mëdha lulëzuan nga ndërtime pa kriter duke shfrytëzuar pronën publike për pallate banimi.

Në Yzberisht është një pallat që është ndërtuar pikërisht në një truall, ku ishte parashikuar një lulishte.

Nuk kalon shumë dhe në barin e Dylberit ja behin edhe kolegët e tij nga disa “fshatra” përreth.

“Jemi zgjedhur me votat e komunitetit, i shërbejmë çdo ditë dhe përballemi me hallet e qytetarëve, ndërkohë që merremi po aq shumë me problemet e shtetit. I bie zonës pash më pash dhe nëse kapet drogë, policia më arreston mua përse nuk e ruajta, por pagesa jonë është qesharake”, thotë kryeplaku i një fshati pranë Yzberishtit.

Ata marrin prej vitesh 42 mijë lekë të vjetra në muaj, por tani kërkojnë shtesë. Sipas tyre, ka bashki edhe më të vogla sesa Tirana që i paguajnë më shumë kryepleqtë, si për shembull Bashkia e Elbasanit, ku pagesat kanë arritur deri në 120 mijë lekë të vjetra në muaj.

Kryepleqtë e Tiranës kanë zhvilluar disa takime me zyrtarë të Bashkisë ku kanë kërkuar zyrtarisht rritjen e pagës.

Krerët e fshatrave thirren edhe në mbledhjet e Këshillit Bashkiak pa të drejtë vote. Ata kanë të drejtë të shprehin mendimet në mbledhje për çështje që janë të lidhura me fshatin përkatës, megjithëse nuk është respektuar pothuajse asnjëherë ky kriter.

Njësia administrative Kashar. Foto: Ylli Pata

Abuzime nga Kryepleqtë

Në vitin 2014, kryetari i atëhershëm i Komunës Farkë, Fatbardh Plaku, u vu nën hetim nga policia për mbivendosjet e pronave. Së bashku me Plakun u vu nën hetim edhe një punonjës kadastre.

Po në këtë vit, Prokuroria e Përgjithshme, përkatësisht njësia antikorrupsion ka hetuar një denoncim të Kontrollit të Lartë të Shtetit, për abuzime me pronat dhe trojet e ndërtimit në komunat e Dajtit, Kasharit dhe Petrelës.

Rehat Sula, është një banor i vjetër i Farkës dhe thotë se problemi me mbivendosjet e pronave është një kancer për zonën.

“Jemi mbi 30 familje nëpër gjyqe, kanë marrë letra pronash edhe njerëz që nuk e dinë fare ku bie Farka. Mbetëm gjyqeve, por asgjë nuk është zgjidhur. Kryeplaku? Çdo leje apo shkresë në radhë të parë kalon nga ai”, thotë Rehat Sula për Portën Vendore.

Bashkia Tiranë: Do të rishikohen pagesat për vitin e ardhshëm

Erind Bejko, Drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Objekteve në Bashkëpronësi në Bashkinë e Tiranës dhe i koordinimit të Njësive Administrative, shpjegon për “Porta Vendore”, qëndrimin dhe vizionin e ekzekutivit të kryeqytetit për “kryefshatarët”.

“Në thelb, termi kryeplak nuk ekziston më zyrtarisht. Sipas reformës territoriale tashmë quhet kryetar/e fshati ndërsa për zonat urbane quhet ndërlidhës me komunitetin. Mbi çështjen e kompetencave dhe konfliktit të supozuar midis administratorit të njësisë dhe kryetarit të fshatit, këto dy role janë krejtësisht të ndryshëm në natyrë dhe nuk ka konflikt në të vërtetë, nuk mund të ketë”, shton Bejko.

Ndërkaq, Bejko, për “Porta Vendore”, jep edhe një lajm për kryepleqtë e “irrituar”.

“Duke ju kthyer dhe njëherë ligjit 139 për vetëqeverisjen vendore, kryetari i fshatit shpërblehet për punën e tij, sipas kritereve të vendosura nga këshilli bashkiak. Rrjedhimisht në rast se kërkesa për rishikim të pagave i drejtohet këshillit, komisionet përkatëse do duhet të shqyrtojnë kërkesën dhe të analizojnë sa justifikohet kërkesa me kontribut konkret dhe mundësitë financiare për të paguar më shumë. Ne jemi në diskutime me drejtorinë e financës për të parë mundësinë e rritjes së pagesës për vitin e ardhshëm me qëllim rritjen e rolit të këtij grupi njerëzish në komunitet”, thekson Bejko.

Pra kemi një situatë paksa të pazakontë, pasi edhe pse realisht Bashkia u ka dhënë më shumë fuqi krerëve të njësive administrative, të cilët emërohen nga bashkia, kryepleqtë vijojnë të mbajnë detyrën e “vulosjes” së një letre apo edhe mbikëqyrjes së territorit, çka është një mbivendosje e qartë.

Por, kryepleqtë duket se janë më shumë një “zgjidhje politike”, sesa ligjore.

Kjo pasi me anë të influencës së tyre ‘fisnore’ apo të interesit në komunitet sigurojnë vota për partitë që ata përfaqësojnë.

Në fushata zgjedhore, sidomos për pushtetin vendor, kryepleqtë kthehen në njerëzit më të kërkuar, pasi vrapojnë të gjithë palët për t’i “joshur”, në mënyrë që të sigurojnë “hambarët e votave”.

Rreth autorit:
Ylli Pata është gazetar në Tiranë .