Vëzhgim/Analizë

Bashkitë “lëshojnë dorën” me lejet e ndërtimit, ndërtuesit “vrapojnë” drejt kullave dhe ambienteve të banimit

14 nëntor 2018/ Aurora Sulce/ Porta Vendore

Boom-i i ndërtimeve që syri ti sheh rëndom në të gjitha qytetet e vendit nuk është perceptim.Është një realitet që mbështetet nga të dhëna zyrtare. Instituti i Statistikave konstaton se gjatë pjesës së parë të këtij viti, bashkitë kanë lëshuar dorën me lejet e ndërtimit.

Në total, në shkallë vendi janë dhënë 491 leje për ndërtesa. Këtu përfshihen jo vetëm lejet për ndërtesat që shërbejnë për banim, por edhe ato për qëllime të tjera, si për zyra, qëllime tregtare etj.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, numri i lejeve të ndërtimit është rritur me 193, ndërsa kundrejt 6-mujorit të parë të 2016-ës, vlerësohet të jenë dhënë 328 leje më shumë.

Ekspertët rendisin dy arsye për një sjellje të tillë të pushtetit vendor. “Në një ekonomi normale dhe të maturuar tregu, kërkesa për ndërtime të reja dhe për rrjedhojë, shtimi i lejeve të ndërtimit do të përkthehej si një sinjal i mirë për rritjen e ekonomisë në tërësi, pasi janë kursime të individëve që përkthehen në investime. Por në rastin e Shqipërisë, shtimi i lejeve të ndërtimit ka ardhur me shumicë, si rrjedhojë e bllokimit për më shumë se 3 vjetësh që iu bë ndërtimeve në përgjithësi, dhe së dyti, nga përfundimi i planeve të përgjithshme vendore në pjesën më të madhe të territorit dhe veçanërisht, në ato bashki, ku interesi është më i madh për ndërtime”, shprehet Albert Gajo, ekspert për ekonominë.

Por situata nuk paraqitet e njëjtë në të gjitha bashkitë. Eksperti Gajo sjell rastin e bashkisë së Himarës, ku dhënia e lejeve të ndërtimit është bllokuar, për shkak të verifikimeve që po iu bëhen titujve të pronësisë.

“Në vijën bregdetare që përfshin pothuajse gjithë bashkinë e Himarës, që nga muaji mars i këtij viti, është bllokuar procesi, për shkak të bllokimit të dhënies së karteleve të reja të pronësisë, i cili është edhe dokumenti fillestar që paraqitet për të marrë një leje zhvillimi, që padyshim do të ketë dhe ka një ndikim negativ në këtë rajon për ata qytetarë që kërkojnë të zhvillojnë investime në këtë territor”, argumenton Gajo.

Leje ndërtimi për kulla e shtëpi

Statistikat nxjerrin në pah një element interesant, që flet për tipologjinë e lejeve të ndërtimit. Bashkitë janë të prirura për të dhënë leje për qëllime banimi. Kjo bazuar në kërkesën e lartë për strehim, që ende mbizotëron në shkallë vendi, por që është më e ndjeshme në qytete e mëdha.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, gjatë pjesës së parë të 2018-ës janë dhënë në total 307 leje ndërtimi për banim. Kundrejt 6-mujorit të parë të 2017-ës numri rezulton të jetë 110 leje më shumë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016, numri i lejeve të ndërtimit që bashkitë kanë dhënë është rritur me 208.

Qarqet me numrin më të madh të lejeve të ndërtimit të dhëna, sipas INSTAT-it janë Tirana me 164 leje gjatë pjesës së parë të 2018-ës; Durrësi me 61 leje gjithsej në këtë periudhë; Fieri me 65 leje të dhëna; Vlora me 33 leje gjithsej etj.

Ndërtuesit shpjegojnë se kërkesa për banesa nga qytetarët është e lartë dhe kjo ka përcaktuar edhe orientimin e lejeve të ndërtimit drejt këtij destinacioni. Arben Dervishi, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Ndërtuesve, shpjegon se lejet synohen të merren në zona që janë të lakmuara dhe ku apartamentet shiten më lehtë, për shkak të kërkesës së lartë.

“Ka rritje të kërkesës për ndërtime që janë në zonat e mira, ku ka afërsi me shërbimet, me institucionet, me parqet. Nuk preferohen më lejet në zona periferike, për shkak të mungesës së shërbimeve. Ajo që vihet re gjithashtu, është një shtim i kërkesës për godina mikse, ku krahas apartamenteve për banim, ofrohen edhe shërbime”, shprehet Dervishi.

Godinat mikse, të njohura ndryshe si kullat preferohen në zonat e mëdha urbane, ku kryeson Tirana. Kjo për shkak të numrit më të madh të popullsisë, favorizuar edhe nga migrimi, si dhe përqëndrimit të biznesit, kryesisht atij tregtar dhe të shërbimeve.

Përfitimet e bashkive nga lejet e ndërtimit

Lejet e ndërtimit nuk rezultojnë të frytshme nga pikëpamja ekonomike vetëm për firmat e ndërtimit, por edhe për pushtetin vendor. Kjo, pasi ndërtuesit për çdo leje që marrin paguajnë taksën e ndikimit në infrastrukturë. Kjo taksë garanton të ardhura të konsiderueshme për bashkitë.

Nga të dhënat e portalit www.financatvendore.al rezulton se gjatë 6-mujorit të parë të 2018-ës, të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë arritën në 2.4 miliardë lekë në shkallë vendi. Kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë, konstatohet një rënie e këtyre të ardhurave me 19.2%. Ekspertët shpjegojnë se për lejet e ndërtimit të dhëna në 6-mujorin e parë të 2018-ës, arkëtimi i taksës do të behën gjatë pjesës së dytë të vitit.

Taksa e ndikimit në infrastrukturë është burimi i dytë më i rëndësishëm që mbush buxhetin e bashkive, pas taksës mbi pasuritë e paluajtshme.

“Në nivel bashkie, rënia e të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë u udhëhoq nga Bashkia Tiranë e cila përfaqësoi rreth 70.3% të të ardhurave totale nga kjo taksë në periudhën e konsideruar. Gjatë periudhës janar-qershor 2018, të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë regjistruan një nivel prej rreth 1.7 miliard lekë nga rreth 2.0 miliard lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në të kundërt, Bashkia Vlorë rezulton të ketë mbledhur rreth 84 milionë lekë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, nga një nivel zero në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në Bashkinë Durrës, të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë rezultojnë të jenë tkurrur ndjeshëm krahasuar me nivelin e shënuar në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017, përkatësisht nga rreth 248 milionë lekë në rreth 61.2 milion lekë”, theksohet në raportin e www.financavevendore.al.

Burimi: financavendore.al.

Ekspertët vlerësojnë se dhënia e lejeve iu leverdis bashkive për të ardhurat që sigurojnë. “Taksa e ndikimit në infrastrukturë është një ndër të ardhurat kryesore të buxheteve bashkiake. Kështu, që duke qenë e tillë, bashkitë janë të prirura që të japin leje ndërtimi dhe të parashikojnë të ardhura të larta në buxhet”, shprehet Sorina Koti, eksperte për financat publike.

Por kjo nuk është arsyeja e vetme. 2019-ta është një vit elektoral për pushtetin vendor. Për ekspertët, lejet e ndërtimit janë një formë për të “blerë” influencë dhe siguruar vota. “Duke qenë një periudhë parazgjedhore për zgjedhjet e pushtetit vendor, bashkitë rritin ndjeshëm dhënien e lejeve për individë dhe firma ndërtimi, duke kërkuar mbështetjen e tyre në votë dhe fushatë”, shprehet Sorina Koti, eksperte për financat publike.

Por lidhjet e ndërtimit me pushtetin vendor, për ekspertët shihen edhe në një tjetër optikë, në atë të financimit të projekteve. Sipas tyre, një element ky shumë shqetësues. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia për ekonominë është tkurrur me bazë vjetore me 4.3% gjatë pjesës së parë të këtij viti. Ndërtimi është një ndër sektorët më pak të mbështetur me hua, për shkak edhe riskut të lartë që përfaqëson dhe problematikës me moskthimin e kredive në vite. Ku po gjenden paratë për të ngritur kulla e pallate?

“Duke njohur realitetin shqiptar, mund të themi se kemi të bëjmë me para të pista (nga shitja e kanabisit, para nga korrupsioni, para nga krimi i organizuar dhe evazioni fiskal). Ndërtimi gjithmonë ka qenë një sektor që është përdorur gjerësisht për pastrimin e parave. Vetë ekonomia jonë vuajti nga një zhvlerësim i ndjeshëm i euros gjatë vitit të fundit dhe gjithë analizat na çonin në përfundimin se në Shqipëri qarkullon para e shumtë, e pa legalizuar dhe e pakontrolluar nga sistemi bankar. Si ndërtuesit, ashtu edhe blerësit (duke hequr pjesën që kanë marrë kredi për ndërtim apo blerje) kanë përdorur para jashtë sistemit bankar, fonde të lira nga burime të ndryshme. Verifikimi i fondeve dhe burimeve të financimit mbetet detyrë e institucioneve shtetërore”, argumenton ekspertja Koti.

Intensiteti i ndërtimeve dhe ndikimi te qytetarët

Afërsia e ndërtimeve me njëra-tjetrën dhe lartësia e tyre konsiderohet problematike për shumë zona jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë vendin. Ndaj dhe rëndom komentohet si betonizim i vendit, nga qytetarët apo edhe ekspertët e fushës. Por këta të fundit shpjegojnë se ndryshe nga e kaluara, lejet e reja jepen në përputhje me planet e përgjithshme vendore, të hartuara nga ekspertë, që bazohen në rregulloret përkatëse që shoqërojnë planet dhe marrin parasysh strategjitë e zhvillimit të cdo rajoni.

“Problem për mendimin tim mbeten ato leje ndërtim që janë dhënë jashtë kritereve që përcaktohen nga këto plane në ato zona të ashtuquajtura strategjike, që janë përgjithësisht zona të mbrojtura dhe me karakter të theksuar natyror, ku intensiteti i ndërtimit duhet të jetë shumë i ulët ose të mos ndërtohen. Në këto zona, miratimi i tyre bëhet nga institucioni i Këshillit Kombëtar i Territorit, procedura e të cilit nuk është transparente dhe në funksion të përmirësimit dhe ndikimit mbi jetën e qytetarëve në rajonet që ato zhvillohen”, shprehet Albert Gajo, ekspert për ekonominë.

Ndërsa për ndërtuesit, shtimi i lejeve dhe rrjedhimisht ndërtimeve, edhe pse po bëhen në përputhje me planet e përgjithshme vendore nuk ka zgjidhur ende çështjen e transportit, një problem që ndikon direkt në cilësinë e jetës së qytetarëve.

“Shtimi i ndërtimeve do të kërkojë zgjidhjen e problemit të transportit, pasi do të rritet edhe më tej numri i banorëve. Bashkitë, kryesisht ajo e Tiranës duhet të nxisë korsitë e biçikletave dhe të përmirësojë transportin publik, që njerëzit të mos marrin makinat për çdo lëvizje që bëjnë”, deklaron Arben Dervishi, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Ndërtuesve.

Si një vend në zhvillim, Shqipëria edhe për shumë vjet do të karakterizohet nga një kërkesë e lartë për ndërtime, përsa kohë emigrimi i brendshëm vijon me ritme të konsiderueshme, strehimi mbetet problem dhe financat e bashkive të varen jo pak, nga taksat që paguajnë ndërtuesit.