12 Nëntor 2018/Bardha Nergjoni/Porta Vendore/Elbasan
Banorët e Zavalinës në Elbasan, presin prej më shumë se dy vitesh, rikonstruksionin e rrugës që e lidh fshatin me Gjinarin, por pavarësisht se u ishte premtuar si prioritet i bashkisë, deri më sot, nuk është hedhur as një grusht dhe.
Dy vjet më parë, Bashkia Elbasan do të niste procesin “Buxhetim me pjesëmarrje” nga Zavalina me mbledhjen e prioriteteve për buxhetin e vitit 2017. Sërish prioritet banorët renditën rrugën Gjinar-Zavalinë si kërkesën më të rëndësishme të tyre. Në atë kohë, nënkryetari i Bashkisë Elbasan Klevis Xhoxhi deklaroi se prioriteti i përcaktuar nga ky proces nuk do të ishte i vetmi investim për zonën. Nënkryetari i Bashkisë në atë kohë vuri në dukje se disa prej kërkesave të paraqitura ishin në proces zgjidhjeje ndërsa tha se do t’i jepet një vëmendje e veçantë pjesës tjetër.
Një vit më pas, në fillim të vitit 2018, Bashkia Elbasan publikoi ndërhyrjet e zhvilluara për investim në disa njësi administrative përfshi, edhe Zavalinën. Në njësinë administrative Zavalinë, sipas Bashkisë Elbasan, është bërë i mundur rikonstruksioni i shkollës së mesme të bashkuar Zavalinë, riparimi i 3 rrugëve të fshatrave si dhe u ndërtua rruga Seltë-Holtë, që e lidh me zonat e Gramshit. Por, ndryshe nga sa pretendon bashkia, banorët mohojnë ndërhyrje të bashkisë gjatë këtyre dy viteve në këtë njësi administrative. Sa i përket shkollës, sipas banorëve, investimi është bërë nga një fondacion i huaj ndërsa ndërhyrjet konkrete nga vetë bashkia janë inekzistente.
Jorgji Skënderi, një prej banorëve të zonës, i angazhuar në këshillin e komunës së dikurshme, prej shumë vitesh dhe një zë i njohur i kësaj njësie, thotë se rruga e shumëpritur nga banorët sërish mbetet shqetësimi më i madh për ta, ndërkohë që stina e ftohtë që izolon zonën, po troket. “Nuk ka pasur asnjë investim për rrugën. Të paktën të kishte një ndërhyrje për mirëmbajtje dhe riparime të pjesshme. Po vjen dimri dhe ne jemi në pikë të hallit, pasi rruga është bërë gjithmonë edhe më e vështirë”, deklaron Skënderi.
Janë 33 kilometra që lidhin të paktën 3500 banorë me njësinë administrative Gjinar, rruga e së cilës shërben për lidhjen e tyre me zonën urbane të Elbasanit. Gjendja e rrugës është e mjerueshme. Thuajse po humb gjurma e saj vende-vende, ndërsa riparime dhe mirëmbajtje nuk ka pasur për këtë vit, duke rrezikuar izolimin e kësaj zone gjatë stinës së dimrit. Aktualisht njësia Zavalinë ka një administrator dhe dy punonjës që nuk kanë asnjë mjet për të ndërhyrë dhe as kompetenca e fonde për të bërë diçka për Zavalinën.
Banorët ngrenë edhe një shqetësim tjetër, për të cilin duan të mbeten anonimë. “Po na shkatërrohet pylli. Po bëhet masakër në Zavalinë. Përfaqësuesit e bashkisë, gjatë takimeve të buxhetimit na premtuan se Zavalina do jetë shembull për mos prekjen e pyjeve. Ejani sot e shikoni se çfarë po bëhet në Zavalinë. Ne nuk kemi rrugë, por kjo nuk i pengon firmat të shkatërrojnë pyjet. I bëjmë thirrje bashkisë dhe institucioneve të marrin masa, sa nuk është vonë për Zavalinën”, thonë ata.
Ndërkohë që Zavalina është ende në pritje të rrugës, njësia administrative Gjinar, gjithashtu një zonë ku investimet thuajse nuk ekzistojnë i ka drejtuar sytë nga projekti i shpallur i Qeverisë i 100 fshatrave. Sipas bashkisë, ndërhyrjet në Gjinar kanë qenë ndërtim kopshti në fshatin Pobrat, rikonstruksioni i shkollës fillore në Valësh, sistemi i ngrohjes në shkollën e mesme Gjinar dhe hapja e rrugëve mes fshatrave.
Ndërkohë investimet më të rëndësishme të kërkuara nga banorët ishte rikonstruksioni i qendrës dhe pastrimi, që për një zonë turistike janë të domosdoshme. Ardjan Bërdufi thekson se kërkesat drejtuar bashkisë deri tani nuk janë marrë parasysh, kur jemi në vitin e fundit të mandatit të kryetarit aktual të bashkisë. “Presim projektin e qeverisë si një shpëtim për zonën e Gjinarit, por deri tani nuk kemi parë diçka konkrete”, shprehet ai.
Porta Vendore kontaktoi Bashkinë Elbasan, nëse institucioni vendor parashikon investime brenda këtij viti në këto dy zona apo jo. Bashkia Elbasan, nëpërmjet zëdhënësit të saj, nuk dha asnjë përgjigje, pavarësisht se ka qenë një premtim i kryer dy vite më parë nga nënkryetari i bashkisë. Aktualisht, Bashkia Elbasan ka nisur takimet e Buxhetimit me Pjesëmarrje në njësitë administrative. Në pritje të radhës së takimeve, banorët e Zavalinës kanë shpresën e fundit tek viti zgjedhor për të fituar investimin e shumëpritur të rrugës në zonën e tyre.
Rreth autorit:
Bardha Nergjoni është gazetare në Elbasan.