10 Nëntor 2018/Erjola Azizolli/Porta Vendore/Kuçovë
Procedura e prokurimit për përzgjedhjen e firmës së re për pastrimin e qytetit, ka shkaktuar një kaos mjedisor në qytetin e Kuçovës. Firma “Higjiena Sh.p.k” që ofronte pastrimin e qytetit nga viti 1996 e deri në vitin 2018, ka ndërprerë punën në datën 24 Tetor, kur i ka mbaruar dhe afati i aktivitetit. Por, me ndalesën e punës, sipërmarrësit kanë bërë dhe heqjen e gjithë koshave që kishin investuar ndër vite.
Mungesa e koshave të plehrave është vënë re nga banorët e qytetit naftëtar në të gjitha lagjet e qytetit, i cili ndër vite është vlerësuar për pastërtinë në rrugët e tij. Por tani, në vend të koshave shikon vetëm pirgje me plehra.
Qentë endacakë i kanë shqyer qeset plastike dhe më pas era ka mundësuar përhapjen e tyre. Kjo situatë ka krijuar anomali në të gjitha lagjet e qytetit, ku banorët janë vënë në kërkim të një koshi.
Donika Pirja, banon në qendër të qytetit të Kuçovës, në një nga pesë lagjet e tij. Ndërsa është nisur për të bërë pazarin e përditshëm, gruaja mban në dorë qesen e plehrave që ndonëse e ka zbritur nga pallati ku banon nuk di se ku ta vendosë, pasi koshi nuk ekziston.
“Kjo situatë vazhdon që prej katër-pesë ditësh. Zbresim poshtë që të hedhim plehrat, shohim grumbull plehrash dhe koshi që mungon”, shprehet Donika Pirja për Portën Vendore.

E njëjta panoramë paraqitet dhe në katër lagjet e tjera të qytetit të Kuçovës, ku banorët nuk kanë se ku t’i hedhin plehrat, si pasojë e mungesës së koshave.
Zonja Toli, një grua e moshuar në një tjetër lagje të qytetit shprehet e turpëruar sepse një kjo gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë në qytetin e saj. Në mëngjes i është dashur që të nxjerrë disa qese me mbetje nga shtëpia dhe si e zënë në faj shprehet se ka qenë e detyruar që t’i lerë ato në rrugë, pasi koshi mungonte.
“Edhe gjatë javës që shkoi nuk kishte në lagje kosh për plehrat dhe ja i hodhëm aty”, tregon Toli.
Së bashku me mungesën e koshave në qytetin me rreth 30 mijë banorë ka munguar prej ditësh dhe pastrimi i tij. Nga një vëzhgim që Porta Vendore bëri në lagjet e këtij qyteti rezultoi se vetëm pas 1 jave mungesë filloi vendosja e koshave dhe dezinfektimi i zonës.

Në lidhje me këtë situatë të krijuar burime zyrtare të Bashkisë së Kuçovës bëjnë me dije se gjithçka ka ardhur si pasojë e procedurës së prokurimit publik për përzgjedhjen e firmës së re, që do të kryejë në vijim pastrimin e qytetit.
Çështja e përzgjedhjes së një firme pastrimi në këtë qytet tashmë ka mbetur në Komisionin e Prokurimit Publik, për shkak të ankimimit të procesit dhe në këto kushte Bashkia është detyruar që të përzgjedhë me anë të një kontrate emergjente, një firmë tjetër, pasi firma që ka ofruar më parë shërbimin është skualifikuar gjatë procesit.

Përzgjedhja e firmës sipërmarrëse të qytetit në Bashkinë e Kuçovës është kthyer në një rrugëtim disa vjeçar, pasi firma e vetme private që e ka ofruar këtë shërbim në tre vitet e fundit ka operuar vetëm me kontrata të shtuara disa mujore, ndërkohë që për marrjen e të ardhurave i është dashur dhe përballja gjyqësore me bashkinë në gjykatë, ku ka ndërhyrë dhe përmbarimi.
Vasillaq Golemi, drejtor i firmës së pastrimit “Higjiena shpk” bëri me dije se për shkak të përfundimit të kontratës shtesë, firma nuk ka ofruar më shërbimin, ka hequr 250 kontejnerët e pastrimit të investuar ndër vite si dhe ka ndërprerë marrëdhënien financiare me 25 punonjësit e saj. Ai shpjegon se procedura e re e prokurimit është pezulluar aktualisht, pasi është bërë ankim në Komisionin e Prokurimit Publik.
Pikërisht për shkak të pezullimit, ka lindur nevoja që Bashkia e Kuçovës të realizojë një kontratë emergjente. “As në këtë rast, ne nuk u përzgjodhëm për shkak të eksperiencës, por u përzgjodh një tjetër firmë e cila na lind e drejta që të themi që ka qenë e favorizuar nga ana e bashkisë”, thotë Golemi.
Por, në lidhje me procesin, juristi i institucionit të Bashkisë, Ilir Ago, sqaroi për Porta Vendore se procesi është totalisht i drejtë, është bërë shpallja siç e parashikon ligji dhe do të jetë Komisioni i Prokurimit Publik që do të bëjë përzgjedhjen.
Nënkryetari i Bashkisë Kuçovë, Ilirjan Llangozi, sqaroi për Porta Vendore se tashmë problemi i pastrimit të qytetit mund të quhet i zgjidhur, pasi është bërë përzgjedhja e një firme tjetër, me anë të një kontrate emergjente dhe e gjitha kjo shkaktoi problemet për disa ditë në qytet. Firma e re të pastrimit, “Ed Construcion”, ka nisur nga puna për vendosjen e koshave në qytet”, tha Llangozi, nënkryetari i Bashkisë Kuçovë
E gjithë kjo situatë shkaktoi jo vetëm mungesën e pastrimit në rrugët e qytetit, por dhe mungesën e koshave në lagjet e tij, duke krijuar jo vetëm një situatë të pakëndshme, por dhe të rrezikshme për shëndetin e banorëve. Por megjithatë pas tre muajsh nga mbarimi i kontratës emergjente, banorët sërish i frikësohen rikthimit të kësaj situate.
Rreth autorit:
Erjola Azizolli është gazetare në qytetin e Beratit.