7 nëntor 2018/ Arben Velo/Porta Vendore/ Fier
Një grup nxënësish nga shkolla 9 vjeçare “AndonXoxa” në Fier kanë krijuar një hapësirë të gjelbër pranë mjediseve të shkollës, për të bërë të mundur praktikën në orën e biologjisë dhe edukimit. Atyre u ka ardhur në ndihmë edhe një biznes lulesh për të bërë të mundur që kjo traditë e nisur në mënyrë sporadike në një nga shkollat ku rritet brezi i ri i fëmijëve fierakë, të mund të përhapet edhe në shkolla të tjera.
Klaudio Grëmi, Ema Tasho, Martina Gjata, Leo Kazanxhi, janë disa nga nxënësit e klasës së tetë,të shkollës “Andon Xoxa”, Fier që kanë krijuar për herë të parë një “Skuadër të gjelbër” .
“E kemi quajtur Skuadra e gjelbër, për një arsye të thjeshtë. Jemi nxënës të një klase dhe kemi marrë përsipër të zhvillojmë për herë të parë një projekt për krijimin e hapësirave me gjelbërim. Ideja është që nëpërmjet farërave të mbjella të krijojmë bimë të shëndetshme e pastaj t’i mbjellim në tokë. Jemi tetë djem dhe tetë vajza dhe garojmë mes nesh se kush do të arrijë të rrisë fidanë të shëndetshëm e të krijojë mjedisin më të bukur”, thotë nxënësja Almira Meçe.
Nxënësit shtojnë se për këtë nismë është ngritur edhe një ambient në shkollë, që ka trajtën e një sere e para e llojit të vet ndër shkollat e Fierit.
“Na ka ndihmuar dhe po na ndihmon jashtëzakonisht shumë mësuese Mimoza. Kështu e quajmë ne, pavarësisht se nuk na jep asnjë lëndë mësimore. Por me njohuritë, ndihmën dhe mbështetjen që na jep për lulet, e meriton ta quajmë mësuese”, thotë Leo Kazanxhi një prej pjesëtarëve të skuadrës së gjelbër.
Fëmijët janë në pritje nga çasti në çast që të vendosin brenda serës edhe materialet e fundit, materiale që përfshijnë skelarinë dhe mjediset e mbajtjes së mbarështimit të fidanëve nëpërmjet farërave. Ata po bëhen gati që të nisin projektin të cilin e kanë kaq shumë përzemër.
Mimoza Bare e cila ka një biznes lulesh, është bërë pjesë e kësaj nisme të re dhe shumë domethënëse për shkollat e Bashkisë Fier,bashkë me bashkëshortin e saj Vasilin.

Projekti i tyre ka nisur fillimisht në Shkollën “Andon Xoxa”, Fier. Mimoza e përkrahur dhe mbështetur nga bashkëshorti Vasili po shijon idenë nëpërmjet nxënësve dhe bashkëpunimit me shkollën.
“Na pëlqeu dhe na bëri për vete gatishmëria dhe përkushtimi i kolektivit mësimor të shkollës nëntëvjeçare”,tregon ajo.
Ajo së bashku me të shoqin, duket që i kanë me shumë pasion lulet, dhe ndaj gjithçka e bëjnë në mënyrë vullnetare, duke i dhuruar shkollës disa vazo për mbjelljen e fidanëve si dhe kujdesin e tyre ndaj nxënësve, për ti mësuar më shumë drejt këtij sektori .
“Kur e pamë se shkolla në bashkëpunim me prindërit kishte ndërtuar një hapësirë serë brenda mjediseve të saj, menduam se kishte ardhur momenti që të ndihmonim e investonim në krijimin e një klime zinxhir që kishte në themel dashurinë për lulet. Projekti niste nga krijimi i fidanëve deri në transplantimin e mbjelljen përfundimtare. Kush më mirë se sa fëmijët mund të përçojë këtë ide?”, shprehet Vasili.
“Për gjithçka do të jenë vetë nxënësit që do të punojnë e kujdesen duke fituar njohuri,përvojë për natyrën dhe gjelbërimin”, thotë çifti Bare. Ata janë të bindur për ta vazhduar traditën e mbjelljes dhe kultivimin e dashurisë ndaj luleve edhe në shkollat e tjera, që ka brez të ri.
“Shumë shpejt nxënësit e të gjitha klasave do të kenë mundësinë të kenë në këtë serë mundësinë të prodhojnë lule nga duart e tyre, dhe nëpërmjet praktikës mësimore, do të konkurrojnë mes parcelave të gjelbërta të krijuara sipas klasave, duke mësuar e punuar njëkohësisht”, thotë nëndrejtori Kalemi.

“Shkolla si Qendër Komunitare – Një shkollë miqësore për të gjithë”, është titulli i këtij projekti të iniciuar nga shkolla, një nismë që e shndërron shkollën veç të tjerash në një laborator krijimi e nxitje të mirërritjes së luleve.
16 djemtë dhe vajzat, nxënës të klasës së tetë, pjesë e skuadrës së gjelbër, kujdesen përditë në ujitjen e vazove jo vetëm brenda serës,por edhe për lulet e barin e mbjellë kudo në hapësirën e shkollës.
Sera qëndron e ngritur brenda territorit të shkollës, pas godinës. Ajo pret të zhvillohen orët mësimore e të praktikohen jo vetëm nxënësit e kësaj shkolle, por edhe lulishtarët e ardhshëm fierakë.
Rreth autorit:
Arben Velo është korrespondenti TV Vizion Plus në Fier.