Ndodhi

Durrës, studentët ngrihen kundër djegies së plehrave

3 nëntor 2018/Geri Emiri/Porta Vendore/ Durrës

Studentët e Universitetit“Aleksandër Moisiu” në Durrës protestuan ditën e djeshme dt 2 nëntor 2018, përreth një orë, duke kërkuar mbylljen e vendgrumbullimit të Porto-Romanos dhe ndalimin e djegies së mbeturinave. Vala e protestave ka prekur edhe banorët e Sukthit , ku gjatë paradites së sotme kanë bllokuar rrugën Kullë-Sukth, duke kërkuar zhvendosjen e vendgrumbullimit të mbetjeve nga zona e Sukthit.

Dy vite pas protestës së parë, ditën e djeshme dt 2 nëntor, u mblodhën përpara kampusit të universitetit rreth 200 studentë e pedagogë, që me pankarta në duar, i drejtuan Bashkisë Durrës mesazhin, “Dija nuk mund të bashkëjetojë me vdekjen”!
“Po protestojmë sepse ka vite që situata është e njëjtë. Banorët e Porto-Romanos dhe ne studentët jemi të parët që prekemi nga tymi kancerogjen. Situata nuk mund të vijojë njësoj, duhet një zgjidhje e menjëhershme”, tha për Portën Vendore, Mariglen Qorri, student në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja.
Vendgrumbullimi i mbetjeve në Porto-Romano gjendet rreth 4 kilometra në veri të qytetit të Durrësit dhe zë një sipërfaqe prej 80.000 m2 me mbeturina urbane, inerte, mbetje të rrezikshme dhe kafshë të ngordhura. Sipas Planit Lokal të Menaxhimit të Mbetjeve për bashkinë e Durrësit 2010-2025, ajo është vend-hedhje për nga standardet. Hapur që në fillim të viteve’ 90 dhe ishte parashikuar të kishte jetëgjatësi për 25 vjet (deri në vitin 2015).
Tymi i mbeturinave që digjen përgjatë 24 orëve pa ndërprerje shkon tek kampusi i Universitetit “Aleksandër Moisiu”, në të cilin sipas rektores Kseanela Sotirofski për vitin akademik 2018-2019 në programet e nivelit të parë “Bachelor” ka pasur më shumë se 25 mijë aplikime.
“Studentët, pjesëtarët e shoqërisë civile, të gjithë aktorët janë pro jetës, jo vdekjes. Kampus do të thotë oksigjen, oksigjeni krijohet nga pylli, jo nga vdekja”, tha përpara studentëve Eugen Pepa, pedagog në Fakultetin e Shkencave Politike Juridike.

Protesta e studentëve përpara kampusit të universitetit ‘Aleksandër Moisiu’, Durrës. Foto: Geri Emiri

Prej disa vitesh aty i depozitojnë mbetjet edhe dy bashki të tjera, ajo e Shijakut dhe Kavajës. Përveç ndotjes nga mbeturinat, Bashkia Durrës ka hedhur në dy anët e autostradës së papërfunduar përbri kampusit universitar pirgje me leshterik, për të cilën u gjobit nga Inspektoriati i Mjedisit me vlerën e 1 milion lekë të reja, pas raportimit të Portës Vendore.
Këshilli Bashkiak i Durrësit shpalli më 11 korrik 2018 gjendjen e emergjencës mjedisore, si pasojë e situatës problematike me mbetjet në të gjithë vendgrumbullimet e bashkisë. Kryeministri Edi Rama vizitoi vendgrumbullimin e mbetjeve në Porto-Romano një ditë pas protestës së banorëve të zonës, më 13 qershor 2018, ku premtoi se; “Të vazhdojmë procesin e bashkëpunimit për mbylljen e kësaj fushe dhe trasformimin në një park të madh të qytetit, t’i çojmë mbetjet në impiantin e Tiranës, duke llogaritur edhe kostot”.
Megjithëse u votua nga të gjitha forcat politike, këshilltarët e djathtë dhe eksperët e mjedisit thanë më herët për Portën Vendore se janë skeptik për zgjidhjen që qeveria do të ofrojë.
Kryetari i Bashkisë Durrës si rrallë herë, reagoi pas protestës së studentëve në profilin e tij në Facebook, duke shkruar se i është kërkuar qeverisë dhe shoqërisë koncesionare në Tiranë të marrë në konsideratë spostimin e mbetjeve të Porto-Romanos për në Tiranë dhe trajtimin e tyre përkatës.
“Të hënën më datë 29.10.2018 u mblodh Komiteti i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve për shpalljen e gjendjes së Emergjencës Mjedisore. Aktualisht po analizohen kostot e kryerjes së transportit, përkatësisht kostot që do të mbulojë Bashkia dhe ato që do të mbulojë Qeveria”, shkruan Dako, duke shtuar se po punohet për kthimin e vendgrumbullimit në park.
“Jam kundër transportit të mbetjeve nga Durrësi për në Tiranë, pasi kjo nuk është zgjidhje dhe ka rrezik të dështojë”, tha më herët për Portën Vendore ambientalisti Lavdosh Ferruni.
Porta Vendore mësoi nga studentët se protesta është nisja e një sërë reagimesh për këtë problem që rrezikon shëndetin e tyre. Në vijim pritet të çelet një peticion, që fillimisht do t’i drejtohet studentëve, pedagogëve dhe administratës së universitetit.
“Është problem që duhet zgjidhur tani, jo nesër dhe çdo vonesë është veprim i papërgjegjshëm dhe kriminal. Prandaj po e ndjekim edhe në rrugë ligjore”, tha studenti Mariglen Qorri.
Për protestën që ishte marrë leje në Policinë e Durrësit, drejtuesit e universitetit i kanë kërkuar studentëve që të zhvillohet jashtë ambienteve të kampusit.
Më herët një studim i mbështetur nga Banka Botërore ka përcaktuar ndërtimin e një landfilli bashkëkohor rajonal për Qarkun e Durrësit, në fshatin Radë, Njësia Administrative Manzë, të bashkisë Durrës. Më datë 18.11.2014, ministria e Mjedisit së bashku me ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës publikuan në portalin e Agjencisë së Prokurimit Publik hapjen e thirrjes për oferta për dhënien me koncesion të “Landfillit për Qarkun e Durrësit”, por puna për ndërtimin e tij nuk nisi asnjëherë, sepse nuk pati një fitues.

Rreth autorit:
Geri Emiri – Diplomuar për Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka punuar në disa media online dhe televizion. Ai është themelues dhe editor online i blogut jofitimprurës “Amfora.al”, të profilizuar në raportimin mbi arkeologjinë dhe monumentet e kulturës në Shqipëri. Aktualisht punon edhe si gazetar i lirë.