Investigime

Çfarë po i sulmon zonat e mbrojtura?

1 nëntor 2018/ Artan Rama/ Porta Vendore

Një patrullë modeste

Të shtatë punonjësit me në krye drejtorin, Adrian Koçi, sapo kanë nisur patrullimin. Është një ditë e zakonshme pune në parkun natyror të ligatinës më të madhe në vend: Karavastasë. Nën uniforma të blerta, sipër së cilës shquhet logoja e Administratës së Zonave të Mbrojtura, kjo skuadër renxhërsash mbiqyr dhe mirëmban kufinjtë e mëdhenj prej 22.000 ha të Parkut Kombëtar.

Ndonëse inspektimi është një ritual i zakonshëm, rreziqet janë gjithmonë të reja. Dhe sado i lartë përkushtimi i kësaj njësie rojesh, ndonëse nën uniforma modeste e me pajisje të varfëra pune, fati i Parkut, ose më mirë e ardhmja e tij, vendoset diku tjetër, më larg.

Të dhënat e grumbulluara nga Porta Vendore tregojnë se një numër vendimesh dhe mosvendimesh të marra prej autoriteteve planifikuese po i sjellin rreziqet më pranë ekosistemeve të mbrojtura, madje edhe më afër nga sa mund të mendohej më parë…

Zhvillim vs. konservim?

Rreth një vit të shkuar, një ekip i Agjencisë Ndërkombëtare Japoneze të Zhvillimit (JICA) trokiti në zyrat e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM) me një propozim dy milionë dollarësh.

JICA, e cila në vitin 2015 kishte përgatitur të vetmin studim mbi mënyrën se si mund të administrohej në mënyrë të qëndrueshme Parku Kombëtar i Divjakës, tani po ofronte një tjetër nismë: “Forcimi i aftësive për menaxhimin e ekosistemit natyror të Parkut”.

Projekti i ri parashikonte konservimin dhe përdorimin e qëndrueshëm të ekosistemit, por shihte si parakusht anullimin, apo rishikimin e një projekti tjetër zhvillimor.

Ndonëse delegacioni u tregua i kujdesshëm, të dhënat e ofruara nga ekspertët japonezë të çonin në një përfundim të pamohueshëm se bëhej fjalë për “Divjaka Resorts Masterplan” të Mabetex Group Tirana, një projekt prej disa qindra vilash turistike, një pjesë e të cilave të parashikuara për t’u ngritur në zonën qëndrore. Kushti ishte i dukshëm: nëse autoritetet tërhiqeshin nga resorti, apo do ta rishikonin në mënyrë të tillë që ai të mos ndikonte gjendjen natyrore të Parkut, projekti konservues mund të fillonte. Sipas këtij dokumenti, JICA mund të priste deri në fund të marsit 2018 për një përgjigje përfundimtare, përpara se ta zbatonte atë.

Deri tani autoritetet nuk kanë kthyer asnjë përgjigje. Ndonëse afati ka përfunduar, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura nuk ka dhënë asnjë shpjegim.

Por le të shohim e dhe një tjetër nismë. Dhe përsëri, në Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura. Një vit pas JICA-s, një tjetër agjenci trokiti në dyert e saj.

Agjencia Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve (AIDA), një agjenci shtetërore që ofron përkrahje për investitorët e huaj dhe vendas, kërkoi të dhëna për disa parcela toke me vlera të larta të biodiversitetit, në brendësi të territorit të Parkut.

Sipas këtij dokumenti , AIDA po vepron në emër të një sipërmarrje turistike nga një kompani shqiptare, për të ndërtuar një kompleks turistik në zonën qëndrore të Parkut, duke kërkuar të kualifikohet si investitor strategjik.

Kjo praktikë e ndjekur nga AIDA është e justifikuar dhe mbështetet në legjislacionin dytësor  të ligjit “Për Investimet Strategjike”, por kur iu kerkua informacion më i plotë mbi projektin, AIDA heshti. Agjensia (AIDA) nuk iu përgjigj një kërkese për informacion, ndonëse përgjigja përbën një detyrim ligjor, ndonëse bëhet fjalë për një zonë, sipërfaqja e së cilës është Park Kombëtar .

Ende mbetet e panjohur cila është kjo kompani; a bëhet fjalë për të njëjtën “Divjaka Resorts Masterplan”, por pak më i modifikuar, apo për një tjetër projekt, me më pak ndikim, apo edhe më agresiv se i pari; cili është investitori dhe çfarë praktikash të ngjashme  ka kompania e interesuar në parqet e mbrojtura kombëtare?

Euforia për territore “strategjike”

Gjatë dy viteve të fundit, legjislacioni “Për Investimet Strategjike” është trajtuar me prioritet dhe investitorët janë favorizuar përmes proçedurave të përshpejtuara.

Kështu, në janar 2016, hyri në fuqi ligji “Për Investimet Strategjike” dhe u krijua për herë të parë një strukturë e re vendimmarrëse: Komiteti Investimeve Strategjike (KIS), i vetmi organ përgjegjës për shpalljen e një inisiative biznesi si “Investim Strategjik”. Ndërsa AIDA u zhvendos në një pozicion më të lartë, si një agjente e këtyre investitorëve.

Në maj 2017, u përditësua ligji “Për Investimet e Huaja”, një nga ligjet e hartuar qysh në muajt e parë të rënies së ekonomisë socialiste. Përditësimi, që në thelb siguronte mbrojtjen e investimeve të huaja, u dha mundësi investitorëve të huaj të aplikonin për marrjen e statusit “Investitor Strategjik” dhe i shtyu afatet e aplikimit edhe për një vit, pra, deri në fund të 2018.

Por një tjetër amendim, i hedhur në kalendarin aktual të punimeve të Kuvendit, synon shtyrjen e këtyre afateve deri në fund të 2019.

Në muajt e ardhshëm, qeveria synon të bashkojë të dy ligjet e mësipërme (Ligji “Për Investimet e Huaja“/ligji ”Për Investimet Strategjike) në një të vetëm: “Për investimet”, duke afruar mundësi të barabarta , jo vetëm për investitorët e huaj, por dhe ata vendas.

Në qershor 2017 hyri në fuqi ligji i ri “Për Zonat e Mbrojtura”.  Më parë, ekosistemi ligatinor i Divjakës  klasifikohej në katër kategori, sipas rëndësisë së biodiversitetit, duke filluar me pjesën qëndrore si kategori e parë, në të cilën sigurohej një mbrojtje strikte e deri në të katërtën, ku lejohej zhvillimi i aktiviteteve social-ekonomike. Por ligji i ri bashkoi dy nënzona në një (duke ulur shkallën e mbrojtjes, nga dy në tre). Pra ligji i ri i dha nënzonës së dytë mbrojtjen e nënzonës së tretë, e cila kjo e fundit, gëzonte një status më të ulët, çka dëshmon një rrezik më të lartë në afërsi të zonës qëndrore. Natyrisht, ky modifikim vlen për të gjitha parqet e tjera kombëtare.

Në prill të 2018, Komiteti i Investimeve Strategjike shqyrtoi dy propozime të reja.  Projektet investuese, i pari, një plantacion pemësh frutore prej 800 ha dhe i dyti, një projekt për kultivimin e karkalecit të detit, në një sipërfaqe prej 400 ha, binin brenda territorit të mbrojtur të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta. Vendimet u dhanë pa u shpallur plani i detajuar zhvillimor i zonës.

I pari e fitoi statusin e investitorit strategjik , ndërkohë që tjetri, ai që ndodhej më pranë zonës qëndrore, në kufi të Lagunës, u rrëzua, por sidoqoftë, këtej e tutje, zona u klasifikua e përshtatshme për zhvillimin e akuakulturës (peshkimi i kontrolluar). Por ky nuk është një klasifikim korrekt. Dhe ja sepse!  Në përputhje me legjislacionin (Kreu II, neni 4, Ligji “Për Akuakulturën”), miratimi i zonave për zhvillimin e akuakulturës (ZPA) kryhet pas një procesi planifikimi dhe diskutimi paraprak mes palëve të interesuara, gjë që në rastin konkret nuk u krye. Nuk pati asnjë konsultë apo diskutime publike. Akoma me shumë, ligji në fjalë kërkon kategorizimin e ZPA-ve përpara se Këshilli i Ministrave të miratojë statusin për zhvillimin e tyre. Komiteti e anashkaloi edhe këtë hallkë.

Në përfundim, Komiteti i Investimeve Strategjike legjitimoi thjesht disa nisma të ndërmarra prej investitorëve “strategjikë”, e jo prej zinxhirit institucionalo-shkencor, siç ligji e kërkon.

Perëndim i shpejtë

Në thellësi të Parkut, në baltën moçalore, pranë Gjolit të Patave, diku mes degëve të një brezi pishash, përëndimi skuqte. Patrulla e shpëtimit po kthehej. Rreth 6 m3 lëndë drusore e egër, e prerë në mënyrë të paligjshme ishte sekuestruar.

Gjatë sekuestrimit të prerjeve të paligjshme (Rojet e Parkut gjatë inspektimit në Pyllin e Kularit)

Ndoshta edhe më shumë do të ishte prerë, nëse nuk do të kishin mbërritur në kohë. Skuadra kishte se me të krenohej.

Një qendër vizitorësh pranë zyrave të administratës së Parkut sapo ishte inaguruar, së bashku më një kullë të lartë me veshje druri, barku i së cilës, për të qënë fare të saktë, ishte mbushur me disa qindra metër kub beton.

Kulla e vrojtimit (Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta)

Në thellësi të pyllit, vizitorët e shpërndarë pa ndonjë rend të caktuar të jepnin ndjesinë e një stine të përhershme pushimi.

Por në largësi, në shtabin e vendimmmarrjes, Këshilli Kombëtar i Territorit, një organ planifikues, në varësi të kryeministrit ka marrë një tjetër vendim: shpalljen për zhvillimin me përparësi të turizmit në disa territore, pjesa më e madhe e të cilave u përket zonave të mbrojtura e në pronësi shtetërore. Pra, më shumë punë për AIDA-n, më shumë projekte në garë për t’u klasifikuar si strategjike.

Euforia e zhvillimit rrezikon të mposhtë çdo përpjekje për të konservuar dhe për të zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme.

Por përpara se Investitorët “strategjikë”  të hartojnë planet e zhvillimit, vendimmarrësit duhet të jenë të qartë, se zhvillimi do të jetë i kufizuar, për aq kohë që burimet natyrore nuk janë të pafundme…

Facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedinmail