Ngjarje/Personazhe

Rruga e vështirë e Fluturës drejt dijes

29 tetor 2018/ Esmeralda Keta/Porta Vendore/ Burrel

Bashkia e Burrelit paguan rrugën për 400 fëmijë, por nuk ka asnjë subjekt të licencuar për të ofruar shërbim me standarde për transportin e tyre. Në këtë situatë, fëmijët udhëtojnë në kushte tejet të vështira, shpesh herë mes përrenjve dhe pyllit, herë të tjera në furgonë,ngjeshur me pasagjerë të rastit dhe në jo pak raste me furgonë mallrash. Ndërkohë, tenderi i hapur nga Bashkia Burrel dështoi, pasi asnjë subjekt nuk shfaqi interes për të ofruar këtë shërbim. Shkak ishte pagesa e vogël, rrugët e amortizuara dhe kriteret e forta që janë vendosur në udhëzimin e ri të miratuar në shkurt të 2018-ës.

Rruga që ndjekin fëmijët për të shkuar në shkollë

Është ora 6:30 e mëngjesit. Flutura, një vogëlushe 6-vjeçare nga fshati Laç në Bruç të Burrelit, zgjohet me përtesë, ndonëse duhet të shkojë në shkollë, pasi sivjet ka nisur klasën e parë. Bën gati çantën e shkollës, vesh një palë atlete të vjetra, ato të rejat i fut me kujdes në çantë mes librave,dhe nis rrugën e vështirë drejt dijes.

I duhet të ecë një orë në këmbë për të mbërritur në shkollën “26 Korriku” në fshatin Bruç, ku edhe do të nisë‘fluturimin’ drejt të ardhmes.

8 fëmijëve që udhëtojnë çdo ditë nga ky fshat,midis të cilëve Flutura dhe motra e saj Amelia, iu duhet pak më shumë se një orë për t’u  kthyer në shtëpi, pasi terreni është malor. Të vegjlit ecin çdo ditë të vitit në terrene krejt të paimagjinueshme për një fëmijë, madje duke iu rrezikuar edhe jeta.

Kur afrohet te shkolla, Flutura nxjerr atletet e reja nga çanta, heq ato të vjetrat dhe bëhet gati për tu futur e pastër në klasë.

“E kam me qejf shkollën, por është shumë larg dhe lodhem. Ndaj edhe u gëzova, edhe nuk u gëzova shumë për ditën e parë të shkollës”, tregon ajo me sinqeritetin që i karakterizon fëmijët.“Kam qenë disa herë më parë te shkolla, se kam shoqëruar motrën dhe jam lodhur shumë. Pushojmë disa herë gjatë rrugës, por prapë është rrugë e gjatë”, rrëfen vogëlushja.

E motra, Amelia këtë vit ndjek klasën e tretë në shkollën e mesme të bashkuar“26 Korriku” në Bruç. Për shkak të numrit të vogël të nxënësve, Amelia bën mësim në një klasë kolektive, së bashku me ata të klasës së dytë.

Me 365 nxënës, nga klasa e parë e deri në vit të tretë të gjimnazit, Amelia dhe Flutura nuk janë të vetmet që duhet të ecin rreth një orë për të mbërritur pranë vatrës së dijes. Pikërisht për shkak se një pjesë e konsiderueshme e fëmijëve vijnë nga larg, në këtë shkollë mësimi fillon në orën 8:30 minuta.

Ndonëse pak më e rritur,Amelia na rrëfen se për ato, rruga për të ardhur drejt shkollës nuk është aspak e lehtë. Sidomos në dimër është shumë e vështirë, sepse ato duhet të kalojnë mbi përrenj që kanë shumë ujë, duhet të kalojnë mes pyllit.“Këmbët na lagen, na bëhen qull dhe pavarësisht se veshim çizme dhe një palë këpucë i kemi me vete… kemi shumë ftohtë. Vjen gjithmonë një prind me ne që na shoqëron sepse në dimër ne nuk ia dalim dot vetëm”, tregon Amelia, e cila në fakt klasën e parë e ka bërë në Tiranë, pikërisht për shkak të largësisë.

“Kur vjen nga shkolla, është aq e lodhur, sa mezi arrin të bëjë mësimet”, tregon nëna e Amelias, e cila shpjegon se e bija, pavarësisht kushteve të vështira gjithmonë i rrëmben një ASH (Arritje e Shkëlqyer – mënyra e re e vlerësimit të nxënësve)  mësueses. Për prindërit kjo situatë është kthyer në një makth të vërtetë.“Fëmijët rrezikojnë vërtetë jetën për të shkuar në shkollë. Ishte pikërisht kjo dreq rruge që ne u detyruam ta ‘hiqnim’ nga familja Amelinë, vajzën e madhe, për një vit. Klasën e parë,Amelian e çuam në Paskuqan, ku jetojnë disa familjarë tanët. Menduam se do të zgjidhej puna e transportit të fëmijëve, e do bënim si do bënim duke e mbajtur vajzën një vit larg familjes”,tregon Ylmi Brahilika, babai i Amelias dhe Fluturës, për Porta Vendore. Por megjithëse Amelia mbaroi klasën e parë e të dytë, puna e transportit vazhdon të jetë njësoj. “Ne nuk mund ta linim më vajzën kaq larg. Edhe një vit ka qenë një sakrificë shumë e madhe për ne dhe për vajzën. Kështu që klasën e dytë e morëm sërish në familje. Vetëm ne e dimë se çfarë sakrifice bëjnë këta fëmijë për të shkuar në shkollë, ndërsa ne prindërit jemi gjithmonë me zemër të ngrirë derisa fëmijët kthehen”, tregon babai i Amelias, që tashmë ka të dy vajzat në shkollë.

Ndonëse në kushte të vështira ekonomike, ai thotë qëështë i gatshëm të paguajë vetë një furgon, vetëm që vajzat të jenë të sigurta. “Jemi keq ekonomikisht, kemi 100 halle, por nëse do të kishte ndonjë furgon jam i gatshëm të paguaj nga 20 mijë lekë (të vjetra) për secilën vajzë vetëm që ata të shkojnë të sigurta në shkollë, por askush nuk e merr përsipër”, apelon i dëshpëruar Ylmiu.

Përveçse terreni është malor dhe i thyer, një urë që ka qenë mbi përrua e rrëmbyen ujërat e shiut dhe tani fëmijët duhet të kalojnë mbi gurë. “E kupton se çfarë tmerri dhe çfarë sakrifice bëjnë fëmijët tanë”,na tregon Ylmiu, i cili mezi arrin të gjejë ndonjë ditë punë si punëtor ndërtimi.

Ai tregon se para tre vitesh ishte një furgon që e bënte transportin e fëmijëve, por aktualisht askush nuk ka interes që ta marrë përsipër këtë shërbim për shkak të pagesës modeste dhe kostove të mëdha, pasi rruga është tejet e amortizuar.

Janë 8 fëmijë nga ky fshat që e bëjnë çdo ditë atë rrugë dhe prindërit përpiqen që ta bëjnë me radhë, e çdo ditë t’i shoqërojë një i rritur. Gjatë dimrit, kur ka stuhi dhe shumë reshje, shumë familje zgjedhin më mirë të mos i çojnë në shkollë sesa të rrezikojnë jetën e fëmijëve.

Zgjidhja e largët

Çështja e transportit të fëmijëve drejt shkollave duket një çështje mjaft e vështirë për Bashkinë e Matit. Kjo pasi për shkak të terrenit të vështirë malor dhe rrugëve të amortizuara, asnjë subjekt nuk është i interesuar të ofrojë këtë shërbim, edhe pasi Bashkia ka hapur tenderin.

Bashkia Mat sqaron për Porta Vendore se në bashkëpunim me drejtorinë arsimore kanë evidentuar të gjithë fëmijët që kanë nevojë për transport,të cilët në mungesë të ofrimit të një mjeti, u bëhet pagesa në dorë.

Aktualisht kjo Bashki mbulon shpenzimet e transportit për 416 nxënës.

Sipas ekspertëve të Baskisë,dalja e një vendimi të ri, në shkurt të 2018-ës, për kushtet që duhet të plotësonin automjetet, të cilat do të merrnin përsipër të ofronin transportin e fëmijëve, e komplikoi dhe futi në ngërç situatën. “Aktualisht në Bashkinë Mat nuk ka asnjë subjekt të licencuar për transportin e nxënësve. Hapëm tenderin dhe vlera për 6 muaj e përgatitur për tenderim ishte 3.9 milionë lekë të reja pa tvsh, por tenderi dështoi. Askush, asnjë subjekt nuk paraqiti interes për të marrë përsipër transportin e nxënësve. Kjo për dy arsye, së pari nuk iu intereson vlera e ulët që do paguhej për një fëmijë dhe e dyta vendimi i ri (Vendimi nr.89 , datë 14.2.2018 për miratimin e kushteve dhe përcaktimin e rregullave për transportin rrugor të nxënësve të arsimit parashkollor, profesional parauniversitar dhe të studentëve), duke pasur parasysh edhe terrenin malor të Bashkisë Mat nuk i shkon përshtat asnjë subjekti”, na shpjegojnë burime pranë Bashkisë së Burrelit.

Lindita Doda, me profesion mësuese, por edhe anëtare e Këshillit Bashkiak Mat, ngre alarmin për kushtet sesi u ofrohet ky shërbim. “Së pari transporti i fëmijëve nuk bëhet me automjete posaçërisht për to, por ata udhëtojnë së bashku me pasagjerë të tjerë (ndonjëherë dhe me transport mallrash) inter-urbane. Kjo, pasi në Bashkinë e Burrelit nuk ka mjete të licencuara për të transportuar fëmijë shkollash, pra për ta ofruar këtë lloj shërbimi vetëm për këtë moshë dhe kategori. Së dyti, gjendja e mjeteve në jo pak raste është jashtë kushteve teknike për të transportuar fëmijë. Së treti udhëtimi me një numër të madh pasagjerësh u sjell jo pak pështjellim moshës së tyre”, deklaron Lindita Doda për vështirësitë e ofrimit të këtij shërbimi.

Sipas saj, terreni i thyer, mungesa e linjave të posaçme,gjendja e mjerueshme e rrugëve (madje në disa raste ato mungojë fare), mungesa e një kulture për këtë lloj shërbimi, pasi dikur secili fshat kishte shkollën e vet, dhe ky lloj shërbimi në komunitetet përkatëse nuk ka qenë i nevojshëm.., pa përmendur fare problemet social- ekonomike që janë të panumërta, janë vetëm disa nga faktorët  që kanë çuar në këtë amulli të ofrimit të transportit për fëmijët që e kanë shkollën larg.

Sa i përket nismës së Ministrisë së Arsimit për shkrirjen e klasave kolektive, anëtarja e këshillit bashkiak Mat mendon se parimisht është një nismë shumë e mirë, por që për shkak të specifikave që kanë disa rrethe, rrezikon të dështojë.

“Rënia drastike e numrit të nxënësve,migrimit dhe emigrimit të shumë familjeve, sigurisht diktojnë masa e nisma të reja,të mirë studiuara, për përmirësimin e cilësisë së punës në arsim, për të cilën jemi të angazhuar të gjithë, por dhe për ruajtjen e ekuilibrave social dhe strategjik kombëtar. Në zonën në të cilën jetoj dhe njoh, unë e shoh pak të vështirë. Në kushtet kur rrugët janë të amortizuara,mungon një transport i përshtatshëm për fëmijët,duhet një studim rast pas rasti. Secili fshat ka problematikë më vete, shpërndarja e zonave të banimit është kaq heterogjene dhe ndjeshmëria për arsimin është e lartë. Për të gjitha këto arsye, unë mendoj se, sidomos në Mat, nismat duhet të fillonin të lokalizuara për të parë problematikat reale që mund të hasen, e impaktet negative mund të menaxhoheshim më me lehtësi”, shpjegon për Portën, këshilltarja e Burrelit, Lindita Doda.

Lindita, si mësuese, por edhe si ish drejtuese dhe aktualisht anëtare e Këshillit Bashkiak të Bashkisë Mat, mendon se kjo gjë, do të detyrojë familjet të shpërngulen për shkak të mungesës së shkollës.

Në fakt,Zyra Arsimore e Matit duket se ndihet komode me nismën e re të Ministrisë së Arsimit për mbylljen e klasave kolektive. Arjana Rami, drejtore e ZA Mat shpjegon për Porta Vendore se në shkollat që ajo mbulon nuk ka asnjë efekt negativ dhe numri i fëmijëve që kanë nevojë për transport është po i njëjtë. “Në fakt, ne si Zyrë Arsimore ka vite që kemi nisur këtë procesin e mbylljes se anekseve, aty ku kemi konstatuar se është në të mirë të të gjithëve. Deri vjet ne kemi mbyllur 9 anekse që funksiononin me 2 deri në 5 nxënës dhe për të gjithë fëmijët kemi ofruar shërbimin e transportit”, shpjegon Arjana Rami.

Sipas saj, problem në zonën që ajo mbulon është fakti se nuk ka asnjë subjekt të licencuar për transportin dhe ata ua kryejnë pagesat me postë familjarëve.“Edhe në ndonjë zonë që është pak më problematike për shkak të rrugës, po përpiqemi që të gjejmë zgjidhjen sa më të mirë për fëmijët”, përfundon Arjana Rami, drejtuese e Zyrës Arsimore Mat.

Por, ndonëse për ZA-në, ky problem është i zgjidhur, për prindërit ende nuk ka një zgjidhje. Për ta mbetet i rëndësishëm transporti i sigurt për fëmijët dhe jo ato pak para që marrin nga ZA për transportin e tyre.

Rreth autorit:
Esmeralda Keta është gazetare e çështjeve sociale në Tiranë.