25 Tetor 2018/ Artin Halili/Porta Vendore/ Pogradec
Prej disa muajsh, UK Pogradec ka vendosur një tarifë prej 50 lekësh të reja ndaj konsumatorëve, qofshin familjarë apo biznese, për çdo printim të ri fature, pavarësisht nëse humbja e faturës është përgjegjësi e qytetarit apo faturistit. Madje, tarifa është vendosur me një vendim të fshehtë, për të cilin qytetarët nuk kanë informacion, pavarësisht se në kontratë deklarohet se ata duhen njoftuar publikisht me takime dhe media para se të vihet në zbatim një tarifë e tillë. Irritimi i qytetarëve ka sjellë menjëherë reagimin e Kryetarit të Bashkisë Pogradec, i cili ka kërkuar heqjen e kësaj tarife abuzive dhe të dyshimtë. Ndërkohë duke qenë një emërim politik, drejtori i Ujësjellësit është nip nga ana e gruas , e Kryetarit të Bashkisë Pogradec Eduart Kapri.
Pogradeci është ndër të paktat qytete në Shqipëri që ofron furnizim 24 orë me ujë të pijshëm, të rrjedhshëm, të sigurt si dhe brenda të gjithave parametrave evropiane. Puna për ndërtimin e një rrjeti ujësjellësi bashkëkohor për Pogradecin ka nisur që në vitin 2002,por u pezullua në vitin 2003 për shkak të problemeve në drejtimin e UKP-së. Punimet do të rinisnin sërish në vitin 2004, ku parashikohej zbatimi i plotë i projektit, që nga fazat e studimit dhe më pas gjithë puna konkrete në rrjet. Më në fund, në vitin 2007 në çezmat e pogradecarëve do të kishte ujë 24 orë. Prej vitit 2007 dhe deri më sot, pogradecarët nuk njohin më shkëputje të ujit në çezmat e tyre. Investimi më pas u shtri në Buçimas dhe Tushemisht.

Por ashtu siç është në top listën e qyteteve me 24 orë ujë, Pogradeci është edhe në top listën e qyteteve që e paguan më shtrenjtë 1 metër kub uji. Pogradeci renditet i treti qytet në Shqipëripas Korçës e Tiranës për tarifën e ujit të pijshëm. Familjarët paguajnë me dy fasha. Për sasinë deri në 4.5 m3 paguhet me 22 lekë, ndërsa për sasinë mbi 4.5 m3 paguhet me 62 lekë. Ndërsa vendi i dytë Tirana paguan me 65 lekë për m3 dhe Korça paguan 72 lekë për m3. Këto çmime janë për familjarët.
Për vite me radhë, UK Pogradec shërbeu si një ndërmarrje më vete, nën varësinë e Bashkisë Pogradec. Ky institucion kishte drejtor,bord dhe të gjitha vendimet që merreshin për ujësjellësin kalonin nëpërmjet Këshillit Bashkiak. Por kur nisi reforma territoriale,u parashikua që kompetencat e UK t’i kalojnë kryetarëve të bashkive përkatëse. Në këto kushte, Kryetari i Bashkisë Pogradec është kreu i Asamblesë së Administrimit të Ndërmarrjes, dhe ka në varësi tre anëtarë asambleje për të marrë vendime, duke lënë kështu jashtë loje Këshillin Bashkiak. Por ajo se çfarë dihet në Shqipëri është se tarifat e ujësjellësve i përcakton dhe miraton Enti Rregullator i Ujit. Por në Pogradec ka ndodhur diçka e paparashikuar për një tarifë të re që ka nisur të aplikohet. Kjo tarifë është 50 lekë dhe duhet ta paguash nëse ke humbur faturën, apo nuk të ka ardhur ajo në adresën përkatëse.
UK, tarifë 50 lekë nëse paraqitesh pa faturë
Prej datës 06.06.2018, pra nga muaji Qershor,qytetarët e Pogradecit,Buçimasit dhe Tushemishtit u përballën me një tarifë surprizë nga UK Pogradec. Ata do të paguanin 50 lekë të reja nëse do të paraqiteshin pranë UK për pagesë fature. Në rast të mos pasjes apo humbjes së saj do të paguanin shumën për printim të ri.
Në njoftimin që UK ka paraqitur në zyrat e saj për abonentët citohet se“Mbi bazën e urdhrit për aplikim tarife nr. 86 dt. 04.06.2018 si edhe mbështetur në VKM nr.63 të dt 27.01.2018 “Për riorganizimin e operatorëve që ofrojnë furnizim me ujë të pijshëm dhe largim të ujërave të ndotura”, statutin e UK Pogradec dhe ligjin nr 9901 dt 14.04.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare” i ndryshuar, mbështetur në vendimin nr 8 dt 30.04.2018 të Këshillit të Administrimit,ju bëjmë me dije se:klientët që paraqiten pa faturën e ujit pranë zyrave të shërbimit konsumator, për riprintim fature do të paguajnë tarifën prej 50 lekësh”.

Kjo lloj tarifë e shtuar ndaj abonentëve, është miratuar nga Këshilli i Administrimit të UK Pogradec me vendim dt. 30.04.2018. Por ky njoftim i UK Pogradec nuk mban as firmë as vulë të titullarit apo Këshillit të Administrimit, të përbërë nga 3 persona që janë:Marsel Isallari, Drejtor i UK Pogradec dhe anëtarët Rruzhdi Shkullaku e Luan Lipo. Në njoftim nuk gjendet asnjë firmë apo vulë nga këta persona. Ndërkohë kujtojmë që Drejtori aktual i Ujësjellësit Pogradec është nip i Kryetarit të Bashkisë, nga ana e bashkëshortes. Pra kanë lidhje familjare dhe në këtë rast kemi të bëjmë me nepotizëm familjar, gjë e cila nuk lejohet me ligj.
Po ashtu, Kryetari i Bashkisë, i cili përfaqëson Asamblenë e Përgjithshme të UK sh.a, që do të thotë se miraton ose rrëzon vendime të Këshillit të Administrimit, nuk figuron gjëkundi. Në këto kushte, shtrohet pyetja nëse Kryetari i Bashkisë, Eduard Kapri, e ka miratuar këtë tarifë në kurriz të qytetarëve?
Në fakt burime pranë Bashkisë Pogradec, konfirmuan për Portën Vendore, se të tilla tarifa jo domosdoshmërish duhen miratuar nga kryetari, pasi ato miratohen në Këshillin e Administrimit te UK.
Porta Vendore kontaktoi edhe me Drejtorin e Ujësjellësit Pogradec, Marsel Isallari, i cili u shpreh se arsyeja e vendosjes së kësaj tarife është që të ndërgjegjësohen qytetarët për të ruajtur dhe mos humbur faturat e ujit. “Ripërtëritja e tyre ka kosto për ne. Janë rreth 15 mijë abonentë, të cilët kanë kontratë me UK Pogradec, por vetëm 5 mijë prej tyre paraqiten me fatura, pjesa tjetër kërkon riprintim. Kjo është edhe arsyeja e kësaj tarife. Sensibilizim dhe përgjegjshmëri për të mos humbur faturat. Është edhe si një projekt pilot për të zbuluar nëse faturën e humbin qytetarët, apo nuk e dërgon faturisti dhe nëse do na rezultojë kjo e fundit do të ketë penalitete për punonjësit tanë”, përfundon Isallari, duke të lënë të kuptosh se ky projekt po zhvillohet në kurriz të qytetarëve edhe nëse ata nuk kanë përgjegjësi për faturën, pasi ajo mund të mos jetë dërguar nga faturisti.

Por kjo tarifë shtesë dhe mos mbajtja e përgjegjësisë institucionale ka sjellë irritim të banorëve. Lavdërim Miminllari është banor i Pogradecit dhe njëkohësisht ka një biznes në qytet .Ai si shumë biznese të tjera paguan dy herë fatura uji, si familjar dhe si subjekt biznesi. Miminllari shprehet i pakënaqur dhe i paqartë me tarifën.

“Jam i çuditur dhe njëkohësisht i irrituar se përse duhet të paguaj një faturë 50 lekë të reja. Së pari unë nuk dihet nëse ka humbur apo nuk e ka sjellë faturisti. Për me tepër fatura dhe emri im është në sistemin online dhe nuk është e domosdoshme riprintimi i faturës, por thjesht mund të mbahet vetëm pagesa. Kjo është e rëndë për qytetarin pogradecar dhe biznesin. Në një kohë kur ne po mbytemi nga lloj-lloj taksash dhe rënie xhiroje, vjen dhe ujësjellësi që të kërkon jo pak,por pesëqind lekë (të vjetra) për printim fature, në një kohë kur e ka për detyrë të ma sjellë te dera e shtëpisë. Unë kam jetuar për vite e vite në SHBA, por diçka e tillë nuk më kish ndodhur. Ka 2-3 muaj që bëjnë një avaz të tillë me ne. Tallen me ne dhe na vjedhin hapur,pasi nuk dimë ku shkojnë këto para”, tha i revoltuar Kryetari i Shoqatës së Biznesit të Mesëm në Pogradec.
Ndërsa për familjarët apo pensionistët është edhe më e rëndë kjo tarifë, ku në jo pak raste gjen te zyrat e UK njerëz që bërtasin dhe grinden me arkëtaren sepse iu mban 50 lekë të reja, nëse nuk kanë faturën dhe për më tepër nuk e shënon askund këtë tarifë. Gëzim Shukulli është një pensionist, i cili u acarua jo pak kur pagoi 3 fatura njëherësh të cilat nuk i posedonte, pasi nuk i kishin shkuar në shtëpi nga faturisti.

“Këta të vjedhin në mes të ditës,janë bërë mjeshtër të vërtetë. Nuk na lanë gjak në trup dhe palcë në kocka. Pse u dashka të paguaj pesëqind lekë (të vjetra) se nuk kam faturën. 1 mijë e pesëqind lekë (të vjetra) pagova sepse faturisti nuk më kishte sjellë faturat. Ia sqarova zonjës, që nuk më kanë ardhur në shtëpi faturat, sërish mi mbajti, pa iu dridhur dora fare. Unë me 150 mijë lekë pension jetoj,çfarë të bëj më parë?!Të paguaj drita,ujë,ilaçe, ushqim apo tarifa për printim faturash që kërkon ujësjellësi. Këta hajdutët të marrin lekun në dritën e diellit. Këta duhen nxjerrë me shqelma nga zyrat”, tha Gëzimi pensionist,teksa u largua me fatura letrash nëpër duar duke vijuar të flasë dhe shajë me vete.
Shkelja e njëanshme e kontratës
Pavarësisht qëllimit të mirë që mund të shohë nëpërmjet këtij vendimi UK Pogradec,realisht është duke mbledhur para abuzivisht dhe pas asnjë lloj transparence se ku shkojnë ato.UK apo Këshilli i Administrimit, në fakt nuk përcaktojnë dot se ku humbet fatura dhe kjo është shumë e vështirë për tu zgjidhur.
Pra, nëse fatura humb pasi qytetari e ka marrë në dorë, apo ajo nuk çohet nga faturisti në banesë,ashtu siç ai e ka për detyrë ta bëjë, pasi kështu e parashikon edhe kontrata që UK ka me abonentët. Pikërisht në pikën 3 të nenit 9 deklarohet se:Fatura duhet t’i dorëzohet Konsumatorit në vendin e banimit, në mënyrë zyrtare (me postë ose dorazi) dhe jo më vonë se 15 ditë përpara afatit të pagesës. Pra jo domosdoshmërish, faji është i qytetarit, pasi ai mbetet i pavërtetueshëm. Por ama është qytetari që paguan tarifën, shkon apo nuk shkon fatura.
Pika e dytë që hedh poshtë këtë tarifë është edhe interesi publik, pasi administrata e ujësjellësit ose Këshilli Administrativ nuk kanë informuar paraprakisht qytetarët me takime,dëgjesa apo njoftime në media rreth aplikimit të kësaj tarife. Kjo parashikohet edhe në kontratën mes dy palëve. Në nenin 8 të saj deklarohet; tarifat e shërbimit miratohen nga ERRU në bazë të një procesi ligjor dhe transparent. Procedura për vendosjen e tarifave fillon me organizimin e një Seance Dëgjimore me Publikun, propozimin e bërë nga operatori pranë ERRU, dhënien e mendimit nga njësitë e qeverisjes vendore dhe përfundon me miratimin përfundimtar të tarifave nga Komisioni Kombëtar Rregullator i Entit Rregullator të Ujit.
Po ashtu, në nenin 8 deklarohet se operatori duhet të organizojë një seancë dëgjimore me publikun dhe duhet të njoftojë konsumatorin me shkrim dhe nëpërmjet medias të paktën 30 ditë përpara aplikimit te tarifave te ndryshuara.
Asnjëra nga pikat e mësipërme nuk është zbatuar nga ana e Ujësjellës Kanalizime Sh.a Pogradec.
Pika e tretë që rrëzon këtë tarifë është fakti se UK Pogradec kurrsesi nuk mund të aplikojë këtë tarifë për sa kohë që qytetarit nuk i dorëzohet fatura në dorë,apo nuk ka infrastrukturë të posaçme në hyrje pallatesh apo banesa private për vendosjen e këtyre faturave,por thjesht lihen në fund te shkallëve. Duke u ekspozuar kështu ndaj faktorëve atmosferikë apo mundësisë së marrjes nga fëmijët. Në rast se në çdo pallat apo banesë, do të kishte kuti të posaçme për vendosjen e faturave, kjo e zgjidhte disi problemin.
Porta Vendore kërkoi nga UK Pogradec edhe një kopje të vendimit të Këshillit Administrativ për të parë bazën ligjore të kësaj tarife dhe arsyetimin e aplikimit të saj, por që në fakt ky vendim nuk u vu në dispozicion,duke mbuluar me dyshim faktin nëse ka apo jo një vendim unanim të tillë dhe nëse ka marrë miratimin e Kryetarit të Asamblesë që është Kryetari i Bashkisë, Eduard Kapri!
Kryebashkiaku heq tarifën
Për këtë arsye, Porta Vendore kërkoi shpjegime edhe nga Kryetari i Bashkisë Pogradec lidhur me tarifën shtesë për riprintim fature. Ai deklaroi se sapo është vënë në dijeni të një fakti të tillë dhe ka kërkuar heqjen e saj. “Këshilli i Administrimit i përbërë nga tre veta mes tyre edhe drejtuesi i UK ka fuqi për të bërë vetë vendimmarrje të tilla. Sapo e mora vesh këtë tarifë nga ankesat e qytetarëve, kam thirrur në zyrë këshillin e administrimit dhe iu kam kërkuar heqjen e kësaj tarife. Nuk është e nevojshme që të ngarkojmë qytetarët me tarifa shtesë, por ama gjithsecili prej nesh duhet të jetë i përgjegjshëm për ruajtjen e faturës, pasi edhe riprintimi i tyre ka kosto shtesë për ujësjellësin. Besoj se brenda muajit, tarifa nuk do të jetë më në fuqi dhe do të hiqet”, tha kryebashkiaku Kapri. Megjithatë, banorët mbeten skeptikë deri muajin tjetër kur të shkojnë për të paguar faturat e ujit, për të parë nëse do u kërkohet sërish tarifa shtesë, apo ajo do të hiqet derisa të reformohet sistemi i dorëzimit të faturave pranë çdo konsumatori.
Rreth autorit:
Artin Halili është gazetar në Tv Sot 7, në qytetin e Pogradecit.